KAPITULLI 5
«Shih gjërat e liga e të neveritshme që po bëjnë»
NË KËTË KAPITULL: Degradimi i adhurimit dhe i moralit në Judën apostate
1-3. Çfarë do Jehovai që të shohë Ezekieli në tempullin e Jerusalemit, dhe pse? (Shih figurën dhe parathënien për Pjesën 2.)
MEQË është djalë prifti, profeti Ezekiel e di në majë të gishtave Ligjin e Moisiut. Prandaj e njeh mirë tempullin në Jerusalem dhe e di si duhet praktikuar atje adhurimi i pastër i Jehovait. (Ezek. 1:3; Mal. 2:7) Por, tani në vitin 612 p.e.s. në tempullin e Jehovait po ndodhin disa gjëra që do të shokonin çdo jude besnik, mes tyre edhe Ezekielin.
2 Jehovai do që Ezekieli të shohë gjërat e pështira në tempull e pastaj t’ua tregojë ‘pleqve të Judës’, pra, të mërguarve të tjerë judenj të mbledhur në shtëpinë e tij. (Lexo Ezekielin 8:1-4; Ezek. 11:24, 25; 20:1-3) Ezekieli ndodhet në shtëpinë e tij në Tel-Abib, afër lumit Kebar në Babiloni. Me anë të frymës së shenjtë, Jehovai e çon (nëpërmjet një vegimi) qindra kilometra drejt perëndimit, në tempullin e Jerusalemit. Duke nisur nga porta veriore në oborrin e brendshëm, Jehovai i tregon pjesë të ndryshme të tempullit.
3 Aty Ezekieli sheh katër skena tronditëse që zbulojnë si kishte degjeneruar totalisht adhurimi i pastër. Ç’kishte ndodhur dhe ç’domethënie ka ky vegim për ne sot? Le ta vizitojmë tempullin bashkë me Ezekielin. Mirëpo, në fillim duhet të kuptojmë çfarë pret me të drejtë Jehovai nga adhuruesit e tij.
«Unë . . . jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua»
4. Çfarë kërkon Jehovai nga adhuruesit e tij?
4 Rreth nëntë shekuj para ditëve të Ezekielit, Jehovai ua kishte bërë të qartë adhuruesve ç’priste prej tyre. Në të dytin nga Dhjetë Urdhërimet, i kishte thënë kombit të Izraelit:a «Unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» (Eks. 20:5) Me shprehjen «të më përkushtohesh vetëm mua» Jehovai tregoi se nuk do të toleronte adhurimin e asnjë perëndie tjetër. Siç e pamë në kapitullin 2 të këtij libri, kërkesa e parë në adhurimin e pastër është që t’i përkushtohemi vetëm Jehovait. Ai duhet të zërë vendin e parë në jetën e adhuruesve të tij. (Eks. 20:3) E thënë thjesht, Jehovai pret që adhuruesit e tij të mos e përziejnë asnjëherë adhurimin e vërtetë me atë të rremë. Në vitin 1513 p.e.s. izraelitët u zotuan me dëshirë që t’i përmbaheshin besëlidhjes së Ligjit. Kështu pranuan se do t’i përkushtoheshin vetëm Jehovait. (Eks. 24:3-8) Jehovai është besnik ndaj besëlidhjeve të tij, ndaj priste të njëjtën besnikëri edhe nga populli që bëri besëlidhje me të.—Ligj. 7:9, 10; 2 Sam. 22:26.
5, 6. Pse Jehovai e meritonte që izraelitët t’i përkushtoheshin vetëm atij?
5 A ishte e arsyeshme që Jehovai t’u kërkonte izraelitëve t’i përkushtoheshin vetëm atij? Patjetër që po. Ai është Perëndia i Plotfuqishëm, Sovrani i Universit dhe Burimi e Mbështetësi i jetës. (Psal. 36:9; Vep. 17:28) Jehovai ishte edhe Çlirimtari i kombit të Izraelit. Kur i dha Dhjetë Urdhërimet, i kujtoi këto fjalë: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.» (Eks. 20:2) Pa diskutim, Jehovai e meritonte që në zemrën e izraelitëve të kishte vend vetëm për adhurimin e Tij.
6 Jehovai nuk ndryshon. (Mal. 3:6) Gjithnjë ka kërkuar t’i përkushtohemi vetëm atij. Imagjino si duhet të jetë ndier nga ato katër skena tronditëse që i tregon Ezekielit në vegim!
