Ecni në ‘shtegun e drejtësisë’
‘TË DREJTIT do t’i dalë mirë,—shpalli profeti Isaia,—sepse do të hajë frytin e veprave të tij.’ Gjithashtu, Isaia tha: «Shtegu i të drejtit është drejtësia.» (Isaia 3:10; 26:7, BR) Është e qartë se, nëse duam që veprat tona të sjellin fryte të mira, duhet të bëjmë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë.
Por, si mund të ecim në shtegun e drejtësisë? Çfarë bekimesh mund të presim duke vepruar kështu? E si mund të nxjerrin dobi të tjerët ngaqë ne jetojmë në harmoni me normat e drejta të Perëndisë? Në kapitullin 10 të librit biblik të Proverbave (Fjalët e urta), mbreti Solomon i Izraelit të lashtë siguron përgjigje për këto pyetje, duke bërë dallimin ndërmjet të drejtëve dhe të ligjve. Duke bërë këtë, ai përdor 13 herë shprehjen ‘i [të] drejtë’. Nëntë nga këto herë i gjejmë nga vargu 15 deri në vargun 32. Pra, do të jetë shumë nxitëse të shqyrtojmë Fjalët e urta 10:15-32.a
Mbahuni fort pas disiplinës
Solomoni thekson rëndësinë e drejtësisë. Ai thotë: «Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre. Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.»—Fjalët e urta 10:15, 16.
Pasuritë mund të shërbejnë si mbrojtje ndaj disa pasigurive të jetës, ashtu si një qytet i fortifikuar përbën një masë sigurie për ata që banojnë brenda tij. Veç kësaj, varfëria mund të jetë shkatërrimtare kur ndodhin zhvillime të papritura. (Predikuesi 7:12) Megjithatë, këtu mbreti i mençur mund ta ketë pasur fjalën edhe për një rrezik që përfshin si pasurinë, edhe varfërinë. Një person i pasur mund të ketë prirjen ta vërë të gjithë besimin e tij te pasuria që ka, duke menduar se gjërat e tij të vlefshme janë «si një mur i lartë». (Fjalët e urta 18:11) Kurse një person i varfër, në mënyrë të gabuar, mund të mendojë se varfëria e bën të pashpresë të ardhmen e tij. Kështu, që të dy nuk ia dalin mbanë të bëjnë një emër të mirë para Perëndisë.
Nga ana tjetër, pavarësisht nëse një person i drejtë ka shumë a pak nga ana materiale, veprat e tij të drejta çojnë në jetë. Si? Po ja, ai është i kënaqur me atë që ka. Nuk lejon që gjendja e tij financiare të ndërhyjë në qëndrimin e mirë që ka para Perëndisë. Qoftë i pasur, qoftë i varfër, jeta e një njeriu të drejtë i sjell atij lumturi tani dhe shpresë për jetën e përhershme në të ardhmen. (Jobi 42:10-13) I ligu nuk ka dobi edhe sikur të grumbullojë pasuri. Në vend që të kuptojë vlerën mbrojtëse të pasurisë dhe të jetojë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, ai i përdor pasuritë për të bërë një jetë plot mëkate.
«Kush ruan mësimet [disiplinën, BR] është në rrugën e jetës;—vazhdon mbreti i Izraelit,—por kush nuk pranon kritikën humb.» (Fjalët e urta 10:17) Një studiues biblik mendon se ky varg mund të kuptohet në dy mënyra. Njëra mundësi është që personi i cili i nënshtrohet disiplinës dhe ndjek drejtësinë është në rrugën drejt jetës, kurse ai që nuk pranon qortimin largohet nga ajo rrugë. Vargu mund të nënkuptojë edhe se «ai që ia vë veshin disiplinës u tregon udhën drejt jetës [të tjerëve, sepse shembulli i tij i mirë u sjell dobi atyre], por kushdo që shpërfill ndreqjen i çon të tjerët në rrugë të shtrembër». (Fjalët e urta 10:17, New International Version) Sido që të jetë, sa jetësore është që të mbahemi fort pas disiplinës dhe të mos e hedhim poshtë qortimin!
Zëvendësojeni urrejtjen me dashuri
Më tej, Solomoni paraqet një proverb të përbërë nga dy pjesë që mban një ide të ngjashme dhe ku pjesa e dytë përforcon të parën. Ai thotë: «Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare.» Nëse një njeri ka në zemër urrejtje për një tjetër dhe e fsheh këtë ndjenjë me fjalë të ëmbla ose me lajka, ai po mashtron dhe ka «buzë gënjeshtare». Kësaj, mbreti i shton: «Ai që përhap shpifje është budalla.» (Fjalët e urta 10:18) Në vend që ta fshehin urrejtjen e tyre, disa njerëz bëjnë akuza të rreme ose përhapin komente përçmuese për atë që urrejnë. Kjo është marrëzi, sepse shpifja nuk e ndryshon në të vërtetë se çfarë lloj personi është tjetri. E një dëgjues me aftësi shquese do të arrijë ta kuptojë ligësinë që qëndron pas fjalëve dhe nuk do të ketë më opinion të mirë për shpifësin. Kështu, ai që përhap shpifje dëmton vetveten.
