Zgjidhi rrugët me mençuri në rini
‘Ju djem të rinj e ju virgjëresha lëvdojeni emrin e Jehovait.’—PSAL. 148:12, 13.
1. Cilat mundësi të mrekullueshme po gëzojnë shumë të rinj të krishterë?
JETOJMË në një moment historik. Miliona nga të gjitha kombet po përqafojnë adhurimin e vërtetë, si kurrë më parë. (Zbul. 7:9, 10) Shumë të rinj po përjetojnë përvoja fantastike teksa ndihmojnë të tjerët të kuptojnë të vërtetat jetëshpëtuese nga Bibla. (Zbul. 22:17) Disa të rinj po drejtojnë studime biblike, duke i ndihmuar njerëzit të shijojnë një jetë më të mirë. Të tjerë me zell çojnë lajmin e mirë në territore të gjuhës së huaj. (Psal. 110:3; Isa. 52:7) Si mund të kënaqesh më shumë duke marrë pjesë në veprën që po kryen populli i Jehovait?
2. Si tregon shembulli i Timoteut se Jehovai është i gatshëm t’u besojë përgjegjësi të rinjve? (Shih figurën hapëse.)
2 Si i ri, mund të zgjedhësh rrugë që të japin mundësi të bukura në shërbimin e Perëndisë. Për shembull, Timoteu nga Listra zgjodhi me mençuri një drejtim që e çoi drejt caktimit si misionar kur ndoshta ishte në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave. (Vep. 16:1-3) Me sa duket, vetëm disa muaj pas kësaj, kundërshtimi i dhunshëm e detyroi Pavlin të largohej nga kongregacioni i sapoformuar në Selanik. Ai i besoi Timoteut të ri përgjegjësinë për t’u rikthyer në Selanik që të forconte vëllezërit. (Vep. 17:5-15; 1 Sel. 3:1, 2, 6) A e imagjinon dot si është ndier Timoteu kur mori këtë caktim?
ZGJEDHJA JOTE MË E RËNDËSISHME
3. Cila është zgjedhja më e rëndësishme në jetë, dhe kur mund ta bësh?
3 Në rini gjendesh para zgjedhjeve që do të ndikojnë thellë në jetë. Por, njëra është më e rëndësishme se të gjitha—vendimi yt për t’i shërbyer Jehovait. Kur është koha më e mirë për të zgjedhur këtë rrugë? Jehovai thotë: «Kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» (Ekl. 12:1) E vetmja mënyrë e pranueshme ‘për të kujtuar’ Jehovain është t’i shërbesh atij pa rezerva. (Ligj. 10:12) Vendimi yt për t’i shërbyer Perëndisë me gjithë zemër është zgjedhja më e rëndësishme që mund të bësh. Kjo do t’i japë formë së ardhmes sate.—Psal. 71:5.
4. Cilat vendime të rëndësishme do të ndikojnë në mënyrën si i shërben Jehovait?
4 Vendimi për t’i shërbyer Jehovait sigurisht që nuk është i vetmi që do të ndikojë tek e ardhmja jote. Për shembull, mund të të lindin pyetje të tilla, si: a do të martohem, me kë do të martohem dhe si do të mbaj veten? Këto janë vendime jetësore, mirëpo do të tregohesh i mençur nëse në radhë të parë zgjedh t’i shërbesh Jehovait në maksimum. (Ligj. 30:19, 20) Pse? Sepse këto vendime janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Ajo që do të vendosësh për martesën dhe punën do të ndikojë te shërbimi ndaj Perëndisë. (Krahaso Lukën 14:16-20.) Dhe anasjelltas, dëshira për t’i shërbyer Perëndisë do të ndikojë tek ajo që zgjedh kur bëhet fjalë për martesën dhe punën. Kështu, para së gjithash, merr vendime për gjërat kryesore.—Filip. 1:10.
ÇFARË DO TË BËSH GJATË RINISË?
5, 6. Përmend një shembull që tregon se nga zgjedhjet e duhura mund të kemi përvoja fantastike më vonë. (Shih edhe artikullin «Ja çfarë zgjodha që fëmijë» të këtij numri.)
