Kapitulli njëzet e dy
Në Sion mbin drejtësia
1, 2. Çfarë ndryshimi ka për të përjetuar Izraeli së afërmi dhe kush do ta kryejë këtë ndryshim?
LE TË shpallet liria! Jehovai ka vendosur ta çlirojë popullin e tij dhe ta rivendosë në vendin e paraardhësve të tij. Si një farë që mbin pas një shiu të butë, adhurimi i vërtetë do të shfaqet përsëri. Kur të vijë ajo ditë, dëshpërimi do t’ia lërë vendin lavdërimit të gëzueshëm dhe mbi kokat që dikur ishin të mbuluara me hi në shenjë zie, miratimi hyjnor do të jetë si një kurorë.
2 Kush do ta kryejë këtë shndërrim të mrekullueshëm? Vetëm Jehovai mund ta bëjë një gjë të tillë. (Psalmi 9:19, 20; Isaia 40:25) Profeti Sofonia urdhëroi në mënyrë profetike: «Lësho britma gëzimi, o bijë e Sionit, lësho britma hareje, o Izrael! Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër, o bijë e Jerusalemit! Zoti i ka revokuar gjykimet e tij kundër teje.» (Sofonia 3:14, 15, Dio) Çfarë kohe e gëzueshme që do të jetë ajo! Në vitin 537 p.e.s., kur Jehovai të mbledhë nga Babilonia mbetjen e rivendosur, do të jetë si një ëndërr që bëhet realitet.—Psalmi 126:1.
3. Cilat përmbushje kanë fjalët profetike të kapitullit 61 të Isaisë?
3 Kjo rivendosje është parathënë në kapitullin 61 të Isaisë. Megjithatë, edhe pse është e qartë që profecia pati një përmbushje në vitin 537 p.e.s., ajo është përmbushur deri në hollësitë më të vogla në një periudhë të mëvonshme. Kjo përmbushje më e hollësishme ka të bëjë me Jezuin dhe ithtarët e tij në shekullin e parë si dhe me popullin e Jehovait në kohët e sotme. Sa domethënëse janë, pra, këto fjalë të frymëzuara!
«Viti i miratimit»
4. Cili ngarkohet me detyrën për të thënë lajme të mira në përmbushjen e parë të Isaisë 61:1 dhe cili në përmbushjen e dytë?
4 Isaia shkruan: «Fryma e Zotërisë Sovran Jehova është mbi mua, sepse Jehovai më ka mirosur për t’u thënë lajme të mira zemërbutëve. Ai më ka dërguar për t’u lidhur fashat zemërthyerve, për t’u shpallur lirinë atyre që janë marrë robër dhe hapjen e plotë të syve të burgosurve.» (Isaia 61:1) Kush është ai që ngarkohet me detyrën për të thënë lajme të mira? Ka të ngjarë që në përmbushjen e parë të jetë Isaia, të cilin Perëndia e ka frymëzuar të shkruajë lajme të mira për robërit në Babiloni. Megjithatë, Jezui tregoi se këto fjalë kishin një përmbushje më të madhe, kur ia zbatoi vetes fjalët e Isaisë. (Luka 4:16-21) Po, Jezui u dërgua për t’u thënë lajme të mira zemërbutëve dhe për këtë qëllim ai u miros me frymën e shenjtë kur u pagëzua.—Mateu 3:16, 17.
5. Cilët kanë qenë duke e predikuar lajmin e mirë për afro 2.000 vjet?
5 Veç kësaj, Jezui i mësoi ithtarët e tij të ishin ungjillëzues ose predikues të lajmit të mirë. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 prej tyre u mirosën me frymën e shenjtë dhe u bënë bij frymorë të Perëndisë. (Veprat 2:1-4, 14-42; Romakëve 8:14-16) Edhe ata u ngarkuan me detyrën për t’u thënë lajmin e mirë zemërbutëve dhe zemërthyerve. Ata 120 ithtarë ishin të parët nga të 144.000 personat që do të miroseshin në këtë mënyrë. Të fundit nga ky grup janë ende aktivë në tokë. Kështu, për afro 2.000 vjet, ithtarët e mirosur të Jezuit kanë qenë duke dëshmuar «për pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu».—Veprat 20:21.
