Si ta mbajmë gëzimin në shërbimin e plotë kohor
PËRMBUSHJA e profecive biblike tregon qartë se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të paperëndishëm gjërash. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë, shërbëtorët e Perëndisë Jehova shpenzojnë aq kohë sa mundin në mënyrë të arsyeshme, në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij. Më shumë se 600.000 Dëshmitarë të Jehovait e kanë organizuar jetën e tyre, në mënyrë që të marrin pjesë në shërbimin e plotë kohor. Disa prej tyre janë lajmëtarë në kohë të plotë të Mbretërisë, të quajtur pionierë. Të tjerë janë vullnetarë në Bethel, në qendrat e Shoqatës Watch Tower apo në zyrat e degëve të saj. Ka të tjerë që janë misionarë dhe mbikëqyrës udhëtues.
Bibla tregon se në ditët e fundit do të kishte «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Teksti i Biblës greke përdor një shprehje që mund të përkthehet «kohë të caktuara të egra». Prandaj, askush nuk mund të presë në ditët tona një jetë pa halle. Për disa shërbëtorë të krishterë, problemet duken kaq serioze, saqë mund të pyesin veten: ‘A mund të vazhdoj në shërbimin e plotë kohor, apo duhet të ndalem?’
Cilat situata mund ta bëjnë dikë të rishqyrtojë shërbimin e tij si pionier, vullnetar në Bethel, mbikëqyrës udhëtues apo misionar? Ndoshta ekziston një problem serioz shëndetësor. Ndoshta një i afërm i moshuar apo i sëmurë ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Ndoshta një çift i martuar po nis një familje. Kushdo që e ndërpret shërbimin e plotë kohor për arsye të tilla dhe për shkak të detyrimeve biblike, nuk duhet të ndihet i turpëruar për një përshtatje të tillë.
Por, ç’të themi nëse dikush po planifikon ta ndërpresë shërbimin e plotë kohor për shkak të mungesës së gëzimit? Ndoshta një pionier vëren se janë të paktë ata që i përgjigjen shërbimit të tij dhe pyet: ‘Përse të vazhdoj me këtë stil vetësakrifikues jetese, kur shumë pak më dëgjojnë?’ Ndoshta një vullnetar në Bethel nuk është edhe aq i lumtur me caktimin e tij. Ose shëndeti i dobët që të bezdis, edhe pse s’pengon në shërbimin si pionier, së fundi e gërryen lumturinë e një personi. Si mund ta mbajnë gëzimin individë të tillë? Le të marrim në shqyrtim se çfarë thonë disa shërbëtorë me përvojë.
Përballimi i zhgënjimit
Ani, e cila është nga Zvicra, në vitin 1950 ndoqi Shkollën biblike Watchtower të Galaadit. Ajo mezi priste caktimin misionar në një vend joevropian. Kur u ricaktua në veprën në Bethel, në Evropë, Ani mbeti e zhgënjyer. Megjithatë, ajo e pranoi caktimin në repartin e përkthimit dhe ende bën atë punë. Si e kapërceu zhgënjimin e saj? «Kishte dhe ka shumë punë për të bërë. Ndjenjat dhe preferencat e mia nuk janë aq të rëndësishme sa puna»,—shpjegon Ani.
Nëse jemi të zhgënjyer nga caktimi që kemi, ndoshta mund të zhvillojmë qëndrimin e Anit. Preferenca jonë personale nuk ka ndonjë rëndësi parësore. Ajo që ka më shumë rëndësi është që të gjitha përgjegjësitë e ndryshme të lidhura me përhapjen e mesazhit të Mbretërisë, të kryhen mirë. Proverbat 14:23 na thotë se «në çdo mundim ka një fitim». Pavarësisht nga caktimi që na është dhënë, përmbushja e tij me besim të plotë, i kontribuon kryerjes së veprës së Mbretërisë. Në një vepër të tillë të dhënë nga Perëndia, mund të gjendet një kënaqësi e madhe, po, gëzim.—Krahaso 1. Korintasve 12:18, 27, 28.
