Me «mendje të shëndoshë» ndërsa fundi afrohet
«Fundi i çdo gjëje është afruar. Prandaj, jini me mendje të shëndoshë.»—1. PJETRIT 4:7, BR.
1. Çfarë nënkupton të jesh me «mendje të shëndoshë»?
FJALËT e mësipërme të apostullit Pjetër duhet të kenë një ndikim të thellë mbi mënyrën e jetesës së të krishterëve. Megjithatë, Pjetri nuk u tha lexuesve të tij që të prapseshin para përgjegjësive dhe përkujdesjeve të përditshme të jetës; as nuk inkurajoi ndonjë ndjenjë histerie për shkak të shkatërrimit që kanosej. Përkundrazi, ai nxiti: «Jini me mendje të shëndoshë.» Të jemi «me mendje të shëndoshë» nënkupton të tregojmë gjykim të mirë, të jemi të ndjeshëm, të matur, racionalë në të folurin dhe në veprimet tona. Do të thotë të lejojmë që Fjala e Perëndisë të qeverisë mendimet dhe veprimet tona. (Romakëve 12:2) Meqë jetojmë «mes një brezi dredharak e të shtrembër», një mendje e shëndoshë është e nevojshme për të shmangur problemet dhe vështirësitë.—Filipianëve 2:15.
2. Si përfitojnë të krishterët e sotëm nga durimi i Jehovait?
2 «Mendja e shëndoshë» na ndihmon, gjithashtu, të kemi një pikëpamje serioze dhe realiste për veten. (Titit 2:12; Romakëve 12:3) Kjo është thelbësore, duke parë edhe fjalët e regjistruara në 2. Pjetrit 3:9: «Jehovai nuk është i ngadaltë në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësi disa njerëz, por ai është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që dikush të shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (BR) Vëre se Jehovai po tregohet i durueshëm jo vetëm me jobesimtarët, por edhe «me ju», anëtarë të kongregacionit të krishterë. Përse? Sepse «nuk dëshiron që dikush të shkatërrohet». Mbase disa ende kanë nevojë të bëjnë ndryshime dhe rregullime, në mënyrë që të kualifikohen për dhuratën e jetës së përhershme. Prandaj, le të shikojmë disa zona, ku mund të jetë i nevojshëm ndonjë rregullim.
«Mendje të shëndoshë» në marrëdhëniet tona personale
3. Cilat pyetje mund t’i bëjnë prindërit vetes, në lidhje me fëmijët e tyre?
3 Shtëpia duhet të jetë një liman paqeje. Por për disa ajo është «një shtëpi plot me . . . grindje». (Proverbat [Fjalët e urta] 17:1, BR) Si është familja jote? A është shtëpia jote pa «zemërim, të bërtitura dhe të folur abuziv»? (Efesianëve 4:31, BR) Po fëmijët e tu? A ndihen të dashur e të vlerësuar? (Krahaso Lukën 3:22.) A merr kohë për t’i mësuar dhe stërvitur ata? A i ‘disiplinon në drejtësi’, në vend se me egërsi dhe inat? (2. Timoteut 3:16) Pasi fëmijët janë «një trashëgimi nga Jehovai», ai është thellësisht i interesuar për mënyrën se si trajtohen ata.—Psalmi 127:3.
4. (a) Cili mund të jetë rezultati, nëse një burrë e trajton të shoqen në mënyrë të ashpër? (b) Si mund të nxisin gratë paqen me Perëndinë dhe lumturinë në gjithë familjen?
