Të kultivojmë frikë Perëndie
«Frikësohu prej Jehovait dhe largohu nga e keqja.»—PROVERBAT 3:7.
1. Për kë u shkruan Proverbat?
LIBRI biblik i Proverbave përmban një pasuri me këshilla frymore. Fillimisht, Jehovai e bëri këtë libër udhëzues për të mësuar kombin e tij tipik, Izraelin. Sot, ky libër siguron fjalë të mençura për kombin e tij të shenjtë të krishterë, «mbi të cilin mbërriti mbarimi i sistemit të gjërave».—1. Korintasve 10:11; Proverbat 1:1-5; 1. Pjetrit 2:9.
2. Përse paralajmërimi i Proverbave 3:7 vlen më shumë për kohën sot?
2 Duke iu kthyer Proverbave 3:7, lexojmë: «Mos u bëj i mençur në sytë e tu. Frikësohu prej Jehovait dhe largohu nga e keqja.» Gjithmonë, që nga koha e të parëve tanë, kur Gjarpri e joshi Evën me premtimin se ata «do të njihnin të mirën dhe të keqen», dituria e thjeshtë njerëzore ka dështuar t’u përgjigjet nevojave të njerëzimit. (Zanafilla 3:4, 5; 1. Korintasve 3:19, 20) Në asnjë periudhë tjetër të historisë kjo nuk ka qenë më e dukshme, sesa në këtë shekull të njezetë—në këto «ditë të fundit», kur njerëzimi, duke korrur frytet e ateizmit dhe mendimit evolucionist, është molepsur prej racizmit, dhunës dhe çdo lloj imoraliteti. (2. Timoteut 3:1-5, 13; 2. Pjetrit 3:3, 4) Ky është një «çrregullim i ri botëror»—të cilin as Kombet e Bashkuara dhe as fetë e përçara të botës nuk mund ta zgjidhin.
3. Cilat zhvillime qenë profetizuar për ditët tona?
3 Fjala profetike e Perëndisë na informon se forcat demonike «shkuan të bashkojnë në luftë mbretërit e mbarë botës, për Ditën e madhe të Hyut të gjithpushtetshëm . . . në një vend që hebraisht quhet ‘Harmagedon.’» (Zbulesa 16:14, 16) Shumë shpejt, tmerri prej Jehovait do t’i përfshijë këta mbretër apo sundimtarë. Do të jetë si frika që pllakosi mbi kananitët kur Josiu dhe izraelitët erdhën për të ekzekutuar gjykimin e tyre. (Josiu 2:9-11) Sot gjendet dikush i tipizuar nga Josiu, Krishti Jezu—«Mbreti i mbretërve dhe Zotëruesi i zotëruesve»—që «do të sundojë mbi ta [kombet, BR] me skeptër hekuri» në shprehje të «zemërimit e të hidhërimit të Hyut të Gjithpushtetshëm».—Zbulesa 19:15, 16.
4, 5. Cilët do të gjejnë shpëtim dhe si?
4 Kush do të gjejë shpëtim në atë kohë? Ata që do të shpëtojnë nuk do të jenë të pushtuarit nga frika, por të gjithë ata që kanë kultivuar frikë me nderim të thellë ndaj Jehovait. Në vend se të jenë të mençur në sytë e tyre, ata «largohen nga e keqja». Me përulësi, ata i ushqejnë mendjet e tyre me çfarë është e mirë, kështu që e keqja mbetet jashtë mendimeve të tyre. Ata ushqejnë një respekt të shëndoshë për Zotin Sovran Jehova, «Gjykatësin e gjithë tokës», i cili është gati për të ekzekutuar cilindo që qëndron në të keqen, ashtu siç asgjësoi banorët e korruptuar të Sodomës. (Zanafilla 18:25) Në të vërtetë, për popullin e Perëndisë, «frika e Zotit [Jehovait, BR] është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.»—Proverbat 14:27, Dio.
5 Në këtë ditë të gjykimit hyjnor, të gjithë ata që ia kushtojnë veten plotësisht Jehovait, me frikë që të mos e mërzisin kurrë, do të kuptojnë të vërtetën që në mënyrë figurative gjendet në Proverbat 3:8: «Kjo [frika ndaj Jehovait] do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.»—Dio.
