Kapitulli 19
Njohuria e Perëndisë do të mbushë tokën
1, 2. Si u dëmtua krijimi i Jehovait?
IMAGJINO sikur një piktor i madh sapo ka përfunduar një pikturë të mrekullueshme. Për të, ajo me të drejtë është shumë e mirë, madje një kryevepër! Por gjatë natës, një rival xheloz e shëmton atë. Është e kuptueshme se kjo i shkakton piktorit dhimbje të madhe. Sa i paduruar është ai që ta shohë këtë vandal të burgosur! Dhe mund ta marrësh me mend se sa shumë do ky artist që ta ketë përsëri krijimin në bukurinë e tij të mëparshme.
2 Ashtu si ai piktor, Jehovai krijoi një kryevepër kur përgatiti tokën dhe vendosi njerëzimin mbi të. Pasi krijoi burrin dhe gruan, ai u shpreh se e gjithë vepra e tij tokësore ishte ‘shumë e mirë’. (Zanafilla 1:31) Adami dhe Eva ishin fëmijët e Perëndisë dhe ai i donte ata. Ai përfytyronte një të ardhme të lumtur dhe të lavdishme për ta. Vërtet, Satanai i çoi ata në rebelim, por krijimi i mrekullueshëm i Perëndisë nuk u dëmtua në mënyrë të pariparueshme.—Zanafilla 3:23, 24; 6:11, 12.
3. Çfarë është «jeta e vërtetë»?
3 Perëndia ka vendosur t’i rregullojë çështjet. Ai ka shumë dëshirë të na shohë duke jetuar në atë mënyrë që kishte ndër mend që në fillim. Ekzistenca jonë e shkurtër dhe plot me shqetësime nuk është «jeta e vërtetë», sepse është shumë larg asaj që kishte si qëllim Jehovai. «Jeta e vërtetë» që dëshiron Perëndia për ne, është «jeta e përhershme» në kushte të përsosura.—1. Timoteut 6:12, 19.
4, 5. (a) Si do të realizohet shpresa parajsore? (b) Pse duhet të mendojmë mbi shpresën tonë për të ardhmen?
4 Njohuria e Perëndinë sjell përgjegjësi përpara Jehovait. (Jakovit 4:17) Por mendo mbi bekimet që do të gëzosh nëse e zbaton këtë njohuri dhe arrin jetën e përhershme. Në Fjalën e tij, Biblën, Perëndia Jehova ka përshkruar një pamje të mrekullueshme të asaj se si do të jetë jeta në tokën parajsore që është kaq afër. Sigurisht, si popull i Jehovait, ne nuk i shërbejmë Perëndisë vetëm nga dëshira për një shpërblerje. Ne i shërbejmë Perëndisë sepse e duam. (Marku 12:29, 30) Për më tepër, ne nuk e fitojmë jetën duke i shërbyer Jehovait. Jeta e përhershme është një dhuratë nga Perëndia. (Romakëve 6:23) Do të ishte e dobishme të meditonim mbi një jetë të tillë, sepse shpresa parajsore na bën që të kujtojmë se ç’lloj Perëndie është Jehovai, «shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë». (Hebrenjve 11:6) Një shpresë që ndizet në mënyrë të shndritshme në mendjet dhe në zemrat tona, do të na japë mundësi të durojmë vështirësitë në botën e Satanait.—Jeremia 23:20.
5 Le ta përqendrojmë tani vëmendjen tonë në shpresën e bazuar në Bibël mbi jetën e përhershme në Parajsën e ardhme tokësore. Si do të jetë jeta kur njohuria e Perëndisë të mbushë tokën?
PAS HARMAGEDONIT, NJË TOKË PARAJSORE
6. Çfarë është Harmagedoni dhe çfarë do të thotë ai për njerëzimin?
6 Siç u tregua që në fillim, Perëndia Jehova do ta shkatërrojë së shpejti sistemin e tanishëm të lig të gjërave. Bota me shpejtësi po i afrohet asaj që Bibla e quan Armagedon, apo Harmagedon. Kjo fjalë mund t’i bëjë disa njerëz që të mendojnë mbi një shfarosje bërthamore të shkaktuar nga kombet luftuese, por Harmagedoni është diçka krejt ndryshe nga kjo. Siç tregon Zbulesa 16:14-16, Harmagedoni është ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. Kjo është lufta që përfshin «mbretërit e të gjithë tokës së banuar», apo kombet. Biri i Perëndisë Jehova, Mbreti i emëruar, do të kalërojë së shpejti përpara për në betejë. Përfundimi është absolutisht i sigurt. Të gjithë që kundërshtojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe që janë pjesë e sistemit të lig të Satanait do të eliminohen. Vetëm ata që janë besnikë ndaj Jehovait do të mbijetojnë.—Zbulesa 7:9, 14; 19:11-21.
