Jehovai: Një Perëndi që mëson
«Të gjithë do të jenë të mësuar nga Jehovai.»—GJONI 6:45, BR.
1. Ku ka kryer mrekulli Jezui dhe ç’po bën ai tani atje?
JEZU KRISHTI ka kryer pak më parë disa mrekulli dhe tani po mëson në një sinagogë në Kaparnaum, pranë detit të Galilesë. (Gjoni 6:1-21, 59) Shumë veta shprehin mosbesim, kur ai thotë: «Unë kam zbritur nga qielli.» Ata murmurisin: «Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: ‘Unë zbrita nga qielli?’» (Gjoni 6:38, 42) Duke i qortuar, Jezui shpalli: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.»—Gjoni 6:44.
2. Çfarë baze ekziston për të besuar premtimin e Jezuit mbi ringjalljen?
2 Sa premtim i shkëlqyer: të ringjallesh në ditën e fundit, kur Mbretëria e Perëndisë të sundojë! Mund ta besojmë këtë premtim, pasi e ka garantuar Ati, Perëndia Jehova. (Jobi 14:13-15; Isaia 26:19) Në fakt, Jehovai, i cili mëson se të vdekurit do të ngrihen, është «mësuesi më i madh nga të gjithë». (Jobi 36:22, Today’s English Version) Duke tërhequr vëmendjen nga mësimi i Atit, më tej Jezui tha: «Në profetët është shkruar: ‘Dhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Jehovai.’»—Gjoni 6:45.
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Sigurisht që do të ishte një privilegj të gjendeshe midis atyre, për të cilët profeti Isaia shkroi: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti.» (Isaia 54:13) A mund të jemi? Cilët kanë qenë si bij për të dhe kanë marrë mësimet e tij? Cilat janë disa mësime themelore të Jehovait, të cilat duhet t’i njohim e t’i zbatojmë, për të marrë bekimet e tij? Si ka mësuar Jehovai në të shkuarën dhe a mëson njësoj edhe sot? Këto janë pyetje që do t’i shqyrtojmë.
Atë, Mësues, Burrë
4. Cilët ishin bijtë e parë të Jehovait që morën mësimet e tij?
4 Jehovai u bë për herë të parë Atë dhe Mësues, kur krijoi Birin e tij të vetëmlindur, Jezuin paranjerëzor. Ky është quajtur «Fjala», pasi është Zëdhënësi kryesor i Jehovait. (Gjoni 1:1, 14; 3:16) Fjala shërbeu «pranë tij [Atit] si një arkitekt» dhe mësoi mirë nga mësimet e të Atit. (Proverbat 8:22, 30) Në fakt, ai u bë Mjeti, apo instrumenti, me anë të të cilit Ati krijoi të gjitha gjërat e tjera, duke përfshirë ‘bijtë frymorë të Perëndisë’. Sa të gëzuar duhet të kenë qenë ata ngaqë mësoheshin nga Perëndia! (Jobi 1:6; 2:1; 38:7; Kolosianëve 1:15-17) Më vonë, u krijua njeriu i parë, Adami. Edhe ai ishte një «bir i Perëndisë» dhe Bibla tregon se atë e mësoi Jehovai.—Luka 3:38; Zanafilla 2:7, 16, 17.
5. Çfarë privilegji të çmuar humbi Adami, por kush mori mësim nga Jehovai dhe përse?
5 Mjerisht, me anë të mosbindjes së tij të vullnetshme, Adami humbi privilegjin për të qenë akoma bir i Perëndisë. Prandaj, pasardhësit e tij nuk mund ta kishin marrëdhënien si bij të Perëndisë vetëm në bazë të lindjes. Megjithatë, Jehovai i mësoi njerëzit e papërsosur që iu drejtuan për udhëheqje. Noeja, për shembull, provoi se ishte «një njeri i drejtë», i cili «eci me Perëndinë» dhe prandaj Jehovai e mësoi Noen. (Zanafilla 6:9, 13–Zn 6:13 deri 7:5) Me anë të bindjes së tij, Abrahami provoi se ishte «miku i Jehovait», prandaj edhe ai u mësua nga Jehovai.—Jakovit 2:23, BR; Zanafilla 12:1-4; 15:1-8; 22:1, 2.
