-
Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuarKulla e Rojës—2005 | 1 Prill
-
-
Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuar
«Ja, fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai. Fryti i barkut është shpërblim.»—PSALMI 127:3, BR.
1. Si u bë e mundur lindja e foshnjës së parë njerëzore?
MENDONI çfarë ngjarjesh të mrekullueshme bëri të mundur Perëndia Jehova me mënyrën se si e krijoi burrin dhe gruan e parë! Babai, Adami, dhe nëna, Eva, dhanë secili një pjesë nga trupi i vet. Kjo u zhvillua brenda barkut të Evës, derisa u bë një njeri i ri, i formuar plotësisht: foshnja e parë njerëzore. (Zanafilla 4:1) Edhe sot e kësaj dite, ngjizja dhe lindja e një fëmije na mahnit, dhe përshkruhet nga shumë veta si një mrekulli e vërtetë.
2. Pse do ta quanit mrekulli atë që ndodh në barkun e një gruaje shtatzënë?
2 Qeliza e parë që krijohet brenda nënës, si pasojë e bashkimit të saj me burrin, brenda rreth 270 ditëve rritet deri sa bëhet një foshnjë me qindra milionë qeliza. Ajo qelizë fillestare ka brenda saj informacionin që nevojitet për të prodhuar më shumë se 200 lloje qelizash. Duke ndjekur këtë informacion të mrekullueshëm (që është përtej aftësisë njerëzore për ta kuptuar), këto qeliza që kanë një kompleksitet të habitshëm, zhvillohen tamam sipas rregullit dhe mënyrës së duhur, për të krijuar një njeri të ri!
3. Pse shumë njerëz e pranojnë se duhet të jetë Perëndia që bëri të mundur lindjen e një njeriu të ri?
3 Si mendoni, kush është krijuesi i vërtetë i foshnjës? S’ka asnjë dyshim se është Ai që krijoi jetën në fillim fare. Psalmisti i Biblës këndoi: «Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë.» (Psalmi 100:3) Ju prindër, e dini mirë se nuk është falë ndonjë merite të veçantë nga ana juaj që keni sjellë në jetë këtë foshnjë të çmuar. Vetëm një Perëndi me mençuri të pafundme mund të jetë përgjegjës për formimin e mrekullueshëm të një njeriu të ri të gjallë. Për mijëra vjet, njerëzit objektivë ia kanë dhënë meritën Krijuesit të Madh, për formimin e fëmijës në barkun e nënës. Po ju, a ia jepni atij meritën?—Psalmi 139:13-16.
4. Cila mangësi njerëzore nuk mund të mendohet kurrë për Jehovain?
4 Mirëpo, a është Jehovai një Krijues pa ndjenja që thjesht nisi një proces biologjik, sipas të cilit burrat e gratë mund të kishin pasardhës? Disa njerëz mund të jenë pa ndjenja, por Jehovai kurrë! (Psalmi 78:38-40) Bibla thotë: «Ja, fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai. Fryti i barkut është shpërblim.» (Psalmi 127:3, BR) Le të shqyrtojmë se çfarë është një trashëgimi dhe ç’tregon ajo.
Një trashëgimi dhe një shpërblim
5. Pse fëmijët janë një trashëgimi?
5 Trashëgimia është pak a shumë si një dhuratë. Shpesh prindërit punojnë e robtohen që t’u lënë një trashëgimi fëmijëve të tyre. Kjo trashëgimi mund të jetë para, prona ose edhe ndonjë send me vlerë të veçantë. Sido që të jetë, ajo tregon dashurinë e prindërve për fëmijët. Bibla thotë se Perëndia u ka dhënë prindërve si trashëgimi fëmijët. Ata janë një dhuratë e dashur nga ai. Nëse je prind, a po tregon me veprimet e tua se i sheh fëmijët si një dhuratë që Krijuesi i universit ta ka besuar ty?
6. Me ç’qëllim Perëndia u dha njerëzve aftësinë për të lindur fëmijë?
6 Qëllimi pse e dha Jehovai këtë dhuratë ishte që toka të popullohej me pasardhës të Adamit dhe të Evës. (Zanafilla 1:27, 28; Isaia 45:18) Jehovai nuk i krijoi një për një të gjithë njerëzit, siç krijoi miliona engjëjt. (Psalmi 104:4; Zbulesa 4:11) Në vend të kësaj, Perëndia vendosi që t’i krijonte njerëzit me aftësinë për të lindur fëmijë, të cilët do t’u ngjanin prindërve në disa karakteristika të veçanta. Sa privilegj të mrekullueshëm që kanë një nënë e një baba të sjellin në jetë një njeri të ri, e të kujdesen për të! A e falënderoni ju prindër Jehovain, që ju ka dhënë mundësinë të gëzoni këtë trashëgimi të çmuar?