Drejtimi i duhur është të mos përdorim as mashtrimin, as shpifjen. Perëndia u tha izraelitëve: «Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde.» (Levitiku 19:17) Gjithashtu, Jezui i këshilloi dëgjuesit e tij: «Vazhdoni të doni [edhe] armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju persekutojnë; që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:44, 45) Sa më mirë është ta mbushim zemrën me dashuri në vend të urrejtjes!
‘Frenojini buzët’
Duke theksuar nevojën për ta kontrolluar gjuhën, mbreti i mençur thotë: «Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë [i matur, BR].»—Fjalët e urta 10:19.
‘Budallai i shumon fjalët e tij.’ (Predikuesi 10:14) Goja e tij «nxjerr marrëzira». (Fjalët e urta 15:2) Kjo nuk do të thotë se çdo person që flet shumë është i pamend. Por sa e lehtë është që një individ i cili flet shumë të jetë një kanal për përhapjen e thashethemeve të dëmshme! Një emër i njollosur, ndjenja të lënduara, marrëdhënie të acaruara e, madje, edhe dëme fizike, shpesh, mund të jenë pasojë e të folurit të pamend. «Në fjalët e shumta faji nuk mungon.» (Fjalët e urta 10:19) Për më tepër, është acaruese të kesh pranë një person që do të thotë diçka se s’bën për çdo gjë. Pra, le të mos e teprojmë me fjalë!
Më tepër sesa vetëm të shmangë fjalët e rreme, ai që i frenon buzët e tij vepron në mënyrë të matur. Mendon para se të flasë. I motivuar nga dashuria për udhët e Jehovait dhe nga dëshira e vërtetë për të ndihmuar të tjerët, ai merr parasysh efektin që do të kenë te të tjerët fjalët e tij. Shprehjet e tij janë të dashura e të mirësjellshme. Mediton se si ta bëjë tërheqëse dhe të dobishme atë që thotë. Fjalët e tij janë si «mollë të arta mbi një enë argjendi», domethënë të thëna me mjeshtëri e dinjitet në çdo kohë.—Fjalët e urta 25:11.
«Ushqejnë mjaft njerëz»
«Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur,—vazhdon të thotë Solomoni,—por zemra e të pabesëve vlen pak.» (Fjalët e urta 10:20) Ajo që thonë të drejtët është e pastër, si argjend i zgjedhur, i rafinuar, pa ndryshk. Kjo është patjetër e vërtetë për shërbëtorët e Jehovait, të cilët u japin të tjerëve njohurinë jetëshpëtuese të Fjalës së Perëndisë. Mësuesi i tyre i Madh, Perëndia Jehova, i ka arsimuar dhe ‘u ka dhënë gjuhën e të mësuarve, që të dinë se si t’i përgjigjen të lodhurit me një fjalë’. (Isaia 30:20; 50:4, BR) Në të vërtetë, gjuha e tyre është si argjend i zgjedhur, sepse flet për të vërtetën biblike. Sa shumë të vlefshme janë shprehjet e tyre për njerëzit me zemër të ndershme, në kundërshtim me synimet e të ligut! Le të jemi të zellshëm për të folur rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe veprave të mrekullueshme të Perëndisë.
I drejti është një bekim për ata që e rrethojnë. «Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz,—vazhdon Solomoni,—por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend [zemër, BR].»—Fjalët e urta 10:21.
Në ç’mënyrë ‘i drejti ushqen mjaft njerëz’? Fjala hebraike e përdorur këtu jep idenë e kullotjes nga një bari. Jep mendimin e udhëheqjes, si edhe të ushqimit, ashtu siç kujdesej një bari në kohët e lashta për delet e tij. (1 Samuelit 16:11; Psalmi 23:1-3; Kënga e këngëve 1:7) Personi i drejtë i udhëheq ose i drejton të tjerët në udhën e drejtësisë dhe i foluri i tij i ushqen dëgjuesit. Si rrjedhim, ata bëjnë një jetë më të lumtur e më të kënaqshme, e mund të marrin edhe jetën e përhershme.
Por, ç’të themi për të pamendin? Duke mos pasur zemër, ai tregon se i mungon motivi i mirë ose interesimi për pasojat e rrugës së tij. Një person i tillë bën çfarë t’i dojë qejfi, pa menduar për pasojat. Prandaj, vuan pasojat e veprimeve të tij. Ndërkohë që i drejti ndihmon për t’i ruajtur gjallë të tjerët, personi që nuk ka zemër nuk mund të mbajë gjallë as veten e tij.
Shmangni sjelljen e shthurur
Personaliteti i një individi, shpesh, zbulohet nga gjërat që i pëlqejnë e gjërat që nuk i pëlqejnë. Duke pohuar këtë fakt, mbreti i Izraelit thotë: «Për budallanë mbajtja e një sjelljeje të shthurur është si një sport, por mençuria është për njeriun me aftësi dalluese.»—Proverbat 10:23, BR.
