Kapitulli dymbëdhjetë
«A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?»
1, 2. Pse nuk ishte e mençur që Jehojakimi të ndërmerrte projektin për ndërtimin e një pallati?
MBRETI JEHOJAKIM po ndërtonte një shtëpi që duhej të ishte madhështore. Kishte në plan të bënte dhoma me shumë hapësirë dhe të paktën dy kate. Do të kishte dritare të mëdha nga do të hynte me bollëk drita e diellit, si dhe ajri i freskët, që mbreti e familja e tij të ndiheshin rehat. Muret do t’i vishte me cedër aromatik nga Libani. Boja e kuqe në portokalli, e ardhur nga jashtë, do t’i jepte ambientit të brendshëm ngjyrën e kuqe të ndezur që kërkohej shumë nga të mëdhenjtë e të fuqishmit në vendet e tjera.—Jer. 22:13, 14.
2 Shpenzimet për këtë projekt ishin shumë të mëdha. Rreth asaj kohe, paratë e përdorura për mbrojtjen e kombit dhe për haraçin që kërkonte Egjipti, me sa duket e kishin zbrazur thesarin. (2 Mbret. 23:33-35) Por Jehojakimi gjeti një mënyrë për t’i siguruar paratë për pallatin e ri. U mbajti pagat punëtorëve të ndërtimit. I trajtoi ata si skllevër, duke përdorur mundin dhe djersën e tyre si një dhuratë për të mbështetur monarkinë.
3. Ç’kontrast kishte mes Jehojakimit dhe babait të tij, e përse?
3 Nëpërmjet Jeremisë, Perëndia e dënoi Jehojakimin për egoizmin e tij.a Jehovai i kujtoi mbretit se babai i tij, mbreti Josia, kishte treguar dashamirësi e bujari të jashtëzakonshme për klasën punëtore dhe për të varfrit. Madje Josia kishte mbrojtur çështjen e tyre ligjore në gjyq. Duke ia drejtuar vëmendjen te konsiderata që kishte Josia për të varfrit, Jehovai e pyeti Jehojakimin: «A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?»—Lexo Jereminë 22:15, 16.
4. Pse duhet të jetë e rëndësishme për ty të njohësh Jehovain?
4 Ndërsa kushtet në botën e Satanait keqësohen, kemi nevojë për ndihmën dhe mbrojtjen që u jep Jehovai atyre që e njohin mirë. Prandaj, duhet të afrohemi gjithnjë e më shumë me Perëndinë. Gjithashtu, duhet të pasqyrojmë cilësitë e tij të shkëlqyera që të kemi sukses në predikimin e lajmit të mirë. Po ndoshta ti pyet: «Si mund ta njohë një i krishterë Jehovain aq mirë sa ç’e njihte mbreti Josia?»
Ç’DO TË THOTË TË NJOHËSH PERËNDINË?
5, 6. (a) Si ndikon një baba i mirë te fëmijët e tij? (b) Si duhet të reagojmë kur njohim udhët e Jehovait, ndryshe nga Jehojakimi?
5 Mendo se si ndikon një baba i mirë në jetën e fëmijëve të tij. Për shembull, kur fëmijët vërejnë se i ndan gjërat me ata që janë më pak të privilegjuar, do të nxiten të jenë edhe vetë dorëhapur. Kur shohin se e trajton me dashuri e respekt nënën e tyre, me siguri do të bëhen të sjellshëm me ata të seksit tjetër. Nga të tjerët dëgjojnë se babai i tyre njihet si njeri i drejtë e i ndershëm në çështje parash, dhe kjo duhet t’i nxitë të jenë të ndershëm e të drejtë. Pra, duke njohur veprimet dhe cilësitë e babait, me siguri fëmijët ndërsa rriten do të duan t’i trajtojnë të tjerët siç i trajton ai.
