Ngushëllimi dhe inkurajimi—Xhevahire me shumë faqe
SHUMICA prej nesh kemi kaluar periudha ku jemi ndier jashtëzakonisht të varfër, sigurisht jo në aspektin financiar, por të rënë nga gjendja shpirtërore. Kemi qenë të dëshpëruar madje në gjendje depresioni të thellë. Por, në raste të tilla, mund të kemi patur brenda acarimit tonë diçka të çmuar që mund të na ketë bërë shumë mirë. Ky «xhevahir» është inkurajimi.
Për fjalët «inkurajim» dhe «ngushëllim» në Bibël përdoret e njëjta fjalë greke. Të dyja fjalët kanë kuptimin e të dhënit kurajë, forcë, ose shpresë. Pra, është e qartë se kur ndihemi të dobët ose poshtë nga gjendja shpirtërore, ajo që na duhet është pikërisht ngushëllimi dhe inkurajimi. Ku mund të gjenden ata?
Bibla na siguron se Jehovai është «Perëndi i çdo ngushëllimi». (2. Korintasve 1:3) Gjithashtu, ajo na tregon se «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Pra, ngushëllimi dhe inkurajimi mund të sigurohen. Le të shqyrtojmë katër fushat kryesore përmes së cilave Jehovai na siguron inkurajim.
Përmes një marrëdhënieje personale me Perëndinë
Burimi më i madh i ngushëllimit është marrëdhënia personale me Perëndinë Jehova. Fakti që një marrëdhënie e tillë është e mundur, është inkurajues. Pas të gjithave, cili sundimtar i botës do të pranonte thirrjen tonë telefonike apo do të shprehte interes personal për problemet tona? Jehovai është pafundësisht më i fuqishëm se këta njerëz. Megjithatë, ai është i përulur si dhe i gatshëm për të trajtuar me përulësi njerëzit e papërsosur. (Psalmi 18:35) Madje Jehovai e ka marrë vetë iniciativën e të treguarit të dashurisë ndaj nesh. Letra e parë e Gjonit 4:10 thotë: «Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.» Për më tepër, Jehovai na tërheq me dashuri drejt Birit të tij.—Gjoni 6:44.
A i je përgjigjur miqësisë së Perëndisë dhe a ke gjetur ngushëllim në të? (Krahaso Jakovit 2:23.) Për shembull, nëse ke një mik të ngushtë e të dashur, a nuk është e këndshme të kalosh disa kohë vetëm me të, duke folur lirisht për ankthet, shqetësimet, gëzimet apo shpresat e tua? Jehovai të fton të bësh të njëjtën gjë me të. Ai nuk vë kufij mbi atë se sa gjatë mund të flasësh me të në lutje, me të vërtetë ai të dëgjon. (Psalmi 65:2; 1. Selanikasve 5:17) Jezui lutej rregullisht dhe në mënyrë të zjarrtë. Në fakt, përpara zgjedhjes së 12 apostujve të tij, ai kaloi një natë të tërë në lutje.—Luka 6:12-16; Hebrenjve 5:7.
Herë pas here, secili nga ne mund ta organizojë kohën që të jetë vetëm me Jehovain. Thjesht, të ulurit me qetësi në një dritare, apo bërja e një shëtitjeje të qetë, mund të sigurojë një mundësi të mirë për t’i hapur zemrën në lutje Jehovait. Të vepruarit në këtë mënyrë, mund të jetë një burim ngushëllimi dhe lirimi të jashtëzakonshëm. Nëse kemi disa aspekte të krijimit të Jehovait për të shikuar gjatë meditimit, si vetëm një copë qiell, disa pemë apo zogj, mund të gjejmë në to disa përkujtues që na ngushëllojnë e na kujtojnë dashurinë dhe interesin e Jehovait për ne.—Romakëve 1:20.
Përmes studimit personal të Fjalës së Perëndisë
Por, edhe përmes studimit personal të Biblës, cilësitë e Jehovait shpalosen me të vërtetë para nesh. Bibla shpeshherë e zbulon Jehovain si «Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi». (Të Dalët 34:6; Nehemia 9:17; Psalmi 86:15) Dëshira për të ngushëlluar shërbëtorët e tij tokësorë, është një pjesë e qenësishme e personalitetit të Jehovait.
Shqyrto, për shembull, fjalët e Jehovait tek Isaia 66:13: «Ashtu si një nënë e ngushëllon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni.» Jehovai bëri që dashuria e nënës për fëmijët e saj, të ishte një dashuri vetëflijuese dhe besnike. Nëse ke parë ndonjëherë një nënë të dashur, tek ngushëllon birin e saj të dëshpëruar, mund të kuptosh se ç’ka ndër mend Jehovai kur thotë se do të ngushëllojë shërbëtorët e tij.
Shumë tregime të Biblës tregojnë për një ngushëllim të tillë në veprim. Kur profeti Elija u kërcënua me vdekje nga mbretëresha e ligë Jezabela, u frikësua dhe ia mbathi për të shpëtuar jetën. Ishte kaq i dëshpëruar, saqë shkoi në shkretëtirë, duke udhëtuar një ditë të tërë dhe duket se nuk mori me vete as ujë dhe as furnizime të tjera. Në gjendje ankthi, Elija i tha Jehovait se donte të vdiste. (1. Mbretërve 19:1-4) Çfarë bëri Jehovai për ta ngushëlluar dhe inkurajuar profetin e tij?
