Të mësojmë të gjejmë gëzim në frikën ndaj Jehovait
«Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.»—PSALMI 34:11.
1. Si do të zhduket frika në Mbretërinë e Perëndisë dhe a do të vlejë kjo për të gjitha llojet e frikës?
NJERËZIT kudo digjen nga dëshira për t’u liruar nga frika: frikë nga krimi e dhuna, nga papunësia dhe nga sëmundjet e rënda. Ç’ditë madhështore do të jetë, kur kjo liri të bëhet realitet në Mbretërinë e Perëndisë! (Isaia 33:24; 65:21-23; Mikea 4:4) Megjithatë, edhe atëherë jo të gjitha llojet e frikës do të eliminohen dhe as nuk duhet të kërkojmë në këtë kohë që të zhduken nga jeta jonë të gjitha llojet e frikës. Ka frikë të mirë dhe të keqe.
2. (a) Cila frikë është e keqe dhe cila e dëshirueshme? (b) Çfarë është frika hyjnore dhe si e tregojnë atë shkrimet e cituara?
2 Frika mund të jetë një helm mendor që paralizon aftësinë e një personi për të arsyetuar. Ajo mund të dobësojë guximin dhe të shkatërrojë shpresën. Këtë lloj frike mund ta përjetojë ai që kërcënohet fizikisht nga një armik. (Jeremia 51:30) Mund ta përjetojë edhe ai që i jep tepër rëndësi miratimit nga disa persona me influencë. (Proverbat 29:25) Por ka edhe frikë të shëndetshme, ajo që na bën të përmbahemi nga kryerja e gjërave me nxitim, nga dëmtimi i vetvetes. Frika hyjnore përfshin edhe më shumë sesa kjo. Ajo është frika e Jehovait, një respekt i thellë për të, bashkë me frikën e shëndetshme se mos nuk i pëlqejmë atij. (Psalmi 89:7) Kjo frikë se mos nuk i pëlqejmë Perëndisë, buron nga çmueshmëria për mirësinë dhe dashamirësinë e pamerituar të tij. (Psalmi 5:7; Hozea 3:5) Ajo përfshin, gjithashtu, vetëdijen se Jehovai është Gjyqtari Suprem dhe i Plotfuqishëm, që ka fuqi të ndëshkojë edhe me vdekje ata që nuk pranojnë t’i binden.—Romakëve 14:10-12
3. Si ndryshon frika e Jehovait me frikën që të shtinin disa perëndi pagane?
3 Frika hyjnore është e shëndetshme dhe jo e sëmurë. Ajo e nxit një person të qëndrojë me vendosmëri në atë që është e drejtë e të mos kompromentohet duke bërë të keqen. Nuk është si frika që të kallte perëndia i lashtë grek, Fobos, i përshkruar si një perëndi kobzi që të shtinte tmerrin. Nuk është as si frika që të shtinte perëndesha hinduse, Kali, që nganjëherë përshkruhej si e etur për gjak, e stolisur me kufoma, gjarpërinj dhe kafka. Frika hyjnore të tërheq e nuk të ngjall neveri. Ajo është e lidhur ngushtë me dashurinë dhe çmueshmërinë. Prandaj, frika hyjnore na tërheq drejt Jehovait.—Ligji i përtërirë 10:12, 13; Psalmi 2:11.