6. Cilët në kohën e lashtë u lehtësuan kur dëgjuan lajmin e mirë që u predikua dhe ç’të themi për sot?
6 Mesazhi i frymëzuar i Isaisë u solli lehtësim judenjve të penduar në Babiloni. Në ditët e Jezuit dhe të dishepujve të tij, ai u solli lehtësim judenjve që ishin zemërthyer për shkak të ligësisë në Izrael e që po lëngonin nën robërinë e traditave të rreme fetare të judaizmit të shekullit të parë. (Mateu 15:3-6) Sot, miliona njerëz të zënë në grackën e zakoneve pagane dhe traditave të të ashtuquajturit krishterim—të cilat e çnderojnë Perëndinë—po «psherëtijnë dhe vajtojnë» për shkak të gjërave të neveritshme që kryhen në këtë sistem fetar. (Ezekieli 9:4, Dio) Ata që reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë çlirohen nga kjo gjendje e vajtueshme. (Mateu 9:35-38) Sytë e tyre të kuptueshmërisë hapen plotësisht kur mësojnë ta adhurojnë Jehovain «me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:24.
7, 8. (a) Cilët janë dy ‘vitet e miratimit’? (b) Cilat janë ‘ditët e hakmarrjes’ së Jehovait?
7 Për predikimin e lajmit të mirë ka një kohë të caktuar. Jezuit dhe ithtarëve të tij iu ngarkua si detyrë të ‘shpallin vitin e miratimit nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë; për të ngushëlluar të gjithë ata që vajtojnë’. (Isaia 61:2) Një vit është një kohë e gjatë, por ka një fillim dhe një fund. «Viti i miratimit» i Jehovait është periudha gjatë së cilës ai u jep zemërbutëve mundësinë për të reaguar pozitivisht ndaj shpalljes së lirisë nga ana e tij.
8 Në shekullin e parë, viti i miratimit për kombin jude filloi në vitin 29 të e.s. kur Jezui nisi shërbimin e tij në tokë. Ai u tha judenjve: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mateu 4:17) Ajo ditë miratimi zgjati deri në «ditën e hakmarrjes» së Jehovait, e cila arriti kulmin në vitin 70 të e.s., kur Jehovai i lejoi forcat ushtarake të Romës që ta shkatërronin Jerusalemin dhe tempullin e tij. (Mateu 24:3-22) Sot ne jetojmë në një vit tjetër miratimi, i cili filloi në vitin 1914, kur u vendos në qiej Mbretëria e Perëndisë. Ky vit miratimi do të mbyllet me një ditë tjetër hakmarrjeje me shtrirje më të gjerë, kur Jehovai të sjellë shkatërrimin e gjithë këtij sistemi botëror në «shtrëngimin e madh».—Mateu 24:21.
9. Cilët nxjerrin dobi sot nga viti i miratimit i Jehovait?
9 Cilët nxjerrin dobi sot nga viti i miratimit i Perëndisë? Ata që e pranojnë mesazhin, që shfaqin zemërbutësi dhe që mbështetin me zell shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë në «të gjitha kombet». (Marku 13:10) Këta persona vërejnë se lajmi i mirë u sjell ngushëllim të vërtetë. Megjithatë, ata që e hedhin poshtë mesazhin, duke mos pranuar të nxjerrin dobi nga viti i miratimit i Jehovait, së shpejti do të duhet të përballojnë realitetin e ditës së tij të hakmarrjes.—2 Selanikasve 1:6-9.
Fryte frymore që i sjellin lavdi Perëndisë
10. Ç’ndikim ka mbi judenjtë që kthehen nga Babilonia vepra madhështore e Jehovait në përkrahje të tyre?
