Mund të mbeteni të dëlirë në një botë imorale
AI ISHTE brun dhe simpatik. Ajo ishte e talentuar dhe e bukur. Punonin në të njëjtën firmë. Ajo e mbulonte me përkujdesje. Ai i shfaqte admirimin e tij. Blinin dhurata për njëri-tjetrin. Pas pak kohësh ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Ai la të shoqen për të. Ajo, në fund, vendosi të rrinte me burrin e saj dhe ta ndërpriste marrëdhënien. Me gjysmë zemre, ai u përpoq të rikthehej tek e shoqja. Megjithatë, meqë i mungonte brejtja e sinqertë e ndërgjegjes, nuk pati sukses. Të gjithë ata që u përfshinë në këtë ngjarje vazhduan jetën e tyre, ndonëse jo pa u dëmtuar.
Në këtë botë, morali seksual nuk mendohet më si një virtyt. Të rendësh pas qejfeve dhe të kënaqesh pa kufizim duket se është e zakonshme. The New Encyclopædia Britannica thotë: «Kurorëshkelja duket se është po aq e përhapur dhe, në disa raste, po aq e zakonshme sa edhe martesa.»
Gjithsesi, Perëndia Jehova dëshiron që martesa të «nderohet nga të gjithë» dhe që shtrati martesor të jetë «pa ndyrësi». (Hebrenjve 13:4) Në Shkrime deklarohet: «Mos u mashtroni. As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Korintasve 6:9, 10) Prandaj, për të pasur miratimin hyjnor, duhet të mbajmë pastërti morale në këtë botë imorale.
Si mund të mbrohemi nga ndikimet korruptuese që na rrethojnë? Në kapitullin e pestë të librit biblik të Fjalëve të urta, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë na jep përgjigjet. Le të shqyrtojmë çfarë ka ai për të thënë.
Aftësia e të menduarit do të të mbrojë
«Biri im, mençurisë sime kushtoji vëmendje,—fillon mbreti i Izraelit, duke shtuar,—Ndaj aftësisë sime shquese përkuli veshët, me qëllim që të ruash aftësinë e të menduarit; dhe buzët e tua të ruajnë vetë njohurinë.»—Proverbat (Fjalët e urta) 5:1, 2, BR.
Për t’u rezistuar tundimeve drejt imoralitetit na duhet mençuria, domethënë, aftësia për ta vënë në përdorim njohurinë biblike, dhe aftësia shquese ose fuqia për të dalluar të drejtën nga e gabuara dhe për të zgjedhur drejtimin e duhur. Na bëhet nxitja që t’i kushtojmë vëmendje mençurisë dhe aftësisë shquese, me qëllim që të ruajmë aftësinë e të menduarit. Si mund ta bëjmë këtë? Kur studiojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën, duhet të vërejmë mënyrën si i bën gjërat Jehovai dhe ta përkulim veshin për të dëgjuar vullnetin dhe qëllimet e tij. Ndërsa bëjmë këtë, do të jemi duke i drejtuar proceset e të menduarit në kanalet e duhura. Aftësia e të menduarit, e fituar në këtë mënyrë, është në harmoni me mençurinë dhe me njohurinë hyjnore. Kur ushtrohet si duhet, kjo aftësi na mbron që të mos biem në grackën e tundimeve imorale.
Ruhu nga qiellza e butë
Arsyeja për të cilën aftësia e të menduarit është jetësore për të mbajtur pastërtinë morale në një botë të papastër është se mënyra si vepron një person imoral është joshëse. Solomoni paralajmëron: «Buzët e gruas [së huaj, BR] që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja [qiellza, BR] e saj është më e butë se vaji; por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.»—Fjalët e urta 5:3, 4.
Në këtë proverb, personi i shthurur portretizohet si ‘një grua e huaj’, një prostitutë.a Fjalët me të cilat ajo e josh viktimën e saj janë po aq të ëmbla sa hojet e mjaltit dhe më të buta se vaji i ullirit. A nuk fillojnë në këtë mënyrë shumica e propozimeve për imoralitet seksual? Për shembull, shqyrtoni përvojën e një sekretareje tërheqëse 27-vjeçare, me emrin Emi. Ajo tregon: «Është një burrë në punë që tregohet shumë i vëmendshëm ndaj meje dhe më lavdëron sa herë që i jepet rasti. Të gjithëve u pëlqen kur të tjerët i vënë re. Por e kuptoj se interesi i tij tek unë është thjesht seksual. Nuk do të më mashtrojnë propozimet e tij.» Fjalët lajkatuese të një joshësi ose të një joshëseje, zakonisht, janë tërheqëse, nëse nuk e kuptojmë natyrën e tyre të vërtetë. Prandaj, duhet të ushtrojmë aftësinë tonë të të menduarit.