Skena e parë: Simboli i xhelozisë
7. (a) Çfarë po bënin judenjtë apostatë në portën veriore të tempullit dhe si u ndie Jehovai? (Shih figurën hapëse.) (b) Si e bënë xheloz Jehovain? (Shih shënimin 2.)
7 Lexo Ezekielin 8:5, 6. Kushedi sa është skandalizuar Ezekieli! Në portën veriore të tempullit, judenjtë apostatë po adhuronin një simbol, ose idhull. Ndoshta ishte një shtyllë e shenjtë që përfaqësonte Asherahun, perëndeshën e rreme që kananitët e konsideronin si gruan e Baalit. Çfarëdo që të ishte, izraelitët idhujtarë shkelën kushtet e besëlidhjes me Jehovain. Duke i dhënë një idhulli përkushtimin që me të drejtë i takonte vetëm Jehovait, e bënë xheloz dhe ndezën zemërimin e Tij të drejtë.b (Ligj. 32:16; Ezek. 5:13) Mendo pak: për më se 400 vjet, shenjtërorja e tempullit kishte përfaqësuar praninë e Jehovait. (1 Mbret. 8:10-13) Por tani, duke e futur idhujtarinë brenda zonës së tempullit, ata idhujtarë e detyruan Jehovain ‘të largohej nga shenjtërorja e tij’.
8. Ç’domethënie ka sot vegimi i Ezekielit për simbolin e xhelozisë?
8 Ç’domethënie ka sot vegimi i Ezekielit për simbolin e xhelozisë? Me siguri Juda apostate na sjell ndër mend krishterimin e rremë. Idhujtaria është shumë e përhapur nëpër kisha dhe kjo e bën të pavlerë përkushtimin që këta njerëz pretendojnë se po i japin Perëndisë. Përderisa Jehovai nuk ndryshon, jemi të sigurt se edhe krishterimi i rremë ka ndezur zemërimin e tij të drejtë, ashtu si Juda apostate. (Jak. 1:17) Pa diskutim, Jehovai i qëndron larg krishterimit të shtrembëruar!
9, 10. Ç’mësim mund të nxjerrim nga idhujtarët në tempull?
9 Ç’mësim mund të nxjerrim nga ata idhujtarë në tempull? Që t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, duhet ‘të ikim nga idhujtaria’. (1 Kor. 10:14) Mbase mendojmë: «Kurrsesi nuk do të përdorja idhuj ose simbole për të adhuruar Jehovain!» Por, idhujtaria merr forma të ndryshme, e disa janë më të kamufluara se të tjerat. Një vepër referimi për Biblën e shpjegon kështu: «Fjala idhujtari mund të përdoret për të simbolizuar gjithçka që ka vlerë, që të jep pasuri ose pushtet, e që kalon në vend të parë në jetën tonë, vend që i përket Perëndisë.» Pra, idhujtaria mund të përfshijë gjërat materiale, paratë, seksin, zbavitjen—po, gjithçka që zë vendin kryesor në jetën tonë dhe që zëvendëson përkushtimin që i takon vetëm Jehovait. (Mat. 6:19-21, 24; Efes. 5:5; Kolos. 3:5) Prandaj duhet të ruhemi nga çdo formë idhujtarie, sepse Jehovai është i vetmi që meriton ta adhurojmë me gjithë zemër.—1 Gjon. 5:21.
10 Skena e parë që i tregoi Jehovai Ezekielit kishte ‘gjëra të tmerrshme dhe të neveritshme’. Mirëpo, Jehovai i tha profetit besnik: «Do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto.» Çfarë mund të ishte më e tmerrshme se adhurimi i simbolit të xhelozisë në zonën e tempullit?
Skena e dytë: 70 pleq u ofrojnë temjan perëndive të rreme
11. Çfarë gjërash të neveritshme pa Ezekieli kur hyri në oborrin e brendshëm ku gjendej altari i tempullit?