5 Pasi të kesh vendosur t’i shërbesh Perëndisë, mund të bluash në mendje: çfarë do ai që të bëj dhe si do që t’i shërbej? Një vëlla japonez shkroi: «Kur isha 14 vjeç, një ditë dola në predikim me një plak kongregacioni i cili vuri re se nuk e kisha me shumë qejf shërbimin. Me butësi, më tha: ‘Shko në shtëpi, Juçiro. Ulu dhe mendo për çdo gjë që ka bërë Jehovai për ty.’ Kështu bëra. Madje, u mendova dhe u luta për disa ditë. Pak nga pak, qëndrimi im ndryshoi. S’kaloi shumë dhe kuptova se shërbimi ndaj Jehovait më jepte kënaqësi. Kisha qejf të lexoja për misionarët dhe fillova të mendoja si mund t’i shërbeja më plotësisht Perëndisë.»
6 Juçiro vazhdon: «E ndava mendjen të filloja të bëja zgjedhje që një ditë do të më hapnin rrugën për t’i shërbyer Jehovait jashtë shtetit. Për shembull, vendosa të bëja një kurs për gjuhën angleze. Me të mbaruar shkollën e mesme, zgjodha një punë në kohë të pjesshme si mësues i anglishtes që të bëhesha pionier. Kur isha 20 vjeç, nisa të mësoja gjuhën mongole dhe pata rastin të vizitoja një grup lajmëtarësh mongolë. Dy vjet më vonë, në vitin 2007, vajta në Mongoli për një vizitë. Kur dola në shërbim me disa pionierë dhe pashë se shumë njerëz ishin të etur për të vërtetën, më lindi dëshira të transferohesha atje për të ndihmuar. U ktheva në Japoni që të organizoja punët për transferimin. Që nga prilli i vitit 2008 kam shërbyer si pionier në Mongoli. Jeta këtu s’është e kollajtë. Mirëpo, njerëzit e kanë qejf lajmin e mirë dhe jam në gjendje t’i ndihmoj t’i afrohen Jehovait. Për mendimin tim zgjodha rrugën më fantastike në jetë.»
7. Cilat vendime duhet të marrim për veten, dhe çfarë shembulli na la Moisiu?
7 Çdokush duhet të vendosë vetë se çfarë do të bëjë me jetën e tij si Dëshmitar i Jehovait. (Jos. 24:15) Ne nuk mund të të themi nëse do të martohesh apo jo, me kë të martohesh ose ç’lloj pune do të bësh. A do të zgjedhësh ndonjë punë që nuk kërkon shumë kohë për të mësuar? Kudo që jetoni përreth botës, qoftë në fshatra të varfra, qoftë në qytete të begata, ju të rinj të krishterë keni një larmi personalitetesh, aftësish, përvojash, interesash dhe nivele të ndryshme besimi. Ka të ngjarë të ndryshoni nga njëri-tjetri po aq sa edhe të rinjtë hebrenj në Egjiptin e lashtë nga i riu Moisi. Ai kishte çdo mundësi që i ofronte oborri mbretëror, kurse hebrenjtë e tjerë ishin skllevër. (Dal. 1:13, 14; Vep. 7:21, 22) Tamam si ju, jetonin në momente historike. (Dal. 19:4-6) Secili duhej të vendoste nëse do t’i shërbente Jehovait me gjithë zemër. Moisiu zgjodhi rrugën e duhur.—Lexo Hebrenjve 11:24-27.
8. Ç’ndihmë kanë në dispozicion të rinjtë që po mendojnë për zgjedhjet në jetë?
8 Jehovai ju ndihmon të merrni vendime të mençura gjatë rinisë. Ai siguron këshilla me anë të parimeve që mund t’i zbatoni në rrethanat tuaja unike. (Psal. 32:8) Po ashtu, edhe prindërit tuaj të krishterë dhe pleqtë në kongregacion mund t’ju ndihmojnë të arsyetoni si zbatohen këto parime. (Prov. 1:8, 9) Le të shqyrtojmë tri parime biblike themelore që mund t’ju ndihmojnë t’i zgjidhni rrugët me mençuri, të cilat do t’ju çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë.
TRI PARIME BIBLIKE QË JAPIN DREJTIM
9. (a) Si na vesh me dinjitet Jehovai, duke na dhënë lirinë për të zgjedhur? (b) Çfarë mundësish shpalosen para nesh kur ‘kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’?