Përse disa e kanë e disa jo
4. Siç tregoi apostulli Pavël, në ç’gjendje është raca njerëzore dhe për ç’arsye?
4 Njerëzimi në tërësi nuk karakterizohet nga cilësia e frikës hyjnore. Në Romakëve 3:9-18, apostulli Pavël përshkruan deri në ç’masë janë larguar njerëzit nga përsosmëria origjinale. Pasi deklaroi se të gjithë janë nën mëkat, Pavli citoi nga Psalmet, duke thënë: «Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.» (Shiko Psalmin 14:1.) Kështu, ai hyn në hollësi duke cituar gjëra të tilla, si moskërkimi i Perëndisë nga ana njerëzimit, mungesa e mirësisë, të folurit mashtrues e sharës dhe gjakderdhja. Ç’përshkrim i saktë i botës së sotme! Shumica e njerëzve nuk kanë interes për Perëndinë dhe qëllimet e tij. Ndonjë shfaqje e mirësisë shpesh rezervohet vetëm për ato raste, kur mund të përfitohet diçka. Gënjeshtrat dhe fjalët e ndyra janë bërë diçka normale. Gjakderdhja nuk paraqitet vetëm në lajme, por edhe në zbavitje. Si shpjegohet kjo situatë? Është e vërtetë se të gjithë ne jemi pasardhës të Adamit mëkatar, por kur njerëzit adoptojnë si mënyrë jetese gjërat e përshkruara nga apostulli Pavël, përfshihet diçka më shumë. Ro 3 Vargu 18 shpjegon se çfarë, duke thënë: «Nuk ka druajtje Perëndie para syve të tyre.»—Shiko Psalmin 36:1.
5. Përse disa njerëz kanë frikë Perëndie e disa jo?
5 Megjithatë, përse disa njerëz kanë frikë Perëndie e disa jo? Me pak fjalë, sepse disa njerëz e kultivojnë atë, kurse disa jo. Asnjëri prej nesh nuk ka lindur me frikë Perëndie, por secili ka aftësi ta kultivojë atë. Kjo frikë Perëndie është diçka që duhet ta mësojmë. Pastaj, që ajo të jetë një forcë e fuqishme nxitëse, duhet ta kultivojmë.
Një ftesë e përzemërt
6. Kush na e drejton ftesën në Psalmin 34:11 dhe si tregon ky tekst se frika hyjnore duhet mësuar?
6 Në Psalmin 34 na drejtohet një ftesë e përzemërt për të mësuar frikën ndaj Jehovait. Ky është një psalm i Davidit. Kë shëmbëlleu Davidi? Askënd tjetër përveç Zotërisë Jezu Krisht. Një profeci që apostulli Gjon ia aplikoi veçanërisht Jezuit është shkruar në vargun 20 të këtij psalmi. (Gjoni 19:36) Në ditët tona, Jezui është ai që na drejton një ftesë si ajo në vargun 11: «Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.» Këtu tregohet qartë se kjo frikë Perëndie është diçka që mund të mësohet dhe Jezu Krishti është veçanërisht i kualifikuar për të na e mësuar. Përse?
7. Përse Jezui është veçanërisht ai nga i cili mësojmë frikë Perëndie?
7 Jezu Krishti e njeh rëndësinë e frikës hyjnore. Lidhur me të, Hebrenjve 5:7 thotë: «Në ditët e mishit të tij [Krishti], me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.» Kjo frikë Perëndie ishte një cilësi që Jezu Krishti e shfaqi edhe para se të përballonte vdekjen në një shtyllë mundimesh. Sill ndër mend se në kapitullin 8 të Proverbave, Biri i Perëndisë është përshkruar si personifikimi i mençurisë. Ndërsa në Proverbat 9:10, na thuhet: «Frika e Jehovait është fillimi i mençurisë.» (BR) Prandaj, kjo frikë hyjnore ishte pjesa kryesore e personalitetit të Birit të Perëndisë kohë më parë se të vinte në tokë.
8. Çfarë mësojmë mbi frikën e Jehovait në Isainë 11:2, 3?
8 Përveç kësaj, lidhur me Jezuin si Mbret Mesianik, Isaia 11:2, 3 thotë: «Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë [mençurisë, BR] dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit. I dashuri i tij do të qëndrojë [do të gëzohet, BR] në frikën nga Zoti.» Sa bukur është shprehur! Frika e Jehovait nuk është një gjë e pakëndshme. Ajo është e dobishme dhe ndërtuese. Është një cilësi që do të përshkojë tërë hapësirën mbi të cilën Krishti sundon si Mbret. Ai tashmë sundon dhe po i ushtron në frikën e Jehovait të gjithë ata që janë mbledhur si nënshtetas të tij. Si?