Mësoni nga shembulli i Jezuit
7. Ndryshe nga ajo që bëjnë disa prindër, si tregoi Jezui interes e dhembshuri për «bijtë e njerëzve»?
7 Mjerisht, jo të gjithë prindërit i konsiderojnë si një shpërblim fëmijët e tyre. Shumë prej tyre s’kanë dhembshuri për fëmijët. Këta prindër nuk pasqyrojnë qëndrimin që ka Jehovai ose Biri i tij. (Psalmi 27:10; Isaia 49:15) Të mendojmë pak për interesin që tregonte Jezui për fëmijët. Edhe përpara se të vinte në tokë si njeri, pra kur ishte një krijesë frymore e fuqishme në qiell, Bibla thotë për Jezuin se ‘gjente ëndje me bijtë e njerëzve’. (Fjalët e urta [Proverbat] 8:31) Dashuria e tij për njerëzit ishte kaq e madhe, saqë me dëshirë dha jetën si shpërblesë për ta, që të merrnin jetën e përhershme.—Mateu 20:28; Gjoni 10:18.
8. Çfarë shembulli la Jezui për prindërit?
8 Kur ishte në tokë, Jezui la një shembull të shkëlqyer sidomos për prindërit. Le të shqyrtojmë se çfarë bënte. Edhe kur ishte shumë i zënë dhe i stresuar, ai arrinte të gjente kohë për fëmijët. I vështronte tek luanin në sheshin e pazarit dhe i përdori disa aspekte të sjelljes së tyre për të mësuar të tjerët. (Mateu 11:16, 17) Gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem, Jezui e dinte se do të vuante dhe do ta vritnin. Prandaj, ndoshta për të mos e stresuar më tepër Jezuin, dishepujt e tij u përpoqën t’i largonin fëmijët e vegjël që njerëzit i sollën për ta takuar. Por ai i qortoi dishepujt. Duke treguar se ‘gjente ëndje’ kur rrinte me fëmijët, tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.»—Marku 10:13, 14.
9. Pse ajo që bëjmë mund të jetë edhe më e rëndësishme se ajo që themi?
9 Mund të mësojmë shumë nga shembulli i Jezuit. Si reagojmë kur fëmijët e vegjël vijnë për të na folur, ndoshta edhe kur jemi të zënë me punë? A reagojmë si Jezui? Fëmijët kanë nevojë, sidomos nga prindërit e tyre, për të njëjtat gjëra që ishte i gatshëm t’u jepte Jezui fëmijëve, pra për kohë e për vëmendje. Është e vërtetë se fjalë të tilla, si «Të kam xhan», janë të rëndësishme. Megjithatë veprimet flasin më shumë se fjalët. Dashuria juaj do të duket jo vetëm nga fjalët që thoni, por më tepër nga ajo që bëni. Do të duket nga kujdesi, koha dhe vëmendja që u kushtoni fëmijëve tuaj. Por edhe po t’i bëni të gjitha këto, mund të mos arrini rezultate të dukshme, të paktën jo aq shpejt sa doni ju. Duhet durim. Por mund ta mësojmë durimin, po të imitojmë mënyrën se si vepronte Jezui me dishepujt e tij.
Durimi dhe përzemërsia e Jezuit
10. Si i mësoi Jezui dishepujt për përulësinë, por çfarë rezultati pati fillimisht?
10 Jezui ishte i vetëdijshëm se dishepujt e tij ishin vazhdimisht në konkurrencë se kush ishte më i madhi. Një ditë, pasi mbërriti në Kapernaum bashkë me dishepujt, Jezui i pyeti: «‘Për çfarë po debatonit rrugës?’ Ata heshtën, sepse rrugës kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi.» Në vend që t’i qortonte ashpër, Jezui me durim u dha një shembull praktik, për t’u mësuar përulësinë. (Marku 9:33-37) A solli kjo rezultatet që dëshironte ai? Jo menjëherë. Rreth gjashtë muaj më vonë, Jakovi dhe Gjoni e shtynë nënën e tyre t’i kërkonte Jezuit një pozitë të lartë për të bijtë në Mbretërinë e tij. Përsëri, Jezui ua ndreqi me durim mënyrën e të menduarit.—Mateu 20:20-28.
11. (a) Cilin shërbim të zakonshëm nuk bënë apostujt e Jezuit, kur mbërritën në dhomën e sipërme? (b) Çfarë bëri Jezui dhe a patën sukses përpjekjet e tij në atë kohë?
11 S’kaloi shumë kohë dhe mbërriti Pashka e vitit 33 të e.s. Jezui u mblodh vetëm me apostujt për këtë darkë. Kur mbërritën në dhomën e sipërme, asnjëri nga 12 apostujt nuk mori përsipër të bënte shërbimin e zakonshëm e t’u lante këmbët tërë pluhur të tjerëve. Kjo ishte një punë e përulur që zakonisht e bënte një shërbëtor ose një grua në shtëpi. (1 Samuelit 25:41; 1 Timoteut 5:10) Sa duhet të jetë pikëlluar Jezui kur ka parë që dishepujt vazhdonin të jepnin shenja se synonin për pozitë! Prandaj, ia lau vetë këmbët secilit prej tyre dhe pastaj i nxiti me ngulm që të ndiqnin shembullin e tij dhe t’u shërbenin të tjerëve. (Gjoni 13:4-17) A vepruan kështu? Bibla thotë se më vonë, po atë mbrëmje, «mes tyre u bë edhe një debat i zjarrtë se cili nga ata dukej se ishte më i madhi».—Luka 22:24.
12. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin, kur përpiqen të mësojnë fëmijët?
12 Kur fëmijët nuk jua dëgjojnë fjalën, a e kuptoni ju prindër se si duhet të jetë ndier Jezui? Megjithatë, mbani parasysh se Jezui nuk u dorëzua, por vazhdoi t’i ndihmonte apostujt, me gjithë ngadalësinë e tyre për të korrigjuar të metat që kishin. Së fundi, durimi i tij u shpërblye. (1 Gjonit 3:14, 18) Prindër, duhet të imitoni dashurinë dhe durimin e Jezuit, e të mos dorëzoheni asnjëherë ndërsa përpiqeni të mësoni fëmijët tuaj.
13. Pse prindërit nuk duhet të reagojnë me ashpërsi ndaj pyetjeve të fëmijëve?
13 Fëmijët duhet ta ndiejnë se prindërit i duan dhe interesohen për ta. Jezui donte të dinte se çfarë kishin në mendje dishepujt, prandaj i dëgjonte kur kishin pyetje. Gjithashtu i pyeste se çfarë mendonin për gjëra të ndryshme. (Mateu 17:25-27) Po, mësimi i mirë përfshin të dëgjoni me vëmendje dhe të tregoni interes të vërtetë. Prindi duhet t’i rezistojë prirjes për ta hequr qafe fëmijën kureshtar, duke i bërtitur: «Ik tani! S’e shikon që jam i zënë?» Në qoftë se prindi është vërtet i zënë me punë, duhet t’i thotë fëmijës se do të flasin më vonë për pyetjen që ka. Pastaj duhet të sigurohet që të flasë vërtet për atë që e shqetëson fëmijën. Kështu, fëmija do të kuptojë se prindi interesohet vërtet për të, dhe do ta ketë më të lehtë t’i hapet për gjëra të tjera.
14. Ç’mund të mësojnë prindërit nga Jezui, për sa i përket përzemërsisë që duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre?
14 A është e përshtatshme që prindërit t’u tregojnë përzemërsi fëmijëve duke i përqafuar? Edhe këtu, prindërit mund të mësojnë nga Jezui. Bibla thotë se ai «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:16) Si reaguan fëmijët, mendoni ju? Me siguri do t’u jetë ngrohur zemra, dhe iu afruan pa problem Jezuit. Nëse midis jush dhe fëmijëve ka përzemërsi dhe dashuri të vërtetë, ata do ta kenë më të lehtë t’u përgjigjen përpjekjeve tuaja për t’i disiplinuar e për t’i mësuar.
Sa kohë duhet kaluar me fëmijët?
15, 16. Cili ka qenë një koncept i përhapur për sa i përket rritjes së fëmijëve, e me sa duket, nga se lindi?
15 Disa kanë ngritur dyshime nëse vërtet fëmijët kanë nevojë për shumë kohë dhe vëmendje nga prindërit. Një koncept për rritjen e fëmijëve, i cili është reklamuar me mjeshtëri, quhet koha cilësore. Sipas përkrahësve të këtij koncepti, fëmijët s’kanë nevojë për shumë kohë nga prindërit, nëse ajo pak kohë që kalohet me ta është me vlerë, e menduar mirë dhe e planifikuar. Por, a është i efektshëm ky koncept i kohës cilësore dhe a është hartuar duke pasur në mendje mirëqenien e fëmijëve?
16 Një shkrimtar, që kishte folur me shumë fëmijë, tha se «ajo që dëshironin më tepër nga prindërit ishte që të kalonin më shumë kohë me ta» dhe «t’u kushtonin vëmendje të plotë». Është domethënëse ajo që komentoi një profesor universiteti: «Termi [kohë cilësore] ka dalë si pasojë e ndjenjës së fajit te prindërit. Njerëzit po i jepnin leje vetes që të kalonin më pak kohë me fëmijët e tyre.» Sa kohë duhet të kalojnë prindërit me fëmijët?
17. Për çfarë kanë nevojë fëmijët nga prindërit e tyre?
17 Bibla nuk e specifikon sasinë e kohës. Gjithsesi, prindërve izraelitë u ishte thënë të flitnin me fëmijët kur ishin në shtëpi, kur ecnin rrugës, kur kishin rënë në shtrat dhe kur çoheshin. (Ligji i përtërirë 6:7) Kjo tregon qartë se prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët dhe t’i mësojnë vazhdimisht çdo ditë.