4 Ç’të themi për bashkëshortin apo bashkëshorten tonë? «Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do vetveten, pasi asnjë njeri nuk e urreu kurrë mishin e vet; por e ushqen dhe e çmon atë, sikurse bën edhe Krishti për kongregacionin.» (Efesianëve 5:28, 29) Një burrë që abuzon, që është sundues apo i paarsyeshëm, jo vetëm rrezikon qetësinë e shtëpisë së tij, por minon edhe marrëdhënien e tij me Perëndinë. (1. Pjetrit 3:7) Ç’të themi për gratë? Në mënyrë të ngjashme, edhe ato duhet «të jenë në nënshtrim ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë». (Efesianëve 5:22, BR) Duke menduar se si mund t’i pëlqejë Perëndisë, një grua mund të jetë e ndihmuar për të kaluar mbi mangësitë e të shoqit dhe të jetë e nënshtruar ndaj tij pa mbajtur inat. Disa herë, një grua mund të ndihet e detyruar të shprehë lirisht mendimin e saj. Proverbat 31:26 thonë për gruan e aftë: «Gojën e saj ajo e ka hapur në mençuri dhe ligji i dashamirësisë së dashur është mbi gjuhën e saj.» (BR) Duke e trajtuar të shoqin me mirësjellje dhe respekt, ajo mban paqen me Perëndinë dhe nxit lumturinë e gjithë familjes.—Proverbat 14:1.
5. Përse të rinjtë duhet të ndjekin këshillën e Biblës, në lidhje me trajtimin e prindërve të tyre?
5 Po ju të rinj, si silleni me prindërit tuaj? A përdorni një të folur sarkastik e pa respekt, të cilin bota shpesh e toleron? Apo i bindeni urdhrit të Biblës: «Fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve tuaj në bashkësi me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë: ‘Ndero atin tënd dhe nënën tënde’; i cili është urdhri i parë me një premtim: ‘Që të mund të të shkojë mirë dhe të mund të kalosh një jetë të gjatë mbi tokë.’»—Efesianëve 6:1-3.
6. Si mund të kërkojmë paqen me bashkadhuruesit?
6 Gjithashtu, «mendje të shëndoshë» tregojmë edhe kur «kërkojmë paqe dhe e ndjekim atë» me bashkadhuruesit tanë. (1. Pjetrit 3:11, BR) Mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet lindin herë pas here. (Jakovit 3:2) Nëse lejojmë që armiqësitë të acarohen, paqja e gjithë kongregacionit mund të vihet në rrezik. (Galatasve 5:15) Prandaj, zgjidhi debatet menjëherë; kërko zgjidhje paqësore.—Mateu 5:23-25; Efesianëve 4:26; Kolosianëve 3:13, 14.
‘Mendje e shëndoshë’ dhe përgjegjësitë familjare
7. (a) Si e inkurajoi Pavli shfaqjen e ‘mendjes së shëndoshë’ në gjërat e përditshme? (b) Çfarë qëndrimi duhet të kenë burrat dhe gratë e krishtere kundrejt përgjegjësive shtëpiake?
7 Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që ‘të jetonin me mendje të shëndoshë’. (Titit 2:12, BR) Është interesante që në kontekst Pavli i nxit gratë që «të duan burrat e tyre, të duan fëmijët e tyre, të jenë me mendje të shëndoshë, të dlira, punëtore në shtëpi». (Titit 2:4, 5, BR) Pavli e shkroi këtë në vitet 61-64 të e.s., pak vite para fundit të sistemit judaik të gjërave. Megjithatë, gjërat e përditshme, si punët e shtëpisë, ishin ende të rëndësishme. Për këtë arsye, si burrat dhe gratë duhet të mbajnë një pikëpamje të shëndetshme e pozitive për përgjegjësitë e tyre shtëpiake, në mënyrë që «fjala e Perëndisë të mos përflitet në mënyrë abuzuese». Një kryefamiljar i kërkoi të falur një vizitori për pamjen e turpshme të shtëpisë së tij. Ai shpjegoi se ajo gjendej e pandrequr, «ngaqë ai ishte pionier». Është e lavdërueshme që të bëjmë sakrifica në përkrahje të Mbretërisë, por duhet bërë kujdes që të mos sakrifikohet mirëqenia e familjeve tona.