Të shkosh mirë me të tjerët
Shërbimi në kohë të plotë, përfshin kontakte të ngushta me njerëz të të gjitha llojeve: në shërbimin në fushë, në Bethel, në një shtëpi misionare apo ndërsa viziton njërin kongregacion pas tjetrit si një mbikëqyrës udhëtues. Pra, gëzimi varet në një masë të madhe nga shkuarja mirë me të tjerët. Megjithatë, ‘kohët e egra’ të parathëna për këto ditë të fundit, krijojnë një tendosje të madhe në marrëdhëniet njerëzore. Si mund ta shmangë një shërbëtor humbjen e gëzimit, edhe nëse dikush e ka mërzitur? Ndoshta mund të mësojmë diçka nga Uilhelmi.
Në vitin 1947, Uilhelmi u bë anëtar i një familjeje Bethel në Evropë. Pas kësaj, ai shërbeu për disa kohë në veprën e pionierit dhe në shërbimin si mbikëqyrës udhëtues. «Nëse gruaja ime dhe unë shohim gjëra, për të cilat mendojmë se nuk janë korrekte apo që personalisht na mërzitin, i tregojmë Jehovait se si ndihemi dhe pastaj i lëmë gjërat në dorën e tij për t’i zgjidhur»,—shpjegon Uilhelmi.—Psalmi 37:5.
Ndoshta ty vetë të ka shqetësuar sjellja e një bashkë të krishteri, i cili të ka folur pa respekt ose pa menduar. Mos harro se të gjithë ne pengohemi shumë herë në të folurin tonë. (Jakovit 3:2) Kështu që, përse të mos e përdorësh këtë situatë për t’iu afruar më shumë «Dëgjuesit të lutjes»? (Psalmi 65:2) Foli Jehovait për këtë çështje dhe pastaj lëre atë në duart e tij. Nëse Perëndia dëshiron të bëjë ndryshime, do t’i bëjë ato. Ata që jetojnë në një shtëpi misionare, nëse do të kenë probleme të ngjashme, mund të kenë nevojë për ta mbajtur në mend këtë, sepse kjo do t’i ndihmojë të mbajnë gëzimin e tyre në shërbimin e Jehovait.
Kur ke shëndet të dobët
Të paktë janë njerëzit që gëzojnë shëndet të mirë në mënyrë të vazhdueshme. Madje edhe ata që janë në të ashtuquajturën lule të moshës, mund të goditen nga depresioni apo nga sëmundjet. Për disa, shëndeti i dobët e bën të domosdoshme ndërprerjen e shërbimit të plotë kohor, por edhe pas kësaj ata kryejnë një vepër të shkëlqyer si lajmëtarë të Mbretërisë. Megjithatë, ka të tjerë që pavarësisht nga shëndeti i dobët, janë në gjendje ta kryejnë shërbimin e plotë kohor. Për shembull, të marim Hartmutin dhe Gislindën.
Hartmuti dhe Gislinda janë një çift i martuar që kanë kaluar 30 vjet si pionierë, misionarë dhe në veprën udhëtuese. Që të dy kanë pësuar goditje sëmundjesh serioze, që ndonjëherë i kanë lënë si fizikisht, ashtu dhe emocionalisht, me forca të shteruara. Megjithatë, ata kanë bërë një vepër të shkëlqyer dhe kanë qenë në gjendje t’i inkurajojnë të tjerët që kanë përjetuar sprova të ngjashme. Çfarë këshille japin ata? «Shiko nga e ardhmja, jo nga e kaluara. Në çdo situatë, bëj sa ke në dorë. Çdo ditë mund të sjellë qoftë edhe një rast të vetëm për të lavdëruar Jehovain. Përdore atë rast dhe gëzoje.»
Merr rastin e Hanelores. Ajo shqetësohej nga një sëmundje që i është përsëritur gjatë 30 vjetëve si pioniere, misionare, në veprën udhëtuese me burrin e saj dhe në shërbimin në Bethel. Hanelore thotë: «Unë përqendrohem në çështjen e ngritur nga Satanai, se njerëzit i shërbejnë Jehovait vetëm kur bërja e një gjëje të tillë është e lehtë për ta. Duke duruar sprovat, unë mund të kontribuoj për t’i provuar Satanait se e ka gabim.» Ky mund të jetë një motivim i fuqishëm. Mos harro që besnikëria jote personale ndaj Jehovait, kur je nën sprova, është e rëndësishme për të.—Jobi 1:8-12; Proverbat 27:11.