7. Ku do të jenë Satanai dhe demonët e tij gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit dhe çfarë dobie do të ketë njerëzimi nga kjo?
7 Përfytyro sikur ti ke mbijetuar në këtë kataklizëm. Si do të jetë jeta mbi tokë, në botën e re të premtuar të Perëndisë? (2. Pjetrit 3:13) Nuk duhet të hamendemi në lidhje me këtë, sepse Bibla na e tregon dhe ajo që thotë është rrëqethëse. Mësojmë se Satanai dhe demonët e tij do të jenë në gjendje joaktive dhe të mbyllur në një humnerë pasiviteti gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Këto krijesa të pandershme e të liga, nuk do të jenë më duke zënë pusi në vende të fshehta, duke shkaktuar shqetësim dhe duke u përpjekur të na nxitin në vepra të pandershme kundër Perëndisë. Çfarë lehtësimi!—Zbulesa 20:1-3.
8, 9. Çfarë do të ndodhë në botën e re me vuajtjet, sëmundjet dhe plakjen?
8 Me kalimin e kohës, të gjitha llojet e sëmundjeve do të zhduken. (Isaia 33:24) Atëherë i çali do të qëndrojë drejt, do të ecë, do të vrapojë dhe do të vallëzojë mbi këmbë të forta e të shëndetshme. Pas kaq vitesh jetë në botën e tyre të heshtjes, të shurdhërit do të dëgjojnë tingujt e gëzueshëm përreth tyre. Të verbërit do të mbeten gojë hapur nga habia, ndërsa një botë e mahnitshme ngjyrash dhe formash merr trajtë përpara tyre. (Isaia 35:5, 6) Së fundi, ata do të shohin fytyrat e njerëzve të tyre të dashur! Ndoshta, atëherë, pamja e tyre do të njolloset vetëm përkohësisht nga lotët e gëzimit.
9 Vetëm mendo! Nuk ekzistojnë më syzet, patericat dhe bastunët, nuk ka më ilaçe, as klinika dentare apo spitale! Nuk do të ketë më kurrë sëmundje emocionale dhe depresioni nuk do të grabisë më lumturinë e njerëzve. Asnjë fëmijë nuk do të vuajë nga sëmundja. Dëmtimet për shkak të plakjes do të ndryshojnë në të kundërtën. (Jobi 33:25) Do të bëhemi më të shëndetshëm e më të fortë. Çdo mëngjes, do të zgjohemi nga gjumi freskues i natës me energji të ripërtërira, të mbushur me fuqi dhe të padurueshëm për një ditë të re jete plot gjallëri dhe punë të kënaqshme.
10. Çfarë pune të caktuar do të ndërmarrin ata që mbijetojnë Harmagedonin?
10 Do të ketë shumë punë të gëzueshme për ata që mbijetojnë Harmagedonin. Do ta transformojnë tokën në një parajsë. Do të zhduket çdo gjurmë e sistemit të vjetër e të ndotur. Kopshtet dhe parqet do t’u zënë vendin lagjeve të varfra dhe tokës së shkatërruar. Të gjithë do të gëzojnë shtëpi të rehatshme e të këndshme. (Isaia 65:21) Ndërsa koha kalon, pjesët parajsore të tokës do të zgjerohen dhe do të bashkohen, derisa i gjithë globi të arrijë standardet e bukurisë të vendosura më parë nga Krijuesi në kopshtin e Edenit. Sa gjë e këndshme do të jetë pjesëmarrja në atë vepër restaurimi!
11. Si do të jetë në të ardhmen marrëdhënia e njerëzimit me ambientin e tokës dhe jetën e kafshëve?
11 E gjithë kjo do të bëhet nën udhëheqjen hyjnore, kështu që mjedisi nuk do të dëmtohet. Njerëzit do të jenë në paqe me kafshët. Në vend të vrasjes së tyre në mënyrë të panevojshme, njerëzit do të vazhdojnë sërish me përgjegjësinë e administrimit të tokës, duke treguar mjaft kujdes për to. Përfytyro ujqërit dhe qingjat, luanët dhe viçat, duke u ushqyer së bashku, pra, kafshët e buta do të jenë plotësisht të sigurta. Madje fëmija i vogël nuk do të ketë asnjë frikë nga bishat e egra dhe qetësia e botës së re nuk do të prishet nga njerëz të egër dhe mizorë. (Isaia 11:6-8) Çfarë bote e re dhe paqësore do të jetë!