10 Judenjtë që kthehen nga Babilonia e kuptojnë se Jehovai ka bërë diçka madhështore për ta. Vajtimi i tyre si robër kthehet në ngazëllim dhe lëvdim, pasi, më në fund, janë të lirë. Kështu, Isaia përmbush detyrën e tij profetike, e cila përfshinte, ‘të caktonte ata që vajtojnë për Sionin, po, t’u jepte një mbulesë për kokën në vend të hirit, vajin e ngazëllimit në vend të vajtimit, mantelin e lëvdimit në vend të frymës zemërlëshuar; dhe ata duhet të quhen pemë të mëdha drejtësie, plantacioni i Jehovait, që ai të zbukurohet’.—Isaia 61:3.
11. Në shekullin e parë, cilët kishin arsye të vlefshme për të lëvduar Jehovain për veprën e tij madhështore?
11 Në shekullin e parë, edhe ata judenj që pranuan çlirimin nga robëria e fesë së rreme i dhanë lavdi Perëndisë për veprën madhështore që bëri ai për ta. Fryma e tyre zemërlëshuar u zëvendësua me një «mantel lëvdimi», kur u çliruan nga një komb i vdekur frymësisht. Një ndryshim të tillë e përjetuan në fillim dishepujt e Jezuit, kur zia e tyre për vdekjen e tij u kthye në gëzim, pasi u mirosën me frymën e shenjtë nga Zotëria i tyre i ringjallur. Pak më pas, një ndryshim të ngjashëm e përjetuan edhe 3.000 individë zemërbutë, të cilët reaguan pozitivisht ndaj predikimit të atyre të krishterëve të sapomirosur dhe u pagëzuan në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Veprat 2:41) Sa mirë që ndiheshin ata tani, duke qenë të sigurt se kishin bekimin e Perëndisë! Në vend që të ‘vajtonin për Sionin’, ata morën frymën e shenjtë dhe u rifreskuan me «vajin e ngazëllimit», i cili simbolizon ngazëllimin e atyre që bekohen në mënyrë të pasur nga Jehovai.—Hebrenjve 1:9.
12, 13. (a) Cilët ishin «pemë të mëdha drejtësie» mes judenjve që u kthyen në vitin 537 p.e.s.? (b) Cilët kanë qenë «pemë të mëdha drejtësie» që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s.?
12 Jehovai e bekon popullin e tij me «pemë të mëdha drejtësie». Kë përfaqësojnë këto pemë të mëdha? Pas vitit 537 p.e.s., ato përfaqësonin individë që studiuan e medituan rreth Fjalës së Perëndisë, si dhe që kultivuan normat e drejta të Jehovait. (Psalmi 1:1-3; Isaia 44:2-4; Jeremia 17:7, 8) Burra të tillë si Ezdra, Hageu, Zakaria dhe kryeprifti Josia treguan se ishin «pemë të mëdha» të pashoqe, të vendosur për të përkrahur të vërtetën dhe për t’iu kundërvënë ndotjes frymore të kombit.
13 Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., Perëndia ka mbjellë «pemë të mëdha drejtësie» të ngjashme—të krishterë të guximshëm të mirosur—në pronën frymore të kombit të tij të ri, ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Gjatë shekujve, numri i këtyre ‘pemëve’ ka arritur në 144.000 dhe ato kanë prodhuar fryte të drejta për të zbukuruar ose për t’i sjellë lavdi Perëndisë Jehova. (Zbulesa 14:3) Të fundit nga këto «pemë» kanë lulëzuar që nga viti 1919, kur Jehovai e nxori mbetjen e Izraelit të Perëndisë nga gjendja e përkohshme e joaktivitetit. Duke u siguruar atyre një sasi të bollshme uji frymor, Jehovai ka prodhuar praktikisht një pyll pemësh të drejta dhe frytdhënëse.—Isaia 27:6.
14, 15. Cilat projekte u ndërmorën nga adhuruesit e çliruar të Jehovait pas vitit (a) 537 p.e.s.? (b) 33 të e.s.? (c) 1919?
