Një jetë e re për stërgjyshërit tanë
A MËSON Fjala e Perëndisë, Bibla, se çdonjeri kur vdes në një mënyrë të natyrshme vazhdon të jetojë në një mbretëri frymore? Jo, nuk thotë. Bibla ofron një shpresë të mrekullueshme të jetës pas vdekjes, por që ndryshon nga mënyra që mendon shumica.
Le të shohim se çfarë thotë Bibla për stërgjyshin e parë, Adamin. Jehovai e formoi atë nga «pluhuri i tokës». (Zanafilla 2:7) Adami kishte mundësinë për të jetuar përgjithmonë në lumturi mbi tokë. (Zanafilla 2:16, 17) Por, ai u rebelua kundër Krijuesit të tij të dashur dhe përfundimi ishte vdekja.
Ku shkoi Adami kur vdiq? Perëndia i tha: «Do të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.»—Zanafilla 3:19.
Ku ishte Adami përpara se Jehovai ta krijonte nga pluhuri? Asgjëkundi. Ai nuk ekzistonte. Prandaj, kur Jehovai tha se Adami do të «rikthehej në pluhur», ka dashur vetëm të thotë se Adami do të bëhej përsëri i pajetë, tamam si pluhuri. Adami nuk u ‘transformua’ për t’u bërë ati themelues i botës së frymërave stërgjyshore. Ai nuk kaloi as në një jetë të hareshme në qiell, as në vuajtje të përhershme në një vend mundimesh. I vetmi kalim që bëri ishte nga jeta në vdekje, nga një gjendje ekzistence në joekzistencë.
Ç’mund të themi për pjesën tjetër të njerëzimit? A është vdekja fundi i ekzistencës edhe për pasardhësit e Adamit? Bibla përgjigjet: «Të gjithë [njerëzit dhe kafshët] shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.»—Eklisiastiu (Predikuesi) 3:19, 20.
Gjendja e të vdekurve
Po, të vdekurit janë të pajetë, të paaftë për të dëgjuar, shikuar, folur apo menduar. Për shembull, Bibla thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë.» Bibla gjithashtu deklaron: «Në Sheol [varri] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»—Eklisiastiu 9:5, 6, 10.
Pra, sipas Fjalës së Perëndisë, kur janë të gjallë, njerëzit janë të vetëdijshëm për vdekjen. Kur vdesin, nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. Nuk qëndrojnë në këmbë pranë kufomës së tyre, duke vëzhguar se çfarë bëhet me të. Në mosekzistencë nuk ka as kënaqësi, as dhimbje, as gëzim, as pikëllim. Të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për kalimin e kohës. Ata janë në një gjendje pavetëdije, më të thellë se gjumi.
Jobi, një shërbëtor i Perëndisë në kohët e lashta, e dinte se njerëzit nuk vazhdojnë të jetojnë pas vdekjes. Ai, gjithashtu, e kuptoi se pa ndërhyrjen e Perëndisë nuk do të kishte shpresë për ardhjen përsëri në jetë. Jobi tha: «Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra? Por njeriu që dergjet nuk ngrihet më.» (Jobi 14:10, 12) Sigurisht, Jobi nuk priste që kur të vdiste të bashkohej me stërgjyshërit e tij në një botë frymërash.
Shpresa e ringjalljes
Pasi në vdekje të gjallët pushojnë së ekzistuari, një pyetje vendimtare që lind është ajo që ngriti Jobi ndërsa po thoshte: «Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?» Vetë Jobi dha këtë përgjigje: «Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim. Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.»—Jobi 14:14, 15.
Me fjalë të tjera, megjithëse Jobi do të kalonte në mosekzistencë, Perëndia nuk do ta harronte. Jobi kishte besim se do të vinte koha kur Perëndia Jehova do ta «thërriste» përsëri në jetë me anë të ringjalljes.
Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, tregoi se shpresa që kishte Jobi në ringjallje ishte realiste. Jezui dha prova se të vdekurit mund të ngjallen. Në ç’mënyrë? Duke e bërë vetë këtë! Jezui nuk ishte në atë kohë për të ringjallur Jobin, por kur erdhi në tokë, ringjalli birin e një vejushe nga qyteti i Nainit. Gjithashtu, Jezui solli në jetë vajzën 12-vjeçare të një burri të quajtur Jair. Ringjalli edhe mikun e tij, Lazrin, që kishte vdekur prej katër ditësh.—Luka 7:11-15; 8:41, 42, 49-56; Gjoni 11:38-44.
Përveç kryerjes së këtyre mrekullive, Jezui foli për një ringjallje të madhe në të ardhmen. Ai tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre.» (Gjoni 5:28, 29) Më vonë, apostulli Pavël, të cilin Jehovai e përdori për të ringjallur një të ri, shprehu gjithashtu besimin në një ringjallje të ardhme. Ai tha: «Duke pasur shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.»—Veprat 20:7-12; 24:15.
Këto referime biblike për një ringjallje të ardhme, nuk kanë si kuptim se jeta vazhdon në një mbretëri frymore. Ato tregojnë për kohën kur miliona të vdekur do të rikthehen në jetë në trupa fizikë këtu mbi tokë. Ata që ringjallen nuk do të jenë njerëz që nuk kanë më kujtesë për jetën e tyre të mëparshme mbi tokë. Ata nuk do të rilindin si foshnje. Përkundrazi, do të jenë të njëjtët persona që ishin para se të vdisnin, duke zotëruar të njëjtën kujtesë dhe personalitet. Do të jenë në gjendje të rinjohin veten dhe të tjerët. Çfarë gëzimi do të jetë ndërsa këta njerëz bashkohen me miqtë dhe të afërmit e tyre! Dhe sa emocionuese do të jetë të takojmë stërgjyshërit tanë!
Ringjallje për jetën në qiell
A nuk tha Jezui se disa do të shkojnë në qiell? Po, tha. Në mbrëmjen para se të vdiste tha: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. . . . Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 14:2, 3) Jezui po u fliste apostujve të tij besnikë, por fjalët e tij nuk do të thonë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell.
Jezui tregoi se ata që ringjallen për në qiell duhet të plotësojnë kërkesa të tjera, përveç asaj të ndjekjes së një jete të drejtë. Një kërkesë është që të kenë njohurinë e saktë për Jehovain dhe qëllimet e tij. (Gjoni 17:3) Kërkesa të tjera janë, të ushtrojnë besim në sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit dhe t’i binden Perëndisë. (Gjoni 3:16; 1. Gjonit 5:3) Një tjetër kërkesë akoma është që të «rilindin» si të krishterë të pagëzuar të lindur nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (Gjoni 1:12, 13; 3:3-6) Një kërkesë e mëtejshme për jetën qiellore është të durojnë ashtu si edhe Jezui, duke e provuar besnikërinë ndaj Perëndisë madje deri në vdekje.—Luka 22:29; Zbulesa (Apokalipsi_) 2:10.
Ka një arsye për kërkesa të tilla të larta. Ata që ringjallen për në qiell kanë një punë të rëndësishme për të bërë. Jehovai e dinte se qeveritë tokësore nuk mund t’i drejtonin kurrë me sukses çështjet mbi tokë. Kështu vendosi të krijonte një qeveri qiellore, ose Mbretërinë që do të sundojë mbi njerëzimin. (Mateu 6:9, 10) Jezui do të jetë mbreti i kësaj Mbretërie. (Danieli 7:13, 14) Disa të zgjedhur nga toka dhe të ringjallur për në qiell do të sundojnë me të. Bibla paratha se këta të ringjallur do të bëhen ‘mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojnë mbi dhe’.—Zbulesa 5:10.