6 Po kështu, një i krishterë që e njeh Jehovain siç e njihte Josia, nuk mjaftohet vetëm duke e pranuar si Sovranin Universal. Ndërsa lexon Biblën, i krishteri kupton si i trajton Perëndia të tjerët dhe pastaj dëshiron ta imitojë Atin e tij qiellor. Dashuria për Jehovain i thellohet ndërsa dita-ditës pasqyron pikëpamjen e Tij se çfarë i pëlqen e çfarë jo. Nga ana tjetër, një njeri që shpërfill ligjet dhe përkujtuesit e Perëndisë, pra që hedh poshtë çdo ndikim hyjnor në jetën e tij, nuk e njeh Perëndinë e vërtetë. Ky njeri është si Jehojakimi, i cili e hodhi në zjarr fjalën që Jehovai i tha nëpërmjet Jeremisë.—Lexo Jereminë 36:21-24.
7. Pse duhet të dëshirosh ta njohësh Jehovain siç e njihte mbreti Josia?
7 Vetëm nëse e njohim vërtet Jehovain, do të kemi sukses në shërbimin e shenjtë dhe shpresë për jetën në botën e re. (Jer. 9:24) Le të shqyrtojmë disa nga cilësitë e Perëndisë që zbulohen në shkrimet e Jeremisë. Ndërsa analizojmë personalitetin e Perëndisë, kërko mënyra si mund ta njohësh e ta imitosh, ashtu siç bëri mbreti Josia.
Pse mund të themi se mbreti Josia e njihte mirë Jehovain? Çfarë përfshin ta njohësh Jehovain siç e njihte Josia?
«DASHAMIRËSIA E TIJ VAZHDON PËRJETË»
8. Çfarë është dashamirësia?
8 Në shumë gjuhë nuk arrihet të përkufizohet saktësisht cilësia e Perëndisë që njihet si dashamirësia ose dashuria besnike. Sipas një fjalori biblik, termi hebraik i përdorur, përshkruan një ndërveprim të forcës, palëkundshmërisë dhe dashurisë. Fjalori thotë më tej: «Çdo shpjegim i kësaj fjale që nuk i përfshin të tria këto, pa diskutim e humbet disi pasurinë kuptimore.» Kështu, dikush që shfaq dashamirësi nuk është thjesht një njeri i mirë. Me interesim të thellë, ai përpiqet t’i ndihmojë sa më mirë që mundet të tjerët që të plotësojnë nevojat e tyre, sidomos ato frymore. Arsyeja kryesore pse vepron me kaq altruizëm, është dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë së Plotfuqishëm.
9. Çfarë tregoi Jehovai me mënyrën si e trajtoi Izraelin?
9 Mënyra më e mirë për ta kuptuar plotësisht fjalën biblike «dashamirësi», është të studiojmë se si i ka trajtuar Perëndia adhuruesit e tij të vërtetë gjatë epokave. Jehovai i mbrojti dhe i ushqeu izraelitët gjatë 40 vjetëve që kaluan në shkretëtirë. Në Tokën e Premtuar, u dha gjykatës që t’i shpëtonte nga armiqtë dhe t’i kthente prapë në adhurimin e vërtetë. Ngaqë u qëndroi pranë në kohë të mira e të vështira gjatë gjithë atyre shekujve, mund t’i thoshte kombit: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme. Prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.»—Jer. 31:3.b
10. Si shfaq dashamirësi Jehovai në mënyrën si dëgjon lutjet, siç u ilustrua nga rasti i judenjve në Babiloni?
10 Edhe në ditët tona, Perëndia vazhdon të shfaqë dashamirësi në mënyra që u sjellin dobi drejtpërdrejt adhuruesve të tij. Mendo për lutjen. Jehovai i dëgjon të gjitha lutjet e sinqerta, por u kushton vëmendje të veçantë atyre që bëjnë shërbëtorët e tij të kushtuar. Edhe sikur për vite të vazhdojmë të lutemi për të njëjtat probleme kronike, ai nuk e humbet durimin me ne dhe as lodhet së dëgjuari lutjet tona. Një herë, Jehovai përdori Jereminë për t’i dërguar një mesazh një grupi judenjsh që tashmë ishin robër në Babiloni. Ata ishin mbi 800 kilometra larg tempullit, larg familjes e miqve në Judë. Por fakti që ishin larg tempullit nuk e pengoi Jehovain t’i dëgjonte lutjet e tyre për miratim dhe shprehjet e tyre të lëvdimit. Mendo sa u ngushëlluan judenjtë kur dëgjuan fjalët e Perëndisë, të dokumentuara te Jeremia 29:10-12. (Lexoje.) Këto fjalë zbatohen edhe për ty e për lutjet e tua të sinqerta.