8. Si mund të kujdesen kryefamiljarët për nevojat e familjes së tyre në mënyrë të ekuilibruar?
8 Bibla i nxit etërit që t’u japin familjeve përparësi, duke thënë se dikush që dështon të sigurojë për familjen e tij «ka çnderuar besimin dhe është më keq se një person pa besim». (1. Timoteut 5:8, BR) Normat e jetesës ndryshojnë nëpër botë dhe është mirë që synimet materiale të jenë modeste. «Mos më jep as varfëri, as pasuri»,—u lut shkrimtari i Proverbave 30:8. Megjithatë, prindërit nuk duhet t’i lënë pas dore nevojat materiale të fëmijëve të tyre. A do të ishte e mençur, për shembull, që me qëllim dikush ta linte familjen e vet pa gjërat e nevojshme bazë, në mënyrë që të arrinte privilegje teokratike? A nuk do t’i hidhëronte kjo fëmijët e tij? Nga ana tjetër, Proverbat 24:27 thotë: «Përgatit punën tënde jashtë dyerve dhe bëje gati për vete në fushë. Pas kësaj, duhet të ndërtosh edhe shtëpinë tënde.» (BR) Po, edhe pse shqetësimi për gjërat materiale ka vendin e vet, ‘ndërtimi i shtëpisë’, frymësisht dhe emocionalisht, është jetësor.
9. Përse është e mençur nga ana e kryefamiljarëve që ta shqyrtojnë mundësinë e vdekjes apo të sëmundjes?
9 A ke marrë masa që të kujdesesh për familjen tënde, në rast se ti vdes para kohe? Proverbat 13:22 thotë: «Një njeri që është mirë, do t’u lërë trashëgimi bijve të bijve.» Përveç trashëgimisë së njohurisë për Jehovain dhe të një marrëdhënieje me të, prindërit duhet të interesohen për t’u siguruar materialisht fëmijëve të tyre. Në shumë vende, kryefamiljarë të përgjegjshëm do të përpiqen të kenë disa kursime, një testament ligjor dhe një sigurim. Tekefundit, populli i Perëndisë nuk është i imunizuar nga «koha dhe ngjarja e paparashikuar». (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Paratë janë «një mbrojtje» dhe një planifikim i kujdesshëm shpesh mund të shmangë vështirësitë. (Eklisiastiu 7:12) Në ato vende, ku kujdesi mjekësor nuk paguhet nga qeveria, disa mund të vendosin të vënë disa fonde mënjanë për nevojat shëndetësore apo do të marrin masa për ndonjë lloj sigurimi për shëndetin.a
10. Në ç’mënyrë prindërit e krishterë mund «të grumbullojnë» për fëmijët e tyre?
10 Shkrimet thonë, gjithashtu: «Fëmijët nuk duhet të grumbullojnë para për prindërit e tyre, por prindërit për fëmijët e tyre.» (2. Korintasve 12:14) Në botë është e zakonshme që prindërit të grumbullojnë para për arsimimin dhe martesën e ardhshme të fëmijëve, në mënyrë që t’u japin atyre një fillim të mirë në jetë. A ke menduar të grumbullosh për të ardhmen frymore të fëmijëve të tu? Ta zëmë, për shembull, se një fëmijë i rritur po ndjek shërbimin e plotë kohor. Edhe pse shërbëtorët e plotë kohorë nuk duhet të kërkojnë dhe as të presin ndonjë mbështetje të jashtme, prindërit e dashur mund të zgjedhin që ‘të ndajnë me të sipas nevojave të tij’, në mënyrë që ta ndihmojnë për të qëndruar në shërbimin e plotë kohor.—Romakëve 12:13; 1. Samuelit 2:18, 19; Filipianëve 4:14-18.
11. A tregon mungesë besimi pasja e një pikëpamjeje realiste për paratë? Shpjego.
11 Pasja e një pikëpamjeje realiste për paratë nuk tregon ndonjë mungesë besimi se sistemi i lig i Satanait është afër fundit. Është thjesht një çështje e shfaqjes së «mençurisë praktike» dhe e gjykimit të shëndoshë. (Proverbat 2:7; 3:21, BR) Njëherë, Jezui tha se «bijtë e këtij sistemi gjërash janë më të mençur në mënyrë praktike . . . sesa janë bijtë e dritës» në përdorimin e parave. (Luka 16:8, BR) Nuk habitemi, pra, që disa kanë pasur nevojë të bëjnë rregullime në mënyrën se si i përdorin të ardhurat, në mënyrë që të mund të kujdesen më mirë për nevojat e familjeve të tyre.