Të nderojmë Jehovain
6. Çfarë do të na shtyjë për t’u vënë veshin Proverbave 3:9?
6 Frika jonë me çmueshmëri ndaj Jehovait, bashkë me dashurinë e zjarrtë për të, na nxisin për t’i vëmë veshin këshillës së Proverbave 3:9: «Nderoje Jehovain me gjërat e tua të vlefshme dhe me frytet e para të gjithë prodhimit tënd.» Ne nuk jemi të detyruar që të nderojmë Jehovain me ofrimet tona. Këto duhet të jenë vullnetare, siç tregohet mbi 12 herë nga Të Dalët 35:29 deri tek Ligji i përtërirë 23:23 në lidhje me sakrificat e Izraelit të lashtë. Këto fryte të para ndaj Jehovait duhet të jenë dhuratat më të mira që mund të ofrojmë, si mirënjohje për mirësinë dhe dashamirësinë e dashur që kemi gëzuar prej dorës së tij. (Psalmi 23:6) Ato duhet të pasqyrojnë vendosmërinë tonë që «të vazhdojmë . . . të kërkojmë së pari mbretërinë dhe drejtësinë e tij». (Mateu 6:33) Dhe çfarë rezultatesh do të kemi duke nderuar Jehovain me gjërat tona të vlefshme? «Hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.»—Proverbat 3:10, Dio.
7. Cilat janë frytet e para që duhet t’i ofrojmë Jehovait dhe me çfarë rezultati?
7 Mënyra e parë me të cilën Jehovai na bekon është frymore. (Malakia 3:10) Prandaj, frytet e para që ne i ofrojmë atij së pari duhet të jenë frymore. Duhet të përdorim kohën tonë, energjinë dhe forcën jetësore në kryerjen e vullnetit të tij. Në këmbim, kjo do të na ushqejë në po atë mënyrë që ky aktivitet u bë «ushqim» forcëdhënës për Jezuin. (Gjoni 4:34) Hambarët tanë frymorë të rezervave do të jenë plot e përplot dhe gëzimi ynë, i simbolizuar nga mushti, do të gufojë. Veç kësaj, ndërsa lutemi me besim për ushqim të mjaftueshëm material çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme ne mund të kontribuojmë me bujari me mjetet tona në mbështetje të veprës ndërkombëtare të Mbretërisë. (Mateu 6:11) Çdo gjë që zotërojmë, duke përfshirë edhe pasuritë materiale, na vjen prej Atit tonë të dashur qiellor. Ai do të derdhë bekime të mëtejshme, në po atë masë që ne i përdorim gjërat tona të vlefshme në lavdinë e tij.—Proverbat 11:4; 1. Korintasve 4:7.
Qortime dashurie
8, 9. Si duhet t’i shohim qortimet dhe disiplinën?
8 Në vargjet 11 dhe 12, kapitulli i tretë i Proverbave flet përsëri për marrëdhënien e lumtur atë dhe bir që ekziston në familjet hyjnore, si edhe midis Jehovait dhe bijve të tij të dashur frymorë në tokë. Lexojmë: «Biri im, mos e hidh poshtë disiplinën e Jehovait; dhe mos ndiej neveri ndaj qortimit të tij, sepse Jehovai e qorton atë që do, ashtu si një atë me birin në të cilin ndjen kënaqësi.» Njerëzit e botës e urrejnë qortimin. Populli i Jehovait duhet ta mirëpresë. Apostulli Pavël i citoi këto fjalë nga Proverbat, duke thënë: «Biri im, mos e nënvlerëso disiplinën nga Jehovai, as mos u jep kur korrigjohesh prej tij; sepse Jehovai disiplinon atë që do . . . Në të vërtetë, asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim për momentin, por hidhërim; megjithatë, më vonë ajo u jep atyre që janë stërvitur me të fryt paqësor, d.m.th. drejtësi.»—Hebrenjve 12:5, 6, 11, BR.