NJERËZIMI I TRANSFORMUAR
12. Si po plotësohet sot Isaia 11:9 dhe si do të plotësohet ky shkrim në Parajsë?
12 Isaia 11:9 na tregon se përse nuk do të bëhet asnjë dëm në të gjithë tokën. Ai thotë: «Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» Kjo u përket njerëzve, sepse kafshët nuk mund të marrin «njohurinë e Zotit» e të bëjnë ndryshime, pasi ato udhëhiqen nga instinkti. Por njohja e Krijuesit tonë i ndryshon njerëzit. Pa dyshim, ti tashmë ke bërë disa ndryshime në vetvete si rezultat i zbatimit të njohurisë së Perëndisë në jetën tënde. Miliona kanë vepruar në këtë mënyrë. Prandaj, kjo profeci tashmë ka filluar të plotësohet mbi ata që i shërbejnë Jehovait. Megjithatë, ajo i referohet kohës kur njerëzit në të gjithë botën do të flakin çdo tipar shtazarak apo të dhunshëm dhe do të bëhen përgjithmonë paqësorë.
13. Ç’program arsimimi do të zhvillohet mbi tokë?
13 Sa gjë e mrekullueshme do të jetë kur njohuria e Perëndisë të mbushë tokën! Do të ketë një program të gjerë arsimimi nën udhëheqjen e Mbretit Jezu Krisht dhe të 144.000 bashkësundimtarëve të tij. Në atë kohë do të përdoren «rrotullat» e reja. Është e qartë se ato janë udhëzimet e shkruara të Perëndisë, që do të shërbejnë si bazë për arsimimin e banorëve të tokës. (Zbulesa 20:12) Njerëzimi nuk do të mësojë luftën, por paqen. Të gjitha armët shkatërruese do të eliminohen përgjithmonë. (Psalmi 46:9) Banorët e botës së re do të mësojnë t’i trajtojnë njerëzit e tjerë me dashuri, respekt dhe dinjitet.
14. Në ç’mënyrë bota do të jetë e ndryshme, kur njerëzimi të bëhet një familje e bashkuar?
14 Njerëzimi do të bëhet një familje e bashkuar. Nuk do të ketë më pengesa për unitetin dhe vëllazërinë. (Psalmi 133:1-3) Askujt nuk do t’i duhet ta mbajë shtëpinë të kyçyr për ta ruajtur nga vjedhësit. Paqja do të mbretërojë në çdo zemër, në çdo shtëpi dhe në çdo pjesë të tokës.—Mikea 4:4.
RINGJALLJE E GËZUESHME
15. Cilat janë dy grupet që do të ringjallen mbi tokë?
15 Gjatë atij Mijëvjeçari do të ndodhë ringjallja. Ata që mëkatuan me vullnet të plotë ndaj frymës së shenjtë të Perëndisë, apo forcës së tij aktive, duke vepruar pa u penduar kundër treguesve apo udhëzimeve të saj drejtuese, nuk do të ringjallen. (Mateu 23:15, 33; Hebrenjve 6:4-6) Natyrisht, është Perëndia ai që vendos se cili ka mëkatuar në këtë mënyrë. Por është e qartë se dy grupe do të ringjallen: ‘të drejtët e të padrejtët’. (Veprat 24:15) Pasi do të ekzistojë rregulli i duhur, është e arsyeshme të nxjerrim si përfundim se të parët që do të rikthehen në jetën mbi tokë do të jenë të drejtët, ata që i shërbyen Jehovait me besnikëri.—Hebrenjve 11:35-39.
16. (a) Cilët do të jenë midis «të drejtëve» të ringjallur mbi tokë? (b) Cilët persona besnikë të kohëve të lashta dëshiron të takosh veçanërisht dhe pse?