«Mendje të shëndoshë» në pikëpamjen tonë mbi arsimimin
12. Si i mësoi Jezui dishepujt e tij që të përshtateshin me rrethanat e reja?
12 «Skena e kësaj bote po ndryshon», ndërkohë që po ndodhin ndryshime të gjera ekonomike dhe zhvillime teknologjike. (1. Korintasve 7:31, BR) Megjithatë, Jezui i mësoi dishepujt e tij që të ishin elastikë. Kur i dërgoi ata në fushatën e parë të predikimit, ai u tha: «Mos siguroni as ar, as argjend, as bakër për qeset e brezave tuaj, as trasta ushqimi për rrugën, as dy palë petka, as sandale apo shkop; sepse punëtori e meriton ushqimin e tij.» (Mateu 10:9, 10, BR) Por në një rast më vonë, Jezui tha: «Secili që ka një qese, le ta marrë, po kështu edhe një trastë ushqimi.» (Luka 22:36, BR) Çfarë kishte ndryshuar? Rrethanat. Ambienti fetar ishte bërë më armiqësor e tani atyre u duhej të merrnin masa për veten.
13. Cili është qëllimi kryesor i arsimimit dhe si mund t’i mbështetin prindërit fëmijët e tyre në këtë drejtim?
13 Ngjashëm edhe sot, prindërit mund të kenë nevojë të mbajnë parasysh realitetin e sotëm ekonomik. Për shembull, a po merr masa që fëmijët e tu të marrin një shkollim të mjaftueshëm? Qëllimi kryesor i arsimimit duhet të jetë pajisja e të rinjve për t’u bërë shërbëtorë frytdhënës të Jehovait. Ndërsa arsimimi më i rëndësishëm nga të gjithë është arsimimi frymor. (Isaia 54:13) Gjithashtu, prindërit merakosen edhe për aftësinë e fëmijëve të tyre për të mbajtur veten financiarisht. Prandaj, drejtoji fëmijët e tu, ndihmoji të zgjedhin një shkollë të përshtatshme dhe bisedo me ta nëse është e mençur apo jo të ndiqet ndonjë arsimim tjetër shtesë. Vendime të tilla janë një përgjegjësi e familjes dhe të tjerët nuk duhet ta kritikojnë rrugën e ndjekur. (Proverbat 22:6) Ç’të themi për ata që kanë zgjedhur t’i arsimojnë fëmijët në shtëpi?b Edhe pse disa kanë bërë një punë të lavdërueshme, disa kanë parë se kjo punë ka qenë më e vështirë nga sa e kishin menduar, ndërsa fëmijët e tyre kanë vuajtur. Prandaj, nëse je duke menduar për një arsimim në shtëpi, sigurohu që të llogaritësh harxhet, duke vlerësuar në mënyrë realiste nëse ke aftësitë dhe vetëdisiplinën e nevojshme për t’ia dalë mbanë.—Luka 14:28.
‘Mos kërkoni gjëra të mëdha’
14, 15. (a) Si e humbi Baruku drejtpeshimin e tij frymor? (b) Përse ishte e pamendë nga ana e tij, ‘të kërkonte gjëra të mëdha’?
14 Meqë fundi i këtij sistemi nuk ka ardhur ende, disa mund të kenë prirje të kërkojnë ato që ofron bota: karrierë me prestigj, punë me të ardhura të mëdha dhe pasuri. Le të shqyrtojmë sekretarin e Jeremisë, Barukun. Ai ankohej: «Vaj medet për mua, sepse Jehovai i ka shtuar pikëllim dhimbjes sime! Jam lodhur për shkak të psherëtimave të mia dhe s’kam gjetur asnjë vend ku të prehem.» (Jeremia 45:3, BR) Baruku ishte lodhur. Shërbimi si sekretar i Jeremisë ishte një punë e vështirë dhe plot stres. (Jeremia 36:14-26) Dhe dukej se stresi s’do të kishte fund. Mund të jenë dashur edhe 18 vjet deri në shkatërrimin e Jerusalemit.