9 Po, qortimi dhe disiplina janë një pjesë e nevojshme e stërvitjes së secilit prej nesh, sido që t’i marrim ato, prej prindërve, prej kongregacionit të krishterë apo edhe duke medituar mbi Shkrimet gjatë studimit tonë personal. Është një çështje për jetë a vdekje për ne që t’i vëmë veshin disiplinës, siç pohojnë edhe Proverbat 4:1, 13: «Dëgjoni, o bij, disiplinën e një ati dhe kushtojini vëmendje, që të mund të keni kuptueshmëri. Mbajuni fort pas disiplinës; mos e lini të shkojë. Ruajeni, sepse ajo vetë është jeta juaj.»
Lumturia më e madhe
10, 11. Cilat janë disa aspekte të fjalëve të këndshme të Proverbave 3:13-18?
10 Sa shprehje të bukura pasojnë tani, në fakt «fjalë të këndshme dhe të sakta vërtetësie»! (Eklisiastiu 12:10) Këto fjalë të frymëzuara të Solomonit përshkruajnë lumturi të vërtetë. Janë fjalë që ne duhet t’i skalitim në zemrat tona. Lexojmë:
11 «Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.»—Proverbat 3:13-18, Dio.
12. Si do të përfitojmë prej diturisë dhe arsyes?
12 Dituria—sa shpesh përmendet ajo në librin e Proverbave, 46 herë gjithsej! «Frika e Jehovait është fillimi i diturisë.» Kjo është dituria hyjnore dhe praktike, e bazuar në njohurinë e Fjalës së Perëndisë, e cila i mundëson popullit të tij që të mbajë një kurs shpëtimi mes stuhive të rrezikshme që bëjnë kërdinë në botën e Satanait. (Proverbat 9:10) Arsyeja, e përmendur 19 herë në Proverbat, është endësja e diturisë, duke na ndihmuar që të luftojmë kundër planeve të Satanait. Në kryerjen e veprimeve të tij dinake, Kundërshtari më i madh, ka me mijëra vjet përvojë. Por ne kemi si mësues diçka që është shumë më e vlefshme se përvoja—arsyen hyjnore, aftësinë për të dalluar ç’është e gabuar dhe për të zgjedhur rrugën e drejtë për të vepruar. Ja, ç’na mëson Jehovai me anë të Fjalës së tij.—Proverbat 2:10-13; Efesianëve 6:11.
13. Çfarë do të na mbrojë gjatë periudhave të vështira ekonomike dhe si?
13 Kaosi ekonomik i botës së sotme, është një lajmëtar i plotësimit të profecisë së Ezekielit 7:19: «Do ta hedhin në rrugë vetë argjendin e tyre dhe vetë ari i tyre do të bëhet diçka e tmerrshme. As ari dhe as argjendi i tyre nuk do të mund t’i lirojë në ditën e zemërimit të Jehovait.» E gjithë pasuria materiale mbi tokë nuk mund të krahasohet me forcën shpëtuese të diturisë dhe arsyes. Mbreti i mençur Solomon pohoi në një rast tjetër: «Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si edhe paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë: dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12, Dio) Të lumtur janë në fakt të gjithë ata që ecin sot në rrugën e kënaqësisë së Jehovait dhe që me dituri zgjedhin «gjatësinë e ditëve», jetën e përhershme që është dhurata e Perëndisë për këdo që ushtron besim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit.—Proverbat 3:16; Gjoni 3:16; 17:3.
Të kultivojmë dituri të vërtetë
14. Në cilat mënyra Jehovai ka treguar dituri të shkëlqyeshme?
14 Është me vend që ne njerëzit, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, përpiqemi të kultivojmë dituri dhe arsye, cilësi që vetë Jehovai i shfaqi në kryerjen e veprave të tij të mrekullueshme të krijimit. «Me diturinë Zoti [Jehovai, BR] krijoi tokën dhe me zgjuarsinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.» (Proverbat 3:19, 20, Dio) Ai vazhdoi të bënte krijesat e gjalla, jo me ndonjë proces mistik, të pashpjegueshëm evolucioni, por me veprime direkte krijimi, secilën «sipas llojit të vet» dhe për një qëllim të zgjuar. (Zanafilla 1:25) Kur më në fund njeriu lindi me zgjuarsi dhe aftësi shumë më të mëdha se kafshët, duartrokitja e bijve engjëllorë të Perëndisë duhet të ketë ushtuar gjatë në qiej. (Krahaso Jobi 38:1, 4, 7.) Parashikimi mendjehollë i Jehovait, dituria dhe dashuria e tij, u dukën qartë në të gjitha prodhimet e tij mbi tokë.—Psalmi 104:24.