9. Si po na e mëson Jezu Krishti frikën e Jehovait dhe çfarë dëshiron të na mësojë ai rreth saj?
9 Përmes mbledhjeve të kongregacionit, asambleve dhe kongreseve, Jezui si Kreu i caktuar i kongregacionit dhe si Mbret Mesianik na ndihmon të kuptojmë me qartësi se çfarë është kjo frikë Perëndie dhe përse është kaq e dobishme. Kështu, ai përpiqet të thellojë çmueshmërinë tonë për të, që të mësojmë të gjejmë gëzim në frikën e Jehovait ashtu si ai.
A do të bëni përpjekje?
10. Çfarë duhet të bëjmë kur frekuentojmë mbledhjet e kongregacionit, nëse duam të kuptojmë frikën e Jehovait?
10 Pa dyshim, thjesht leximi i Biblës ose pjesëmarrja në mbledhje nëpër Sallat e Mbretërisë nuk na garanton se do të kemi frikë Perëndie. Vëre se çfarë duhet të bëjmë nëse me të vërtetë dëshirojmë të kuptojmë frikën e Jehovait. Proverbat 2:1-5 thotë: «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë [mençurisë, BR] dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.» Prandaj, kur jemi në mbledhje, duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që thuhet, të bëjmë përpjekje të sinqerta për t’u përqendruar, për të kujtuar mendimet kyçe dhe për të menduar seriozisht se si duhet të ndikojnë mbi ndjenjat që kemi për Jehovain, mbi qëndrimin tonë ndaj këshillave që na jepen; po, të hapim zemrën. Atëherë do ta kuptojmë frikën e Jehovait.
11. Çfarë duhet të bëjmë vazhdimisht e me zjarr për të kultivuar frikë Perëndie?
11 Psalmi 86:11 na e tërheq vëmendjen tek lutja, një tjetër faktor i rëndësishëm. «Më mëso, o Jehova, rrugën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde.—u lut psalmisti.—Bashkoje zemrën time që t’i frikësohet emrit tënd.» (BR) Jehovai e miratoi atë lutje, sepse e ka regjistruar në Bibël. Për të kultivuar frikë Perëndie, edhe ne duhet t’i lutemi Jehovait për ndihmën e tij dhe do të përfitojmë duke u lutur me zjarr dhe vazhdimisht.—Luka 18:1-8.
Përfshihet zemra
12. Përse duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë zemrës dhe çfarë përfshin kjo?
12 Ka edhe diçka tjetër që duhet vërejtur në Psalmin 86:11. Psalmisti nuk po kërkonte që thjesht ta kuptonte këtë frikë Perëndie vetëm në mendje. Ai përmendi zemrën. Kultivimi i kësaj frike Perëndie përfshin zemrën figurative, e cila kërkon vëmendje të veçantë, sepse është personi i brendshëm, që shfaqet në të gjitha aktivitetet e jetës dhe përfshin të gjitha mendimet, qëndrimet, dëshirat, motivet dhe synimet tona.
13. (a) Ç’gjë mund të tregojë se zemra e një personi është e ndarë? (b) Cilin synim duhet të përpiqemi të arrijmë, ndërsa kultivojmë frikë Perëndie?
13 Bibla na paralajmëron se zemra e një personi mund të ndahet. Ajo mund të jetë mashtruese. (Psalmi 12:2; Jeremia 17:9) Mund të na nxisë për të marrë pjesë në aktivitete të shëndetshme, si p.sh. në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbimin në fushë, por mund të gëzojë disa aspekte të jetës së botës. Kjo mund të na pengojë të përkrahim me gjithë shpirt interesat e Mbretërisë. Atëherë zemra mashtruese mund të përpiqet të na mbushë mendjen se fundja-fundit po bëjmë atë që bëjnë shumë të tjerë. Ndoshta në shkollë ose në vendin e punës në botë, zemra mund të ndikohet nga frika ndaj njeriut. Si rezultat, në ato mjedise mund të ngurrojmë ta identifikojmë veten si Dëshmitarë të Jehovait. Madje mund të bëjmë gjëra të papërshtatshme për një të krishterë e pastaj të na brejë ndërgjegjja. Nuk duam të jemi kështu. Prandaj, bashkë me psalmistin i lutemi Jehovait: Njësoje zemrën time t’i frikësohet emrit tënd.» (BR) Duam që i gjithë personi i brendshëm, që shfaqet në të gjitha aktivitetet tona të jetës të dëshmojë se ‘kemi frikë nga Perëndia dhe respektojmë urdhërimet e tij’.—Eklisiastiu 12:13.