18. Si i shfrytëzonte Jezui mundësitë për t’i stërvitur dishepujt dhe çfarë mund të mësojnë prindërit nga kjo?
18 Jezui i stërviti më së miri dishepujt, duke shfrytëzuar kohën kur hanin bashkë, kur udhëtonin bashkë, e madje edhe ndërsa çlodheshin. Pra, përfitoi nga çdo mundësi për t’i mësuar. (Marku 6:31, 32; Luka 8:1; 22:14) Në mënyrë të ngjashme, prindërit e krishterë duhet të jenë syçelë e ta përdorin çdo rast për të krijuar e për të mbajtur një komunikim të mirë me fëmijët, si dhe për t’i stërvitur në udhët e Jehovait.
Çfarë t’u mësoni dhe si?
19. (a) Çfarë duhet të bëjnë prindërit, përveçse të kalojnë kohë me fëmijët? (b) Çfarë duhet t’u mësojnë prindërit në radhë të parë fëmijëve?
19 Mirëpo, thjesht të kalosh kohë me fëmijët ose edhe t’i mësosh, nuk është gjithçka që duhet për t’i rritur ata me sukses. Është shumë e rëndësishme edhe çfarë u mësoni. Shikoni se si e thekson Bibla se çfarë duhet përfshirë në mësim. «Këto fjalë që sot po të urdhëroj,—thotë ajo,—do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Çfarë janë «këto fjalë» që u duhen mësuar fëmijëve? Me sa duket, janë fjalët që sapo ishin përmendur më sipër, domethënë: «Do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5-7) Jezui tha se ky është më i rëndësishmi nga të gjitha urdhërimet e Perëndisë. (Marku 12:28-30) Në radhë të parë, prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve për Jehovain, duke u shpjeguar pse është i vetmi që meriton dashurinë dhe përkushtimin tonë me gjithë shpirt.
20. Çfarë u urdhëroi Perëndia prindërve në lashtësi, lidhur me mësimin e fëmijëve?
20 Por «këto fjalë» që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve nuk përfshijnë vetëm të duan Perëndinë me gjithë qenien e tyre. Po të shikoni kapitullin e pestë të Ligjit të përtërirë, Moisiu përsëriti Dhjetë Urdhërimet që Perëndia shkroi mbi dy pllaka guri. Disa nga këto urdhërime ishin: mos gënje, mos vidh, mos vrit e mos kryej kurorëshkelje. (Ligji i përtërirë 5:11-22) Pra, diçka që u theksohej shumë prindërve të lashtë ishte që t’u mësonin fëmijëve të tyre vlera morale. Sot, prindërit e krishterë duhet t’u japin fëmijëve mësime të ngjashme, nëse duan t’i ndihmojnë që të kenë një të ardhme të sigurt e të lumtur.
21. Çfarë nënkuptonte urdhri ‘për t’ua ngulitur’ fjalën e Perëndisë fëmijëve?
21 Shikoni edhe që prindërve u thuhet si duhet t’ua mësojnë fëmijëve «këto fjalë» ose urdhërime: «Do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Folja «ngulit» ka kuptimin «të mësosh dhe të ngulësh me anë të përsëritjeve ose të këshillave të shpeshta; të nxitësh ose të fiksosh në mendje». Pra, me fjalë të tjera, Perëndia po u thotë prindërve që të përcaktojnë një program për t’u mësuar Biblën fëmijëve, me pikësynimin që t’u ngulitin në mendje atyre gjërat frymore.
22. Çfarë u ishte thënë të bënin prindërve izraelitë për të mësuar fëmijët, e çfarë do të thoshte kjo?
22 Ky program kërkon iniciativë nga ana e prindërve. Bibla thotë: «Do t’i lidhësh [«këto fjalë» ose urdhërime të Perëndisë] si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.» (Ligji i përtërirë 6:8, 9) Kjo nuk do të thotë se në kuptimin e mirëfilltë prindërit duhet t’i shkruajnë ligjet e Perëndisë në shtalkat e shtëpive, t’u lidhin një kopje në dorë fëmijëve dhe t’i vendosin midis syve. Përkundrazi, pika është që prindërit duhet t’ua kujtojnë vazhdimisht fëmijëve mësimet e Perëndisë. Mësimi i fëmijëve duhet bërë me kaq rregullsi e vazhdimësi, sa të jetë sikur t’i kenë mësimet e Perëndisë tamam para syve gjatë gjithë kohës.
23. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin për javën tjetër?
23 Cilat janë disa gjëra veçanërisht të rëndësishme që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve? Përse sot është e domosdoshme që fëmijët të mësohen dhe të stërviten që të dinë se si të mbrohen? Çfarë ndihme kanë tani prindërit për t’i mësuar me efektshmëri fëmijët? Këto pyetje, si edhe të tjera që shqetësojnë shumë prindër, do të shqyrtohen në artikullin vijues.
-
-
Prindër, mbrojeni trashëgiminë tuaj të çmuar!Kulla e Rojës—2005 | 1 Prill
-
-
Prindër, mbrojeni trashëgiminë tuaj të çmuar!