16 Në vend të lajmeve mbi luftëra, shkatërrime dhe vdekje, shërbëtorët e Jehovait do të marrin raportet e mrekullueshme të ringjalljes. Do të jetë emocionuese të dëgjojnë për rikthimin e grave dhe burrave të tillë besnikë, si Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami, Sara, Jobi, Moisiu, Rahaba, Rutha, Davidi, Elija, Ester. Çfarë faktesh historike prekëse do të tregojnë ata, ndërsa japin hollësira të rrethanave për shumë tregime biblike! Pa dyshim, ata dhe personat e drejtë që kanë vdekur kryesisht kohët e fundit, mezi do të presin që të mësojnë për fundin e sistemit të Satanait dhe për mënyrën se si Jehovai e ka shenjtëruar emrin e tij të shenjtë dhe ka shfajësuar sovranitetin e tij.
17. Çfarë ndihme do t’u japin personat besnikë atyre që ringjallen?
17 Çfarë ndihme do të jenë këta besnikë gjatë fazës tjetër të ringjalljes, kur miliarda «të padrejtë» do të çlirohen nga prangat e vdekjes! Shumica e njerëzimit kurrë nuk kanë patur rast të njohin Jehovain. Satanai ‘ua verboi mendjet atyre’. (2. Korintasve 4:4) Por vepra e Djallit do të marrë fund. Të padrejtët do të rikthehen në një tokë të mrekullueshme dhe paqësore. Një popull i organizuar mirë do t’i mirëpresë ata për t’i mësuar rreth Jehovait dhe mbretërimit të Birit të tij, Jezu Krishtit. Ndërsa miliarda persona të ringjallur fillojnë të njohin dhe të duan Krijuesin e tyre, njohuria e Jehovait do të mbushë tokën në një masë të paparë.
18. Si mendon se do të ndihesh kur t’u urosh mirëseardhjen personave të dashur që do të ringjallen?
18 Çfarë gëzimi do të sjellë ringjallja në zemrat tona! Kush nuk ka vuajtur për shkak të armikut tonë, vdekjes? Në të vërtetë, kush nuk është ndier krejtësisht i vrarë kur disa lidhje dashurie apo miqësie janë ndërprerë, ndërsa sëmundja, mosha e vjetër, aksidenti apo dhuna kanë rrëmbyer jetën e një njeriu të dashur? Përfytyro në atë kohë gëzimin e ribashkimit në Parajsë. Nënat dhe baballarët, bijtë dhe bijat, miqtë dhe të afërmit do të vrapojnë në krahët e njëri-tjetrit, duke qeshur e duke bërtitur me gëzim.
MË NË FUND PËRSOSMËRIA!
19. Çfarë mrekullie do të ndodhë gjatë Mijëvjeçarit?
19 Gjatë Mijëvjeçarit do të ndodhë një mrekulli e shkëlqyer. Për njerëzimin, ky do të jetë ndoshta aspekti më rrëqethës gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Jehovai do ta drejtojë Birin e tij që të zbatojë dobitë e sakrificës shpërblerëse për secilin dhe për çdo burrë dhe grua besnike e të bindur. Me këtë metodë, do të hiqet gjithë mëkati dhe njerëzimi do të arrijë përsosmërinë.—1. Gjonit 2:2; Zbulesa 21:1-4.
20. (a) Çfarë do të thotë të jesh i përsosur? Kur do të fillojnë të jetojnë në kuptimin e plotë të fjalës ata që do të mbijetojnë Harmagedonin dhe ata që do të ringjallen?
20 Përsosmëria! Çfarë do të thotë kjo? Ajo nënkupton rikthimin në mënyrën e jetesës që gëzonin Adami dhe Eva përpara se të mëkatonin kundër Perëndisë Jehova. Fizikisht, mendërisht, emocionalisht, moralisht, frymësisht, në çdo aspekt që mund të mendohet, njerëzit e përsosur do të arrijnë plotësisht standardet e Perëndisë. Por, a do të jenë të gjithë njerëzit njësoj? Absolutisht jo! Krijimet e Jehovait, si pemët, lulet, kafshët, të gjitha na mësojnë se ai e do llojshmërinë. Njerëzit e përsosur do të kenë personalitete dhe aftësi të ndryshme. Secili do të gëzojë jetën ashtu si e mendonte Perëndia në fillim. Zbulesa 20:5 thotë: «Të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet.» Si shumica e madhe që mbijetoi Harmagedonin, ashtu edhe personat e ringjallur do ta kenë plotësisht jetën kur të bëhen të përsosur e pa mëkat.
21. (a) Çfarë do të ndodhë në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit? (b) Çfarë do të ndodhë në fund me Satanain dhe me të gjithë ata që e mbështesin atë?