Kur je duke u përpjekur për të marrë një vendim të drejtpeshuar në lidhje me shëndetin tënd, merr në konsideratë dy tiparet e profecisë së Jezu Krishtit rreth përfundimit të sistemit të gjërave. Jezui paratha murtaja në njërin vend pas tjetrit. Ai tha, gjithashtu: «Ky lajm i mirë i Mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:3, 14, BR; Luka 21:11) Jezui e dinte se në ditët e fundit, ithtarët e tij do të luftonin me sëmundjet. Por ai e kuptonte që vepra e predikimit do të kryhej jo vetëm nga njerëz që gëzojnë shëndet të mirë, por edhe nga individë që përjetojnë sëmundje serioze. Nëse jemi në gjendje të vazhdojmë në shërbimin e plotë kohor, pavarësisht nga shëndeti i dobët, Jehovai nuk do ta harrojë dashurinë që tregojmë për emrin e tij.—Hebrenjve 6:10.
Të mbajmë gëzimin pavarësisht nga apatia publike
Qëndrimi ynë mund të ndikohet nga mënyra se si reagojnë njerëzit ndaj veprës së predikimit të Mbretërisë. «Edhe pionierët e kanë të vështirë që të nisin një bisedë me një pronar shtëpie,—tha një shërbëtor me përvojë.—Të gjithëve ne na duhet të luftojmë për të mbajtur gëzimin.» Po, apatia publike mund ta pakësojë gëzimin tonë në shërbimin në fushë. Si mundet, pra, që një pionier i cili ndeshet rregullisht me indiferencën, ta mbajë gëzimin e tij? Shërbëtorët me përvojë ofrojnë sugjerimet e mëposhtme, që janë provuar dhe vërtetuar.
Apatia përfaqëson një sfidë, por ajo nuk do të thotë patjetër humbje. Në vetvete, indiferenca e përhapur gjerësisht, nuk përbën një arsye për ta ndërprerë shërbimin e plotë kohor. Ne mund ta mbajmë gëzimin tonë përkundrejt apatisë, nëse lëmë mënjanë kohë të përshtatshme për një studim të zellshëm të Shkrimeve. Ato ‘na pajisin për çdo vepër të mirë’ dhe kjo përfshin atë që t’u flasim atyre që e bëjnë një vesh të shurdhër ndaj lajmit të mirë. (2. Timoteut 3:16, 17) Megjithëse njerëzit nuk dëshironin ta dëgjonin profetin Jeremia, kjo gjë nuk e ndali atë. (Jeremia 7:27) Kur studiojmë Biblën me ndihmën e botimeve të krishtere, mund të nxjerrim shumë dobi nëse ua vëmë veshin mendimeve që forcojnë besimin tonë dhe që na ndihmojnë për ta përballuar apatinë.
Duke e pranuar që apatia është një sfidë, le të shqyrtojmë qëndrimin tonë ndaj atyre, të cilëve u predikojmë. Përse janë indiferentë ata? Një arsye për apatinë e përhapur gjerësisht në disa pjesë të Evropës, për shembull, është dëshmia e vajtueshme që ka dhënë feja e rreme. Njerëzit nuk mendojnë më se feja zë një vend në jetën e tyre dhe as që duan të kenë të bëjnë me të. Ne duhet të jemi elastikë, duke biseduar me njerëzit për çështje që ndikojnë mbi ta, të tilla si papunësia, shëndeti, kriminaliteti, mungesa e tolerancës, mjedisi dhe kërcënimi i luftës.
Në fjalët hyrëse që i drejtojmë një pronari shtëpie, mund të përmendim diçka me interes lokal. Kjo është ajo që përpiqej të bënte Dietmari, kur ishte duke predikuar në një fshat, ku kishte pak sukses. Një banor i përmendi se një ditë më parë fshati kishte përjetuar një tragjedi. Pas kësaj, në çdo derë Dietmari shprehu keqardhjen e tij të sinqertë për tragjedinë. «Menjëherë, njerëzit fillonin të flisnin,—tha ai.—Tragjedia ndodhej në mendjen e kujtdo. Atë ditë pata shumë biseda të bukura, sepse tregova interes për jetën e tyre.»