15 Jehovai i tha Barukut: «Ja, atë që kam ndërtuar do ta shkatërroj dhe atë që kam mbjellë do ta shkul nga rrënjët, edhe vetë tokën mbarë. Por sa për ty, ti vazhdon të kërkosh gjëra të mëdha për vete. Mos vazhdo të kërkosh.» Baruku e kishte humbur drejtpeshimin. Ai kishte filluar ‘të kërkonte gjëra të mëdha për vete’, mbase pasuri, pozitë apo siguri materiale. Pasi Jehovai ‘do të shkulte nga rrënjët edhe vetë tokën mbarë’, a kishte kuptim të kërkoje gjëra të tilla? Prandaj, Jehovai i dha Barukut këtë përkujtues që të sjell në vete: «Sepse, ja tek jam, duke sjellë një katastrofë mbi çdo mish . . . dhe unë do të të jap shpirtin tënd si një plaçkë në të gjitha vendet ku mund të shkosh.» Zotërimet materiale nuk do të mbijetonin gjatë shkatërrimit të Jerusalemit! Jehovai garantoi vetëm shpëtimin e «shpirtit [të tij] si një plaçkë».—Jeremia 45:4, 5, BR.
16. Çfarë mësimi mund të nxjerrë sot populli i Jehovait nga përvoja e Barukut?
16 Baruku e dëgjoi korrigjimin e Jehovait dhe ashtu si premtoi Jehovai, jeta e Barukut u shpëtua. (Jeremia 43:6, 7) Sa mësim i fuqishëm për popullin e Jehovait sot! Kjo nuk është koha për ‘të kërkuar gjëra të mëdha për vete’. Përse? Sepse «bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj».—1. Gjonit 2:17, BR.
Përdorimi më i mirë i kohës së mbetur
17, 18. (a) Si reagoi Jonai, kur ninevitët u penduan? (b) Çfarë mësimi i dha Jehovai Jonait?
17 Si mund ta përdorim, pra, sa më mirë kohën e mbetur? Le të mësojmë nga përvoja e profetit Jonai. Ai «shkoi në Ninevi . . . dhe vazhdoi të shpallte e të thoshte: ‘Edhe vetëm dyzet ditë dhe Ninevia do të shkatërrohet’». Për habinë e Jonait, ninevitët iu përgjigjën mesazhit të tij dhe u penduan! Jehovai u përmbajt dhe nuk e shkatërroi qytetin. Si reagoi Jonai? «O Jehova, hiqma, të lutem, shpirtin tim prej meje, sepse vdekja më është më e mirë se të jem në jetë.»—Jonai 3:3, 4; 4:3, BR.
18 Atëherë, Jehovai i dha një mësim të rëndësishëm Jonait. Ai «vendosi një bimë kungullujësi, e cila duhej të rritej mbi Jonain, në mënyrë që të bënte hije mbi kokën e tij . . . Dhe Jonai nisi të gëzohej me të madhe për bimën e kungullujësit». Por gëzimi i Jonait ishte jetëshkurtër, sepse bima u tha shpejt. Joani «u nxeh me zemërim», për shkak të shqetësimit të tij. Atëherë, Jehovai theksoi pikën e vet, duke thënë: «Ty, nga ana jote, të erdhi keq për bimën e kungullujësit . . . A nuk duhet të më vijë keq mua për Ninevinë, qytetin e madh, në të cilin ekzistojnë më shumë se njëqind e njëzetë mijë njerëz, të cilët nuk dinë fare të bëjnë dallimin mes dorës së tyre të djathtë e të majtë, pa përmendur shumë kafshë shtëpiake?»—Jonai 4:6, 7, 9-11, BR.
