Kur ti flet, shpon apo shëron?
GJATË këtyre kohëve të vështira, s’është për t’u habitur që shumë persona e kanë «zemrën të thyer» dhe «frymën të dërrmuar». (Psalmi 34:18) Kështu, e shprehur me fjalët e apostullit Pavël, ekziston një nevojë e vazhdueshme për t’u ‘folur në mënyrë ngushëlluese shpirtrave në depresion’ dhe për të ‘mbështetur të dobëtit’. (1. Thesalonikasve 5:14, BR) Por, po sikur dikush të na ofendojë ose të bëjë diçka seriozisht të gabuar? Në një situatë të tillë, mund të ndihemi të justifikuar për ta ndëshkuar rëndë individin. Megjithatë, është i përshtatshëm një paralajmërim. Këshilla, edhe kur është me vend, mund të jetë e dëmshme nëse jepet në mënyrë të ashpër. Në Fjalët e urta 12:18, pohohet: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë.»
Prandaj, kur kemi ndër mend të ofrojmë një korrigjim ose të sqarojmë një keqkuptim, është jetësore të kujtojmë pjesën e dytë të Fjalëve të urta 12:18: «Gjuha e të urtëve sjell shërim.» Pyet gjithmonë veten: ‘Nëse kam nevojë për korrigjim, si dua të më trajtojnë?’ Shumica prej nesh reagojmë më shumë ndaj inkurajimit sesa ndaj kritikës. Kështu që, ji bujar në dhënien e lavdërimeve. Shpesh, kjo do t’i japë ofenduesit shtytjen për t’u përmirësuar dhe ka më shumë të ngjarë që ai të jetë mirënjohës për ndihmën e ofruar.
Sa jetësore është që fjalët tona t’i drejtpeshojmë gjithmonë me butësinë! Fjalët shëruese e bëjnë dëgjuesin të ndihet ashtu siç u ndje psalmisti, kur shkroi: «Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar.»—Psalmi 141:5.