Kapitulli nëntë
‘Mos kërko gjëra të mëdha për veten’
1, 2. (a) Ç’problem hasi Baruku vitin e katërt të mbretit Jehojakim? (b) Si e ndihmoi Jehovai Barukun?
ISHTE viti i katërt i mbretërimit të Jehojakimit të lig ose rreth vitit 625 p.e.s. Baruku, sekretari besnik i Jeremisë, ishte i lodhur. Jeremia i tha të shkruante në një rrotull të gjitha fjalët që Jehovai kishte thënë nëpërmjet profetit për Jerusalemin dhe Judën, që kur e filloi shërbimin para 23 vjetësh e deri atë ditë. (Jer. 25:1-3; 36:1, 2) Baruku nuk ua lexoi menjëherë judenjve përmbajtjen e rrotullës. Këtë do ta bënte një vit më pas. (Jer. 36:9, 10) Por, mos vallë diçka po e shqetësonte?
2 «Mjerë unë,—ofshante Baruku,—sepse Jehovai i ka shtuar hidhërim dhembjes sime! Jam lodhur nga psherëtimat e mia.» Ndoshta edhe ty të ka ndodhur të lodhesh e të shprehësh fjalë të tilla me zë ose me vete. Sido që t’i ketë shprehur Baruku, Jehovai po e dëgjonte. Ai që shqyrton zemrën e njeriut, e dinte çfarë e shkaktonte gjendjen e trazuar të Barukut dhe, nëpërmjet Jeremisë, e ndreqi me dashamirësi. (Lexo Jereminë 45:1-5.) Por, ndoshta ti pyet veten pse ndihej kaq i lodhur Baruku. Mos ishte caktimi që kishte marrë ose ndoshta rrethanat në të cilat duhej ta kryente atë? Jo, problemi ishin ndjenjat që kishte në zemër. Çështja është se Baruku ‘po kërkonte gjëra të mëdha’. Ç’ishin ato? Për çfarë e siguroi Jehovai, po të pranonte këshillën dhe drejtimin e tij? Ç’mund të mësojmë nga përvoja e Barukut?
ÇFARË ISHIN ‘GJËRAT E MËDHA’?
3. Ku i kishte rrënjët problemi frymor i Barukut?
3 Baruku duhet ta ketë ditur ç’ishin ato «gjëra të mëdha». Ai e kuptonte se Perëndia «i mban sytë tek udhët e njeriut, dhe sheh tërë hapat e tij». (Jobi 34:21) Arsyeja pse Baruku mendonte se nuk kishte «vend prehjeje» ndërsa hidhte me shkrim thëniet profetike të Jeremisë, nuk ishte vetë caktimi, por ajo çka kishte në zemër, pra pikëpamja e tij për atë që dukej e madhe. Duke kërkuar me ngulm «gjëra të mëdha» për veten, Baruku humbi nga sytë gjërat më të rëndësishme, që kishin të bënin me vullnetin e Perëndisë. (Filip. 1:10) Forma foljore e përdorur në tekstin origjinal hebraik për «kërko», tregon se ky nuk ishte një mendim kalimtar, i çastit. Baruku tashmë po kërkonte «gjëra të mëdha» kur Jehovai e paralajmëroi të mos e bënte më. Edhe pse ky sekretar besnik i Jeremisë merrte pjesë në kryerjen e vullnetit të Perëndisë, në të njëjtën kohë dëshironte me zjarr «gjëra të mëdha» për veten.
4, 5. Pse ‘gjërat e mëdha’ që kërkonte Baruku mund të kenë qenë fama e prestigji, dhe përse ishte me vend paralajmërimi i Jehovait?
4 Ndoshta ajo që e merakoste Barukun kishte të bënte me famën e prestigjin. Ndonëse shërbente si sekretar i Jeremisë, Baruku mund të mos ketë qenë thjesht sekretari i tij personal. Nga Jeremia 36:32 kuptojmë se ai mbante një post zyrtar, postin e sekretarit. Dëshmitë arkeologjike lënë të kuptohet se kishte postin e një zyrtari të lartë mbretëror. Madje, i njëjti titull përdoret për ‘sekretarin Elisham’, që u përmend ndër princat e Judës. Kjo lë të kuptohet se edhe Baruku mund të shkonte në ‘dhomën e ngrënies së sekretarit’, në «shtëpinë e mbretit», duke qenë se kishte të njëjtin post si Elishami. (Jer. 36:11, 12, 14) Pra, Baruku duhet të ketë qenë një zyrtar i arsimuar në oborrin mbretëror. Vëllai i tij, Serajahu, ishte intendent i mbretit Zedekia dhe e shoqëroi mbretin në një mision të rëndësishëm në Babiloni. (Lexo Jereminë 51:59.) Si intendent, ka të ngjarë që Serajahu të ishte përgjegjës për furnizimet dhe strehimin e mbretit kur udhëtonte, vërtet një post i rangut të lartë.