11, 12. (a) Çfarë u ofroi Jehovai banorëve të Jerusalemit? (b) Ç’ndihmë ka në dispozicion ai që ka marrë disiplinën e nevojshme?
11 Një provë tjetër të dashamirësisë së Jehovait e shohim në pikëpamjen e tij pozitive. Shkatërrimi i Jerusalemit po afrohej, kurse banorët e tij vazhdonin të rebeloheshin—në të vërtetë kundër Perëndisë. Ç’e ardhme i priste? Mos vallë vdekja nga zia e bukës ose nga shpata e babilonasve? Në rastin më të mirë, i priste një mërgim i gjatë dhe vdekja në dhé të huaj. Por Jehovai u ofroi një «fjalë të mirë» e pozitive atyre që pendoheshin dhe ndryshonin jetën. U premtoi se ‘do t’i kujtonte’. Do t’i sillte «prapë në këtë vend», në atdhe, nga Babilonia e largët. (Jer. 27:22) Si rezultat, ata do të thërritnin: «Përlëvdoni Jehovain e ushtrive, sepse Jehovai është i mirë, sepse dashamirësia e tij vazhdon përjetë!»—Jer. 33:10, 11.
12 Falë dashamirësisë së tij, Jehovai është Burim inkurajimi për ata që janë në rrethana të pashpresa sipas pikëpamjes njerëzore. Sot ka disa që njëherë e një kohë ishin pjesë e kongregacionit, por morën disiplinën e drejtë dhe të nevojshme. Tani mund të ndihen të mbytur nga ndjenja e fajit dhe të ngurrojnë të shoqërohen sërish me popullin e Perëndisë. Mund të dyshojnë nëse Jehovai do t’i falë ndonjëherë e do t’i mirëpresë prapë. Perëndia i Plotfuqishëm ka «një fjalë të mirë» për të gjithë këta. Mund të marrin ndihmë të dashur që të bëjnë ndryshimet e nevojshme në mendime e veprime. Ajo që lexuam në paragrafin e mësipërm, në parim mund të zbatohet edhe për ta: Jehovai ‘do t’i vendosë prapë në vendin e tyre’ mes popullit të tij të lumtur.—Jer. 31:18-20.
13. Pse duhet të inkurajohesh kur sheh si e mbështeti Jehovai Jereminë?
13 Si Perëndi i dashamirësisë, Jehovai gjithashtu i mbështet me besnikëri shërbëtorët e tij besnikë. Në këto ditë të fundit të botës së Satanait, kemi arsye të besojmë se Jehovai do t’i mbështetë e do t’i mbrojë të gjithë ata që kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë e tij. Sill ndër mend se gjatë ditëve të fundit të Jerusalemit, Jeremia varej nga Jehovai për ushqim e mbrojtje. Perëndia s’e braktisi kurrë profetin. (Jer. 15:15; lexo Vajtimet 3:55-57.) Nëse ndodh që të jesh nën ndonjë presion të fortë, ji i sigurt se Jehovai i kujton veprat e tua besnike. Ngaqë është dashamirës, dëshiron të të mbështetë që ‘të mos marrësh fund’.—Vajt. 3:22.
Cili aspekt i dashamirësisë së Jehovait të tërheq më shumë drejt tij? Pse mendon kështu?
‘SIÇ ËSHTË E VËRTETË QË JEHOVAI SHFAQ DREJTËSI’
14. Çfarë padrejtësish ke vënë re kohët e fundit?