6. Kush u konsiderua nga Jehovai si «bir» i tij dhe ç’lloj mësuesi ishte ai për të?
6 Kohë më vonë, gjatë ditëve të Moisiut, Jehovai hyri në një marrëdhënie besëlidhjeje me kombin e Izraelit. Si rezultat, kombi u bë populli i tij i zgjedhur dhe u konsiderua si «biri» i tij. Perëndia tha: «Izraeli është biri im.» (Të Dalët 4:22, 23; 19:3-6; Ligji i përtërirë 14:1, 2) Në bazë të asaj marrëdhënie besëlidhjeje, izraelitët mundën të thoshin fjalët e regjistruara nga profeti Isaia: «Ti, o Zot, je ati ynë.» (Isaia 63:16) Jehovai e pranoi përgjegjësinë si atë dhe i mësoi fëmijët e tij me dashuri. (Psalmi 71:17; Isaia 48:17, 18) Në fakt, kur ata nuk u treguan besnikë, ai iu lut atyre me mëshirë: «Kthehuni, o bij të përdalë.»—Jeremia 3:14.
7. Çfarë marrëdhënie kishte Izraeli me Jehovain?
7 Si pasojë e marrëdhënies së besëlidhjes me Izraelin, Jehovai u bë, gjithashtu, Burri i kombit dhe ky i fundit u bë gruaja e tij figurative. Për të, profeti Isaia shkroi: «Krijuesi yt do të të jetë si burrë-ai quhet Zoti i gjithëpushtetshëm.» (Isaia 54:5, ECM; Jeremia 31:32) Edhe pse Jehovai e përmbushi me nderim rolin e tij si burrë, kombi i Izraelit u bë një grua e pabesë. «Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj,—tha Jehovai,— kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit.» (Jeremia 3:20) Jehovai vazhdoi t’i thërriste bijtë e gruas së tij të pabesë; ai vazhdoi të ishte «Mësuesi i madh» i tyre.—Isaia 30:20, BR; 2. Kronikave 36:15.
8. Edhe pse Izraeli si komb u hodh tej nga Jehovai, cilën grua figurative antitipike ka ende ai?
8 Kur Izraeli hodhi tej dhe vrau Birin e Tij, Jezu Krishtin, Perëndia e flaku përfundimisht Izraelin. Prandaj, kombi hebre nuk ishte më gruaja e tij figurative, as ai nuk ishte më Ati dhe Mësuesi i bijve të saj të pabindur. (Mateu 23:37, 38) Megjithatë, Izraeli ishte vetëm një grua tipike apo simbolike. Apostulli Pavël citoi Isainë 54:1, i cili flet për një «shterpë» që është e ndryshme dhe dallon nga ‘gruaja e martuar’, kombi natyral i Izraelit. Pavli zbulon se të krishterët e mirosur janë fëmijët e «shterpës», të cilën ai e quajti «Jeruzalemi nga lart». Kjo grua figurative antitipike është organizata qiellore e Perëndisë, e përbërë nga krijesa frymore.—Galatasve 4:26, 27.
9. (a) Kujt iu referua Jezui, kur foli për ‘bijtë e tu të mësuar nga Jehovai’? (b) Në bazë të çfarë gjëje, njerëzit bëhen bij frymorë të Perëndisë?
9 Prandaj, në sinagogën e Kaparnaumit, kur citoi profecinë e Isaisë, «të gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai», Jezui e kishte fjalën për ata që do të bëheshin «bij» të «Jeruzalemit nga lart», të organizatës qiellore të Perëndisë, ngjashëm një gruaje. Duke pranuar mësimet e përfaqësuesit të Perëndisë të ardhur nga qielli, Jezu Krishtit, ata dëgjues hebrenj mund të bëheshin fëmijë të gruas qiellore të Perëndisë, dikur shterpë, e të formonin «një komb të shenjtë», «Izraelin e Perëndisë» frymor. (1. Pjetrit 2:9, 10; Galatasve 6:16) Duke përshkruar rastin e madh që Jezui bëri të mundur për t’u bërë bij frymorë të Perëndisë, apostulli Gjon shkroi: «Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.»—Gjoni 1:11, 12.