Ne duhet t’u japim njerëzve një dëshmi mbi Mbretërinë kudo që t’i gjejmë. Dëshmia joformale mund të jetë e frytshme dhe ne mund të stërvitemi në këtë aktivitet, duke përdorur sugjerimet e ofruara në botimet e bazuara në Bibël. Nga pak fjalë miqësore apo nga lënia e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! një pronari shtëpie, mund të rezultojë gëzimi. Nëse kemi bërë rivizita dhe kemi nisur të drejtojmë një studim biblik me një person të interesuar, mund t’i referohemi atij, duke e pyetur: «A njeh dikë tjetër që do t’i pëlqente të studionte Biblën?» Kjo mund të çojë në vendosjen e një studimi tjetër biblik në shtëpi. Në çdo rast, le të jemi pozitivë, duke u mbështetur në lutje tek Jehovai, duke mos e lënë apatinë të na shkurajojë.
Inkurajim nga të tjerët
Jurgeni dhe Kristiana kanë shërbyer si pionierë dhe kanë marrë pjesë në veprën udhëtuese për më shumë se 30 vjet. Njëherë ata patën një caktim që përfshinte predikimin në një zonë ku shumica e njerëzve ishin apatikë dhe kokëfortë. Sa të dëshiruar ishin Jurgeni dhe gruaja e tij për njëfarë inkurajimi! Por, për ndonjë arsye, të tjerët në kongregacion nuk iu përgjigjën nevojës së tyre.
Kështu që nga përvoja, Jurgeni e di se «disa pionierë kanë periudha të vështira. Atyre u nevojitet më shumë inkurajim nga pleqtë dhe nga lajmëtarët e tjerë». Perëndia i tha Moisiut të inkurajonte dhe të forconte Josiun. (Ligji i përtërirë 3:26-28) Edhe të krishterët duhet të jenë burim inkurajimi për njëri-tjetrin. (Romakëve 1:11, 12) Lajmëtarët e Mbretërisë mund t’i inkurajojnë ata që janë në shërbimin e plotë kohor, me anë të fjalëve ndërtuese dhe duke i shoqëruar në shërbim herë pas here.
Gëzimi i Jehovait fortesa jonë
Të krishterët që e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre si pionierë apo misionarë, duke shërbyer në Bethel apo duke vizituar kongregacionet në veprën udhëtuese, kanë zbuluar se shumica e problemeve zgjasin pak kohë, por disa zgjasin shumë. Edhe ato pak probleme që duket se nuk do të mbarojnë kurrë, nuk duhet të na grabisin gëzimin tonë. Ramoni, i cili ka shërbyer në një caktim të huaj për më shumë se 45 vjet, ka mendimin se kurdo që të na brengosin problemet, «duhet të mendojmë rreth bekimeve të shumta që kemi dhe për mijëra të tjerë që vuajnë mundime më të mëdha». Në të vërtetë, vuajtje po përjetohen nga bashkëbesimtarët tanë në mbarë botën dhe Jehovai kujdeset me të vërtetë për të gjithë ne.—1. Pjetrit 5:6-9.
Kështu pra, nëse rrethanat tona personale na lejojnë të marrim pjesë në shërbimin e plotë kohor dhe të qëndrojmë në të, le ta mbajmë gëzimin, duke u mbështetur në Atin tonë qiellor. Ai forcon shërbëtorët e tij dhe të gjithë ne nuk duhet të harrojmë se «gëzimi i Jehovait është fortesa jonë».—Nehemia 8:10, BR.
[Figura në faqen 21]
«Ndjenjat dhe preferencat e mia nuk janë aq të rëndësishme sa puna»
[Figura në faqen 22]
«I tregojmë Jehovait se si ndihemi dhe pastaj i lëmë gjërat në dorë të tij»
[Figurat në faqen 23]
«Në çdo situatë, bëj sa ke në dorë. Çdo ditë mund të sjellë qoftë edhe një rast të vetëm për të lavdëruar Jehovain»
[Figura në faqen 23]
«Duke i duruar sprovat, unë mund të kontribuoj për t’i provuar Satanait se e ka gabim»
[Figurat në faqen 24]
«Disa pionierë kanë periudha të vështira. Ata kanë nevojë për më shumë inkurajim nga pleqtë dhe nga lajmëtarët e tjerë»
[Figura në faqen 24]
«Ne duhet të mendojmë rreth bekimeve të shumta që kemi»