14 Duke nxjerrë në pah veprën e këtyre ‘pemëve’, Isaia vazhdon: «Ata duhet të rindërtojnë vendet e shkretuara prej shumë kohësh; do të ngrenë madje edhe vendet e shkreta nga kohët e mëparshme dhe, me siguri, do të ripërtërijnë qytetet e shkretuara, vendet e mbetura të shkreta brez pas brezi.» (Isaia 61:4) Me dekret të mbretit Kir të Persisë, judenjtë besnikë që u kthyen nga Babilonia rindërtuan Jerusalemin dhe tempullin e tij, i cili ishte lënë në një gjendje të shkretë për shumë kohë. Po kështu, edhe vitet që pasuan vitin 33 të e.s. dhe vitin 1919 u karakterizuan nga projekte rindërtimi.
15 Në vitin 33 të e.s., dishepujt e Jezuit i trishtoi tej mase arrestimi, gjykimi dhe vdekja e tij. (Mateu 26:31) Megjithatë, qëndrimi i tyre ndryshoi kur ai iu shfaq atyre pas ringjalljes. Dhe, menjëherë sapo fryma e shenjtë u derdh mbi ta, iu futën punës për të predikuar lajmin e mirë «si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Kështu, ata filluan të rivendosnin adhurimin e pastër. Në mënyrë të ngjashme, që nga viti 1919 e tutje, Jezu Krishti bëri që mbetja e vëllezërve të tij të mirosur të rindërtonte ‘vende të mbetura të shkreta brez pas brezi’. Për shekuj të tërë, kleri i të ashtuquajturit krishterim kishte dështuar të jepte njohurinë e Jehovait, duke e zëvendësuar atë me tradita njerëzore dhe doktrina jobiblike. Të krishterët e mirosur i pastruan kongregacionet e tyre nga praktikat e ndotura të fesë së rreme, në mënyrë që adhurimi i pastër të ecte përpara. Gjithashtu, ata filluan atë që më pas do të dilte se ishte fushata më e madhe e predikimit që kishte njohur ndonjëherë bota.—Marku 13:10.
16. Cilët i kanë ndihmuar të mirosurit në veprën e tyre të rivendosjes dhe cilat detyra u janë besuar atyre?
16 Kjo ishte një detyrë kolosale. Si do të mund ta kryente këtë detyrë mbetja e Izraelit të Perëndisë, të cilët ishin relativisht pak? Jehovai e frymëzoi Isainë të shpallte: «Të huajt në të vërtetë do të qëndrojnë e do të kullotin kopetë tuaja dhe të huajt do të jenë bujqit tuaj dhe vreshtarët tuaj.» (Isaia 61:5) Të huajt figurativë kanë dalë se janë ata të ‘shumicës së madhe’ të ‘deleve të tjera’ të Jezuit.a (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:11, 16) Ata nuk janë mirosur me frymën e shenjtë për të pasur një trashëgimi qiellore. Në vend të kësaj, kanë shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Zbulesa 21:3, 4) Megjithatë, ata e duan Jehovain dhe u janë besuar detyra që kanë të bëjnë me kullotjen, kultivimin dhe vreshtarinë frymore. Këto veprimtari nuk janë detyra të ulëta. Nën drejtimin e mbetjes së Izraelit të Perëndisë, këta punëtorë ndihmojnë për kullotjen, ushqimin dhe korrjen e njerëzve.—Luka 10:2; Veprat 20:28; 1 Pjetrit 5:2; Zbulesa 14:15, 16.
17. (a) Si do të quhen pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë? (b) Cili është i vetmi flijim që nevojitet për faljen e mëkateve?