9 Kërko në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. (Lexo Mateun 6:19-21, 24-26, 31-34.) Jehovai na vesh me dinjitet, duke na dhënë lirinë për të zgjedhur. Nuk ju thotë sa nga rinia juaj duhet t’i kushtoni predikimit për Mbretërinë. Mirëpo, Jezui dha parime orientuese që të kërkojmë së pari Mbretërinë. Mënyra si do ta zbatoni atë që tha, do t’ju japë mundësi të shfaqni dashurinë për Perëndinë dhe merakun për të tjerët, si edhe të shprehni mirënjohjen për shpresën e jetës së përhershme. Nëse po mendoni për martesën apo punën, shqyrtoni nëse ajo që do të zgjidhni, do t’ju krijojë ankth për nevojat materiale ose do të tregojë zellin tuaj për Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij.
10. Çfarë e bëri të lumtur Jezuin dhe cilat vendime do të të bëjnë të lumtur?
10 Gjej lumturi duke u shërbyer të tjerëve. (Lexo Veprat 20:20, 21, 24, 35.) Jezui dashamirësisht na mësoi këtë parim themelor për jetën. Ai vetë ishte shumë i lumtur, sepse bënte vullnetin e Atit e jo të vetin. Kënaqej teksa shihte njerëz zemërbutë që pranonin lajmin e mirë. (Luka 10:21; Gjoni 4:34) Mbase edhe ti ke provuar lumturinë që vjen kur ndihmon të tjerët. Nëse vendimet më të rëndësishme në jetë i bazon në parimet që mësoi Jezui, patjetër do të të sjellin lumturi ty dhe Jehovait.—Prov. 27:11.
11. Pse e humbi gëzimin Baruku, dhe çfarë këshille i dha Jehovai?
11 Lumturia më e madhe vjen kur i shërben Jehovait. (Prov. 16:20) Baruku, sekretari i Jeremisë, me sa duket e harroi këtë. Në një moment nuk po gjente më kënaqësi në shërbimin e Jehovait. Jehovai i tha atij: «Ti kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko! Sepse unë do të sjell një gjëmë mbi çdo mish, . . . kurse ty do të të jap si plaçkë shpirtin tënd në gjithë vendet ku do të shkosh.» (Jer. 45:3, 5) Si mendon? Çfarë do ta bënte të lumtur Barukun—të kërkonte gjëra të mëdha apo t’i mbijetonte shkatërrimit të Jerusalemit si shërbëtor besnik i Perëndisë?—Jak. 1:12.
12. Çfarë zgjodhi Ramiro që e çoi në një jetë të lumtur?
12 Një vëlla që gjeti lumturi duke u shërbyer të tjerëve është Ramiro. Ai thotë: «Vij nga një familje e varfër nga një fshat në vargmalet e Andeve. Prandaj, kur vëllai im i madh më tha se do të paguante që të ndiqja universitetin, ishte goxha ofertë. Mirëpo, sapo isha pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait dhe mora një ofertë tjetër—një pionier më ftoi të predikoja me të në një qytezë. Atje vajta, mësova të qethja dhe hapa një dyqan ku punoja si berber që të mbaja veten. Shumë u treguan mirënjohës kur u ofruam t’u mësonim Shkrimet. Më vonë shkova në një kongregacion të sapoformuar të një gjuhe indigjene. Kam dhjetë vjet që po shërbej në kohë të plotë. Asnjë profesion tjetër nuk mund të më japë gëzimin që provoj ndërsa ndihmoj njerëzit të studiojnë për lajmin e mirë në gjuhën e nënës.»
13. Pse rinia është një periudhë e shkëlqyer për t’i shërbyer më plotësisht Jehovait?
13 Gjej ëndje duke i shërbyer Jehovait gjatë rinisë. (Lexo Eklisiastiun 12:1.) Mos mendo se më parë duhet të gjesh një punë të mirë që pastaj t’i shërbesh Jehovait. Rinia është një periudhë e shkëlqyer që të fillosh t’i shërbesh Jehovait plotësisht. Mjaft të rinj nuk kanë edhe aq shumë përgjegjësi familjare dhe janë tërë shëndet e energji e mund t’ia dalin mbanë në caktime të vështira. Çfarë do të doje të bëje për Jehovain gjatë rinisë? Mbase synon të jesh pionier. Mbase do që të punosh në një kongregacion të gjuhës së huaj. Ose ndoshta dallon ndonjë mënyrë se si mund të japësh më shumë në kongregacionin ku po shërben tani. Cilido qoftë synimi yt në shërbimin e Perëndisë, duhet të punosh që të mbash veten. Sa kohë të duhet për të mësuar ndonjë punë? Çfarë do të zgjedhësh?
