Afrojuni Perëndisë
Kur Perëndia fal, a harron?
ME NJË fjalë, po. Ja çfarë u premton Jehovai atyre që miraton: «Unë do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jeremia 31:34) Kështu, Jehovai na siguron se, kur i fal mëkatarët e penduar, nuk i kujton më mëkatet e tyre. Por, a do të thotë kjo se Krijuesi i universit të paanë nuk është vërtet në gjendje t’i kujtojë mëkatet që ka falur? Fjalët e Ezekielit na ndihmojnë të kuptojmë si fal dhe si harron Perëndia.—Lexo Ezekielin 18:19-22.
Me anë të profetit Ezekiel, Jehovai shpalli gjykimin kundër Judës jobesnike. I gjithë kombi e kishte braktisur adhurimin e Jehovait dhe e kishte mbushur vendin me dhunë. Jehovai paratha se Jerusalemin, kryeqytetin e Judës, do ta shkatërronin babilonasit. Por, edhe pse po i gjykonte, Ai u siguroi një mesazh shprese. Çdo individ ishte përballë një zgjedhjeje; secili ishte përgjegjës për rrugën që do të ndiqte.—Vargjet 19, 20.
Po sikur dikush të ndryshonte rrugë dhe të bënte të mirën? Jehovai tha: «Nëse i ligu largohet nga tërë mëkatet që ka kryer, ecën sipas të gjitha ligjeve të mia, gjykon me drejtësi dhe bën atë që është e drejtë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë.» (Vargu 21) Po, Jehovai ishte ‘gati ta falte’ një mëkatar që largohej nga udha rebele duke treguar kështu pendim të vërtetë.—Psalmi 86:5.
Ç’të themi për mëkatet që kishte kryer dikush? Jehovai shpjegoi: «Asnjë nga shkeljet që ka bërë, nuk do të kujtohet kundër tij.» (Vargu 22) Vër re se mëkatet e të penduarit ‘nuk do të kujtoheshin kundër tij’. Pse është domethënëse kjo?
Në Bibël fjala hebraike e përkthyer «kujtoj» mund të nënkuptojë më tepër se thjesht të sjellësh ndër mend të kaluarën. Një vepër referimi thotë për këtë fjalë: «Në fakt, shumë shpesh [ajo] nënkupton një veprim ose shoqërohet me folje që tregojnë veprim.» Prandaj, «të kujtosh» mund të ketë kuptimin «të veprosh». Për këtë arsye, kur Jehovai thotë për një mëkatar të penduar se mëkatet që ka bërë ‘nuk do të kujtohen kundër tij’, e ka fjalën se Ai nuk do të veprojë kundër individit për shkak të mëkateve, si për shembull duke e akuzuar ose e ndëshkuar.a
Fjalët tek Ezekieli 18:21, 22 paraqitin një tablo prekëse se deri ku shkon falja e Perëndisë. Kur Jehovai na i fal mëkatet, nuk i përdor kurrë kundër nesh në të ardhmen. Përkundrazi, mëkatet e të penduarve i hedh pas shpine. (Isaia 38:17) Është njësoj si t’i fshinte fare këto mëkate.—Veprat 3:19.
Si njerëz të papërsosur, kemi nevojë për mëshirën e Perëndisë. Në fund të fundit, mëkatojmë shumë herë. (Romakëve 3:23) Por Jehovai dëshiron që të dimë se, po të pendohemi sinqerisht, ai është gati të na falë. Dhe, kur fal, ai harron—pra, nuk do t’i përdorë më kurrë mëkatet tona për të na akuzuar ose ndëshkuar. Sa na lehtëson kjo! A nuk të shtyn mëshira e Perëndisë t’i afrohesh më tepër atij?
Sugjerim për leximin e Biblës gjatë korrikut:
[Shënimi]
a Po ashtu, shprehja ‘të kujtosh mëkatet’ mund të nënkuptojë të veprosh kundër mëkatarëve.—Jeremia 14:10.