17 Ç’të themi për Izraelin e Perëndisë? Nëpërmjet Isaisë, Jehovai u thotë: «Sa për ju, do të quheni priftërinjtë e Jehovait; për ju do të thuhet se jeni shërbëtorët e Perëndisë tonë. Do të hani pasuritë e kombeve dhe në lavdinë e tyre do të flitni të gëzuar për veten tuaj.» (Isaia 61:6) Në Izraelin e lashtë, Jehovai siguroi priftërinë levitike për të ofruar flijime në dobi të vetë priftërinjve dhe të izraelitëve të tjerë. Megjithatë, që nga viti 33 i e.s., Jehovai nuk e përdori më priftërinë levitike dhe përuroi një rregullim më të mirë. Ai pranoi jetën e përsosur të Jezuit si flijim për mëkatet e njerëzimit. Që atëherë nuk ka qenë i nevojshëm ndonjë flijim tjetër. Flijimi i Jezuit është i vlefshëm përgjithmonë.—Gjoni 14:6; Kolosianëve 2:13, 14; Hebrenjve 9:11-14, 24.
18. Ç’lloj priftërie formon Izraeli i Perëndisë dhe cila është detyra e tyre?
18 Atëherë në cilin kuptim pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë janë «priftërinjtë e Jehovait»? Duke u shkruar të krishterëve të mirosur, apostulli Pjetër tha: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo shkëlqesitë’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjetrit 2:9) Prandaj, si grup, të krishterët e mirosur formojnë një priftëri me një detyrë specifike: t’u flasin kombeve për lavdinë e Jehovait. Ata duhet të jenë dëshmitarë të tij. (Isaia 43:10-12) Gjatë gjithë ditëve të fundit, të krishterët e mirosur e kanë kryer me besnikëri këtë detyrë. Si rrjedhim, miliona njerëz marrin pjesë tani bashkë me ta në veprën e dhënies së dëshmisë për Mbretërinë e Jehovait.
19. Çfarë shërbimi do të kenë privilegjin të kryejnë të krishterët e mirosur?
19 Veç kësaj, pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë kanë perspektivën të shërbejnë si priftërinj në një mënyrë tjetër. Pas vdekjes, ata ringjallen duke fituar një jetë të pavdekshme frymore në qiell. Atje, nuk shërbejnë vetëm si sundimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij, por edhe si priftërinj të Perëndisë. (Zbulesa 5:10; 20:6) Si të tillë, ata do të kenë privilegjin të përdorin dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit në dobi të njerëzimit besnik në tokë. Në vegimin e apostullit Gjon, të dokumentuar në kapitullin 22 të Zbulesës, ata përshkruhen përsëri si «pemë». Të 144.000 «pemët» shihen në qiell, duke ‘prodhuar dymbëdhjetë herë fryt, duke dhënë frytet e tyre çdo muaj. Ndërsa gjethet e pemëve janë për shërimin e kombeve’. (Zbulesa 22:1, 2) Çfarë shërbim i mrekullueshëm priftëror!
Turp dhe poshtërim, pastaj gëzim
20. Me gjithë kundërshtimin, çfarë bekimi e pret priftërinë mbretërore?
20 Që nga viti 1914, kur filloi viti i miratimit nga Jehovai, priftëria mbretërore ka hasur kundërshtim të vazhdueshëm nga kleri i të ashtuquajturit krishterim. (Zbulesa 12:17) Megjithatë, të gjitha përpjekjet për të ndaluar predikimin e lajmit të mirë në fund kanë dështuar. Profecia e Isaisë e paratha këtë, duke thënë: «Në vend të turpit tuaj do të ketë një pjesë të dyfishtë dhe në vend të poshtërimit do të bërtasin me gëzim për pjesën e tyre. Prandaj, në vendin e tyre do të marrin në zotërim, madje, një pjesë të dyfishtë. Do të kenë gëzim deri në kohë të pacaktuar.»—Isaia 61:7.
