Kapitulli Nëntë
Kush do të sundojë mbi botën?
1-3. Përshkruaj ëndrrën dhe vizionet që pati Danieli vitin e parë të mbretërimit të Belshazarit.
PROFECITË tërheqëse të Danielit na çojnë tani përsëri në vitin e parë të mbretit babilonas Belshazar. Danieli është prej shumë kohësh i mërguar në Babiloni, por integriteti i tij ndaj Jehovait nuk është lëkundur kurrë. Tani që është te të 70-at, profeti i besueshëm sheh «një ëndërr dhe vizione që i vinin në kokë mbi shtratin e tij». Sa e frikësojnë këto vizione!—Danieli 7:1, 15.
2 «Ja,—thërret Danieli,—katër erërat e qiejve po trazonin detin e paanë. Dhe katër bisha të stërmëdha po dilnin nga deti, secila e ndryshme nga të tjerat.» Ç’bisha të jashtëzakonshme! E para është një luan me krahë, ndërsa e dyta është si një ari. Pastaj vjen një leopard me katër krahë dhe katër koka. Bisha e katërt që është e fortë në mënyrë të pazakontë, ka dhëmbë të mëdhenj hekuri dhe dhjetë brirë. Mes dhjetë brirëve të saj ngrihet një bri «i vogël», që ka «sy si sytë e një njeriu» dhe «një gojë që thotë gjëra madhështore».—Danieli 7:2-8.
3 Më pas, vizionet e Danielit drejtohen për nga qielli. I Lashti i Ditëve ulet me lavdi, i hipur në fron si Gjykatës në Gjykatën qiellore. ‘Ka një mijë mijëra që vazhdojnë t’i shërbejnë dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë që vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë tamam përpara tij.’ Duke i gjykuar bishat në mënyrë të pafavorshme, ai u heq atyre sundimin dhe shkatërron bishën e katërt. Sundimi i përhershëm mbi «popujt, grupet kombëtare dhe gjuhët» i lihet në dorë «dikujt si një bir njeriu».—Danieli 7:9-14.
4. (a) Kujt iu drejtua Danieli për informacion të besueshëm? (b) Pse për ne është e rëndësishme ajo që pa dhe dëgjoi Danieli atë natë?
4 «Sa për mua,—thotë Danieli,—fryma ime u angështua përbrenda, për shkak të kësaj dhe vetë vizionet që më vinin në kokë filluan të më frikësonin.» Kështu që ai i kërkon një engjëlli «informacion të besueshëm mbi gjithë këtë». Në fakt, engjëlli i jep atij «vetë interpretimin e gjërave». (Danieli 7:15-28) Ajo që pa dhe dëgjoi atë natë Danieli na intereson shumë, sepse ishte një përmbledhje e ngjarjeve botërore të së ardhmes, të cilat arrijnë deri në ditët tona, kur «dikujt si një bir njeriu» i jepet sundimi mbi të gjithë «popujt, grupet kombëtare dhe gjuhët». Me ndihmën e Fjalës dhe të frymës së Perëndisë, edhe ne mund ta kuptojmë domethënien e këtyre vizioneve profetike.a
KATËR BISHA DALIN NGA DETI
5. Çfarë simbolizon deti i trazuar nga era?
5 Danieli tha: «Katër bisha të stërmëdha po dilnin nga deti.» (Danieli 7:3) Çfarë simbolizonte deti i trazuar nga era? Vite më vonë, apostulli Gjon pa tek dilte nga «deti» një bishë e egër me shtatë koka. Ai det përfaqësonte «popuj, turma, kombe dhe gjuhë», trupin e madh të njerëzimit që është ndarë nga Perëndia. Deti, pra, është një simbol i përshtatshëm për njerëzimin e larguar nga Perëndia.—Zbulesa 13:1, 2; 17:15; Isaia 57:20.
6. Çfarë paraqesin katër bishat?
6 «Sa për këto bisha të stërmëdha,—tha engjëlli i Perëndisë,—meqenëse janë katër, janë katër mbretër që do të ngrihen nga toka.» (Danieli 7:17) Engjëlli i identifikoi në mënyrë të qartë katër bishat që pa Danieli si «katër mbretër». Kështu, këto bisha kanë domethënien e fuqive botërore. Por cilat ishin ato?