11 Lexo Ezekielin 8:7-12. Kur hap më tej të çarën e një muri dhe hyn në oborrin e brendshëm ku gjendet altari i tempullit, Ezekieli sheh një pamje tronditëse: ‘kafshë zvarritëse e të neveritshme, si edhe të gjithë idhujt e pështirë’ të gdhendur në mure.c Këto gdhendje përfaqësonin perëndi të rreme. Ajo që sheh më pas, është edhe më skandaloze: «70 pleq nga shtëpia e Izraelit» po qëndrojnë «në errësirë» dhe po u ofrojnë temjan perëndive të rreme. Sipas Ligjit, djegia e temjanit me aromë të mirë përfaqësonte lutjet e pranueshme që i bënin Perëndisë adhuruesit besnikë. (Psal. 141:2) Megjithatë, temjani që po u ofronin 70 pleqtë perëndive të rreme, ishte si një erë e qelbur dhe aspak e shenjtë për Jehovain. Lutjet e tyre e fyenin. (Prov. 15:8) Ata pleq mashtronin veten e thoshin: «Jehovai nuk na sheh.» Por, Jehovai i shihte që ç’ke me të dhe i zbuloi Ezekielit gjithçka që bënin në tempullin e Tij.
12. Pse duhet të jemi besnikë edhe «në errësirë», dhe cilët duhet të jenë të parët që lënë shembullin në këtë aspekt?
12 Ç’mësojmë nga tregimi i Ezekielit për 70 pleqtë izraelitë që u ofronin temjan perëndive të rreme? Që Perëndia të na i dëgjojë lutjet dhe që adhurimi ynë të mbetet i pastër në sytë e tij, duhet të jemi besnikë edhe «në errësirë». (Prov. 15:29) Të mos harrojmë që sytë e Jehovait që shohin gjithçka, janë përherë mbi ne. Nëse Jehovai është real për ne, s’do të bëjmë asgjë që e lëndon edhe kur jemi vetëm. (Hebr. 4:13) Sidomos pleqtë e kongregacionit duhet të jenë shembullorë e të zbatojnë parimet e Biblës në jetën e përditshme. (1 Pjet. 5:2, 3) Vëllezërit e motrat në kongregacion me të drejtë presin që pleqtë, të cilët i mësojnë nga podiumi dhe i drejtojnë në adhurimin e Jehovait, të jetojnë sipas parimeve të Biblës edhe «në errësirë», pra, kur nuk i sheh askush.—Psal. 101:2, 3.
Skena e tretë: «Disa gra . . . qanin për perëndinë Tamuz»
13. Çfarë po bënin gratë apostate në një nga portat e tempullit?
13 Lexo Ezekielin 8:13, 14. Pasi Jehovai i tregon Ezekielit dy skenat e para me praktika të neveritshme, i thotë: «Do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto që po bëjnë.» Çfarë sheh më tej profeti? «Te hyrja e portës së veriut të shtëpisë së Jehovait», sheh «disa gra që rrinin ulur e qanin për perëndinë Tamuz». Ky perëndi i Mesopotamisë mendohet të ketë qenë bashkëshorti i perëndeshës së pjellorisë, Ishtarit.d Me sa duket, vajtimi i grave izraelite ishte pjesë e një riti fetar për vdekjen e Tamuzit. Duke qarë për Tamuzin në tempullin e Jehovait, gratë po kryenin një rit pagan në qendër të adhurimit të pastër. Megjithatë, një rit i fesë së rreme nuk bëhet i shenjtë vetëm se kryhet në tempullin e Perëndisë. Nga pikëpamja e Jehovait, ato gra apostate po bënin ‘gjëra të neveritshme’.
14. Ç’mësim nxjerrim nga pikëpamja e Jehovait për veprimet e grave apostate?
14 Ç’mësim nxjerrim nga pikëpamja e Jehovait për veprimet e atyre grave? Që adhurimi ynë të mbetet i pastër, nuk duhet ta përziejmë kurrë me praktika pagane. Pra s’duhet të kemi fare lidhje me festa e ngjarje që kanë origjinë pagane. A ka vërtet rëndësi origjina? Po. Sot disa praktika që lidhen me festa të tilla, si Krishtlindjet, Pashkët, Vitin e Ri e ditëlindjet, mund të duken të padëmshme. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se Jehovai i ka parë me sytë e tij praktikat pagane fetare që me kalimin e kohës u bënë pjesë e festave të sotme. Nga këndvështrimi i Jehovait, këto praktika nuk bëhen më pak të neveritshme thjesht ngaqë festohen prej shumë kohësh ose ngaqë njerëzit përpiqen t’i përziejnë me adhurimin e pastër.—2 Kor. 6:17; Zbul. 18:2, 4.
Skena e katërt: 25 burra «po përkuleshin para diellit»
15, 16. Çfarë po bënin 25 burrat në oborrin e brendshëm të tempullit dhe pse veprimet e tyre e ofenduan thellë Jehovain?