Mësimet jetësore të Jehovait
10. Menjëherë pas rebelimit në Eden, çfarë mësimi dha Jehovai në lidhje me «farën» dhe cili provoi se ishte kjo «farë»?
10 Si një Atë i dashur, Jehovai ua bën të njohur bijve të tij qëllimin e vet. Prandaj, kur një engjëll rebel e nxiti çiftin e parë njerëzor në mosbindje, Jehovai menjëherë bëri të njohur se ç’do të bënte për të plotësuar qëllimin e tij, për ta kthyer tokën në parajsë. Ai tha se do të vendoste urrejtje midis «gjarprit të lashtë», i cili është Satana Djalli dhe «gruas». Më pas, ai shpjegoi se «fara» e gruas do t’i shtypte Satanait «kokën» për vdekje. (Zanafilla 3:1-6, 15; Zbulesa 12:9; 20:9, 10) Siç kemi vërejtur, gruaja, e identifikuar më vonë si «Jeruzalemi nga lart», është organizata qiellore e Perëndisë, e përbërë nga krijesa frymore. Por, kush është «fara» e saj? Është Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, ai që u dërgua nga qielli e që do të shkatërrojë më në fund Satanain.—Galatasve 4:4; Hebrenjve 2:14; 1. Gjonit 3:8.
11, 12. Si e përhapi Jehovai mësimin e tij themelor në lidhje me «farën»?
11 Jehovai e përhapi këtë mësim themelor në lidhje me «farën», kur i premtoi Abrahamit: «Do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit . . . dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës.» (Zanafilla 22:17, 18, DSF) Jehovai e përdori apostullin Pavël, për të shpjeguar se Jezu Krishti është Fara e Abrahamit, por që edhe të tjerë do të bëheshin pjesë e «farës». Pavli shkroi: «Në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja [fara, BR] e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.»—Galatasve 3:16, 29.
12 Jehovai zbuloi, gjithashtu, se Krishti, Fara, do të vinte nga linja mbretërore e Judës dhe atij «do t’i binden popujt». (Zanafilla 49:10) Në lidhje me mbretin David, nga fisi i Judës, Jehovai premtoi: «Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshëm dhe fronin e tij si ditët e qiejve. Pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje.» Psalmi 89:3, 4, 29, 36) Kur engjëlli Gabriel lajmëroi lindjen e Jezuit, shpjegoi se djali ishte Sundimtari i caktuar nga Perëndia, Fara e Davidit. «Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit,—tha Gabrieli,—dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; . . . dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.»—Luka 1:32, 33; Isaia 9:6, 7; Danieli 7:13, 14.
13. Si duhet të përgjigjemi ndaj mësimit të Jehovait, për të marrë bekimin e tij?
13 Për të marrë bekimet e Jehovait, ne duhet ta njohim e të veprojmë sipas këtij mësimi themelor mbi Mbretërinë e Perëndisë. Duhet të besojmë se Jezui zbriti poshtë nga qielli, se është Mbreti i caktuar nga Perëndia, Fara mbretërore që do të mbikëqyrë rivendosjen e Parajsës në tokë dhe se do të ringjallë të vdekurit. (Luka 23:42, 43; Gjoni 18:33-37) Në Kaparnaum, kur Jezui foli mbi ringjalljen e të vdekurve, për hebrenjtë duhej të ishte e qartë se ai thoshte të vërtetën. E pra, vetëm nja dy javë më parë, ndoshta po aty në Kaparnaum, ai kishte ringjallur të bijën 12-vjeçare të një kryetari të sinagogës! (Luka 8:49-56) Sigurisht, edhe ne kemi të gjitha arsyet për të besuar dhe vepruar në përputhje me mësimin shpresëdhënës të Jehovait, në lidhje me Mbretërinë e tij!
14, 15. (a) Sa e rëndësishme është Mbretëria e Jehovait për Jezuin? (b) Çfarë duhet të kuptojmë e të jemi në gjendje të shpjegojmë mbi Mbretërinë e Jehovait?