21. Si ndodhi që të krishterët e mirosur morën bekime të dyfishta?
21 Gjatë Luftës I Botërore, mbetja e mirosur u turpërua dhe u poshtërua nga i ashtuquajturi krishterim nacionalist. Disa pjesëtarë të klerit ishin mes atyre që akuzuan në mënyrë të rreme për nxitje kryengritjeje tetë vëllezër besnikë nga selia qendrore në Bruklin. Këta vëllezër u burgosën pa të drejtë për nëntë muaj. Në fund, në pranverë të vitit 1919, ata u liruan dhe më vonë të gjitha akuzat kundër tyre u hodhën poshtë. Kështu, plani për të ndaluar veprën e predikimit pati një efekt të kundërt. Në vend që të lejonte që shërbëtorët e tij të mbanin mbi vete një turp për një kohë të gjatë, Jehovai i liroi dhe i rivendosi në pronën e tyre frymore, në «vendin e tyre». Atje, ata morën bekime të dyfishta. Bekimi i Jehovait e dëmshpërbleu më së miri çdo gjë që kishin vuajtur. Vërtet, ata kishin arsye të bërtitnin me gëzim!
22, 23. Si e kanë imituar të krishterët e mirosur Jehovain dhe si i ka shpërblyer ai ata?
22 Ajo që thotë në vazhdim Jehovai siguron një arsye tjetër për të cilën të krishterët sot duhet të gëzojnë: «Unë, Jehovai, e dua drejtësinë, e urrej grabitjen bashkë me padrejtësinë. Dhe unë do t’ua jap pagën e tyre në vërtetësi, dhe do të përfundoj me ta një besëlidhje me kohëzgjatje të pacaktuar.» (Isaia 61:8) Nëpërmjet studimit të Biblës, mbetja e mirosur mësoi ta donte drejtësinë dhe të urrente ligësinë. (Proverbat 6:12-19; 11:20) Ata mësuan të «farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje», duke qëndruar asnjanës në luftërat e njerëzimit dhe në trazirat politike. (Isaia 2:4) Gjithashtu, lanë prapa praktikat që e çnderojnë Perëndinë, të tilla, si: shpifja, kurorëshkelja, vjedhja dhe dehja.—Galatasve 5:19-21.
23 Meqenëse të krishterët e mirosur, ashtu si Krijuesi i tyre, kanë dashuri për drejtësinë, Jehovai u ka dhënë «pagën e tyre në vërtetësi». Një ‘pagë’ e tillë është besëlidhja me kohëzgjatje të pafund—besëlidhja e re—të cilën Jezui ua njoftoi ithtarëve të tij natën kur do të vdiste. Pikërisht në bazë të kësaj besëlidhjeje ata u bënë një komb frymor, populli i veçantë i Perëndisë. (Jeremia 31:31-34; Luka 22:20) Në bazë të saj, Jehovai do të vërë në veprim të gjitha dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit, duke përfshirë edhe faljen e mëkateve si për të mirosurit, ashtu edhe për gjithë njerëzit e tjerë besnikë.
Ngazëllim për bekimet e Jehovait
24. Cilët nga mesi i kombeve janë «pasardhësit» që bekohen dhe si janë bërë ‘pasardhës’ ata?
24 Disa individë mes kombeve e kanë vënë re se si e ka bekuar Jehovai popullin e tij. Këtë Jehovai e kishte parathënë, kur premtoi: «Pasardhësit e tyre do të njihen, madje, mes kombeve, dhe pinjollët e tyre mes popujve. Ata që do t’i shohin do t’i njohin që janë pasardhësit të cilët Jehovai i ka bekuar.» (Isaia 61:9) Pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë, të krishterët e mirosur, kanë qenë aktivë mes kombeve gjatë vitit të miratimit nga Jehovai. Sot, ata që i janë përgjigjur në mënyrë pozitive shërbimit të tyre janë me miliona. Duke punuar ngushtësisht me Izraelin e Perëndisë, individët e kombeve kanë privilegjin të bëhen «pasardhësit të cilët Jehovai i ka bekuar». Gjendja e tyre e lumtur është e dukshme për mbarë njerëzimin.
25, 26. Në ç’mënyrë të gjithë të krishterët përjetojnë të njëjtat ndjenja me ato të shprehura në Isainë 61:10?