PËRDOR PARIMET BIBLIKE QË T’I ZGJEDHËSH RRUGËT ME MENÇURI
14. Çfarë duhet të kesh kujdes kur planifikon për të ardhmen?
14 Të tria parimet biblike që kemi shqyrtuar mund të na ndihmojnë të analizojmë mundësitë për punën. Pa dyshim, këshilltarët në shkollë dinë diçka për tregun e punës në vend. Ose nëpër gazeta mund të gjesh oferta për punët që kërkohen aty ku je ose në vendin ku po synon të shërbesh. Informacionet nga burime të tilla mund të të hyjnë në punë, por ama, kujdes. Njerëzit që nuk e duan Jehovain mund të përpiqen të të mbjellin në zemër dashurinë për botën. (1 Gjon. 2:15-17) Kur sheh atë që të ofron bota, zemra mund të të mashtrohet lehtë.—Lexo Proverbat 14:15; Jer. 17:9.
15, 16. Cilët mund të të japin drejtimin më të mirë për punën?
15 Kur merr vesh ç’lloj punësh të ofrohen, ke nevojë për këshilla të matura. (Prov. 1:5) Kush mund të të ndihmojë t’i analizosh këto mundësi nën dritën e parimeve biblike? Vërua veshin atyre që e duan Jehovain, që të duan ty dhe që i njohin mirë rrethanat që ke. Ata do të të ndihmojnë të shqyrtosh aftësitë dhe motivet e tua. Ka gjasa që gjërat që thonë, të të ndihmojnë t’i rishikosh synimet. Sa i bekuar je nëse prindërit e tu e duan Jehovain! Po ashtu, pleqtë në kongregacionin tënd janë burra të kualifikuar frymësisht që mund të të japin drejtim. Mund të flasësh edhe me pionierët dhe mbikëqyrësit udhëtues. Pse zgjodhën t’i shërbenin Perëndisë në kohë të plotë? Si filluan si pionierë dhe si e mbajnë veten? Çfarë kënaqësie u jep shërbimi?—Prov. 15:22.
16 Ata që të njohin vërtet, do të të japin këshilla me vend. Për shembull, ta zëmë se do që të lësh shkollën e mesme dhe të fillosh si pionier ngaqë s’ke qejf të angazhohesh në shkollë. Dikush që të do, mund të zhbirojë motivet e tua dhe të të ndihmojë të kuptosh se shkolla mund të të mësojë të mos dorëzohesh kollaj, një cilësi jetësore nëse dëshiron t’i shërbesh plotësisht Jehovait.—Psal. 141:5; Prov. 6:6-10.
17. Ç’lloj vendimesh nuk duhet të marrim?
17 Çdo shërbëtor i Jehovait do të hasë rreziqe frymore, ndikime që mund ta çojnë larg Jehovait. (1 Kor. 15:33; Kolos. 2:8) Por, disa punë mund të paraqitin më shumë rreziqe frymore se të tjerat. A ka ndonjë në zonën tënde të cilit i është rrënuar besimi «si një anije që shkallmohet»? (1 Tim. 1:19) Është e mençur të mos marrësh vendime që vënë në rrezik marrëdhënien tënde me Perëndinë.—Prov. 22:3.
GËZO RININË SI I KRISHTERË
18, 19. Çfarë duhet të bëjë dikush nëse akoma nuk ka edhe aq qejf t’i shërbejë Jehovait?
18 Nëse në zemër ke zhvilluar dëshirën për t’i shërbyer Jehovait, kënaqu me mundësitë që vijnë kur i shërben Perëndisë në rini. Zgjidh rrugët që të lejojnë të shijosh shërbimin e Jehovait në këto kohë emocionuese.
19 Por, çfarë do të bësh nëse nuk ke edhe aq qejf t’i shërbesh Jehovait? Mos hiq dorë nga përpjekjet për të forcuar besimin. Pasi përshkroi përpjekjet që bëri për të jetuar në një mënyrë që Perëndia mund ta bekonte, apostulli Pavël shkroi: «Nëse ju keni prirjen të mendoni ndryshe për ndonjë aspekt, Perëndia do t’jua zbulojë qëndrimin e duhur. Sidoqoftë, që këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull, duke ndjekur të njëjtën vazhdë.» (Filip. 3:15, 16) Vazhdo të vlerësosh dashurinë e Perëndisë dhe këshillat e tij të mençura. Më shumë se kushdo tjetër, Jehovai mund të të ndihmojë t’i zgjedhësh rrugët me mençuri gjatë rinisë.