Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Jozueut
GJATË fushimit në rrafshinat e Moabit, në vitin 1473 p.e.s., izraelitët tronditen kur dëgjojnë këto fjalë: «Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi.» (Jozueu [Josiu] 1:11) Qëndrimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë po i vjen fundi.
Pak më shumë se 20 vjet më vonë, udhëheqësi i tyre, Josiu, qëndron në mes të vendit të Kanaanit dhe u deklaron burrave të moshuar të Izraelit: «Dhe ja, unë kam ndarë midis jush me short, si trashëgimi për fiset tuaja, kombet që mbeten, bashkë me tërë kombet që kam shfarosur, nga Jordani deri në Detin e Madh, në perëndim. Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t’i dëbojë ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti, Perëndia juaj.»—Jozueu 23:4, 5.
Libri i Jozueut (Josiut), i shkruar nga vetë ai në vitin 1450 p.e.s., është një libër me tregime historike interesante të ngjarjeve që ndodhën gjatë atyre 22 vjetëve. Ndërkohë që ndodhemi në prag të botës së re që Perëndia ka premtuar, situata jonë është e ngjashme me atë të bijve të Izraelit, të cilët ishin gati për të marrë Tokën e Premtuar. Atëherë, me interes të madh le t’i kushtojmë vëmendje librit të Jozueut.—Hebrenjve 4:12.
NË «RRAFSHINAT E SHKRETA TË JERIKOSË»
Mendoni pak çfarë caktimi merr Josiu kur Jehovai i thotë: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.» (Jozueu 1:2) Detyra e Josiut është të drejtojë një komb që përbëhet nga disa milionë njerëz për në Tokën e Premtuar. Gjatë përgatitjeve, dërgon dy vëzhgues në Jeriko, në qytetin që duhet të pushtojnë në fillim. Në atë qytet jeton Rahaba, prostituta, e cila ka dëgjuar për veprat e fuqishme që ka kryer Jehovai për popullin e tij. Ajo i mbron dhe i ndihmon vëzhguesit, prandaj ata i premtojnë se do t’ia kursejnë jetën.
Pas kthimit të vëzhguesve, Josiu së bashku me popullin janë gati për të kaluar Jordanin. Megjithëse është periudha kur lumi vërshon, ai nuk përbën një pengesë për ta, sepse Jehovai bën që ujërat në pjesën e sipërme të lumit të ngrihen si një pritë, duke lejuar kështu që ujërat në pjesën e poshtme të derdhen në Detin e Vdekur. Pasi kalojnë Jordanin, izraelitët fushojnë në Gilgal, afër Jerikosë. Katër ditë më pas, mbrëmjen e ditës së 14-të të muajit abib, ata kremtojnë Pashkën në rrafshinat e shkreta të Jerikosë. (Josiu 5:10, BR) Të nesërmen, fillojnë të hanë prodhime të vendit, kështu që Jehovai nuk u siguron më manën. Gjatë kësaj kohe, Josiu rrethpret të gjithë burrat që kishin lindur në shkretëtirë.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:4, 5—Pse Rahaba u jep informata të gabuara njerëzve të mbretit që po kërkonin vëzhguesit? Rahaba i mbron vëzhguesit duke rrezikuar jetën e saj, sepse ka krijuar besim te Jehovai. Kështu që nuk ka pse t’ua tregojë vendndodhjen e vëzhguesve njerëzve që po përpiqen t’i bëjnë keq popullit të Perëndisë. (Mateu 7:6; 21:23-27; Gjoni 7:3-10) Në fakt, Rahaba «u shpall e drejtë nga veprat», dhe te këto vepra futet edhe rasti kur u dha informata të gabuara të dërguarve të mbretit.—Jakovi 2:24-26.
5:14, 15, BR—Kush është «princi i ushtrisë së Jehovait»? Princi që vjen për të forcuar Josiun, në kohën që fillon pushtimi i Tokës së Premtuar, nuk mund të jetë askush tjetër përveçse «Fjala», pra Jezu Krishti në ekzistencën e tij paranjerëzore. (Gjoni 1:1; Danieli 10:13) Sa forcuese është të kesh sigurinë se Jezu Krishti i lavdishëm, është sot me popullin e Perëndisë në luftën frymore në të cilën po merr pjesë!