25 Të gjithë të krishterët, të mirosur ose dele të tjera, presin me padurim t’i japin lavdi Jehovait përjetësisht. Ata pajtohen me gjithë zemër me profetin Isaia, i cili thotë nën frymëzim: «Patjetër do të ngazëlloj në Jehovain. Shpirti im do të jetë i gëzuar në Perëndinë tim. Sepse ai më ka veshur me rrobat e shpëtimit; më ka mbështjellë me xhyben pa mëngë të drejtësisë, si dhëndri i cili, në mënyrë priftërore, vë një mbulesë për kokën dhe si nusja e cila vë stolitë e saj.»—Isaia 61:10.
26 Si një nuse e veshur me «xhyben pa mëngë të drejtësisë», të krishterët e mirosur janë të vendosur të qëndrojnë të pastër dhe të kulluar në sytë e Jehovait. (2 Korintasve 11:1, 2) Të shpallur të drejtë nga Jehovai me shpresën për të trashëguar jetën qiellore, ata nuk do të kthehen kurrë në tokën e shkretë të Babilonisë së Madhe nga e cila janë çliruar. (Romakëve 5:9; 8:30) Rrobat e shpëtimit janë tejet të çmuara për ta. Në mënyrë të ngjashme, edhe shokët e tyre nga delet e tjera janë të vendosur t’u përmbahen normave të larta të Perëndisë Jehova për adhurimin e pastër. Duke qenë se «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», ata janë shpallur të drejtë dhe do të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’. (Zbulesa 7:14; Jakovit 2:23, 25) Deri atëherë, ata imitojnë shokët e tyre të mirosur, duke shmangur çdo ndotje nga Babilonia e Madhe.
27. (a) Cila ‘mbirje’ që vlen të përmendet do të ndodhë gjatë mbretërimit mijëvjeçar? (b) Në ç’mënyrë po mbin tashmë drejtësia mes njerëzimit?
27 Sot adhuruesit e Jehovait janë të kënaqur që janë në një parajsë frymore. Së shpejti, ata do të gëzojnë, gjithashtu, në një Parajsë fizike. E presim me padurim e me gjithë zemër atë kohë, e cila përshkruhet në mënyrë të gjallë në fjalët përmbyllëse të kapitullit 61 të Isaisë: «Ashtu si toka nxjerr filizin e saj dhe ashtu si kopshti bën të mbijnë gjërat që janë mbjellë në të, në mënyrë të ngjashme Zotëria Sovran Jehova do të bëjë të mbijë drejtësia dhe lëvdimi para gjithë kombeve.» (Isaia 61:11) Gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, në tokë do të «mbijë drejtësia». Njerëzit do të bërtasin fitimtarë dhe drejtësia do të përhapet deri në skajet e tokës. (Isaia 26:9) Megjithatë, neve nuk na duhet të presim atë ditë të lavdishme për të dhënë lavdi para gjithë kombeve. Drejtësia po mbin tashmë mes atyre miliona njerëzve që i japin lavdi Perëndisë së qiellit dhe shpallin lajmin e mirë rreth Mbretërisë së tij. Madje që tani besimi dhe shpresa që kemi na japin çdo arsye për të gëzuar me bekimet e Perëndisë tonë.
[Shënimi]
a Isaia 61:5 mund të ketë pasur një përmbushje në kohën e lashtë, pasi disa jojudenj shoqëruan judenjtë në udhëtimin e kthimit për në Jerusalem dhe ka të ngjarë që t’i kenë ndihmuar për të rindërtuar vendin. (Ezdra 2:43-58) Megjithatë, nga vargu 6 e më tej, duket se profecia zbatohet vetëm për Izraelin e Perëndisë.
[Figura në faqen 323]
Isaia ka lajme të mira për t’ua shpallur judenjve të robëruar
[Figura në faqen 331]
Duke filluar nga viti 33 i e.s., Jehovai ka mbjellë 144.000 «pemë të mëdha drejtësie»
[Figura në faqen 334]
Në tokë do të mbijë drejtësia