«Mençuria është mbrojtje . . . [ajo] i ruan gjallë ata që e zotërojnë.»—Eklisiastiu 7:12, Br.
1. Pse prindërit duhet t’i shohin fëmijët si dhuratë?
PRINDËRIT sjellin në jetë një individ të ri me tipare fizike e me veçori të karakterit që janë të ngjashme me të tyret. Bibla i quan fëmijët ‘trashëgimi nga Zoti’. (Psalmi 127:3) Meqë Jetëdhënësi i vërtetë është Jehovai, në realitet ai po u lë në mirëbesim prindërve diçka që, në fund të fundit, i përket atij. (Psalmi 36:9) Prindër, si e konsideroni këtë dhuratë të çmuar që ju jep Perëndia?
2. Si u ndie Manoahu kur mori vesh se do të bëhej baba?
2 Patjetër që kjo dhuratë duhet pranuar me përulësi e me vlerësim. Kështu u ndie më shumë se 3.000 vjet më parë Manoahu, një izraelit, kur një engjëll njoftoi gruan e tij se do të lindte një fëmijë. Sapo dëgjoi këtë sihariq, Manoahu u lut: «O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur.» (Gjyqtarët 13:8) Çfarë mund të mësoni ju prindër nga shembulli i Manoahut?
Përse nevojitet tani ndihma e Perëndisë?
3. Përse sot është veçanërisht e nevojshme ndihma e Perëndisë për të rritur fëmijët?
3 Tani, më shumë se kurrë më parë, prindërit kanë nevojë për ndihmën e Jehovait për të rritur fëmijët. Përse? Sepse Satana Djalli dhe engjëjt e tij janë hedhur nga qielli poshtë në tokë. «Mjerë për tokën,—paralajmëron Bibla,—sepse Djalli ka zbritur ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe.» (Zbulesa 12:7-9, 12) Pastaj shpjegon se, «si një luan që vrumbullit», Satanai është «duke kërkuar të përpijë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Zakonisht luanët gjuajnë kafshët që janë më të dobëta e të pambrojtura, që shpesh janë të vegjlit. Prandaj, me mençuri prindërit e krishterë i drejtohen Jehovait që t’i udhëzojë se si t’i mbrojnë fëmijët. Sa përpjekje po bën ti si prind në këtë drejtim?
4. (a) Si do të reagonin prindërit nëse merrnin vesh që në lagjen e tyre vërtitej një luan? (b) Çfarë u duhet fëmijëve për t’u mbrojtur?
4 Po ta dinit se në lagjen tuaj sillej rrotull një luan, me siguri që shqetësimi kryesor për ju do të ishte të mbronit fëmijët. Satanai është grabitqar. Ai përpiqet t’i korruptojë shërbëtorët e Perëndisë, që të mos meritojnë më miratimin e Perëndisë. (Jobi 2:1-7; 1 Gjonit 5:19) Fëmijët janë shënjestër fare e lehtë. Për t’u shpëtuar kurtheve të Djallit, fëmijët duhet të njohin Jehovain e t’i binden atij. Është thelbësore të marrin njohuri nga Bibla. «Kjo do të thotë jetë e përhershme,—tha Jezui,—të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Gjithashtu, të vegjlit kanë nevojë për mençuri, që është aftësia për të kuptuar e për të zbatuar gjërat që mësojnë. Meqë «mençuria i ruan gjallë ata që e zotërojnë», ju prindër duhet t’u ngulitni në zemër të vërtetën fëmijëve tuaj. (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:12, BR) Por, si ta bëni këtë?
5. (a) Si mund t’u japin mençuri prindërit fëmijëve? (b) Si e përshkruan libri i Fjalëve të urta vlerën e mençurisë?
5 Diçka që mund të bëni—e që duhet ta bëni —është t’u lexoni fëmijëve Fjalën e Perëndisë. Po nuk mjafton vetëm kjo për t’i ndihmuar që të duan Jehovain e t’i binden; ata duhet të arrijnë t’i kuptojnë gjërat. Le ta ilustrojmë. Zakonisht fëmijëve u thuhet të mos e kalojnë rrugën pa parë mirë majtas e djathtas. Po gjithsesi, disa fëmijë nuk binden. Pse jo? Ndoshta nuk u janë shpjeguar mjaft shpesh pasojat që vijnë po të të shtypë makina ose nuk janë shpjeguar në atë mënyrë që t’u ngulitë në mendje se sa e rrezikshme është, për të mposhtur ‘marrëzinë’ që mund të çojë në një aksident. Duhet kohë, si edhe shumë durim, që t’i japësh mençuri dikujt. Por, ama, sa shumë do t’u vlejë ajo mençuri! «Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme,—thotë Bibla,—dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.»—Fjalët e urta (Proverbat) 3:13-18; 22:15.
Lloji i mësimit që të bën të mençur
6. (a) Përse shpesh fëmijët veprojnë pa mençuri? (b) Çfarë beteje po zhvillohet në lidhje me fëmijët?