Mësime për ne:
1:7-9. Leximi i përditshëm i Biblës, meditimi për atë që thotë dhe zbatimi i asaj që mësojmë, janë vendimtare që përpjekjet tona në kuptimin frymor të kenë sukses.
1:11. Josiu e urdhëron popullin t’i sigurojë vetë gjërat e nevojshme dhe jo të presë me dembelizëm që t’ua japë Perëndia. Këshilla e Jezuit që të mos jemi më në ankth për gjërat e nevojshme të jetës, bashkë me premtimin se «të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen», nuk nënkuptojnë se s’duhet të bëjmë përpjekje për t’i siguruar vetë gjërat e domosdoshme.—Mateu 6:25, 33.
2:4-13. Pasi ka dëgjuar për veprat e fuqishme të Jehovait dhe pasi kupton që është një kohë vendimtare, Rahaba vendos të mbajë anën e adhuruesve të tij. Nëse ke kohë që studion Biblën dhe e kupton se po jetojmë në «ditët e fundit», a nuk mendon se tani duhet të vendosësh t’i shërbesh Perëndisë?—2 Timoteut 3:1.
3:15. Meqenëse raporti që japin vëzhguesit e dërguar në Jeriko është favorizues, Josiu vepron menjëherë, pa pritur që niveli i ujërave të Jordanit të bjerë. Kur bëhet fjalë për adhurimin e vërtetë, duhet të veprojmë me guxim, jo të presim derisa rrethanat të na duken të përshtatshme.
4:4-8, 20-24. Të 12 gurët që marrin nga shtrati i lumit Jordan do të shërbejnë si përkujtues për Izraelin. Veprat e Jehovait për të çliruar popullin e tij në ditët e sotme, shërbejnë po kështu si përkujtues që ai është me të.
PUSHTIMI VAZHDON
Qyteti i Jerikosë është «i mbyllur dhe i mbrojtur mirë . . . , askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të». (Jozueu 6:1) Po, si do ta pushtojnë? Jehovai i mëson Josiut se si ta pushtojnë. Shumë shpejt muret shemben dhe qyteti shkatërrohet. Vetëm Rahaba dhe familja e saj shpëtojnë.
Qyteti i dytë për t’u pushtuar, është qyteti mbretëror i Ait. Vëzhguesit raportojnë se në atë qytet nuk ka shumë banorë, kështu që nuk duhen shumë burra për ta mposhtur. Megjithatë, rreth 3.000 ushtarët që dërgohen për ta sulmuar qytetin ia mbathin nga frika e burrave të Ait. Përse? Jehovai nuk është me izraelitët. Akani, nga fisi i Judës, mëkatoi gjatë pushtimit të Jerikosë. Pasi zgjidh këtë çështje, Josiu sulmon përsëri Ain. Meqë i mundi një herë, mbreti i Ait mezi pret që izraelitët të vijnë përsëri në fushën e betejës. Por Josiu përdor një taktikë, ku përfiton nga besimi i tepruar që burrat e Ait kanë te vetja, dhe arrin ta pushtojë qytetin.