15. (a) Përse nuk mjafton që vetëm të kultivojmë diturinë? (b) Çfarë besimi do të zgjojnë tek ne Proverbat 3:25, 26?
15 Ne nuk duhet që vetëm t’i kultivojmë cilësitë e Jehovait, diturinë dhe zgjuarsinë, por edhe të mbahemi fortësisht në to, duke mos i lënë kurrë të na kalojnë në studimin tonë të Fjalës së tij. Ai na këshillon: «Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim për qafën tënde.» (Proverbat 3:21, 22, Dio) Kështu, ne mund të ecim në siguri dhe paqe mendore, madje edhe gjatë ditës së «shkatërrimit të papritur» që po afrohet si një hajdut dhe që do të bjerë mbi botën e Satanait. (1. Selanikasve 5:2, 3) Edhe gjatë mjerimit të madh, «nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti [Jehovai, BR] do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak».—Proverbat 3:23-26, Dio.
Dashuri për të bërë mirë
16. Çfarë veprimi kërkohet prej të krishterit përveç zellit në shërbim?
16 Këto janë ditë në të cilat duhet të tregojmë zell në predikimin e këtij lajmi të mirë të Mbretërisë, në dëshmi për të gjitha kombet. Por kjo vepër dëshmie duhet përkrahur nga aktivitete të tjera të krishtere, si përshkruhet në Proverbat 3:27, 28: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. Mos i thuaj të afërmit tënd: ‘Shko dhe kthehu; do të të jap nesër’, kur e ke me vete gjënë e nevojshme.» (Krahaso Jakovit 2:14-17.) Në një kohë kur shumica e botës është mbërthyer në varfëri dhe uri, është një thirrje urgjente për ne që të ndihmojmë të tjerët, veçanërisht vëllezërit tanë frymorë. Si janë përgjigjur Dëshmitarët e Jehovait?
17-19. (a) Cila nevojë urgjente doli gjatë vitit 1993 dhe si gjeti përgjigje? (b) Çfarë tregon se vëllezërit tanë të rrethuar kanë «dalë plotësisht fitimtarë»?
17 Le të marrim një shembull: Vitin që shkoi, një thirrje urgjente për ndihmë erdhi nga ish-Jugosllavia. Vëllezërit në vendet fqinj u përgjigjën në mënyrë të mrekullueshme. Gjatë muajve të ftohtë të dimrit të fundit, u bë e mundur që disa karvane ndihmash të depërtonin në zonat luftarake, duke transportuar botimet në vazhdim, veshje të ngrohta, ushqim dhe ilaçe për Dëshmitarët që kishin nevojë. Në një rast, vëllezërit kërkuan leje për të futur 15 ton ndihma, por kur morën lejen ajo ishte për 30 ton! Me të shpejtë Dëshmitarët e Jehovait në Austri dërguan edhe tre kamionë të tjerë. Gjithsej, 25 ton mbërritën në destinacionin e duhur. Sa u gëzuan vëllezërit tanë që morën këto furnizime të bollshme frymore dhe materiale!
18 Si u përgjigjën marrësit? Disa muaj më parë një plak kongregacioni shkroi: «Vëllezërit dhe motrat në Sarajevë janë shëndoshë e mirë dhe ç’është më e rëndësishme jemi ende të fortë frymësisht për të duruar këtë luftë të çmendur. Në lidhje me ushqimin gjendja ishte mjaft kritike. Jehovai ju bekoftë dhe jua shpërbleftë përpjekjet që ju bëtë për ne. Autoritetet kanë respekt të veçantë për Dëshmitarët e Jehovait, për shkak të jetesës së tyre shembullore dhe për respektin që kanë ndaj autoriteteve. Ju jemi mirënjohës, gjithashtu, edhe për ushqimin frymor që na dërguat.»—Krahaso Psalmin 145:18.
