KAPITULLI 40
Si ta bëjmë të lumtur Perëndinë?
SI MUND ta bëjmë të lumtur Perëndinë? A mund t’i japim ndonjë gjë atij? . . . Jehovai thotë: ‘Mua më takojnë të gjitha kafshët e egra të pyllit.’ Ai thotë edhe: «Argjendi është imi dhe ari është imi.» (Psalmi 24:1; 50:10; Hageu 2:8) Megjithatë, ka diçka që mund t’i japim Perëndisë. Çfarë është kjo? . . .
Jehovai na lejon që të zgjedhim nëse do t’i shërbejmë apo jo. Nuk na detyron të bëjmë çfarë dëshiron ai. Le të përpiqemi të kuptojmë pse Perëndia na bëri në këtë mënyrë, pra që të zgjedhim vetë nëse do t’i shërbejmë apo jo.
Ti ndoshta e di çfarë është një robot. Është një makinë e ndërtuar në mënyrë të tillë që të bëjë çfarëdo gjëje të dëshirojë ai që e ka bërë. Prandaj roboti s’ka ndonjë mundësi të zgjedhë vetë. Po të donte, Jehovai mund të na kishte bërë edhe ne që të ishim të gjithë si robotë. Mund të na kishte bërë në një mënyrë që të bënim vetëm çfarë dëshironte ai. Por Perëndia nuk veproi kështu. Pse jo, e di? . . . Për shembull, disa lodra janë lodra-robot. Kur ti shtyp një buton ato bëjnë gjërat për të cilat i ka programuar ai që i ka bërë. Ke parë ndonjëherë një lodër të tillë? . . . Shpesh ne lodhemi duke luajtur me një lodër që bën vetëm çfarë është programuar të bëjë. Perëndia nuk dëshiron që ne t’i bindemi sepse jemi robotë të programuar për t’i shërbyer. Jehovai dëshiron që ne t’i shërbejmë sepse e duam dhe dëshirojmë t’i bindemi.
Si mendon, si ndihet Ati ynë qiellor kur i bindemi sepse dëshirojmë ta bëjmë këtë? . . . Po mirë, më thuaj, si ndihen prindërit e tu nga mënyra si sillesh ti? . . . Bibla thotë që një bir i mençur ‘e gëzon babanë e tij’, kurse një bir budalla «është hidhërimi i nënës së tij». (Proverbat 10:1) A e ke vënë re se kur ti sillesh siç të kanë thënë mamaja dhe babai, ata janë të lumtur? . . . Por, si ndihen ata kur ti nuk u bindesh? . . .
Le të mendojmë tani për Atin tonë qiellor, Jehovain. Ai na thotë se si mund ta bëjmë të lumtur. Të lutem, merre pak Biblën dhe hape te Proverbat 27:11. Këtu Perëndia po na thotë: «Ji i mençur, biri im [ose mund të themi edhe bija ime] dhe gëzoma zemrën, që t’i jap përgjigje atij që më tall.» Si thua, çfarë do të thotë të tallësh dikë? . . . Po ja, një njeri mund të qeshë me ty, duke të thënë se nuk je i aftë ta bësh atë që ke thënë se mund ta bësh. Si e tall Satanai Jehovain? . . . Le ta shohim.
Ti e mban mend se në kapitullin e tetë të këtij libri mësuam që Satanai dëshiron të jetë i pari dhe që të gjithë t’i binden atij. Satanai thotë se njerëzit e adhurojnë Jehovain vetëm sepse Jehovai do t’u japë jetën e përhershme, në rast se ata e adhurojnë. Pasi i shtyu Adamin dhe Evën që të mos i bindeshin Jehovait, Satanai e sulmoi Perëndinë duke i bërë tërë trimëri këtë akuzë e propozim: ‘Njerëzit të shërbejnë vetëm për shkak të asaj që marrin nga ty. Ti më jep vetëm një mundësi dhe unë mund ta largoj çdo njeri nga ty.’
Është e vërtetë që këto fjalë nuk i gjejmë pikërisht kështu në Bibël. Por kur lexojmë për një njeri me emrin Job, bëhet e qartë se Satanai i tha diçka të tillë Perëndisë. Në atë rast, si për Satanain, ashtu edhe për Jehovain, kishte shumë rëndësi nëse Jobi do t’i qëndronte apo jo besnik Perëndisë. Le ta hapim Biblën te Jobi, kapitujt 1 dhe 2, e të shohim çfarë ndodhi.
