TEMA KRYESORE | A KA JETË PAS VDEKJES?
Çfarë ndodh pas vdekjes?
«Mendoja se pas vdekjes njeriu shkonte në tri vende: në parajsë në qiell, në ferr ose në purgator. E dija që nuk isha aq i mirë sa të shkoja në parajsë dhe aq i keq sa të shkoja në ferr. Kurse në purgator nuk e dija mirë se cilët shkonin. Asnjë nga këto nuk e kisha lexuar në Bibël. Ishin vetëm fjalë njerëzish.»—Lajoneli.
«Më kishin mësuar se të gjithë njerëzit shkojnë në qiell pasi vdesin, por nuk isha i bindur. Mendoja se pas vdekjes mbaron gjithçka, nuk ka më asnjë të ardhme.»—Fernandoja.
A ke menduar ndonjëherë: «Çfarë ndodh vërtet pas vdekjes? A po vuajnë diku njerëzit tanë të dashur? A do t’i shohim më? Si mund ta dimë me siguri?» Të lutemi vër re çfarë thonë vërtet Shkrimet. Në fillim le të shohim si e përshkruan Bibla vdekjen. Pastaj do të shohim shpresën që jep Fjala e Perëndisë, Bibla.
Në ç’gjendje janë të vdekurit?
PËRGJIGJJA E BIBLËS: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.»a—Eklisiastiu 9:5, 10.
Me pak fjalë, Sheoli i referohet vendit ku shkojnë njerëzit kur vdesin; ai është një vend simbolik ose një gjendje ku njeriu nuk është më i vetëdijshëm apo aktiv. Si e konsideronte Jobi besnik Sheolin? Brenda një dite ai humbi gjithçka kishte, përfshirë fëmijët, dhe pastaj i gjithë trupi iu mbush me çibanë angështues. Prandaj, iu përgjërua Zotit: «Ah sikur të më fshihje në Sheol! [«në ferr» sipas Catholic Douay Version] Të më mbaje fshehur.» (Jobi 1:13-19; 2:7; 14:13) Është e qartë se Jobi nuk e konsideronte Sheolin si ferrin e zjarrtë, një vend ku do të vuante edhe më tepër. Përkundrazi e konsideronte si vend ku do të gjente prehje.
Ka edhe diçka tjetër që na ndihmon të kuptojmë gjendjen e të vdekurve. Mund të shqyrtojmë tetë ringjallje të dokumentuara në Shkrime.—Shih kutinë «Tetë ringjallje të dokumentuara në Bibël.»
Askush prej tyre nuk tha se kishte qenë në ndonjë vend parajsor ose torture. Po të kishte qenë kështu, a nuk do të tregonin? Për më tepër, a nuk do të ishte shkruar për këtë në Biblën e shenjtë që të gjithë ta dinin? Në Shkrime nuk thuhet asgjë e tillë. Është e qartë se ata të tetë nuk kishin ç‘të tregonin. Pse? Sepse kishin qenë të pavetëdijshëm, si në një gjumë të thellë. Në fakt, Bibla ndonjëherë përdor fjalën gjumë për të ilustruar gjendjen e të vdekurve. Për shembull, ajo thotë se besnikët David e Stefan ‘ranë në gjumin e vdekjes’.—Veprat 7:60; 13:36.
Po çfarë shprese ka për të vdekurit? A mund të zgjohen nga ky gjumë?
a Në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re fjala hebraike «Sheol» dhe fjala greke «Hades» i referohen varrit. Kurse disa versione të tjera përdorin fjalën «ferr», por ideja e një zjarri ku të vdekurit torturohen nuk vjen nga Shkrimet.