«Faturë» që përputhet me Biblën
◼ Një pllakë argjile 5,5 centimetra e gjerë u zbulua në vitet 70 të shekullit të 19-të pranë Bagdatit të sotëm, Irak. Më 2007-n, Mihael Jursa, profesor në Universitetin e Vjenës, Austri, e ndeshi këtë pllakë teksa merrej me kërkime në Muzeun Britanik. Jursa vuri re emrin e Nebo-Sarsekimit (në gjuhën babilonase Nabu-Sharusu-Ukini), një zyrtari babilonas që përmendet në Bibël te Jeremia 39:3.a
Nebo-Sarsekimi ishte një nga komandantët e mbretit Nabukodonosor kur u shkatërrua Jerusalemi në vitin 607 p.e.s. dhe, sipas pllakës, ai ishte «kryeeunuku». Vlen të përmendet se në çfarëdo periudhe, titullin kryeeunuk e mbante vetëm një njeri, dhe kjo është provë e fortë se Sarsekimi për të cilin bëhet fjalë është po ai që përmendet në Bibël.
Në pllakë flitet për një sasi ari që Nebo-Sarsekimi dorëzoi në tempullin e Mardukut ose Merodakut, perëndia kryesor i Babilonisë, emri i të cilit përmendet gjithashtu në Bibël. (Jeremia 50:2) Kjo «faturë» mban datën 18 të muajit të 11-të, në vitin e 10-të të mbretërimit të Nabukodonosorit. Megjithatë, ari nuk ka lidhje me plaçkitjen e Jerusalemit, që ndodhi vite më vonë. (2 Mbretërve 25:8-10, 13-15) Sidoqoftë, profesor Jursa tha se «një zbulim si kjo pllakë, ku shohim se një njeri i përmendur në Bibël i bën një pagesë rutinë tempullit të Babilonisë dhe ku përmendet data e saktë, është i jashtëzakonshëm». Sipas gazetës britanike Telegraph, kjo pllakë, që mbahet si një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeologjisë biblike moderne, «mbështet pikëpamjen se librat historikë të Testamentit të Vjetër bazohen në fakte».
Gjithsesi, vërtetësia e Biblës nuk varet nga arkeologjia. Prova shumë më të forta gjenden në vetë faqet e saj, sidomos te profecitë. (2 Pjetrit 1:21) Për shembull, mbi 100 vjet para se të ndodhte, Perëndia Jehova paratha nëpërmjet profetit Isaia se të gjitha thesaret e Jerusalemit ‘do të çoheshin në Babiloni’. (Isaia 39:6, 7) Po kështu, me anë të profetit Jeremia, Perëndia paratha: «Unë do t’i jap në dorë të armiqve të tyre të gjitha gjërat e grumbulluara të këtij qyteti [Jerusalemit]. . . . Ata do t’i plaçkitin dhe do t’i çojnë në Babiloni.»—Jeremia 20:4, 5.
Nebo-Sarsekimi ishte një nga ata armiq, dhe prandaj e pa me sytë e tij plotësimin e profecisë biblike. Ç’është e vërteta, e dinte apo nuk e dinte Sarsekimi, ai faktikisht mori pjesë në përmbushjen e kësaj profecie.
[Shënimi]
a Te Jeremia 39:3 në Përkthimin Bota e Re që ka ndjekur shenjat e pikësimit të tekstit masoretik hebraik, thuhet: «Samgar-Neboja, Sarsekimi, rabsari». Por teksti hebraik vetëm me bashkëtingëllore mund të përkthehet «Samgar, Nebo-Sarsekim rabsari [kreu i zyrtarëve të oborrit ose kryeeunuku]», që përputhet me pllakën me shkrim kuneiform.
[Burimi i figurës në faqen 11]
Të gjitha të drejtat të rezervuara për The Trustees of the British Museum