19 Këta vëllezër në rrezik e treguan vlerësimin edhe me anë të zellit të tyre në shërbim. Shumë fqinj vajtën tek ata për të kërkuar studime biblike në shtëpi. Në Tuzla, ku u dërguan pesë ton ndihma ushqimore, 40 lajmëtarë raportuan mesatarisht 25 orë secili në shërbim gjatë muajit, duke mbështetur për mrekulli të nëntë pionierët e kongregacionit. Ata patën një pjesëmarrje të jashtëzakonshme prej 243 vetash në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Në fakt, këta vëllezër të dashur «kanë dalë plotësisht fitimtarë në saje të atij që na deshi».—Romakëve 8:37, BR.
20. Çfarë «diçka e ngjashme» ndodhi në ish-Bashkimin Sovjetik?
20 Edhe bujarisë së treguar me dërgimin e karvanëve të mëdhenj me ndihma ushqimore dhe veshje të ngrohta në ish-Bashkimin Sovjetik, iu bashkua zelli i vëllezërve të atyshëm. Për shembull, numri i pjesëmarrësve në Përkujtim në Moskë ishte 7.549, në krahasim me 3.500 në vitin e kaluar. Gjatë së njëjtës periudhë, kongregacionet e atij qyteti u shtuan nga 12 në 16. Në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik (duke përfshirë edhe Shtetet Balltike), rritja në kongregacione ishte 14 për qind, në lajmëtarë të Mbretërisë 25 për qind dhe në pionierë 74 për qind. Çfarë fryme e zellshme dhe vetëflijuese! Ajo na sjell ndër mend shekullin e parë, kur ndodhi «diçka e ngjashme». Të krishterët që ishin të pasur frymësisht dhe materialisht, u bënë dhurata bujare atyre që ndodheshin në vende më pak të favorshme, ndërsa zelli i këtyre të fundit u solli gëzim dhe inkurajim dhuruesve.—2. Korintasve 8:14.
Urre të keqen!
21. Si janë vënë në kontrast njerëzit e mençur me ata pa mend, në fjalët përmbyllëse të kapitullit të tretë të Proverbave?
21 Më tej, kapitulli i tretë i Proverbave paraqet një seri kontrastesh, që përfundojnë me paralajmërimin: «Mos e ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, sepse Zoti [Jehovai, BR] e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. Mallkimi i Zotit [Jehovait, BR] është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.»—Proverbat 3:29-35, Dio.
22. (a) Si mund të shmangim fatin e njerëzve pa mend? (b) Çfarë urrejnë dhe çfarë kultivojnë të mençurit dhe me çfarë shpërblimi?
22 Si mund të shmangim që të mos numërohemi mes atyre që nuk kanë mend? Duhet të mësohemi që të urrejmë të keqen, po, të urrejmë atë që Jehovai urren—të gjitha rrugët e çoroditura të kësaj bote të dhunshme dhe me faj gjaku. (Shiko gjithashtu Proverbat 6:16-19.) Në kontrast me të, ne duhet të kultivojmë atë që është e mirë—ndershmërinë, drejtësinë dhe butësinë—kështu që me përulësi dhe frikë nga Jehovai mund të presim «pasuri, lavdi dhe jetë». (Proverbat 22:4) Ky do të jetë shpërblimi për të gjithë ne që me besnikëri zbatojmë paralajmërimin: «Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde.»
Si do të komentoje?
◻ Si zbatohet sot tema e këtij teksti studimi?
◻ Si mund ta nderojmë Jehovain?
◻ Përse nuk duhet ta nënvleftësojmë disiplinën?
◻ Ku duhet gjetur lumturia më e madhe?
◻ Si mund ta duam të mirën dhe të urrejmë të keqen?
[Figura në faqen 18]
Ata që ofrojnë pjesën më të mirë të asaj që kanë si sakrificë për Jehovain, do të shpërblehen me bollëk