Jehovai nuk e qortoi rëndë Elinë për faktin se ndihej i vetëm, i pavlerë dhe i frikësuar. Përkundrazi, profeti dëgjoi «një zë, si një shushuritje e ëmbël». (1. Mbretërve 19:12) Nëse lexon 1. Mbretërve, kapitulli 19, do të vëresh se si Jehovai e ngushëlloi Elinë, e qetësoi dhe ndërtoi besimin e tij. Ky ngushëllim nuk ishte sipërfaqësor. Ai shkoi drejt e në zemrën e shqetësuar të Elisë, duke e inkurajuar profetin që të vazhdonte. (Krahaso Isainë 40:1, 2.) Shpejt, ai u kthye në caktimin e tij.
Jezu Krishti, gjithashtu, i inkurajon dhe i ngushëllon ithtarët e tij besnikë. Në fakt, Isaia profetizoi për Mesinë: «Zoti . . . më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, . . . për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen.» (Isaia 61:1-3) Gjatë jetës së tij në tokë, Jezui e bëri të qartë se këto fjalë zbatoheshin për të. (Luka 4:17-21) Nëse ke nevojë për ngushëllim, medito mbi marrëdhënien e butë e të dashur të Jezuit me njerëzit që kishin nevojë e që ishin të dërrmuar. Vërtet, studimi i kujdesshëm i Biblës është një burim i madh ngushëllimi dhe inkurajimi.
Përmes kongregacionit
Në kongregacionin e krishterë, margaritarët e ngushëllimit e të inkurajimit, shndrisin në të gjitha faqet e tyre. Apostulli Pavël, u frymëzua të shkruante: «Ngushëlloni njëri-tjetrin dhe ndërtoni njëri-tjetrin.» (1. Selanikasve 5:11) Si mund të gjendet ngushëllimi dhe inkurajimi në mbledhjet e kongregacionit?
Sigurisht, së pari ne i ndjekim mbledhjet që ‘të mësohemi nga Perëndia’, të marrim udhëzime për të dhe për rrugët e tij. (Gjoni 6:45) Këto udhëzime kanë si qëllim që të jenë inkurajuese dhe ngushëlluese. Në Veprat 15:32 lexojmë: «Juda e Sila . . . me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.»
A të ka ndodhur ndonjëherë të shkosh në një mbledhje të krishterë kur ke qenë i dëshpëruar dhe je kthyer në shtëpi duke u ndier shumë më mirë. Ndoshta diçka e thënë në një fjalim, në një koment, apo në një lutje të ka prekur zemrën, duke të siguruar ngushëllimin dhe inkurajimin e nevojshëm. Prandaj, mos u largo nga mbledhjet e krishtere.—Hebrenjve 10:24, 25.
Shoqërimi me vëllezërit dhe motrat tona në shërbim apo në raste të tjera, mund të ketë një ndikim të ngjashëm. Në hebraisht, folje të ndryshme me kuptimin «për t’u lidhur së bashku», i referohen, gjithashtu, «forcës» ose foljes «forcoj». Ideja e dukshme është se gjërat bëhen më të forta kur lidhen së bashku. Ky parim është i vërtetë në kongregacion. Ne ngushëllohemi, inkurajohemi dhe madje forcohemi duke u shoqëruar së bashku. Lidhemi me njëri-tjetrin nga dashuria, që është më e forta nga të gjitha lidhjet.—Kolosianëve 3:14.
Disa herë është besnikëria e vëllezërve dhe motrave tona frymore që na inkurajon. (1. Selanikasve 3:7, 8) Herë të tjera është dashuria që ata tregojnë (Filemoni 7) Ndërsa, ndonjëherë është pikërisht fakti se punojmë së bashku sup më sup, ndërsa u flasim të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Nëse ndihesh i dobët dhe ke nevojë për inkurajim kur shkon në shërbim, përse nuk e rregullon të punosh me një lajmëtar të Mbretërisë më të vjetër dhe më me përvojë? Ndoshta, do të gjesh shumë ngushëllim duke vepruar në këtë mënyrë.—Eklisiastiu 4:9-12; Filipianëve 1:27.
Përmes «skllavit besnik e të matur»
Kush i organizon aspektet ngushëlluese të adhurimit tonë? Jezui caktoi një klasë, të cilën e emëroi si «skllavi besnik e i matur» për të shpërndarë në kuptim frymor «ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:45, BR) Në shekullin e parë të e.s., ky grup i të krishterëve të mirosur me frymë, tashmë vepronte. Trupi udhëheqës i pleqve në Jerusalem, u dërgonte letra udhëzuese dhe drejtuese kongregacioneve. Cili ishte rezultati? Bibla tregon se si reaguan kongregacionet ndaj njërës prej këtyre letrave: «Mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.»—Veprat 15:23-31.