5 Ti e kupton se një njeri që është mësuar me një pozitë të ngritur, mund të lodhet duke dokumentuar njërin pas tjetrit mesazhe denoncuese kundër Judës. Në fakt, ngaqë mbështeste profetin e Perëndisë, Baruku mund të ketë vënë në rrezik pozitën dhe karrierën e tij. Mendo pastaj për pasojat nëse Jehovai do ta shembte atë që kishte ndërtuar, siç lexojmë te Jeremia 45:4. ‘Gjërat e mëdha’ që kishte në mendje Baruku, qoftë kjo begatia materiale ose më shumë prestigj në oborrin mbretëror, do të shkonin kot. Nëse Baruku po kërkonte një pozitë të sigurt në sistemin judaik të asaj kohe, që ishte i dënuar të shkatërrohej, Perëndia kishte arsye t’ia frenonte këtë prirje.
6, 7. Nëse ‘gjërat e mëdha’ që kërkonte Baruku kishin të bënin me zotërimet materiale, me cilët shembuj të asaj kohe mund të lidhet qëndrimi i tij?
6 Nga ana tjetër, mbase ‘gjërat e mëdha’ që kërkonte Baruku, kishin të bënin me begatinë materiale. Kombet përreth Judës mbështeteshin shumë te zotërimet dhe pasuria. Moabi besonte te «veprat dhe thesaret» e tij. Edhe Amoni po ashtu. Veç kësaj, Jehovai me anë të Jeremisë e përshkroi Babiloninë si një vend me «thesare me bollëk». (Jer. 48:1, 7; 49:1, 4; 51:1, 13) Mirëpo, e vërteta është se Perëndia i dënoi ato kombe.
7 Pra, nëse Baruku po kërkonte zotërime e pasuri, mund ta kuptosh pse Jehovai e paralajmëroi që të mos e bënte. Kur Perëndia ‘të shtrinte dorën kundër’ judenjve, shtëpitë dhe arat e tyre do të binin në duart e armiqve. (Jer. 6:12; 20:5) Ta zëmë se je bashkëkohës i Barukut dhe jeton në Jerusalem. Shumica e banorëve të tjerë, ndër të cilët princat, priftërinjtë e madje edhe vetë mbreti, mendojnë se duhet të luftojnë kundër pushtuesve babilonas. Por, ti merr vesh mesazhin e Jeremisë: «Shërbejini mbretit të Babilonisë, dhe kështu do të jetoni.» (Jer. 27:12, 17) A do ta kishe më të lehtë t’i bindeshe këtij urdhri hyjnor po të kishe shumë zotërime në qytet? Ajo që ndieje për ato zotërime do të të shtynte t’ia vije veshin paralajmërimit të Jeremisë apo të ndiqje udhën e shumicës? Faktikisht, të gjitha gjërat me vlerë në Judë e Jerusalem, duke përfshirë edhe ato që ishin në tempull, u plaçkitën dhe u çuan në Babiloni. Pra s’do të kishte pasur asnjë vlerë të përpiqeshe të grumbulloje gjëra materiale. (Jer. 27:21, 22) A mund të mësojmë diçka nga kjo?
Si e ndreqi me dashamirësi Jehovai prirjen e Barukut për të kërkuar «gjëra të mëdha»? Pse mendon se është e mençur të pranosh ndreqjen nga Perëndia?
«DO TË TË JAP SI PLAÇKË SHPIRTIN TËND»
8, 9. Pse mendon se ishte domethënëse që Baruku mori si plaçkë shpirtin e tij?
8 Tani mendo për këtë: çfarë do të merrte Baruku po t’i bindej drejtimit të Perëndisë? E kishte të garantuar se do të merrte «si plaçkë» shpirtin e tij. (Lexo Jereminë 45:5.) Pak ishin ata që u kursyen nga shkatërrimi. Cilët ishin? Ata që iu bindën drejtimit të Perëndisë dhe dolën e iu dorëzuan kaldeasve. (Jer. 21:9; 38:2) Disa mund të pyesin: «Vetëm kaq morën për bindjen e tyre?»