15 Lexo Ezekielin 8:15-18. Jehovai prezanton skenën e katërt dhe të fundit me fjalë që tashmë i njohim mirë: «Do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto.» Ndoshta profeti vret mendjen: «E çfarë mund të jetë më e tmerrshme se skenat që kam parë deri tani?» Ezekieli ndodhet në oborrin e brendshëm të tempullit. Atje, në hyrje të tempullit, sheh 25 burra që po përkulen «para diellit» me fytyrë drejt lindjes. Për Jehovain nuk ka ofendim më të rëndë se ky. Pse?
16 Përfytyro skenën: hyrja e tempullit të Perëndisë ishte nga lindja. Adhuruesit që hynin në tempull, e kishin fytyrën nga perëndimi kurse kurrizin nga dielli që ngrihej në lindje. Por, 25 burrat në vegim ishin «të kthyer me shpinë nga tempulli» dhe me fytyrë drejt lindjes që të adhuronin diellin. Meqë tempulli ishte ‘shtëpia e Jehovait’, ata po i kthenin shpinën Jehovait. (1 Mbret. 8:10-13) Këta 25 burra ishin apostatë që shpërfillën Jehovain dhe e shkelën me të dyja këmbët urdhrin te Ligji i përtërirë 4:15-19. Sa shumë e ofenduan të vetmin Perëndi që e meritonte me të drejtë përkushtimin e tyre!
Jehovai e meriton që adhuruesit e tij t’i përkushtohen vetëm atij
17, 18. (a) Ç’mund të mësojmë nga tregimi për adhuruesit e diellit në tempull? (b) Cilat marrëdhënie prishën izraelitët apostatë dhe si?
17 Ç’mund të mësojmë nga tregimi për adhuruesit e diellit? Që adhurimi ynë të mbetet i pastër, duhet t’i lutemi Jehovait për mençuri dhe aftësi për të kuptuar. Mos harro se «Perëndia Jehova është dielli» dhe Fjala e tij është «dritë» për shtegun tonë. (Psal. 84:11; 119:105) Nëpërmjet Fjalës së tij dhe botimeve të bazuara në Bibël nga organizata e tij, Jehovai na ndriçon zemrën e mendjen, duke na treguar udhën që duhet të ndjekim për një jetë të kënaqshme tani dhe për jetën e përhershme në të ardhmen. Mirëpo, nëse kërkojmë mençurinë e kësaj bote për mënyrën si jetojmë, do t’i kthenim shpinën Jehovait. Kjo do ta fyente shumë e do ta lëndonte jashtë mase. Patjetër që s’duam t’i shkaktojmë kurrë dhimbje Perëndisë! Gjithashtu, vegimi i Ezekielit na paralajmëron të shmangim ata që i kthejnë shpinën së vërtetës, pra, apostatët.—Prov. 11:9.
18 Deri tani kemi shqyrtuar katër skenat shokuese të idhujtarisë dhe adhurimit të rremë që pa Ezekieli e që tregojnë sa shumë kishte degjeneruar adhurimi në Judën apostate. Duke ndotur adhurimin, izraelitët dëmtuan marrëdhënien me Perëndinë. Ama, adhurimi i ndotur lidhet ngushtë me shthurjen morale. Ndaj nuk habitemi që izraelitët apostatë kryen çdo lloj ndyrësie që u prishi jo vetëm marrëdhënien me Perëndinë, por edhe me të tjerët. Tani të shohim si e përshkroi Ezekieli nën frymëzim degradimin moral të Judës apostate.
Degjenerimi moral—«Sjellja e ndyrë s’ka të sosur»
19. Si e përshkroi Ezekieli degjenerimin moral të popullit me të cilin Jehovai kishte bërë besëlidhje?
19 Lexo Ezekielin 22:3-12. Të gjithë izraelitët ishin të shthurur, nga i pari tek i fundit. ‘Prijësit’, ose udhëheqësit, e përdornin autoritetin për të derdhur gjak të pafajshëm. Me sa duket, njerëzit ndiqnin shembullin e tyre dhe shpërfillnin Ligjin e Perëndisë. Në familje, fëmijët i trajtonin prindërit «me përçmim» dhe incesti ishte bërë gjë normale. Burrat kryenin imoralitet me gratë e të tjerëve. Brenda vendit, izraelitët rebelë i hanin hakun të ardhurit dhe keqtrajtonin jetimin e vejushën. Për shkak të lakmisë së pangopur, njerëzit merrnin ryshfet, zhvatnin dhe jepnin fajde. Kushedi sa duhet të jetë lënduar Jehovai kur pa që populli me të cilin kishte lidhur besëlidhje, po shkelte me të dyja këmbët Ligjin dhe po shpërfillte dashurinë që kishte shfaqur përmes Ligjit! Kjo ishte si thikë në zemër për Jehovain. Ndaj udhëzoi Ezekielin t’i thoshte atij populli imoral: «Mua më ke harruar fare.»