A do t’i plotësojnë këto kërkesa për një ringjallje qiellore një numër i madh njerëzish? Jo. Për shkaqe që nuk varen nga vullneti i tyre, shumica e atyre që flenë në vdekje nuk janë kualifikuar. Shumë kishin pak ose aspak mundësi për të mësuar të vërtetën rreth Jehovait dhe qëllimeve të tij. Ata jetuan dhe vdiqën pa ndonjë njohuri për Jezu Krishtin apo Mbretërinë e Perëndisë.
Jezui i quajti ata që do të shkojnë në qiell «tufë e vogël». (Luka 12:32) Më vonë u zbulua se numri i atyre të «shpenguar nga toka» për të sunduar me Krishtin në qiell do të jetë 144.000. (Zbulesa 14:1-3; 20:6) Edhe pse 144.000 është një numër mjaft i madh për të zënë «shumë banesa» të përmendura nga Jezui, është i vogël në krahasim me miliarda pasardhës të Adamit.—Gjoni 14:2
Ngjarjet përpara ringjalljes tokësore
Le të rishikojmë se çfarë kemi diskutuar deri tani. Sipas Biblës ata që vdesin mbeten të pajetë në vdekje derisa të ringjallen nga Perëndia Jehova. Disa janë ringjallur për jetën në qiell ku do të sundojnë me Jezu Krishtin në qeverinë mbretërore. Shumica e njerëzve do të ringjallen në tokë për t’u bërë nënshtetas të kësaj Mbretërie.
Me anë të ringjalljes tokësore Jehovai do të kryejë pjesërisht qëllimin e tij për tokën. Jehovai e krijoi atë «që të banohej». (Isaia 45:18) Ajo duhej të ishte banesa e përhershme e njerëzimit. Kështu, psalmisti këndoi: «Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.»—Psalmi 115:16.
Përpara se të fillojë ringjallja për jetën në tokë, duhet të ndodhin ndryshime të mëdha. Ndoshta je dakord që nuk ishte qëllimi i Perëndisë që toka të mbushej me luftë, ndotje, krime dhe dhunë. Këto probleme janë shkaktuar nga njerëz që nuk kanë respekt për Perëndinë dhe për ligjet e tij të drejta. Prandaj, Mbretëria e Perëndisë do t’i ‘shkatërrojë ata që shkatërrojnë dheun’, një hap madhështor ky në plotësimin e vullnetit të tij mbi tokë. (Zbulesa 11:18) Mbretëria do t’i shkatërrojë të gjithë të ligjtë, duke i lënë të drejtët të jetojnë në tokë përgjithmonë.—Psalmi 37:9, 29.
Parajsa mbi tokë
Ata që ringjallen në një tokë të pastruar do të jenë persona me karakter të butë, të dashur, që e duan drejtësinë. (Krahaso Mateun 5:5.) Nën mbikëqyrjen e dashur të Mbretërisë së Perëndisë, ata do të bëjnë një jetë të lumtur e të sigurt. Bibla jep këtë pamje të mrekullueshme të kushteve që do të mbizotërojnë në atë kohë: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.
Po, toka do të transformohet në një parajsë. (Luka 23:43) Mendo se ç’do të thotë kjo! Spitalet dhe azilet do të jenë gjëra të së shkuarës. Në Parajsë, ata që tani po vuajnë nga pasojat e pleqërisë do të jenë të fortë dhe të shëndetshëm përsëri. (Jobi 33:25; Isaia 35:5, 6) Nuk do të ketë më dhoma funerali, varreza dhe gurë varresh. Me anë të Mbretërisë së tij, Jehovai ‘do ta shkatërrojë përgjithnjë vdekjen’. (Isaia 25:8) Bekime të tilla sigurisht mund të nënkuptojnë një jetë të re për ne dhe për stërgjyshërit tanë.
[Figura në faqen 7]
Ata që ringjallen mbi tokë do të jenë nënshtetas të Mbretërisë