14, 15. (a) Çfarë i premtoi Jehovai popullit të tij kur paratha ripërtëritjen e Izraelit nga robëria babilonase? (b) Çfarë bëri Jehovai për të rrënjosur frikën e Perëndisë në zemrën e popullit të tij? (c) Përse Izraeli u largua nga rrugët e Jehovait?
14 Jehovai premtoi se do t’ia jepte këtë zemër me frikë Perëndie popullit të tij. Ai paratha përtëritjen e Izraelit dhe siç lexojmë në Jereminë 32:37-39 ai tha: «Do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt. Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre. Do t’u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.» Në vargun 40, premtimi i Perëndisë përforcohet: «Do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.» Në vitin 537 p.e.s. , siç kishte premtuar, Jehovai vërtet i ktheu ata në Jeruzalem. Por, ç’mund të thuhet për pjesën tjetër të premtimit se ai do t’u jepte atyre ‘një zemër që të kishin frikë nga ai përjetë’? Përse kombi i lashtë i Izraelit u largua nga Jehovai, pasi ai i liroi nga Babilonia dhe si pasojë tempulli i tyre u shkatërrua në vitin 70 të e.s. për të mos u rindërtuar më kurrë?
15 Nuk erdhi si shkak i ndonjë dështimi nga ana e Jehovait. Në fakt, Jehovai i bëri hapat që duheshin për të futur në zemrën e popullit të tij frikën e Perëndisë. Me mëshirën që tregoi kur e liroi atë nga Babilonia dhe e vendosi përsëri në vendlindjen e tij, i dha atij çdo arsye për të ushqyer nderim të thellë për të. Perëndia e përforcoi gjithë këtë me kujtesa, këshilla dhe qortime përmes profetit Hageu, Zaharia dhe Malakia; përmes Ezdrës, i cili u dërgua tek ata si mësues; përmes sundimtarit Nehemia dhe vetë Birit të Perëndisë. Nganjëherë populli dëgjonte dhe bindej. Bëri kështu kur rindërtoi tempullin e Jehovait sipas nxitjes së Hageut e Zaharisë dhe kur përzuri gratë e huaja në ditët e Ezdrës. (Ezdra 5:1, 2; 10:1-4) Por, në të shumtën e rasteve nuk u bindën. Ata nuk ishin të qëndrueshëm për t’i kushtuar vëmendje, nuk vazhduan të pranonin këshillat, nuk i mbajtën zemrat të hapura. Izraelitët nuk kultivuan frikë Perëndie dhe si pasojë nuk e patën këtë forcë të fuqishme nxitëse në jetën e tyre.—Malakia 1:6; Mateu 15:7, 8.
16. Në zemrat e kujt ka rrënjosur Jehovai frikë Perëndie?
16 Megjithatë, premtimi i Jehovait për të futur frikë Perëndie në zemrat e popullit të tij, nuk dështoi. Ai bëri një besëlidhje të re me Izraelin frymor, të krishterët të cilëve u ofroi një shpresë qiellore. (Jeremia 31:33; Galatasve 6:16) Në 1919-ën, Perëndia i ktheu ata nga robëria e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Ai rrënjosi thellë në zemrat e tyre frikën ndaj tij. Kjo gjë i solli një dobi të madhe atyre dhe pjesëtarëve të «shumicës së madhe», të cilët kanë shpresë për të jetuar si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë. (Jeremia 32:39; Zbulesa 7:9) Frika e Jehovait është futur edhe në zemrat e tyre.