14 Jezui e dedikoi jetën e tij tokësore për të mësuar mbi Mbretërinë e Perëndisë. E bëri atë temën e shërbimit të tij e madje i mësoi ithtarët të luteshin për të. (Mateu 6:9, 10; Luka 4:43) Hebrenjtë natyralë kishin perspektivën për t’u bërë «bij të mbretërisë», por pasi u mungonte besimi, shumica e tyre nuk e arritën atë privilegj. (Mateu 8:12; 21:43) Jezui tregoi se vetëm një «tufë e vogël» ka privilegjin për t’u bërë «bij të mbretërisë». Këta «bij» bëhen «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin» në Mbretërinë e tij qiellore.—Luka 12:32; Mateu 13:38; Romakëve 8:14-17; Jakovit 2:5.
15 Sa bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë do të marrë Krishti në qiell, për të sunduar me të mbi tokën? Vetëm 144.000, sipas Biblës. (Gjoni 14:2, 3; 2. Timoteut 2:12; Zbulesa 5:10; 14:1-3; 20:4) Por Jezui tha se kishte «dele të tjera», të cilat do të ishin nënshtetas tokësorë të asaj Mbretërie. Ata do të gëzojnë shëndet të përsosur dhe paqe të përhershme në një tokë parajsore. (Gjoni 10:16; Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4) Duhet t’i kuptojmë e të jemi në gjendje t’i shpjegojmë mësimet e Jehovait mbi Mbretërinë.
16. Cilin mësim jetësor të Jehovait duhet të mësojmë e të vëmë në praktikë?
16 Apostulli Pavël zbuloi edhe një tjetër mësim themelor të Jehovait. Ai tha: «Ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njëri-tjetrin.» (1. Selanikasve 4:9) Për t’i pëlqyer Jehovait, duhet të tregojmë një dashuri të tillë. «Perëndia është dashuri», thotë Bibla dhe ne duhet të imitojmë shembullin e tij në shfaqjen e dashurisë. (1. Gjonit 4:8; Efesianëve 5:1, 2) Mjerisht, shumë njerëz nuk kanë mësuar aspak të duan të afërmit e tyre, siç na mëson Perëndia. Po ne? A i jemi përgjigjur këtij mësimi të Jehovait?
17. Qëndrimin e kujt duhet të imitojmë?
17 Është jetësore të tregohemi të kapshëm ndaj çdo mësimi të Jehovait. Le të jetë qëndrimi ynë, si ai i psalmistit që shkroi: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso.» «Më mëso rregullat e tua. Më mëso mirësinë, urtësinë dhe njohurinë vetë . . . Më mëso vendimet e tua gjyqësore.» (Psalmet 25:4, 5; 119:12, 66, 108, BR) Nëse ndjenjat e tua janë të njëjta me ato të psalmistit, edhe ti mund të jesh në mes të një shumicë të madhe, e cila mësohet nga Jehovai.
Shumica e madhe e njerëzve të mësuar
18. Sipas asaj që paratha profeti Isaia, çfarë duhet të ndodhë në kohën tonë?
18 Profeti Isaia paratha atë që do të ndodhte në kohën tonë: «Në ditët e fundit do të vijë që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve . . . Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij.’» (Isaia 2:2, 3; Mikea 4:2) Kush janë këta persona të mësuar nga Jehovai?
19. Cilët janë të përfshirë sot midis atyre që mësohen nga Jehovai?
19 Përveç atyre që do të sundojnë me Krishtin në qiell, janë të përfshirë edhe të tjerë. Siç është vërejtur edhe më parë, Jezui tha se kishte «dele të tjera», nënshtetas tokësorë të Mbretërisë, përveç ‘tufës së vogël’ të bashkëtrashëgimtarëve të Mbretërisë. (Gjoni 10:16; Luka 12:32) «Shumica e madhe», e cila mbijeton «mjerimin e madh», është klasa e deleve të tjera dhe gëzojnë një qëndrim të miratuar përpara Jehovait, në bazë të besimit që kanë në gjakun e derdhur të Jezuit. (Zbulesa 7:9, 14, BR) Edhe pse delet e tjera nuk janë të përfshira drejtpërdrejt midis «bijve», për të cilët flitet në Isainë 54:13, ata janë të bekuar, duke u mësuar nga Jehovai. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, ata i drejtohen Perëndisë si «Atë», sepse në të vërtetë ai do të jetë Gjyshi i tyre, nëpërmjet ‘Atit të përjetshëm’, Jezu Krishtit.—Mateu 6:9; Isaia 9:5.