14 Disa njerëz kalojnë vite në burg për krime që nuk i kanë kryer. Ka pasur raste kur një gjykatë e ka dënuar me vdekje dikë dhe vetëm pas ekzekutimit kanë dalë në dritë prova të pafajësisë së tij. Në disa vende, prindërit janë kaq të dëshpëruar për ushqim, saqë i shesin fëmijët e tyre si skllevër që familja të ketë diçka për të ngrënë. Si ndihesh kur dëgjon për padrejtësi të tilla sot? Si mendon se ndihet Jehovai? Bibla e tregon qartë se ai dëshiron t’i heqë të gjitha shkaqet e vuajtjeve. Është i vetmi që ka aftësinë për ta bërë këtë. Prandaj, të varfrit e të pafajshmit që vuajnë, mund të marrin zemër. Jehovai, Perëndia i drejtësisë, po ndërmerr hapa për t’i shpëtuar nga hallet që kanë.—Jer. 23:5, 6.
15, 16. (a) Cilën të vërtetë theksoi Jeremia për Jehovain? (b) Pse mund t’u besosh ligjeve dhe premtimeve të Perëndisë?
15 Në kohën e Jeremisë, disa e njihnin cilësinë e lartë të drejtësisë së Perëndisë. Fjalët e profetit e mbështetin këtë. Për shembull, ai tha se, nëse Izraeli pendohej për mëkatet e veta dhe kthehej, me siguri do të thoshte këto fjalë: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe shfaq të vërtetën, drejtësinë dhe të drejtën.» (Jer. 4:1, 2) Kjo është e vërtetë, sepse padrejtësia nuk ka vend në qëllimin e Jehovait. Por ka prova të mëtejshme se Jehovai e do drejtësinë.
16 Nuk ka asnjë dyshim se Perëndia e mban fjalën dhe s’është hipokrit. Shumë njerëz i shkelin premtimet që bëjnë, por Jehovai jo. Edhe ligjet e natyrës, të cilat i ka vendosur dhe nga të cilat nxjerrim dobi, janë të pathyeshme. (Jer. 31:35, 36) Mund t’u besojmë edhe premtimeve dhe vendimeve të tij gjyqësore, sepse janë gjithnjë të mira.—Lexo Vajtimet 3:37, 38.
17. (a) Çfarë bën Jehovai kur gjykon një çështje? (b) Pse mund të kesh besim te mënyra si i zgjidhin pleqtë problemet në kongregacion? (Shih kutinë «Gjykojnë për Jehovain», në faqen 148.)
17 Kur gjykon, Jehovai nuk mjaftohet kurrë vetëm me anën e jashtme të një çështjeje. Ai sheh përtej asaj që duket dhe mbledh të gjitha faktet. Peshon edhe motivet e atyre që janë përfshirë. Sot mjekët mund të përdorin pajisje e metoda të specializuara për të parë zemrën e një pacienti ndërsa rreh, që të mbledhin informacione për gjendjen e saj. Ose mund të ekzaminojnë veshkat, të cilat filtrojnë gjakun. Jehovai mund të bëjë shumë më tepër se kaq. Ai heton zemrën e figurshme dhe peshon motivet dhe veshkat e figurshme të dikujt, që pasqyrojnë ndjenjat e tij më të thella. Kështu mund të verifikojë ç’e shtyu atë njeri të vepronte në atë mënyrë dhe ç’mendon për veprimet e veta. I Plotfuqishmi nuk lodhet nga hollësitë e shumta që zbulon nga shqyrtimi i tij i imtësishëm. Shumë më mirë se edhe gjykatësi njerëzor më mendjemprehtë, Ai e përdor të gjithë atë informacion siç duhet dhe me ekuilibër, për të përcaktuar të ardhmen tonë.—Lexo Jereminë 12:1a; 20:12.
18, 19. Si mund të ndikojë te ne njohja e cilësisë së drejtësisë së Perëndisë?