9 Po mirë, mendo për gjendjen e Jerusalemit gjatë rrethimit babilonas. Jerusalemi u përcëllua dalëngadalë nga nxehtësia e atij rrethimi. Ndryshe nga ai, Sodoma ra sa hap e mbyll sytë. Në njëfarë kuptimi, mund të thuhet se shkatërrimi i Sodomës ishte më i lehtë për t’u përjetuar. (Vajt. 4:6) Baruku dokumentoi profecinë se banorët e Jerusalemit do të vdisnin nga shpata, nga zia e bukës ose nga murtaja. Pastaj duhet të ketë parë përmbushjen e profecisë. Rezervat ushqimore të Jerusalemit shteruan. Sa tronditëse të jetoje në një qytet ku nënat, që nga natyra janë ‘të dhembshura’, zienin dhe hanin fëmijët e tyre! (Vajt. 2:20; 4:10; Jer. 19:9) E megjithatë, Baruku mbijetoi. Pra, mes gjithë këtyre trazirave, jeta ishte vërtet një plaçkë, një shpërblim që u jepej fitimtarëve pas një beteje. Qartë, Baruku duhet ta ketë pranuar e zbatuar këshillën hyjnore për të mos kërkuar «gjëra të mëdha» dhe Jehovai e shpërbleu, siç e dëshmon fakti që mbijetoi.—Jer. 43:5-7.
A DO TË KËRKOSH «GJËRA TË MËDHA»?
10, 11. Si lidhet tregimi i Barukut me ditët tona dhe me ne personalisht?
10 Ndonëse ishte i zënë duke bërë vullnetin e Perëndisë, për njëfarë kohe Baruku luftoi me dëshirën për «gjëra të mëdha». Jehovai e paralajmëroi për rrezikun dhe ai shpëtoi nga shkatërrimi frymor e nga vdekja. A mund të na ndodhë edhe neve, ashtu si Barukut, që të na tundojnë ose edhe të na pushtojnë dëshirat që kemi thellë në zemër, ndonëse jemi aktivë në shërbim të Jehovait?
11 Për Barukun mund të ketë qenë vërtet tunduese të bënte një emër për vete. A e përfytyron tek pyeste veten: «A do ta mbaj dot vendin e punës si ‘sekretar’? A do të mund të arrij një pozitë edhe më të lartë?» Po në rastin tonë? Pyet veten: «A kam ‘ambicie’, mbase të fshehura mirë në zemër, që të bëj karrierë në botë tani ose në të ardhmen e afërt?» Disa të rinj të krishterë mund të mendojnë për pyetjen: «Mos ndoshta mundësia për të pasur prestigj e siguri financiare me anë të shkollimit më josh që të kërkoj ‘gjëra të mëdha’ për veten?»
12. Si kërkoi një vëlla gjëra të mëdha për Jehovain dhe çfarë mendon ti për zgjedhjen e tij?
12 Një vëllai që tani shërben në selinë botërore, i ofruan bursë universiteti kur ishte 15 vjeç. Mësuesit u zhgënjyen kur ai nuk e pranoi ofertën, por zgjodhi shërbimin si pionier. Gjithsesi, vëllai nuk e humbi dëshirën për të mësuar. U bë misionar në një ishull të largët. Atje iu desh të mësonte një gjuhë që e flitnin pak më shumë se 10.000 veta. Në atë gjuhë s’kishte fjalor, prandaj ai e përpiloi vetë një të tillë. Me kalimin e kohës e zotëroi gjuhën dhe e caktuan të përkthente disa nga botimet tona. Më vonë, fjalori që përpiloi, u përdor si bazë për fjalorin e parë në atë gjuhë. Një herë, para një auditori të madh në një kongres krahinor, ai tha: «Po ta kisha pranuar bursën e universitetit, çfarëdo arritje akademike do të kishte qenë për lavdinë time. Mirëpo, tani nuk kam asnjë kualifikim sipas botës. Prandaj nuk e marr unë meritën për atë që kam bërë. E gjithë merita i shkon Jehovait.» (Prov. 25:27) Çfarë mendon ti për zgjedhjen që bëri vëllai kur ishte 15 vjeç? Gjatë viteve, ai ka pasur shumë privilegje në popullin e Jehovait. Në rastin tënd, si dëshiron t’i përdorësh talentet që ke? Në vend që të kërkosh lavdinë tënde, a je i vendosur t’i përdorësh për të lëvduar Jehovain?