Ngjashëm, në këto ditë të fundit kritike, skllavi besnik dhe i matur, po shpërndan ushqimin që siguron ngushëllim dhe inkurajim të madh për popullin e Jehovait. A po e merr këtë ushqim? Mund të gjendet pa vështirësi në literaturën e shtypur, të cilën klasa e skllavit e ka vënë në dispozicion në të gjithë botën. Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe librat, boshurat dhe fletushkat që boton Shoqata Watch Tower kanë sjellë ngushëllim për lexuesit e shumtë.
Një mbikëqyrës udhëtues shkroi: «Shumica e vëllezërve dhe e motrave tona duan të bëjnë atë që është drejtë, por shpesh luftojnë me zhgënjimet, pasigurinë dhe ndjenjën se janë të pafuqishëm për të ndihmuar veten. Artikujt në revistat tona, po ndihmojnë shumë prej tyre që të rifitojnë kontrollin mbi jetën dhe emocionet e tyre. Gjithashtu, artikujt u japin pleqve diçka më shumë për të ofruar, sesa inkurajimi sipërfaqësor.»
Përdore plotësisht literaturën që vjen nga klasa e skllavit besnik. Revistat, librat dhe botimet e tjera të dhëna në kohën e duhur, mund të na ndihmojnë të gjejmë ngushëllim kur kohët janë të vështira. Nga ana tjetër, nëse je në pozitë për t’i ofruar inkurajim dikujt që është në një gjendje depresioni, përdor informacionin biblik të këtyre revistave. Artikujt janë shkruar me shumë kujdes, shpesh pas shumë javësh apo muajsh kërkimesh të zellshme, studimi dhe lutjeje. Këshilla është e bazuar në Bibël, e provuar dhe e vërtetë. Disa e kanë parë si mjaft të dobishme të lexojnë një ose dy artikuj të përshtatshëm me dikë që ndihet poshtë. Kjo mund të sjellë si rezultat shumë ngushëllim dhe inkurajim.
Nëse gjen xhevahire të çmuara, do t’i grumbullosh apo me bujari do të ndash një pjesë të pasurisë me të tjerët? Ki si synim të jesh një burim ngushëllimi dhe inkurajimi për vëllezërit dhe motrat e tua në kongregacion. Nëse ndërton, në vend se të shkaktosh lot, nëse lavdëron, në vend se të kritikosh, nëse ‘flet me gjuhën e të diturve’, në vend se ‘si ai që shpon me shpatë’, mund të ndryshoh jetën e të tjerëve. (Isaia 50:4, BR; Proverbat 12:18) Në fakt, ka të ngjarë që të konsiderohesh edhe ti vetë si një xhevahir, si një burim i vërtetë ngushëllimi dhe inkurajimi!
[Kutia në faqen 20]
Ngushëllim për ata që kanë nevojë
SHUMË persona kanë komentuar mbi faktin se si disa artikuj të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! e kanë thelluar marrëdhënien e tyre personale me Jehovain. Një person tha: «Pas leximit të këtij artikulli, ndjeva se Jehovai me të gjithë fuqinë dhe madhështinë e tij ishte tamam aty me mua. Ndjeva se ai është një person i vërtetë.» Një tjetër lexues deklaroi: «Mendjet dhe zemrat tona kanë ndryshuar në mënyrë kaq dramatike për shkak të pikëpamjes sonë ndaj Jehovait, saqë nuk jemi më të njëjtët persona. Është sikur dikush ka pastruar syzet tona dhe tani mund të shohim çdo gjë në mënyrë shumë të qartë.»
Disa shkruajnë për të treguar se si revistat i ndihmojnë për të trajtuar probleme ose sprova të veçanta, duke i siguruar në këtë mënyrë për interesin personal të Jehovait ndaj tyre. Një lexuese e vlerësoi këtë fakt në këtë mënyrë: «Ju falënderoj kaq shumë sepse edhe njëherë na lejuat të shohim se sa shumë kujdeset Jehovai për popullin e tij dhe sa shumë e do atë.» Një grua në Japoni që humbi një fëmijë nga vdekja, në lidhje me artikujt e revistës Zgjohuni! mbi këtë çështje tha: «Thellësia e mëshirës së Perëndisë derdhej përmes fletëve dhe unë qaja, qaja e qaja. I vendosa këta artikuj në një vend ku mund t’i lexoja menjëherë, sa herë që ndihesha përtokë dhe e vetmuar.» Një tjetër grua që vajtonte shkroi: «Artikujt e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! si dhe broshura Kur të vdes një njeri i dashur më kanë dhënë forcën e nevojshme për të duruar gjatë periudhave të mia të hidhërimit.»
Shkrimet e Shenjta janë burimi kryesor i ngushëllimit. (Romakëve 15:4) Kulla e Rojës i përmbahet Biblës si autoritet i saj dhe po ashtu edhe revista e saj shoqëruese Zgjohuni! Për këtë arsye, këto revista kanë provuar se janë ngushëlluese dhe inkurajuese për lexuesit e tyre.
[Figura në faqen 23]
Perëndia i çdo ngushëllimi është, gjithashtu, Dëgjuesi i lutjes