20. Si lidhen me ne sot fjalët e Ezekielit për shthurjen morale të Judës?
20 Si lidhen me ne sot fjalët e Ezekielit për shthurjen morale të Judës? Degradimi i Judës apostate na kujton degjenerimin moral të botës ku jetojmë. Udhëheqësit politikë po abuzojnë me pushtetin dhe po shtypin me këmbë njerëzit e thjeshtë. Udhëheqësit fetarë—sidomos kleri i krishterimit—kanë bekuar luftërat e kombeve që kanë vrarë miliona njerëz. Ata ia kanë ulur vlerën standardeve të pastra e të qarta të Biblës në lidhje me moralin seksual. Si pasojë, standardet morale të botës që na rrethon, po katandisen keq e më keq. Me siguri, Jehovai do t’i thoshte krishterimit të rremë fjalët që i tha Judës apostate: «Mua më ke harruar fare.»
21. Ç’mësojmë nga shthurja morale e Judës së lashtë?
21 Ç’mësojnë shërbëtorët e Jehovait nga shthurja morale e Judës së lashtë? Që Jehovai ta pranojë adhurimin tonë, duhet të ruajmë një sjellje të pastër në çdo aspekt. Kjo nuk është e lehtë në këtë botë të degjeneruar. (2 Tim. 3:1-5) Prapëseprapë, ne e dimë si ndihet Jehovai për çdo lloj shthurjeje morale. (1 Kor. 6:9, 10) Ndaj u bindemi standardeve të Perëndisë, sepse e duam atë dhe ligjet e tij. (Psal. 119:97; 1 Gjon. 5:3) Po të bënim gjëra të papastra, do të tregonim se nuk e duam Perëndinë tonë të shenjtë e të pastër. Nuk duam t’i lëmë kurrë shkas Jehovait të na thotë: «Mua më ke harruar fare.»
22. (a) Pasi shqyrtuam si e demaskoi Jehovai Judën, çfarë je i vendosur të bësh? (b) Çfarë do të shohim në kapitullin tjetër?
22 Kemi nxjerrë disa mësime të vlefshme nga fakti që Jehovai demaskoi degradimin e adhurimit dhe të moralit në Judën e lashtë. Pa dyshim, jemi edhe më të vendosur t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, siç e meriton me të drejtë. Për këtë, duhet të ruhemi nga çdo formë idhujtarie dhe të qëndrojmë të pastër moralisht. Por, si veproi Jehovai me popullin e tij të pabesë? Kur profeti Ezekiel mbaroi vizitën në tempull, Jehovai i tha shkoqur: «Unë do të tregoj tërbimin tim kundër tyre.» (Ezek. 8:17, 18) Me siguri duam të dimë si veproi Jehovai me Judën e pabesë, sepse edhe mbi këtë botë të ligë do të ekzekutohet një gjykim i ngjashëm. Në kapitullin tjetër do të shohim si u përmbushën gjykimet e Jehovait kundër Judës.
a Në librin e Ezekielit, fjala «Izrael» shpesh përdoret për banorët e Judës dhe të Jerusalemit.—Ezek. 12:19, 22; 18:2; 21:2, 3.
b Përdorimi i fjalës «xhelozi» tregon sa e rëndësishme është për Jehovain besnikëria ndaj tij. Ndoshta mendojmë për xhelozinë që ndien një burrë kur gruaja s’i qëndron besnike. (Prov. 6:34) Ashtu si një burrë, edhe Jehovai u indinjua me të drejtë kur populli me të cilin bëri besëlidhje, s’i qëndroi besnik dhe adhuroi idhuj. Një vepër referimi komenton: «Xhelozia e Perëndisë . . . buron nga shenjtëria e Tij. Meqë vetëm ai është i Shenjti . . . , nuk do të tolerojë asnjë rival.»—Eks. 34:14.
c Shprehja hebraike e përkthyer «idhujt e pështirë» mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
d Disa mendojnë se Tamuzi, i quajtur edhe Dumuz në tekstet sumeriane, është një emër tjetër për Nimrodin. Ky pohim nuk mbështetet në fakte.