Si mëson Jehovai?
20. Në ç’mënyra mëson Jehovai?
20 Jehovai mëson në shumë mënyra. Për shembull, e bën këtë nëpërmjet veprave të tij të krijimit, të cilat dëshmojnë ekzistencën e tij dhe mençurinë e tij të madhe. (Jobi 12:7-9; Psalmi 19:1, 2; Romakëve 1:20) Përveç kësaj, ai mëson me anë të komunikimit të drejtpërdrejtë, siç bëri kur mësoi Jezuin paranjerëzor. Në mënyrë të ngjashme, në tri raste të shënuara, ai u foli njerëzve mbi tokë direkt nga qielli.—Mateu 3:17; 17:5; Gjoni 12:28.
21. Cilin engjëll përdor kryesisht Jehovai si përfaqësues, por si e dimë se janë përdorur edhe të tjerë?
21 Jehovai përdor, gjithashtu, përfaqësues engjëllorë për të mësuar, duke përfshirë edhe Të parëlindurin e tij, «Fjalën». (Gjoni 1:1-3) Edhe pse në kopshtin e Edenit Jehovai mund të kishte folur drejtpërdrejt me birin e tij të përsosur njerëzor, Adamin, ka mundësi të ketë përdorur Jezuin paranjerëzor që të fliste në vend të Tij. (Zanafilla 2:16, 17) Ka mundësi që ky të ketë qenë «Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit» e në lidhje me të cilin Jehovai urdhëroi: «Bindju zërit të tij.» (Të Dalët 14:19; 23:20, 21) S’ka dyshim që Jezui paranjerëzor ishte edhe «kreu i ushtrisë së Zotit», i cili iu shfaq Josiut për ta forcuar. (Josiu 5:14, 15) Jehovai përdor edhe engjëj të tjerë për të mësuar, siç ishin ata që përdori për t’i transmetuar Ligjin e tij Moisiut.—Të Dalët 20:1; Galatasve 3:19; Hebrenjve 2:2, 3.
22. (a) Cilët përfaqësues njerëzorë ka përdorur Jehovai për të mësuar mbi tokë? (b) Cili është mjeti kryesor, me anë të të cilit Jehovai i mëson njerëzit sot?
22 Përveç këtyre, Perëndia Jehova përdor për të mësuar edhe përfaqësues njerëzorë. Në Izrael prindërit duhej të mësonin fëmijët e tyre; profetët, priftërinjtë, princat dhe levitët i mësonin kombit Ligjin e Jehovait. (Ligji i përtërirë 11:18-21; 1. Samuelit 12:20-25; 2. Kronikave 17:7-9) Jezui ishte Zëdhënësi kryesor i Perëndisë mbi tokë. (Hebrenjve 1:1, 2) Shpesh, Jezui tha se ato që ai mësonte, ishin saktësisht gjërat që kishte mësuar nga Ati, pra, faktikisht, dëgjuesit e tij mësoheshin nga Jehovai. (Gjoni 7:16; 8:28; 12:49; 14:9, 10) Jehovai i ka hedhur me shkrim thëniet e tij dhe në kohën tonë ai i mëson njerëzit kryesisht me anë të këtyre Shkrimeve të frymëzuara.—Romakëve 15:4; 2. Timoteut 3:16.
23. Cilat pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues?
23 Jemi duke jetuar në kohë të rëndësishme, pasi Shkrimet premtojnë se ‘në ditët e fundit [në të cilat po jetojmë ne] shumë njerëz do të mësohen mbi rrugët e Jehovait’. (Isaia 2:2, 3) Në ç’mënyrë sigurohet ky mësim? Ç’duhet të bëjmë që të përfitojmë prej tij, si edhe për të marrë pjesë në programin e madh të mësimit që Jehovai po bën të mundur tani? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Në ç’mënyrë Jehovai u bë Atë, Mësues dhe Burrë?
◻ Çfarë mëson Jehovai në lidhje me «farën»?
◻ Cilin mësim jetësor të Perëndisë duhet të ndjekim?
◻ Si mëson Jehovai?
[Figura në faqen 10]
Ringjallja e vajzës së Jairit siguroi bazën për të besuar në premtimin e Jezuit mbi ringjalljen