7. (a) Çfarë thonë disa komentues të Biblës për ëndrrën-vizion të katër bishave që pa Danieli dhe për ëndrrën e një shëmbëlltyre të jashtëzakonshme që pa Nabukodonosori? (b) Çfarë përfaqëson secila prej katër pjesëve metalike të shëmbëlltyrës?
7 Zakonisht, komentuesit e Biblës e lidhin ëndrrën-vizion të Danielit mbi katër bishat me ëndrrën e Nabukodonosorit mbi një shëmbëlltyrë jashtëzakonisht të madhe. Për shembull një libër (The Expositor’s Bible Commentary) pohon: «Kapitulli 7 [i Danielit] është paralel me kapitullin 2.» Një libër tjetër (The Wycliffe Bible Commentary) thotë: «Në përgjithësi pranohet se renditja e katër sundimeve johebreje . . . këtu [në kapitullin 7 të Danielit] është njësoj si ajo që mendohet në kapitullin 2 të [Danielit].» Katër fuqitë botërore të përfaqësuara nga katër metalet në ëndrrën e Nabukodonosorit ishin Perandoria Babilonase (koka e artë), Medo-Persia (kraharori dhe krahët prej argjendi), Greqia (barku dhe kofshët prej bakri), si edhe Perandoria Romake (këmbët prej hekuri).b (Danieli 2:32, 33) Le të shohim se si u korrespondojnë këto mbretëri katër bishave të stërmëdha që pa Danieli.
E EGËR SI NJË LUAN, E SHPEJTË SI NJË SHQIPONJË
8. (a) Si e përshkroi Danieli bishën e parë? (b) Cilën perandori përfaqësoi bisha e parë dhe në ç’mënyrë veproi ajo si një luan?
8 Ç’bisha pa Danieli! Duke përshkruar njërën prej tyre, ai tha: «E para ishte si një luan dhe kishte krahët e një shqiponje. Vazhdova të shihja, derisa krahët e saj u shkulën dhe u ngrit nga toka dhe u bë të qëndronte mbi dy këmbë, tamam si një njeri, dhe iu dha zemra e një njeriu.» (Danieli 7:4) Kjo bishë portretizonte të njëjtin sundim që përfaqësohej nga koka prej ari e shëmbëlltyrës jashtëzakonisht të madhe, fuqinë botërore babilonase (607-539 p.e.s.). Ashtu si një «luan» grabitqar, Babilonia përpiu me egërsi kombe, përfshirë edhe popullin e Perëndisë. (Jeremia 4:5-7; 50:17) Ky «luan» u turr përpara drejt pushtimit agresiv, si të ishte me krahët e një shqiponje.—Vajtimet 4:19; Habakuku 1:6-8.
9. Çfarë ndryshimesh pësoi bisha që i ngjante luanit dhe si ndikuan këto mbi të?
9 Me kalimin e kohës, luanit të rrallë iu «shkulën» krahët. Afër fundit të sundimit të mbretit Belshazar, Babilonia e humbi shpejtësinë e saj të pushtimeve dhe epërsinë e saj si luan mbi kombet. Ajo nuk ishte më e shpejtë se një njeri që ecën në këmbë. Duke marrë «zemrën e një njeriu», ajo u dobësua. Meqenëse i mungonte «zemra e luanit», Babilonia nuk mund të sillej më si mbret «mes bishave të pyllit». (Krahaso 2. Samuelit 17:10; Mikea 5:8.) Atë e mposhti një bishë tjetër e stërmadhe.
E PANGOPUR SI NJË ARI
10. Cilën linjë sundimtarësh simbolizonte «ariu»?
10 «Ja,—tha Danieli,—një bishë tjetër, një e dytë, si një ari. Dhe ishte çuar mbi njërën anë dhe kishte tri brinjë në gojën e saj midis dhëmbëve të saj; dhe kjo është ajo që po i thoshin: ‘Ngrihu, ha shumë mish.’» (Danieli 7:5) Mbreti i simbolizuar nga «ariu» ishte po ai i përfaqësuar nga kraharori dhe nga krahët prej argjendi të shëmbëlltyrës së madhe: linja e sundimtarëve medo-persë (539-331 p.e.s.), e cila filloi me medin Dar dhe me Kirin e Madh dhe përfundoi me Darin III.