18 Pra, edhe sikur nganjëherë të të brejë ndërgjegjja për gabimet e së kaluarës, ke një bazë të fortë që t’i besosh Jehovait. Mos harro kurrë se ai nuk është një prokuror këmbëngulës që kërkon një arsye për të ndëshkuar, por një Gjykatës i dhembshur që dëshiron të ndihmojë. Nëse ende ke ndjenja të trazuara për jetën e mëparshme ose për një problem që ka të bëjë me dikë tjetër, kërkoji Jehovait ta marrë në dorë ‘çështjen’ ose luftën tënde emocionale, që ta hedhësh pas këtë gjë.c Me ndihmën e Perëndisë, do të kuptosh sa shumë e vlerëson ai kur ti vazhdon në shërbimin e shenjtë.—Lexo Vajtimet 3:58, 59.
19 Kuptohet, Perëndia i drejtësisë së përsosur dëshiron që të gjithë ata që kërkojnë miratimin e tij, ta praktikojnë drejtësinë. (Jer. 7:5-7; 22:3) Një mënyrë e rëndësishme si e shfaqim drejtësinë hyjnore është duke e predikuar lajmin e mirë pa paragjykime. Kur je korrekt në bërjen e rivizitave dhe drejtimin e studimeve biblike, e pasqyron në një mënyrë vërtet dobiprurëse normën e lartë të drejtësisë së Perëndisë. Në ç’kuptim? Ai dëshiron që çdo lloj njeriu të mësojë për të dhe të arrijë shpëtimin. (Vajt. 3:25, 26) Ç’privilegj ke të jesh bashkëpunëtor i Perëndisë e të pasqyrosh drejtësinë e tij në këtë vepër jetëshpëtuese!
Si të ngushëllon drejtësia e Jehovait? Si mund të ngushëllosh të tjerët duke imituar drejtësinë e Perëndisë?
«NUK DO TË MBAJ MËRI PËRGJITHMONË»
20. (a) Cilin aspekt të mënyrës si vepron Perëndia me njerëzit, theksoi Jeremia? (b) Si lidhet falja që ofron Jehovai me faktin që ‘i vjen keq’? (Shih kutinë «Në ç’kuptim ‘i vjen keq’ Jehovait?»)
20 Për shumë veta, librat e Jeremisë e të Vajtimeve përmbajnë thjesht denoncime të ligësisë. Ata nuk marrin parasysh diçka: në këta libra lexojmë për mjaft raste prekëse kur Jehovai i ofroi falje popullit të tij. Ai u bëri thirrje judenjve: «Le të kthehet, pra, secili nga udha e vet e ligë dhe ndreqini udhët e veprimet tuaja.» Një herë tjetër, Jeremia u bëri thirrje: «Ndreqini udhët e veprimet tuaja dhe bindjuni zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj, që Jehovait t’i vijë keq për gjëmën që ka shpallur për ju.» (Jer. 18:11; 26:13) Në ditët tona, Jehovai vazhdon t’i falë të gjithë ata që janë penduar sinqerisht dhe nuk bëjnë më praktika të gabuara.
21. Çfarë dëshiron të arrijë Jehovai kur fal një njeri?
21 Megjithatë, Jehovai nuk mjaftohet vetëm duke folur për faljen. Ai vepron. Përdori Jereminë për të bërë thirrjen: «Kthehu, o Izrael renegat! . . . Unë nuk do t’ju vështroj nga lart me zemërim. . . . Nuk do të mbaj mëri përgjithmonë.» (Jer. 3:12) Perëndia nuk mbetet i zemëruar ose i hidhëruar me asnjë nga ata që ka falur. Përkundrazi, edhe pse është bërë një gabim, ai dëshiron ta rregullojë marrëdhënien e dëmtuar. Pavarësisht nga mëkatet që mund të ketë bërë një njeri, nëse pendohet vërtet dhe kërkon faljen e Perëndisë, ‘do të ketë prapë’ miratimin dhe bekimin e Tij. (Jer. 15:19) Kjo siguri duhet të nxitë këdo që tani është larguar nga Perëndia i vërtetë, të kthehet tek ai. A s’je dakord se falja e Jehovait na afron më shumë me të?—Lexo Vajtimet 5:21.
22, 23. Cili duhet të jetë synimi yt, ndërsa imiton Jehovain për sa i përket faljes?