Gibeoni është ‘një qytet i madh, më i madh se Ai, dhe tërë banorët e tij janë trima’. (Jozueu 10:2) Por, kur dëgjojnë për fitoren e Izraelit kundër Jerikosë dhe Ait, burrat e Gibeonit e mashtrojnë Josiun që të bëjë me ta një besëlidhje paqeje. Kombet përreth e shohin si kërcënim këtë dezertim të gibeonitëve. Kështu që, pesë mbretër hyjnë në aleancë dhe sulmojnë Gibeonin. Izraeli shpëton gibeonitët dhe shpartallon krejt sulmuesit. Në pushtimet e tjera që bëri Izraeli gjatë udhëheqjes së Josiut, përfshihen edhe pushtimi i qyteteve në jug e në perëndim dhe shpartallimi i koalicionit të mbretërve në veri. Të gjithë mbretërit që u mundën në perëndim të lumit Jordan arrijnë në 31.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
10:13—Si është e mundur një dukuri e tillë? «A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin», Krijuesin e qiejve dhe të Tokës? (Zanafilla 18:14) Nëse do, Jehovai mund të ndryshojë lëvizjen e Tokës, në mënyrë që Dielli dhe Hëna të duken të palëvizshëm për sytë e një vëzhguesi nga Toka. Ose mund t’i lërë Tokën dhe Hënën ta vazhdojnë lëvizjen e tyre dhe ndërkohë t’u ndryshojë drejtimin rrezeve që vijnë nga Dielli dhe nga Hëna në mënyrë të tillë që drita e këtyre dy ndriçuesve të vazhdojë të vijë në Tokë. Sidoqoftë, në historinë njerëzore «nuk pati kurrë një ditë si ajo».—Jozueu 10:14.
10:13, BR—Çfarë është libri i Jasharit? Ky libër përmendet edhe te 2 Samuelit 1:18, BR, kur i referohet një poezie që titullohet «Harku», një këngë vajtimi për Saulin, mbretin e Izraelit, dhe për birin e tij Jonatanin. Ka mundësi që ky libër të ketë qenë një përmbledhje këngësh e poemash epike, ose historike, dhe me sa duket ishte shumë i njohur ndër hebrenjtë.
Mësime për ne:
6:26; 9:22, 23. Mallkimi i Josiut në kohën e shkatërrimit të Jerikosë, u përmbush rreth 500 vjet më vonë. (1 Mbretërve 16:34) Mallkimi i Noesë për nipin e tij, Kanaanin, u përmbush në kohën kur gibeonitët u bënë skllevër. (Zanafilla 9:25, 26) Fjala e Jehovait del gjithmonë e vërtetë.
7:20-25. Disa mund ta konsiderojnë vjedhjen e Akanit si diçka të vogël, duke menduar se nuk i bëri keq njeriu. Ata mund t’i shohin si gabime jo të rënda vjedhjet dhe shkeljet e vogla të ligjit të Biblës. Por ashtu si Josiu, ne duhet të jemi të vendosur t’i rezistojmë presionit për të shkelur ligjin ose për të kryer imoralitet.
9:15, 26, 27. Duhet t’i marrim seriozisht marrëveshjet që bëjmë dhe ta mbajmë fjalën.
JOSIU MERR PËRSIPËR DETYRËN E FUNDIT TË RËNDËSISHME
Tashmë i moshuar, afër të 90-tave, Josiu fillon ndarjen e tokës, një detyrë kjo vërtet e madhe! Fiset e Rubenit, të Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut tashmë i kanë marrë tokat e tyre në lindje të Jordanit. Me anë të shortit, fiseve që kanë mbetur u jepet pjesa e tyre në anën perëndimore.
Tabernakulli ngrihet në Shiloh, qytet që bën pjesë në territorin e Efraimit. Kalebi merr qytetin e Hebronit, ndërsa Josiu merr Timnat-Serahun. Levitëve iu jepen 48 qytete, ku përfshihen edhe 6 qytete strehimi. Rrugës për t’u kthyer te tokat e tyre në lindje të Jordanit, luftëtarët e Rubenit, të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut ngrenë një altar «me pamje të madhërishme». (Jozueu 22:10) Fiset në perëndim të Jordanit e konsiderojnë këtë akt si apostazi dhe gati shpërthen një luftë ndërfisnore, por falë komunikimit gjakderdhja parandalohet.