6 Shumë herë, fëmijët veprojnë keq jo sepse nuk u është mësuar çfarë është e drejtë, por sepse ky mësim nuk u ka prekur zemrën, pra njeriun e brendshëm. Djalli lufton që të fitojë kontroll mbi zemrën e të vegjëlve. Me metodat e tij, ai sigurohet që fëmijët të vihen përballë ndikimeve të paperëndishme të botës së tij. Gjithashtu, përpiqet të shfrytëzojë te fëmijët prirjen e trashëguar mëkatare për të bërë gjëra të këqija. (Zanafilla 8:21; Psalmi 51:5) Prindërit duhet të kuptojnë se ekziston një luftë e vërtetë se kush do të ushtrojë kontroll mbi zemrën e fëmijëve të tyre.
7. Përse nuk mjafton t’u thuhet fëmijëve çfarë është e drejtë ose e gabuar?
7 Zakonisht prindërit i thonë fëmijës çfarë është e drejtë ose e gabuar, duke menduar se kështu po i mësojnë një parim. I thonë ndoshta fëmijës se është e gabuar të gënjesh, të vjedhësh ose të kesh marrëdhënie seksuale kur nuk je i martuar. Mirëpo, që të bindet, fëmijës i duhet një motiv edhe më i fortë sesa vetëm fakti që po ia thonë prindërit këtë. Ligjet që po i thonë ata janë ligjet e Jehovait. Fëmija duhet të mësojë se është gjithmonë e mençur t’u bindesh urdhërimeve të Perëndisë.—Fjalët e urta 6:16-19; Hebrenjve 13:4.
8. Çfarë lloj mësimi mund t’i ndihmojë fëmijët që të veprojnë me mençuri?
8 T’i shpjegosh sa i ndërlikuar është universi, sa shumë gjallesa të ndryshme jetojnë në tokë, si ndryshojnë stinët, e të tjera si këto, e ndihmon fëmijën të kuptojë që ekziston një Krijues me mençuri të pakrahasueshme. (Romakëve 1:20; Hebrenjve 3:4) Veç kësaj, fëmijës i duhet mësuar se Perëndia e do dhe se ka marrë masa që t’i japë jetën e përhershme, nëpërmjet flijimit të Birit të Tij. I duhet mësuar edhe se ai mund ta bëjë të lumtur Perëndinë duket iu bindur fjalëve të Tij. Atëherë ka të ngjarë që fëmija do të dëshirojë që t’i shërbejë Jehovait, me gjithë përpjekjet e Djallit për ta penguar.—Fjalët e urta 22:6; 27:11; Gjoni 3:16.
9. (a) Çfarë kërkon nga prindërit lloji i mësimit që është jetëshpëtues? (b) Cili udhëzim u jepet etërve, e çfarë përfshin ky?
9 Ky lloj mësimi që e mbron fëmijën dhe e motivon të veprojë drejt, kërkon kohë, vëmendje dhe planifikim. Kërkon që prindërit të pranojnë të udhëhiqen prej Perëndisë. Bibla thotë: «Ju, etër, . . . vazhdoni t’i rritni [fëmijët tuaj] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Çfarë do të thotë kjo? Shprehja e përkthyer «normë mendore», në greqishten e vjetër përcjell idenë «të vësh mendjen e». Pra, me fjalë të tjera, baballarëve u bëhet thirrje që të vënë mendjen e Jehovait te fëmijët. Sa shumë do t’i mbrojë kjo fëmijët! Po t’i kenë të ngulitura në mendje mendimet e Perëndisë dhe mënyrën se si mendon ai, fëmijët janë të mbrojtur e nuk do të bien në gabime.
Dëshirë e motivuar nga dashuria
10. Çfarë është e rëndësishme të dini për ta mësuar sa më mirë fëmijën?
10 Por, që të plotësoni dëshirën për ta rritur siç duhet fëmijën, përpjekjet tuaja duhet të motivohen nga dashuria. Një faktor i rëndësishëm është komunikimi i mirë. Zbuloni se çfarë po ndodh në jetën e fëmijës suaj dhe cilat janë pikëpamjet e tij ose të saj. Në një atmosferë të çlirët, ndihmojeni me takt fëmijën që të shprehet. Nganjëherë mund të tronditeni me gjërat që thotë. Por bëni shumë kujdes që të mos e shfaqni këtë tronditje. Në vend të kësaj, dëgjojeni me interes e me empati.
11. Si mund ta vërë një prind mendjen e Perëndisë te fëmija i vet?
11 Vërtet që ndoshta i keni lexuar fëmijës nga Bibla ligjet e Perëndisë që ndalojnë imoralitetin seksual. Madje mund t’ia keni lexuar disa herë. (1 Korintasve 6:18; Efesianëve 5:5) Kjo ndoshta u ka ngulitur në mendje fëmijëve çfarë miraton e çfarë nuk miraton Jehovai. Por, të vësh mendjen e Jehovait te fëmija kërkon më shumë se kaq. Fëmijët duhen ndihmuar që të arsyetojnë pse janë të dobishme ligjet e Jehovait. Duhet të binden se ligjet e tij janë të drejta e të mira, dhe se gjëja më e duhur dhe më e dashur është t’u bindemi atyre ligjeve. Vetëm po të arsyetoni me fëmijët në bazë të Shkrimeve, që të pranojnë pikëpamjen e Perëndisë, vetëm atëherë mund të thuhet se keni vënë mendjen e tij tek ata.