Disa e shohin sjelljen e shthurur si sport ose lojë dhe përfshihen në një sjellje të tillë thjesht për «zbavitje». Këta njerëz e shpërfillin Perëndinë, duke mos e menduar si ai të cilit të gjithë duhet t’i japin llogari dhe nuk duan ta pranojnë që rruga e tyre është e gabuar. (Romakëve 14:12) Bëhen të çoroditur në arsyetimet e tyre deri në atë pikë sa mendojnë që Perëndia nuk i sheh keqbërjet e tyre. Në të vërtetë, me veprimet e tyre thonë: «Nuk ka Perëndi.» (Psalmi 14:1-3; Isaia 29:15, 16) Sa gjë e pamend!
Nga ana tjetër, njeriu me aftësi dalluese e kupton se sjellja e shthurur nuk është një sport. E di se ajo nuk i pëlqen Perëndisë dhe mund ta shkatërrojë marrëdhënien e një personi me të. Një sjellje e tillë është e pamend, sepse u heq njerëzve respektin për veten, shkatërron martesat, dëmton mendjen dhe trupin, si edhe çon në humbjen e gjendjes së mirë frymore. Bëjmë mirë ta shmangim sjelljen e shthurur dhe të kultivojmë dashurinë për mençurinë, si për një motër që e duam shumë.—Fjalët e urta 7:4.
Ndërtoni mbi themelin e duhur
Duke treguar se sa e vlefshme është që ta ndërtojmë jetën mbi një themel të duhur, Solomoni thotë: «Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë. Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.»—Fjalët e urta 10:24, 25.
I ligu mund t’u shkaktojë shumë frikë të tjerëve. Por, në fund, ajo së cilës i trembet vjen mbi vetë atë. Duke qenë se i mungon një themel në parimet e drejta, ai është si një ndërtesë e paqëndrueshme që shembet nga një stuhi e egër. Thyhet nën presione. Nga ana tjetër, i drejti është si njeriu që vepron në harmoni me fjalët e Jezuit. Ai është ‘një njeri i matur që e ka ndërtuar shtëpinë e vet mbi shkëmb’. «Dhe,—tha Jezui,—ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas asaj shtëpie, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.» (Mateu 7:24, 25) Një person i tillë është i qëndrueshëm—mendimet e veprimet e tij janë të themeluara fortësisht mbi parimet hyjnore.
Para se të vazhdojë më tej duke bërë dallimin ndërmjet të ligjve dhe të drejtëve, mbreti i mençur paraqet një paralajmërim të shkurtër, por të rëndësishëm. Ai thotë: «Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.» (Fjalët e urta 10:26) Uthulla është e papëlqyeshme për dhëmbët. Acidi acetik që përmban ajo prodhon një shije të thartë në gojë dhe mund t’i mpijë dhëmbët. Tymi i bën sytë të djegin e të lotojnë. Në mënyrë të ngjashme, kushdo që merr në punë një person dembel ose e përdor si përfaqësues, është e sigurt se do të acarohet dhe do të pësojë humbje.
«Rruga e Zotit është një kala»
Mbreti i Izraelit vazhdon: «Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen. Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.»—Fjalët e urta 10:27, 28.
I drejti udhëhiqet nga frika hyjnore dhe përpiqet t’i pëlqejë Jehovait me anë të mendimeve, fjalëve dhe të veprave të tij. Perëndia kujdeset për të dhe i përmbush pritjet e drejta që ka ky person. Por, i ligu bën një jetë të paperëndishme. Ndonjëherë, shpresat e tij mund të duken sikur përmbushen, por vetëm përkohësisht, sepse ditët e tij, shpesh, shkurtohen nga dhuna ose nga ndonjë sëmundje që vjen si rrjedhojë e stilit të tij të jetës. Në ditën e vdekjes të gjitha shpresat e tij mbarojnë.—Fjalët e urta 11:7.
«Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm,—thotë Solomoni,—por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.» (Fjalët e urta 10:29) Këtu, rruga e Jehovait nuk nënkupton shtegun e jetës në të cilën duhet të ecim, por mënyrën se si Perëndia e trajton njerëzimin. «Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur,—tha Moisiu,—sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Rrugët e drejta të Perëndisë nënkuptojnë siguri për të drejtët dhe shkatërrim për të ligjtë.
Sa kala e fortë është Jehovai për popullin e tij! «I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë. Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet. Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.»—Fjalët e urta 10:30-32.
Të drejtëve, me siguri, u del mirë dhe bekohen, sepse ecin në shtegun e drejtësisë. Vërtet «bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje». (Fjalët e urta 10:22) Pra, le të sigurohemi gjithnjë se po veprojmë në harmoni me parimet hyjnore! Gjithashtu, le t’i frenojmë buzët dhe ta përdorim gjuhën për të ushqyer të tjerët me të vërtetën jetëshpëtuese të Fjalës së Perëndisë e t’i udhëheqim ata në rrugën e drejtësisë!
[Shënimi]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të Fjalëve të urta 10:1-14, shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2001, faqet 24-27.
[Figura në faqen 26]
Gjuha mund të jetë si «argjend i zgjedhur»