Pasojat e imoralitetit janë po aq të hidhura sa pelini dhe po aq të mprehta sa një shpatë me dy tehe, domethënë, të dhembshme dhe vdekjeprurëse. Shpesh pasojat e hidhura të një sjelljeje të tillë janë: ndërgjegje e trazuar, shtatzëni e padëshiruar ose sëmundje e transmetuar me rrugë seksuale. Gjithashtu, mendoni për dhembjen e jashtëzakonshme emocionale që provon bashkëshorti ose bashkëshortja e një individi jobesnik. Një akt jobesnikërie mund të hapë plagë të thella që zgjatin një jetë të tërë. Po, imoraliteti dëmton.
Duke komentuar për stilin e jetës së një gruaje të shthurur, mbreti i mençur vazhdon: «Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol. Ajo nuk ecën në shtegun e jetës . . . ; rrugët e saj janë të gabuara.» (Fjalët e urta 5:5, 6) Udhët e gruas imorale e çojnë atë në vdekje, hapat e saj në Sheol, në varrin e përgjithshëm të njerëzimit. Sa të vërteta janë këto fjalë, ndërkohë që janë shumë të përhapura sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale, veçanërisht SIDA! Fundi i saj është i njëjtë me fundin e atyre që e shoqërojnë në shtigjet e shtrembra.
Me interesim të sinqertë, mbreti nxit: «Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime. Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj.»—Fjalët e urta 5:7, 8.
Duhet të qëndrojmë sa më larg që të jetë e mundur nga ndikimi i njerëzve imoralë. Përse duhet ta vëmë veten përballë udhëve të tyre, duke dëgjuar muzikë degjeneruese, duke parë zbavitje korruptuese ose duke u ekspozuar ndaj materialit pornografik? (Fjalët e urta 6:27; 1 Korintasve 15:33; Efesianëve 5:3-5) Sa e pamend është të tërheqim vëmendjen e tyre duke flirtuar ose duke qenë jomodestë në veshje dhe në krehje!—1 Timoteut 4:8; 1 Pjetrit 3:3, 4.
Çmim tepër i lartë
Për ç’arsye tjetër duhet ta mbajmë rrugën tonë larg asaj të një personi të shthurur? Solomoni përgjigjet: «Për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë [dinjitetin, BR] tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë konsumuar.»—Fjalët e urta 5:9-11.
Kështu, Solomoni thekson çmimin e lartë që paguan një person kur i dorëzohet imoralitetit. Kurorëshkelja dhe humbja e dinjitetit ose e respektit për veten shkojnë dorë për dore. A nuk është vërtet poshtëruese që të shërbejmë thjesht si një mjet për të kënaqur pasionin tonë imoral ose atë të dikujt tjetër? A nuk tregon një mungesë respekti për veten fakti që jepemi në intimitet seksual me dikë që nuk është bashkëshorti ynë ose bashkëshortja jonë?
Por, çfarë përfshihet në faktin që ‘japim vitet tona, pasurinë ose fuqinë tonë dhe frytet e mundit tonë të huajve’? Në një vepër referimi thuhet: «Thelbi i këtyre vargjeve është i qartë: çmimi i jobesnikërisë mund të jetë i lartë, pasi çdo gjë për të cilën punon një njeri: pozita, fuqia, begatia, mund të humbasë ose nga kërkesat lakmitare të gruas, ose nga kërkesa për dëmshpërblim që mund të bëjë komuniteti.» Lidhjet imorale mund të kushtojnë shtrenjtë!
Duke qenë se e ka humbur dinjitetin dhe ka shpenzuar gjithë burimet e tij, një person i pamend do të psherëtijë duke thënë: «Vallë si urreva mësimin dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime? Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin. U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit.»—Fjalët e urta 5:12-14.
Me kalimin e kohës, një mëkatar shpreh atë që një dijetar e quan «një listë të gjatë me ‘ah, sikur’: ah, sikur ta kisha dëgjuar babanë tim; ah, sikur të mos kisha vepruar sipas kokës sime; ah, sikur ta kisha pranuar këshillën e të tjerëve». Megjithatë, ky ndërgjegjësim vjen shumë me vonesë. Jeta jo e dëlirë aktuale e një personi tashmë është shkatërruar dhe reputacioni i tij është njollosur. Sa jetësore është të marrim në shqyrtim çmimin e lartë që paguan kur bën imoralitet, para se ai të na mbytë!
«Pi ujin e sternës sate»
A është Bibla tepër e rezervuar për sa u përket marrëdhënieve seksuale? Aspak. Emocioni i dashurisë romantike dhe emocionet e fuqishme që provon një burrë e një grua për njëri-tjetrin janë dhurata nga Perëndia. Por ky intimitet duhet gëzuar vetëm nga bashkëshortët. Prandaj, një burri të martuar Solomoni i bën këtë thirrje: «Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajt bashkë me ty.»—Fjalët e urta 5:15-17.
‘Sterna jote’ dhe ‘pusi yt’ janë shprehje poetike për një bashkëshorte të dashur. Përjetimi i kënaqësisë seksuale me të krahasohet me pirjen e ujit freskues. Ndryshe nga uji që merret në vendet publike, një sternë ose një pus konsiderohet pronë private. Gjithashtu, burri këshillohet të ketë fëmijë në shtëpi me gruan e tij, në vend që ta derdhë farën e tij në sheshet publike, domethënë, ndër gra të tjera. Qartë, këshilla që u jepet burrave është të jenë besnikë ndaj bashkëshorteve të tyre.