22 A do ta imitosh Jehovain kur dikush të fyen me fjalë dhe veprime të pamenduara? Për judenjtë e lashtë, Perëndia tha se do ‘t’i pastronte’ ata që kishte falur. (Lexo Jereminë 33:8.) Ai është në gjendje të pastrojë, në kuptimin që e hedh pas krahëve gabimin e atyre që janë të penduar, duke i dhënë mundësi dikujt t’ia fillojë nga e para në shërbim të tij. Natyrisht, fakti që Perëndia e ka falur dikë, nuk do të thotë se tani ky është pastruar nga mëkati i trashëguar e prandaj është i përsosur, pa mëkat. Gjithsesi, nxjerrim një mësim nga ajo që tha Perëndia lidhur me pastrimin e njerëzve. Mund të përpiqemi ta hedhim pas krahëve fyerjen ose gabimin e dikujt, që në kuptim të figurshëm do të thotë të pastrojmë pikëpamjen që kemi në zemër për të. Si bëhet kjo?
23 Ta zëmë se merr si dhuratë një bizhuteri që i përket familjes. Po të bëhej me pluhur ose pis, a do ta hidhje menjëherë? Me siguri që jo. Ka shumë të ngjarë që të përpiqeshe ta pastroje me kujdes, duke hequr pluhurin ose pisllëkun. Dëshiron të shohësh bukurinë e saj, se si shkëlqen në dritën e diellit. Po kështu, mund të përpiqesh fort të heqësh nga zemra çdo mëri e ndjenjë inati që të ka mbetur ndaj një vëllai a motre që të ka fyer. Luftoje prirjen për të bluar në mendje fjalët ose veprimet që të kanë lënduar. Ndërsa ia del mbanë t’i hedhësh pas krahëve, po pastron imazhin dhe kujtimet që ke në zemër për atë që ke falur. Pasi ta kesh pastruar zemrën nga mendimet negative për atë njeri, do të jesh më i gatshëm të gëzosh sërish miqësinë e ngushtë që dukej se kishte humbur për fare.
24, 25. Ç’dobi do të nxjerrësh nëse e njeh Jehovain siç e njihte mbreti Josia?
24 Kemi shqyrtuar vetëm disa cilësi dhe veprime të Jehovait që i mësojmë ndërsa e njohim më mirë atë. E kuptojmë se dobitë që nxjerrim duke e njohur mirë Jehovain, janë një motiv i fortë për ta adhuruar në mënyrën që i pëlqen atij. Nëse arrijmë ta njohim Jehovain aq mirë sa ç’e njihte mbreti Josia, jeta jonë do të karakterizohet nga lumturia, që është një aspekt tjetër i personalitetit të Perëndisë.
25 Kur e njohim edhe më mirë Jehovain, kjo na pasuron marrëdhëniet me të tjerët. Duke u përpjekur të shfaqim dashamirësi, drejtësi e falje ashtu si Jehovai, miqësitë në kongregacionin e krishterë do të thellohen e do të bëhen më të çmuara. Për më tepër, do të ndihemi më të aftë të mësojmë të tjerët ndërsa bëjmë rivizita në territor dhe drejtojmë studime biblike që përparojnë. Të interesuarve do t’u duket më i këndshëm modeli i jetës së krishterë që shohin të mishëruar te ne. Kështu, do të jemi më të përgatitur që t’i ndihmojmë ta adhurojnë Jehovain në mënyrë të pranueshme, të ndjekin ‘udhën e mirë’.—Jer. 6:16.
Ç’mesazh të përcjell shkrimi i Vajtimeve 5:21?
a Për fundin tragjik që pësoi Jehojakimi, shih kapitullin 4 të këtij libri, paragrafin 12.
b Në një version tjetër, fjalët e Jehovait përkthehen kështu: «Kurrë nuk kam pushuar së të dashuri. Jam besnik ndaj teje ashtu si në ditën e parë.»—ECM.
c Nëse ndonjë vëlla a motër është sjellë në një mënyrë që shkel hapur ligjin e Perëndisë, kjo duhet t’u bëhet e ditur pleqve të kongregacionit, që ta trajtojnë ata çështjen dhe të japin ndihmë sipas Shkrimeve.—Jak. 5:13-15.