21 Njerëzit e përsosur do të kalojnë një provë të fundit. Në fund të Mijëvjeçarit, Satanai dhe demonët e tij do të lirohen nga humnera për një kohë të shkurtër dhe do të lejohen të bëjnë një përpjekje të fundit për t’i kthyer njerëzit nga rruga e Jehovait. Disa do t’i vendosin dëshirat e gabuara mbi dashurinë për Perëndinë, por ky rebelim do të ndërpritet shpejt. Jehovai do t’i ekzekutojë këta persona egoistë bashkë me Satanain dhe të gjithë demonët e tij. Të gjithë keqbërësit do të shkatërrohen në atë kohë, përgjithmonë.—Zbulesa 20:7-10.
ÇFARË DO TË BËSH?
22. Çfarë shpreson që të bësh në Parajsë?
22 Përjetësia do të shtrihet përpara atyre që e duan Perëndinë Jehova dhe që jetojnë në tokën Parajsore. Mezi mund ta përfytyrojmë gëzimin e tyre dhe këtë mund ta provosh edhe ti. Muzika, arti, zanatet, pra, arritjet e njerëzimit të përsosur, do t’ia kalojnë veprave më të shkëlqyera të mjeshtërve më të mëdhenj të botës së vjetër. Mbi të gjitha, njerëzit do të jenë të përsosur dhe do të kenë kohë të pafundme përpara tyre. Përfytyro se çfarë mund të bësh si njeri i përsosur. Mendo, gjithashtu, mbi atë që do të mësosh bashkë me njerëzit e tjerë rreth krijimit të Jehovait, që nga galaktikat që ekzistojnë me miliarda në univers e deri tek thërrmijat më të vogla atomike. Gjithçka që njerëzimi arrin, do ta kënaqë edhe më shumë zemrën e Atit tonë të dashur qiellor, Jehovait.—Psalmi 150:1-6.
23. Përse jeta në Parajsë nuk do të jetë kurrë e mërzitshme?
23 Në atë kohë, jeta nuk do të jetë e mërzitshme. Ndërsa koha kalon, ajo do të bëhet gjithnjë e më interesante. Ti e kupton, njohuria e Perëndisë nuk ka fund. (Romakëve 11:33) Gjatë përjetësisë, do të ketë gjithmonë shumë për të mësuar dhe horizonte të reja për t’u eksploruar. (Eklisiastiu 3:11) Dhe ndërsa vazhdon të mësosh rreth Perëndisë Jehova, do të vazhdosh të jetosh jo vetëm për disa vjet, por përgjithmonë!—Psalmi 22:26.
24, 25. Përse duhet të jetosh që tani në harmoni me njohurinë e Perëndisë?
24 A nuk ia vlen çdo përpjekje apo sakrificë që po bën për një të ardhme të këndshme në një tokë parajsore? Sigurisht që po! Atëherë, Jehovai të ka ofruar çelësin e kësaj të ardhmeje të shkëlqyer. Ai çelës është njohuria e Perëndisë. A do ta përdorësh?
25 Nëse e do Jehovain, do të gjesh kënaqësi në kryerjen e vullnetit të tij. (1. Gjonit 5:3) Çfarë bekimesh do të përjetosh ndërsa ndjek këtë rrugë! Nëse e zbaton njohurinë e Perëndisë, do të kesh një jetë më të lumtur madje edhe në këtë botë të mbushur me shqetësime. Dhe shpërblimet e së ardhmes janë të pafundme, sepse kjo është njohuria që të çon në jetën e përhershme! Tani është koha e përshtatshme në të cilën mund të veprosh. Ji i vendosur që të jetosh në harmoni me njohurinë e Perëndisë. Trego dashurinë që ke për Jehovain. Ndero emrin e tij të shenjtë dhe provo se Satanai është një gënjeshtar. Nga ana tjetër, Perëndia Jehova, burimi i njohurisë dhe i mençurisë së vërtetë, do të gëzohet për ty në zemrën e tij të madhe e të dashur. (Jeremia 31:3; Sofonia 3:17) Dhe ai do të të dojë përgjithmonë!
PROVO NJOHURINË
Çfarë është «jeta e vërtetë»?
Çfarë do të ndodhë në tokë pas Harmagedonit?
Cilët do të ringjallen mbi tokë?
Si do të bëhet njerëzimi i përsosur dhe si do të provohet ai në fund?
Cila është shpresa jote në lidhje me Parajsën?
[Figura në faqet 188, 189]
A shpreson të jetosh në Parajsë, në kohën kur njohuria e Perëndisë të mbushë tokën?