Në kapitullin e parë të Jobit, vër re se Satanai është aty në qiell kur engjëjt shkojnë të shohin Jehovain. Atëherë Jehovai e pyet Satanain: «Nga po vjen?» Satanai i përgjigjet se është sjellë poshtë e lart nëpër tokë duke parë. Atëherë Jehovai e pyet: ‘A e ke vënë re Jobin, këtë njeri që më shërben dhe s’bën asgjë të keqe?’—Jobi 1:6-8.
Menjëherë Satanai jep arsye për këtë. ‘Jobi të adhuron vetëm sepse s’ka asnjë problem ose hall. Po t’ia heqësh ti bekimin dhe mbrojtjen tënde, ai do të të mallkojë haptazi.’ Atëherë Jehovai përgjigjet: ‘Mirë, Satana, mund t’i bësh çdo gjë që dëshiron, por vetë Jobin mos e prek.’—Jobi 1:9-12.
Çfarë bën Satanai? . . . Ai bën që disa njerëz t’i vjedhin Jobit lopët dhe gomarët e të vrasin ata që kujdesen për këto kafshë. Pastaj bie një rrufe që vret delet dhe ata që kujdesen për to. Më vonë, disa njerëz vijnë e vjedhin devetë, si dhe vrasin njerëzit që i ruajnë ato. Në fund Satanai bën që një erë e fortë të shembë shtëpinë ku rrinë dhjetë fëmijët e Jobit, dhe që të gjithë ata vdesin. Edhe pse i ndodhin gjithë këto gjëra, Jobi vazhdon t’i shërbejë Jehovait.—Jobi 1:13-22.
Kur e sheh përsëri Satanain, Jehovai i tregon atij se Jobi është ende besnik. Satanai arsyeton prapë: ‘Po të më lësh që t’i shkaktoj dhembje në trupin e tij, ai do të të mallkojë haptazi.’ Atëherë Jehovai e lejon Satanain që t’i shkaktojë Jobit dhembje në trup, por e paralajmëron që të mos e vrasë atë.
Satanai e godet Jobin me një sëmundje, kështu që i mbushet i gjithë trupi me plagë. Këto plagë vijnë një erë kaq të keqe, saqë asnjë njeri nuk i afrohet atij. Madje edhe gruaja e Jobit i thotë: «Mallkoje Perëndinë dhe vdis!» Disa njerëz që hiqen sikur janë shokë të Jobit vijnë t’i bëjnë vizitë dhe e bëjnë të ndihet edhe më keq. Ata i thonë se duhet të ketë bërë gjëra shumë të tmerrshme, prandaj i kanë ardhur këto të këqija. Por prapëseprapë, me gjithë problemet dhe dhembjen që i shkakton Satanai, Jobi vazhdon t’i shërbejë me besnikëri Jehovait.—Jobi 2:1-13; 7:5; 19:13-20.
Si mendon ti, si u ndie Jehovai nga besnikëria e Jobit? . . . Jehovai u ndie i lumtur, sepse mund t’i thoshte Satanait: ‘Shihe Jobin! Ai më shërben sepse dëshiron të më shërbejë.’ A do të jesh edhe ti si Jobi, një njeri të cilin Jehovai mund ta përdorë si shembull për ta nxjerrë Satanain gënjeshtar? . . . Në të vërtetë, është një nder për ne t’i japim përgjigje akuzës së Satanait se mund të largojë çdo njeri nga Jehovai, në mënyrë që të mos i shërbejë më. Me siguri, Jezui e shihte si një nder këtë mundësi.
Mësuesi i Madh nuk lejoi asnjëherë që Satanai ta shtynte të bënte ndonjë gjë të gabuar. Mendo sa i lumtur duhet të jetë ndier Ati i tij nga shembulli që la Jezui! Jehovai mund ta merrte si shembull Jezuin dhe t’i përgjigjej Satanait: ‘Shihe Birin tim! Ai tregoi besnikëri të përsosur ndaj meje, sepse më do!’ Mendo edhe për gëzimin që ndien Jezui ngaqë ia ka gëzuar zemrën Atit të tij. Për shkak të këtij gëzimi, Jezui duroi edhe vdekjen në një shtyllë torture.—Hebrenjve 12:2.
A dëshiron ti të jesh si Mësuesi ynë i Madh dhe ta bësh të lumtur Jehovain? . . . Atëherë, vazhdo të mësosh se çfarë dëshiron Jehovai që të bësh, pastaj bëje të lumtur Perëndinë duke e zbatuar atë që mëson!
Lexo se çfarë bëri Jezui për ta bërë të lumtur Perëndinë dhe çfarë duhet të bëjmë edhe ne, te Proverbat 23:22-25; Gjoni 5:30; 6:38; 8:28 dhe 2 Gjonit 4.