12. Si mund ta ndihmojë një prind fëmijën e vet për të pasur pikëpamjen e duhur rreth marrëdhënieve seksuale?
12 Kur të flitni për temën e seksit, mund ta pyetni fëmijën: «A mendon se një njeri nuk do të jetë i lumtur, po t’i bindet ligjit të Perëndisë që ndalon marrëdhëniet seksuale para martesës?» Inkurajojeni fëmijën që të shpjegojë përgjigjen e tij. Pasi të shpjegoni se si e ka bërë të mundur Perëndia procesin e mrekullueshëm për të pasur fëmijë, mund ta pyetni: «A mendon se Perëndia ynë i dashur do të bënte ligje që të na ndalojnë ta gëzojmë jetën? Apo të duket se i ka bërë ligjet për të na bërë të lumtur e për të na mbrojtur?» (Psalmi 119:1, 2; Isaia 48:17) Zbuloni se çfarë mendon fëmija për këtë gjë. Pastaj mund t’i jepni disa shembuj që tregojnë se si imoraliteti seksual ka sjellë telashe dhe vuajtje. (2 Samuelit 13:1-33) Duke arsyetuar me fëmijën, me qëllim që të kuptojë e të pranojë pikëpamjen e Perëndisë, do të keni bërë shumë për të vënë mendjen e Perëndisë tek ai. Por mund të bëni edhe diçka tjetër.
13. Çfarë duhet të kuptojë një fëmijë, që të jetë më i motivuar për t’iu bindur Jehovait?
13 Mos u mjaftoni vetëm duke i mësuar fëmijës pasojat e mosbindjes ndaj ligjeve të Jehovait, por, me mençuri, shpjegojini edhe ç’ndikim ka te Jehovai mënyra si jetojmë ne. Tregojini fëmijës nga Bibla se, kur nuk bëjmë vullnetin e Jehovait, mund t’i shkaktojmë dhembje atij. (Psalmi 78:41) Mund ta pyetni: «Pse nuk do që ta lëndosh Jehovain?», dhe pastaj shpjegojini: «Armiku i Perëndisë, Satanai, thotë që ne i shërbejmë Jehovait ngaqë jemi egoistë, jo ngaqë e duam.» Pastaj shpjegojini se Jobi, duke qëndruar besnik me gjithë vështirësitë, ia gëzoi zemrën Perëndisë e kështu i dha përgjigje akuzës gënjeshtare të Satanait. (Jobi 1:9-11; 27:5) Fëmija duhet të kuptojë se me sjelljen e tij mund ta hidhërojë ose ta bëjë të lumtur Jehovain. (Fjalët e urta 27:11) Këtë dhe shumë mësime të tjera të rëndësishme mund t’ua mësoni fëmijëve duke përdorur librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh.a
Rezultate të kënaqshme
14, 15. (a) Cilat mësime te libri Mësuesi i Madh i kanë motivuar fëmijët? (b) Çfarë rezultatesh të mira keni arritur duke përdorur këtë libër? (Shih edhe kutinë në faqet 18, 19.)
14 Në Kroaci, një gjysh i lexon gjithnjë nipit të tij 7-vjeçar librin Mësuesi i Madh. Ai shkruan se çfarë i tregoi nipi: «Mami më tha të bëja një gjë, po unë nuk doja. Pastaj m’u kujtua kapitulli ‘Bindja të mbron’. Prandaj shkova te mami dhe i thashë se do t’i bindesha.» Për kapitullin «Pse s’duhet të gënjejmë?», një çift në Florida, SHBA, tha: «Aty ka pyetje që i bëjnë fëmijët të shprehin çfarë kanë në zemër dhe të tregojnë për gabime që përndryshe s’do t’i tregonin.»
15 Libri Mësuesi i Madh ka më shumë se 230 figura dhe për çdo figurë a grup figurash ka një diçiturë ose përshkrim. «Shpesh, im bir përqendrohet te një figurë dhe nuk do që ta kthejmë faqen,—komentoi me mirënjohje një nënë.—Këto figura jo vetëm që janë tërheqëse, por të mësojnë diçka, ose të paktën i bëjnë fëmijët të pyesin. Kur pa një figurë me një djalë që po sheh televizor në errësirë, im bir më pyeti me një ton që tregonte se e kuptonte që diçka ishte e gabuar: ‘Mami, çfarë po bën ky djali?’» Diçitura e figurës thotë: «Kush mund të shohë çdo gjë që bëjmë ne?»