11. Ç’domethënie kishte ngritja e ariut simbolik mbi njërën anë dhe fakti që kishte në gojë tri brinjë?
11 Ariu simbolik ishte ‘çuar mbi njërën anë’, ndoshta që të bëhej gati për të sulmuar dhe për të nënshtruar kombet, duke mbajtur kështu pushtetin mbi botën. Ose ky pozicion mund të jetë dhënë me qëllimin për të treguar se linja perse e sundimtarëve do të fitonte epërsinë mbi të vetmin mbret med, Darin. Tri brinjët midis dhëmbëve të ariut mund të tregonin tri drejtimet, në të cilat i shtriu pushtimet e tij. Në vitin 539 p.e.s., «ariu» medo-pers shkoi drejt veriut për të shtënë në dorë Babiloninë. Pastaj shkoi drejt perëndimit, duke kaluar përmes Azisë së Vogël dhe hyri në Trakë. Së fundi, «ariu» shkoi drejt jugut, për të pushtuar Egjiptin. Meqenëse hera-herës numri tre simbolizon intensitetin, tri brinjët mund të nxjerrin në pah edhe lakminë e ariut simbolik për pushtime.
12. Cili qe rezultati i bindjes së ariut simbolik ndaj urdhrit «Ngrihu, ha shumë mish»?
12 «Ariu» i sulmoi kombet në përgjigje të fjalëve: «Ngrihu, ha shumë mish.» Duke e përpirë Babiloninë në përputhje me vullnetin hyjnor, Medo-Persia kishte mundësinë të kryente një shërbim të vlefshëm ndaj popullit të Jehovait. Dhe e kreu! (Shiko «Një monark tolerues», në faqen 149.) Me anë të Kirit të Madh, Darit I (Dari i Madh) dhe Artakserksit I, Medo-Persia çliroi robërit judenj të Babilonisë dhe i ndihmoi të rindërtonin tempullin e Jehovait e të riparonin muret e Jerusalemit. Me kalimin e kohës, Medo-Persia arriti të sundonte mbi 127 rajone juridiksioni dhe burri i mbretëreshës Ester, Aseri (Kserksi I) ishte «mbret nga India deri në Etiopi». (Estera 1:1) Megjithatë, në horizont dukej ngritja e një bishe tjetër.
E SHPEJTË SI NJË LEOPARD ME KRAHË!
13. (a) Çfarë simbolizonte bisha e tretë? (b) Çfarë mund të thuhet për shpejtësinë e bishës së tretë dhe për zotërimin që pushtoi ajo?
13 Bisha e tretë ishte «si leopard, por në shpinën e saj kishte katër krahë të një krijese fluturuese. Dhe bisha kishte katër koka dhe iu dha në të vërtetë sundim». (Danieli 7:6) Ashtu si ekuivalenti i tij, barku dhe kofshët prej bakri të shëmbëlltyrës në ëndrrën e Nabukodonosorit, ky leopard me katër krahë dhe me katër koka, simbolizonte linjën e sundimtarëve maqedonas apo grekë, që filloi me Aleksandrin e Madh. Me zhdërvjelltësinë dhe shpejtësinë e një leopardi, Aleksandri kaloi nëpër Azinë e Vogël, në jug, duke hyrë në Egjipt, dhe në kufirin perëndimor të Indisë. (Krahaso Habakukun 1:8.) Zotërimet e tij ishin më të mëdha se ato të «ariut», sepse përfshinin Maqedoninë, Greqinë dhe Perandorinë Perse.—Shiko «Një mbret i ri pushton botën», në faqen 153.
14. Si u bë me katër koka «leopardi»?
14 «Leopardi» u bë me katër koka pas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 p.e.s. Katër prej gjeneralëve të tij u bënë së fundi pasues të tij në pjesë të ndryshme të zotërimeve të tij. Seleuku mbajti Mesopotaminë dhe Sirinë. Ptolemeu kontrolloi Egjiptin dhe Palestinën. Lisimaku sundoi mbi Azinë e Vogël dhe Trakën, ndërsa Kasandri mori Maqedoninë dhe Greqinë. (Shiko «Një mbretëri e paanë ndahet», në faqen 162.) Më pas lindi një rrezik i ri.
NJË BISHË E FRIKSHME DEL SE ËSHTË E NDRYSHME
15. (a) Përshkruaj bishën e katërt. (b) Çfarë simbolizonte bisha e katërt dhe si thërrmoi e përpiu çdo gjë që i doli përpara?