Si rrënjoset kjo frikë Perëndie në zemrat tona
17. Në ç’mënyrë e ka vënë Jehovai këtë frikë Perëndie në zemrën tonë?
17 Si e ka rrënjosur Jehovai këtë frikë Perëndie në zemrat tona? Përmes veprimit të frymës së tij. Çfarë na është vënë në dispozicion përmes frymës së shenjtë? Bibla, Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (2. Timoteut 3:16, 17) Me atë që ai ka bërë në të kaluarën, me atë që po bën tani me shërbëtorët e tij në plotësim të Fjalës së tij profetike dhe me profecitë e gjërave që duhet të vijnë, Jehovai siguron për të gjithë ne një bazë të fortë për të zhvilluar frikë Perëndie.—Josiu 24:2-15; Hebrenjve 10:30, 31.
18, 19. Si na ndihmojnë për të fituar frikë Perëndie kongreset, asambletë dhe mbledhjet e kongregacionit?
18 Ia vlen të vërejmë se siç është shkruar në Ligjin e përtërirë 4:10, Jehovai i tha Moisiut: «Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t’ua mësojnë bijve të tyre.» Ngjashëm, sot Jehovai ka vënë në dispozicion sigurime të bollshme për ta ndihmuar popullin e tij të mësojë t’i frikësohet atij. Nëpër kongrese, asamble dhe mbledhje kongregacioni, ne kujtojmë dëshminë e dashamirësisë së pamerituar dhe mirësisë së Jehovait. E kemi bërë, për shembull, duke studiuar librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë. Si ka ndikuar ky studim tek ti dhe tek qëndrimi yt kundrejt Jehovait? Duke parë aspekte të ndryshme të personalitetit të mrekullueshëm të Atit tonë qiellor që pasqyrohet në Birin e tij, a nuk të forcohet dëshira që t’i pëlqesh Perëndisë?—Kolosianëve 1:15.
19 Në mbledhje studiojmë edhe se si Jehovai e ka liruar popullin e tij në të kaluarën. (2. Samuelit 7:23) Kur studiojmë botimet e ndryshme të Shoqatës, mësojmë mbi vizionet profetike që tashmë janë plotësuar në këtë shekull të 20-të dhe për ngjarjet e tmerrshme që akoma do të ndodhin. Për gjithë këto vepra të Perëndisë, Psalmi 66:5 thotë: «Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat e tij për bijtë e njerëzve.» Po, në këndvështrimin e drejtë, këto vepra të Perëndisë rrënjosin në zemrën tonë frikën e Jehovait, një respekt të thellë. Kështu mund të shohim se si Perëndia Jehova e plotëson premtimin e tij: «Do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.»—Jeremia 32:40.
20. Çfarë kërkohet nga ana jonë, në mënyrë që frika hyjnore të rrënjoset thellë në zemrat tona?
20 Megjithatë, është e dukshme se kjo frikë Perëndie nuk na vjen në zemër pa përpjekje nga ana jonë. Rezultatet nuk vijnë automatikisht. Jehovai bën pjesën e tij, kurse ne duhet të bëjmë tonën, duke kultivuar frikë Perëndie. (Ligji i përtërirë 5:29) Izraeli i vërtetë nuk e bëri këtë. Duke u mbështetur tek Jehovai, izraelitët frymorë dhe shokët e tyre qysh tani po përjetojnë dobitë e shumta që janë ruajtur për ata që i frikësohen Perëndisë. Disa nga këto dobi do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë është frika hyjnore?
◻ Si na mësohet që të gjejmë gëzim në frikën e Jehovait?
◻ Çfarë përpjekjesh kërkohen nga ana jonë për të pasur frikë Perëndie?
◻ Përse fitimi i frikës hyjnore përfshin të gjitha aspektet e zemrës sonë figurative?
[Figurat në faqet 12, 13]
Për të kuptuar frikën e Jehovait, nevojitet një studim i kujdesshëm