Edukim i domosdoshëm për ditët e sotme
16. Cila gjë u duhet mësuar me domosdo fëmijëve sot dhe përse?
16 Fëmijët duhet të dinë cili është përdorimi i duhur dhe i gabuar i pjesëve intime të trupit. Mirëpo nuk është gjithnjë e lehtë të flasësh për këtë. Një gazetare tha se ishte rritur në një epokë kur ishte turp të zije në gojë fjalët për organet seksuale. Prandaj, ajo shkroi në lidhje me mësimin e fëmijëve të saj: «Do të më duhet të kapërcej sikletin që ndiej.» Kur prindërit e shmangin temën e seksit, ngaqë ndihen në siklet, kjo nuk e mbron fëmijën. Ngacmuesit seksualë shfrytëzojnë faktin që një fëmijë është i paditur. Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh e trajton këtë temë në mënyrë të pastër e dinjitoze. Nuk u heq fëmijëve pafajësinë fëmijërore po t’i informosh për seksin. Përkundrazi, po të mos i informosh, mund t’i vësh në rrezik që ta humbin këtë pafajësi.
17. Si i ndihmon prindërit libri Mësuesi i Madh, që t’i informojnë fëmijët për seksin?
17 Në kapitullin 10 të librit, kur flitet për engjëjt e ligj që erdhën në tokë dhe patën fëmijë, fëmijës i bëhet një pyetje: «Çfarë di ti për marrëdhëniet seksuale?» Libri jep një përgjigje të thjeshtë e dinjitoze. Më pas, kapitulli 32 shpjegon se si mund të mbrohen fëmijët nga ngacmuesit seksualë. Shumë letra që kanë ardhur, vërtetojnë se ky mësim është jetësor. Në një letër thuhej: «Javën e shkuar, e çova tim bir, Javanin, te mjekja pediatre dhe ajo më pyeti nëse kishim folur me djalin se si duheshin përdorur pjesët intime të trupit. I bëri shumë përshtypje që tashmë e kishim shpjeguar këtë, duke përdorur librin e ri.»
18. Si e trajton libri Mësuesi i Madh nderimin e simboleve kombëtare?
18 Në një kapitull tjetër flitet për tre të rinj hebrenj që përmenden në Bibël, Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon, të cilët nuk pranuan të përkuleshin para një shëmbëlltyre që përfaqësonte shtetin babilonas. (Danieli 3:1-30) Disa ndoshta nuk e bëjnë lidhjen ndërmjet përkuljes para shëmbëlltyrës dhe nderimit të flamurit, siç tregon libri Mësuesi i Madh. Por, shikoni se çfarë tha autori Eduard Gafni në një intervistë për revistën U.S. Catholic. Tregoi se ditën e parë të shkollës, e bija i tha se «kishte mësuar një lutje të re në shkollë», dhe ai i kërkoi që t’ia përsëriste. «Ajo vuri dorën në zemër,—tha Gafni,—dhe tërë krenari filloi: ‘Betohem para flamurit . . . ’» Ai vazhdoi: «Në çast, i rashë më të. Dëshmitarët e Jehovait kishin të drejtë. Nëpër shkolla, që herët në jetën e fëmijëve, nxitet një aspekt i adhurimit të kombit, domethënë besnikëria e padiskutueshme përtej çdo kufiri.»
Ia vlejnë të gjitha përpjekjet
19. Çfarë shpërblimesh vijnë kur i mësojmë fëmijët?
19 Në të vërtetë, të gjitha përpjekjet që bëni për t’i mësuar fëmijët ia vlejnë. Një nënë në Kansas, SHBA, u prek shumë kur mori një letër nga i biri. Ai i shkruante: «E ndiej veten të privilegjuar që jam rritur në një atmosferë që më dha qëndrueshmëri dhe ekuilibër emocional. Pa dyshim, ti dhe babi jeni për t’u lavdëruar.» (Fjalët e urta 31:28) Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh mund të ndihmojë shumë prindër të tjerë t’i mësojnë fëmijët, me qëllim që të mbrojnë këtë trashëgimi të çmuar.
20. Çfarë nuk duhet të harrojnë kurrë prindërit, e si duhet të ndikojë kjo tek ata?
20 Fëmijët tanë meritojnë gjithë kohën, vëmendjen dhe përpjekjet që mund t’u kushtojmë. Janë të vegjël për shumë pak kohë! Përfitoni nga çdo mundësi për të ndenjur me ta dhe për t’i ndihmuar. Nuk do të pendoheni kurrë për këtë. Ata do t’ju duan shumë. Asnjëherë mos e harroni se fëmijët tuaj janë një dhuratë që ju ka bërë Perëndia. Sa trashëgimi e çmuar që janë! (Psalmi 127:3-5) Prandaj, trajtojini si të tillë, sikur do t’i jepni llogari Perëndisë për mënyrën se si i rritni, pasi në të vërtetë, do t’i jepni llogari.
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Shih kapitullin 40: «Si ta bëjmë të lumtur Perëndinë?»
-