Pasi Josiu ka jetuar ca kohë në Timnat-Serah, thërret pleqtë, krerët, gjykatësit dhe oficerët e Izraelit dhe i nxit të jenë të guximshëm e t’i qëndrojnë besnikë Jehovait. Më vonë, Josiu mbledh të gjitha fiset e Izraelit në Sikem. Para tyre bën një përmbledhje të mënyrës se si ka vepruar Jehovai që nga koha e Abrahamit e deri në atë moment, dhe përsëri i nxit që ‘t’ia kenë frikën Atij dhe t’i shërbejnë me ndershmëri e besnikëri’. Kështu populli përgjigjet me zell: «Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë dhe do t’i bindemi zërit të tij.» (Jozueu 24:14, 15, 24) Pas këtyre ngjarjeve, në moshën 110-vjeçare, Josiu vdes.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
13:1—A bie ndesh ky shkrim me atë që thuhet te Jozueu 11:23? Jo, sepse pushtimi i Tokës së Premtuar u bë në dy drejtime. I pari ishte lufta kombëtare që mposhti 31 mbretër të Kanaanit dhe theu fuqinë e kananitëve dhe i dyti ishte marrja në zotërim e të gjithë tokës si me anë të ndihmës së fiseve, ashtu edhe me anë të individëve të veçantë. (Jozueu 17:14-18; 18:3) Megjithëse bijtë e Izraelit nuk arritën t’i nxirrnin plotësisht kananitët nga mesi i tyre, ata që mbijetuan nuk përbënin një kërcënim për ta. (Jozueu 16:10; 17:12) Te Josiu 21:44 thuhet: «Jehovai u dha atyre prehje rreth e qark.»—BR.
24:2—A ishte Terahu, babai i Abrahamit, një adhurues idhujsh? Në fillim, Terahu nuk ishte një adhurues i Perëndisë Jehova. Ka të ngjarë që adhuronte perëndinë-hënë Sin, një hyjni shumë e njohur në Ur. Sipas traditës së judenjve, ai mund të ketë qenë edhe një bërës idhujsh. Megjithatë, kur Abrahami largohet nga Uri me urdhrin e Perëndisë, Terahu shkon me të në Haran.—Zanafilla 11:31.
Mësime për ne:
14:10-13. Pavarësisht nga mosha e tij 85-vjeçare, Kalebi kërkon t’i jepet një detyrë e vështirë, të spastrojë rajonin e Hebronit. Kjo zonë është pushtuar nga anakimët, njerëz me shtat të pazakontë. Me ndihmën e Jehovait, ky luftëtar me përvojë ia del mbanë dhe Hebroni bëhet një qytet strehimi. (Jozueu 15:13-19; 21:11-13) Shembulli i Kalebit na mëson që të mos u bëjmë bisht caktimeve të vështira teokratike.
22:9-12, 21-33. Duhet të kemi kujdes që të mos i gjykojmë gabim motivet e të tjerëve.
‘Nuk ka rënë përtokë asnjë fjalë’
Në kohën kur tashmë ishte i moshuar, Josiu u thotë burrave me përgjegjësi në Izrael: «Nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju.» (Jozueu 23:14) Sa bukur e nxjerr në pah këtë gjë tregimi historik i Josiut!
Apostulli Pavël shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Mund të jemi të sigurt se shpresa që kemi te premtimet e Perëndisë nuk është e kotë. Asnjë premtim nuk do ta marrë era, të gjitha do të realizohen.
[Harta në faqen 10]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
Toka që u pushtua nën udhëheqjen e Josiut
BASHAN
GALAAD
ARABAH
NEGEB
Lumi Jordan
Deti i Kripur
L.p. të Jabokut
L.p. të Arnonit
Hazor
Madon
Lasharon
Shimron
Jokneam
Dor
Megido
Kedesh
Tanak
Hefer
Tirzah
Afek
Tapuah
Bethel
Ai
Gilgal
Jeriko
Gezer
Jerusalem
Makedah
Jarmuth
Adulam
Libnah
Lakish
Eglon
Hebron
Debir
Arad
[Figura në faqen 9]
A e dini pse Rahaba, prostituta, u shpall e drejtë?
[Figura në faqen 10]
Josiu e nxiti Izraelin ‘t’ia kishte frikën Zotit dhe t’i shërbente atij’
[Figura në faqen 12]
Vjedhja e Akanit nuk ishte një gabim i vogël, pasi pasojat ishin serioze
[Figura në faqen 12]
«Me anë të besimit muret e Jerikosë u rrëzuan.»—Hebrenjve 11:30