19. Cilën mënyrë egocentrike të menduari duhet të shmangim?
19 Sa egocentrik ishte arsyetimi i Jonait! Atij mund t’i ketë ardhur keq për një bimë, por nuk ndjeu as pikën më të vogël të dhembshurisë për njerëzit e Ninevisë, njerëz që, duke folur nga pikëpamja frymore, ‘nuk dinin të bënin dallimin mes dorës së tyre të djathtë e të majtë’. Në mënyrë të ngjashme, edhe ne mund të dëshirojmë me zjarr shkatërrimin e kësaj bote të ligë, madje me të drejtë! (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 1:8) Megjithatë, ndërkohë që presim, kemi përgjegjësinë të ndihmojmë njerëzit me zemër të ndershme, të cilët, nga pikëpamja frymore, nuk ‘dinë të dallojnë dorën e tyre të djathtë nga e majta’. (Mateu 9:36; Romakëve 10:13-15) A do ta përdorësh kohën e shkurtër që ka mbetur, për të ndihmuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur që të fitojnë njohurinë e çmuar të Jehovait? Cila punë tjetër mund të barazohet me gëzimin që ndien, kur ke ndihmuar dikë që të fitojë jetën e përhershme?
Vazhdoni të jetoni «me mendje të shëndoshë»
20, 21. (a) Cilat janë disa nga mënyrat, në të cilat mund të tregojmë «mendje të shëndoshë» gjatë ditëve që na presin? (b) Çfarë bekimesh do të vijnë, nga të jetuarit me «mendje të shëndoshë»?
20 Ndërsa sistemi i Satanait vazhdon rënien e tij teposhtë drejt shkatërrimit, është e sigurt se ne do të përballojmë sfida të reja. Letra e dytë drejtuar 2 Timoteut 3:13 parathoshte: «Njerëz të ligj e mashtrues do të shkojnë keq e më keq.» (BR) Por mos «u lodh e mos u dorëzo në shpirtin tënd». (Hebrenjve 12:3, BR) Mbështetu te Jehovai për fuqi. (Filipianëve 4:13) Mëso të jesh elastik, t’u përshtatesh këtyre rrethanave në keqësim, në vend se ta mbash mendjen nga e shkuara. (Eklisiastiu 7:10) Përdor mençuri praktike, duke qëndruar në një hap me drejtimin e ‘skllavit të besueshëm e të matur’.—Mateu 24:45-47, BR.
21 Ne nuk e dimë edhe sa kohë ka mbetur. Megjithatë, mund të themi me siguri se «fundi i çdo gjëje është afruar». Derisa ky fund të vijë, le të jetojmë me «mendje të shëndoshë» në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, në mënyrën se si kujdesemi për familjet tona dhe në përgjegjësitë tona në botë. Duke vepruar kështu, të gjithë ne mund të kemi besim se më në fund do të gjendemi «të panjollë, të paqortueshëm dhe në paqe»!—2. Pjetrit 3:14, BR.
[Shënimet]
a Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, shumë veta kanë sigurime shëndetësore, edhe pse këto shkojnë drejt shtrenjtimit. Disa familje Dëshmitarësh kanë parë se disa mjekë tregohen më shumë të gatshëm për ta marrë në konsideratë alternativën pa gjak, kur familjet kanë një sigurim mjekësor. Shumë mjekë do të pranojnë shumën e pagesës së lejuar nën planet e kufizuara të sigurimit apo të sigurimit shëndetësor qeveritar.
b Ndjekja e një arsimimi në shtëpi është një vendim personal. Shiko artikullin «Arsimimi në shtëpi: A është për ty?», në numrin e 8 prillit 1993, anglisht, të revistës Zgjohuni!
Pika për rishikim
◻ Si mund të tregojmë «mendje të shëndoshë» në marrëdhëniet tona personale?
◻ Si mund të shfaqim drejtpeshim në kujdesin për përgjegjësitë tona familjare?
◻ Përse prindërit duhet të interesohen për edukimin jofetar të fëmijëve të tyre?
◻ Çfarë mësojmë nga shembujt e Barukut dhe të Jonait?
[Figura në faqen 18]
Kur një burrë e një grua keqtrajtojnë njëri-tjetrin, ata minojnë marrëdhënien e tyre me Jehovain
[Figura në faqen 20]
Prindërit duhet të interesohen për arsimimin e fëmijëve të tyre