15 Danieli e përshkroi bishën e katërt si «e frikshme, e tmerrshme dhe e fortë në mënyrë të pazakontë». Ai vazhdoi: «Dhe kishte dhëmbë hekuri, dhëmbë të mëdhenj. Ajo përpinte dhe thërrmonte, dhe atë që mbetej e shkelte me këmbët e saj. Dhe ishte diçka e ndryshme nga të gjitha bishat e tjera që ishin para saj dhe kishte dhjetë brirë.» (Danieli 7:7) Kjo bishë e frikshme filloi si fuqia politike dhe ushtarake e Romës. Ajo pushtoi gradualisht katër ndarjet helenistike të Perandorisë Greke dhe aty nga viti 30 p.e.s. Roma kishte dalë si fuqia pasuese botërore në profecinë biblike. Duke nënshtruar me anë të forcës ushtarake çdo gjë që i dilte përpara, Perandoria Romake arriti që së fundi të mbulonte një zonë, shtrirja e së cilës fillonte nga Ishujt Britanikë, zbriste përmes një pjese të madhe të Evropës, kalonte përreth Mesdheut dhe arrinte përtej Babilonisë, deri në Gjirin Persik.
16. Çfarë informacioni dha engjëlli për bishën e katërt?
16 Duke dashur të sigurohej për domethënien e kësaj bishe «jashtëzakonisht të frikshme», Danieli dëgjonte me vëmendje ndërsa engjëlli shpjegonte: «Sa për dhjetë brirët [e saj], nga ajo mbretëri do të ngrihen dhjetë mbretër dhe një tjetër akoma do të ngrihet pas tyre dhe ai vetë do të jetë i ndryshëm nga të parët dhe do të poshtërojë tre mbretër.» (Danieli 7:19, 20, 24) Cilët ishin këta «dhjetë brirë» ose «dhjetë mbretër»?
17. Çfarë simbolizojnë «dhjetë brirët» e bishës së katërt?
17 Ndërsa bëhej më e begatë dhe gjithnjë e më e degjeneruar, për shkak të jetës së shthurur të klasës së saj sunduese, Roma dobësohej si fuqi ushtarake. Me kalimin e kohës, rënia e forcës ushtarake të Romës u duk qartë. Së fundi, perandoria e fuqishme u copëtua në shumë mbretëri. Përderisa në Bibël numri dhjetë përdoret shpesh për të treguar plotësi, «dhjetë brirët» e bishës së katërt përfaqësojnë të gjitha mbretëritë që rezultuan nga shpërbërja e Romës.—Krahaso Ligjin e përtërirë 4:13; Luka 15:8; 19:13, 16, 17.
18. Si vazhdoi ta ushtronte Roma sundimin e saj mbi Evropën për shekuj të tërë pas heqjes së perandorit të saj të fundit?
18 Megjithatë, fuqia botërore romake nuk mori fund me heqjen e perandorit të fundit të saj në Romë, në vitin 476 të e.s. Për shumë shekuj, Roma papnore vazhdoi të ushtronte mbi Evropën sundimin e saj politik dhe sidomos atë fetar. Ajo e bëri këtë nëpërmjet sistemit feudal, në të cilin shumica e banorëve të Evropës i nënshtroheshin një feudali dhe pastaj një mbreti. Të gjithë mbretërit e pranonin autoritetin e papës. Kështu, Perandoria e Shenjtë Romake me Romën papnore si vatër të saj, e ushtroi pushtetin e vet në çështjet botërore gjatë gjithë asaj periudhe të historisë të quajtur Mesjetë.
19. Sipas një historiani, si ishte Roma në krahasim me perandoritë e mëparshme?
19 Kush mund ta mohojë se bisha e katërt ishte «e ndryshme nga të gjitha mbretëritë e tjera»? (Danieli 7:7, 19, 23) Në lidhje me këtë, historiani H. G. Uells shkroi: «Kjo fuqi e re romake . . . ishte në shumë aspekte e ndryshme nga secila prej perandorive të mëdha që kishin mbizotëruar deri në atë kohë në botën e qytetëruar. . . . [Ajo] aneksoi pothuajse të gjithë grekët e botës dhe popullsia e saj ishte më pak hamitike dhe semitike sesa ajo e çdo perandorie të mëparshme . . . Deri në atë moment ajo ishte një model i ri në histori . . . Perandoria Romake ishte një rritje, një rritje e re e paplanifikuar; pothuajse pa e kuptuar, populli romak e pa veten të përfshirë në një eksperiment të madh administrativ.» Por megjithatë, bisha e katërt do të rritej më tej.