Njeriu i mençur vazhdon: «Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.»—Fjalët e urta 5:18, 19.
«Burimi» i referohet burimit të kënaqësisë seksuale. Kënaqësia seksuale me bashkëshortin ose bashkëshorten është e «bekuar», e dhënë nga Perëndia. Prandaj, një burri i jepet këshilla që të gëzohet me nusen e rinisë së tij. Për të, ajo është po aq e dashur dhe e bukur sa një drenushë dhe po aq tërheqëse e hirplotë sa një gazelë.
Më tej, Solomoni bën dy pyetje retorike: «Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?» (Fjalët e urta 5:20) Po, përse një person i martuar duhet të joshet për intimitet seksual jashtë martesës, nëpërmjet kontakteve në vendin e punës, në shkollë a gjetkë?
Të krishterëve të martuar apostulli Pavël u jep këtë këshillë: «Po ju them edhe këtë, vëllezër, se koha që mbetet është shkurtuar. Që sot e tutje, ata që kanë gra, të jenë sikur nuk kanë.» (1 Korintasve 7:29) Çfarë përfshin kjo? Mirë, pra, ithtarët e Jezu Krishtit duhet të ‘vazhdojnë të kërkojnë më parë mbretërinë’. (Mateu 6:33) Prandaj, çiftet e martuara nuk duhet të jenë kaq të përpirë nga njëri-tjetri, sa t’u lënë interesave të Mbretërisë një vend të dytë në jetën e tyre.
Nevoja për vetëkontroll
Dëshirat seksuale mund të kontrollohen. Ato duhen kontrolluar nga ata që dëshirojnë miratimin e Jehovait. «Vullneti i Perëndisë është ky: të shenjtëroheni, të përmbaheni nga kurvëria; që secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet [trupin] në shenjtëri dhe në nder»,—këshilloi apostulli Pavël.—1 Selanikasve 4:3, 4.
Pra, të rinjtë nuk duhet të nxitohen për t’u martuar që herën e parë kur provojnë zgjimin e impulseve seksuale. Martesa kërkon një zotim dhe jetesa në përputhje me këtë përgjegjësi kërkon pjekuri. (Zanafilla 2:24) Është më mirë që një person të presë derisa ‘të kalojë lulja e rinisë’, e cila është një periudhë kur ndjenjat seksuale janë të forta dhe mund ta shtrembërojnë gjykimin. (1 Korintasve 7:36) Veç kësaj, sa e pamençur dhe mëkatare është që një i rritur i cili dëshiron të martohet, të përfshihet në lidhje imorale, thjesht, sepse nuk ka në dispozicion një bashkëshort ose bashkëshorte të mundshme!
«I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij»
Arsyeja kryesore për të cilën imoraliteti seksual është i gabuar është se Jehovai, Dhënësi i jetës dhe Dhuruesi i aftësisë seksuale të njerëzve, nuk e miraton atë. Prandaj, duke dhënë motivin më të fortë për dëlirësi morale, mbreti Solomon thotë: «Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.» (Fjalët e urta 5:21) Pikërisht, asgjë nuk është e fshehur nga sytë e Perëndisë, «të cilit ne do t’i japim llogari». (Hebrenjve 4:13) Çdo veprim papastërtie seksuale, sado i fshehtë të jetë dhe cilatdo qofshin pasojat e tij fizike dhe shoqërore, do ta dëmtojë marrëdhënien tonë me Jehovain. Sa e pamend të humbim paqen me Perëndinë vetëm për pak momente kënaqësie të paligjshme!
Disa që paturpësisht jepen në udhët imorale mund të duken se e bëjnë këtë pa u ndëshkuar, por jo për shumë kohë. Solomoni deklaron: «I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket [shkojë në rrugë të shtrembër, BR] për shkak të marrëzisë së tij.»—Fjalët e urta 5:22, 23.
Përse duhet të shkojë në rrugë të shtrembër ndonjëri nga ne? Në fund të fundit, libri i Fjalëve të urta na paralajmëron për udhët joshëse të botës. Na vë përpara çmimin që kërkon zakonisht imoraliteti seksual: shëndetin, gjërat materiale, forcën dhe dinjitetin tonë. Me një largpamësi të tillë të qartë, duhet të mos jemi kurrë në një pozitë që të shprehim një listë të gjatë me «ah, sikur». Tamam, duke zbatuar këshillat që ka dhënë Jehovai në Fjalën e tij të frymëzuar, mund të mbetemi të dëlirë moralisht në një botë imorale.
[Shënimi]
a Fjala «i huaj» zbatohej për ata që largoheshin nga ajo që ishte në harmoni me Ligjin, duke u bërë kështu të huaj për Jehovain. Prandaj, për një prostitutë bëhet referimi si ‘një grua e huaj’.
[Figurat në faqen 30]
Pasojat e imoralitetit janë të hidhura si pelini
[Figurat në faqen 31]
«Gëzohu me nusen e rinisë sate»