13. Pse disa prindër duhet të mendojnë thellë për sfidën që hasi Baruku?
13 Ka edhe një rrezik tjetër që lidhet me këtë: të kërkosh «gjëra të mëdha» për ata që do ose nëpërmjet atyre që do e te të cilët mund të ndikosh. Ndoshta i ke parë prindërit në botë që i manovrojnë gjërat me qëllim që fëmijët e tyre të arrijnë më shumë në jetë sesa ata ose të bëhen dikushi për të cilin mund të mburren. Mbase ke dëgjuar komente të tilla, si «nuk dua që ai (ose ajo) të robtohet si unë» ose «dua që fëmija im të shkojë në universitet për të pasur një jetë më të lehtë». Edhe prindërit e krishterë mund të kenë ndjenja të ngjashme. Natyrisht, dikush mund të thotë: «Po unë nuk po kërkoj gjëra të mëdha për veten.» Por, mos vallë po e bën këtë tërthorazi, domethënë nëpërmjet dikujt tjetër, djalit ose vajzës së vet? Siç mund të jetë tunduar Baruku të kërkonte famë nëpërmjet pozitës ose karrierës së vet, brenda vetes një prind mund ta kërkojë këtë me anë të arritjeve të fëmijëve të tij. Mirëpo, a nuk do ta kuptonte këtë «ai që shqyrton zemrat», siç e kuptoi te Baruku? (Prov. 17:3) A nuk duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na hetojë mendimet më të thella, siç bëri Davidi? (Lexo Psalmin 26:2; Jereminë 17:9, 10.) Jehovai mund të përdorë metoda të ndryshme, si ky trajtim i situatës së Barukut, për të na paralajmëruar sa e rrezikshme është të kërkojmë «gjëra të mëdha».
Në ç’mënyrë ndoshta po kërkonte «gjëra të mëdha» Baruku? Ç’mësim nxjerr ti nga kjo?
KURTHI I ‘GJËRAVE ME VLERË’
14, 15. Si mund të bëhen pasuritë «gjëra të mëdha» për ne?
14 Mendo sikur ‘gjërat e mëdha’ që kërkonte Baruku të ishin pasuritë. Siç u tha më parë, sikur Baruku të kishte qenë tepër i lidhur me zotërimet dhe pronat e tij në Judë, me siguri do ta kishte pasur të vështirë t’i bindej urdhrit hyjnor për t’iu dorëzuar kaldeasve. Ndoshta e ke parë se shpesh i pasuri mbështetet te «gjërat [e tij] me vlerë», por Bibla vërteton se mbrojtja që sigurojnë këto gjëra është vetëm «në imagjinatën e tij». (Prov. 18:11) Të gjithë shërbëtorët e Jehovait mund të nxjerrin dobi po t’i kujtojnë vetes pikëpamjen e ekuilibruar për gjërat materiale që shprehet në Fjalën e tij. (Lexo Proverbat 11:4.) E megjithatë, disa mund të arsyetojnë: «Pse të mos gëzojmë ca nga gjërat që ofron bota?»
15 Lidhja me zotërimet mund ta bëjë një të krishterë të dëshirojë gjërat që janë pjesë e një sistemi që po kalon. Nuk ndodhi kështu me Jereminë ose Barukun. Vite më vonë, Jezui dha një paralajmërim për njerëzit që do të jetonin në kohën ‘kur do të zbulohej Biri i njeriut’. Ai tha: «Kujtoni gruan e Lotit.» Po kaq me vlerë do të ishte t’i nxitnim të krishterët: «Kujtoni Jereminë dhe Barukun.» (Luka 17:30-33) Po të lidhemi tepër me gjërat materiale, mund ta kemi të vështirë të zbatojmë fjalët e Jezuit. Por, mos harro: Baruku e mori seriozisht paralajmërimin që i dha Perëndia dhe si rezultat mbeti gjallë.
16. Trego një situatë në të cilën shërbëtorët e Perëndisë i mbajtën në vendin e duhur gjërat materiale.
16 Shqyrto situatën e vëllezërve në Rumani gjatë regjimit komunist. Ndërsa mësynin shtëpitë e Dëshmitarëve, agjentët qeveritarë nganjëherë konfiskonin sende personale, sidomos gjëra që mund t’i shitnin. (Vajt. 5:2) Shumë vëllezër e motra nën atë regjim ishin gati të humbnin zotërimet e tyre. Disave iu desh t’i linin pas zotërimet dhe pronat kur i shpërngulën, e megjithatë mbajtën integritetin ndaj Jehovait. Nëse do të hasësh një sprovë të tillë, a do të lejosh që lidhja me gjërat materiale të të pengojë t’i qëndrosh besnik Perëndisë?—2 Tim. 3:11.
17. Si mund t’i kenë ndihmuar Jereminë dhe Barukun disa bashkëkohës?
17 Vlen të përmendet se Jeremia dhe Baruku patën mbështetjen e disa bashkëkohësve të tyre. Sofonia profetizoi gjatë mbretërimit të Josisë, kur Jeremia shërbente si profet. Ç’do të ketë menduar Jeremia për fjalët që gjejmë te Sofonia 1:18? (Lexoje.) A e përfytyroni Jereminë tek fliste me Barukun për këtë kuptueshmëri të frymëzuar? Një tjetër bashkëkohës i tyre ishte Ezekieli, të cilin e morën rob në Babiloni në vitin 617 p.e.s. Disa nga aktivitetet dhe mesazhet e tij lidheshin drejtpërdrejt me judenjtë që kishin mbetur në atdhe, kështu që me siguri Jeremia merrte vesh ç’thoshte e ç’bënte Ezekieli dhe anasjelltas. Këtu përfshihen fjalët e dokumentuara tek Ezekieli 7:19. (Lexoje.) Edhe ne mund të përfitojmë nga këto fjalë të frymëzuara, ashtu si Jeremia dhe Baruku. Njerëzit do t’u thërrasin perëndive të tyre që t’i shpëtojnë në ditën e Jehovait. Por, as perënditë, as pasuria e tyre, nuk do t’i shpëtojnë.—Jer. 2:28.
A DO TË MARRËSH ‘SI PLAÇKË SHPIRTIN TËND’?
18. Cilin ‘shpirt’ duam të marrim si plaçkë e si mund ta bëjmë këtë?
18 Duhet të kujtojmë se Jehovai ka premtuar të na japë si plaçkë «shpirtin» tonë. Edhe sikur disa shërbëtorë të tij të vdesin nga përndjekja që mund të ndodhë gjatë ‘shtrëngimit të madh’, kur brirët politikë të bishës të kthehen kundër fesë, ata besnikë nuk do të kenë humbur asgjë. ‘Shpirti’ i tyre me siguri do të jetojë sërish që të gëzojë «jetën e vërtetë» në botën e re. (Zbul. 7:14, 15; 1 Tim. 6:19) Megjithatë, mund të jemi të sigurt se shumica e shërbëtorëve të Perëndisë që tregohen besnikë në atë kohë, do të dalin gjallë nga shtrëngimi i madh. Të jesh i bindur se, kur Perëndia të sjellë gjëmën kundër kombeve, asnjë besnik nuk do të jetë ndër «të vrarët nga Jehovai».—Jer. 25:32, 33.
19. Si ta ka forcuar vendosmërinë që të mos kërkosh «gjëra të mëdha» për veten ky shqyrtim i shembujve të Jeremisë dhe Barukut?
19 Disa mund të zhgënjehen kur mendojnë se mund të marrin si plaçkë vetëm ‘shpirtin’ e tyre, por faktikisht nuk kanë pse të zhgënjehen. Kujto që ndërsa banorët e Jerusalemit po vdisnin nga uria, Jehovai e mbajti gjallë Jereminë. Si e bëri këtë? Mbreti Zedekia e futi në burg Jereminë tek Oborri i Rojës dhe «çdo ditë atij i sillnin një bukë të rrumbullakët nga rruga e bukëpjekësve, derisa në qytet mbaroi buka». (Jer. 37:21) Jeremia mbijetoi. Jehovai mund të përdorë çdo mjet që zgjedh, për ta mbështetur popullin e tij. Po ama është e sigurt se do ta mbështetë, pasi shpresa e tyre për jetën e përhershme është e garantuar. Baruku mbijetoi nga shkatërrimi i Jerusalemit ngaqë nuk kërkoi «gjëra të mëdha». Edhe ne mund të presim që të mbijetojmë në Harmagedon për t’i dhënë lavdi Jehovait me «shpirtin» tonë si një plaçkë që mund ta kemi pafundësisht.
Pse gjëja më logjike sot është të mos kërkojmë «gjëra të mëdha», por të shpresojmë të marrim si plaçkë «shpirtin» tonë?