NJË BRI I VOGËL FITON EPËRSINË
20. Çfarë tha engjëlli për daljen e një briri të vogël në kokën e bishës së katërt?
20 «Vazhdova të shqyrtoja brirët—tha Danieli—dhe ja, një bri tjetër, një i vogël, doli mes tyre dhe tre nga brirët e parë u shkulën prej tij.» (Danieli 7:8) Në lidhje me këtë gjë që doli prej saj, engjëlli i tha Danielit: «Një tjetër akoma do të ngrihet pas tyre [dhjetë mbretërve] dhe ai vetë do të jetë i ndryshëm nga të parët dhe do të poshtërojë tre mbretër.» (Danieli 7:24) Kush është ky mbret, kur u ngrit dhe cilët ishin tre mbretërit që poshtëroi ai?
21. Si arriti Britania të bëhej briri i vogël simbolik i bishës së katërt?
21 Shqyrto zhvillimin e mëposhtëm të ngjarjeve. Në vitin 55 p.e.s., gjenerali romak Jul Cezari pushtoi Britaninë, por nuk themeloi dot një koloni të qëndrueshme. Në vitin 43 të e.s., perandori Klaud filloi një pushtim më të qëndrueshëm të Britanisë Jugore. Pastaj, në vitin 122 të e.s., perandori Adrian filloi të ndërtonte një mur nga lumi Tin deri në gjirin Soluej, që shënoi kufirin verior të Perandorisë Romake. Në fillim të shekullit të pestë, legjionet romake u larguan nga ishulli. «Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë,—shpjegoi një historian,—Anglia kishte qenë një fuqi e dorës së dytë. Pasuria e saj në krahasim me atë të Holandës ishte e vogël. Popullsia e saj ishte shumë më e vogël se ajo e Francës. Forcat e saj të armatosura (përfshirë edhe flotën e saj ushtarake detare) qëndronin më poshtë se ato të Spanjës.» Me sa duket, në atë kohë Britania ishte një mbretëri e papërfillshme, e cila përbënte bririn e vogël simbolik të bishës së katërt. Por, kjo situatë do të ndryshonte.
22. (a) Cilët janë tri brirët e tjerë të bishës së katërt, të cilët i mposhti briri «i vogël»? (b) Çfarë fuqie u bë më pas Britania?
22 Në vitin 1588, Filipi II i Spanjës lëshoi kundër Britanisë flotën luftarake spanjolle. Kjo flotë prej 130 anijesh, që mbartte më shumë se 24.000 burra, lundroi nëpër ngushticën La Mansh, vetëm që të mundej nga flota ushtarake britanike dhe që të binte viktimë e erërave të kundërta dhe e shtrëngatave të fuqishme të Atlantikut. Kjo ngjarje «shënoi kalimin vendimtar të epërsisë detare nga Spanja tek Anglia»,—tha një historian. Në shekullin e 17-të, holandezët zhvilluan marinën tregtare më të madhe në botë. Por, me kolonitë e përtej detit që sa vinin e shtoheshin, Britania triumfoi mbi atë mbretëri. Gjatë shekullit të 18-të, britanikët dhe francezët u ndeshën me njëri-tjetrin në Amerikën Veriore dhe në Indi, gjë që çoi në Traktatin e Parisit të vitit 1763. Ky traktat, sipas autorit Uilliam B. Uillkoks, «pranoi pozitën e re të Britanisë si fuqia mbizotëruese evropiane në botën përtej Evropës». Epërsia e Britanisë u përforcua nga fitorja dërrmuese mbi Napoleonin e Francës në vitin 1815 të e.s. «Tre mbretërit» që «poshtëroi» Britania në këtë mënyrë ishin Spanja, Holanda dhe Franca. (Danieli 7:24) Si rezultat, Britania doli si fuqia më e madhe koloniale dhe tregtare e botës. Po, briri «i vogël» u rrit derisa u bë një fuqi botërore!
23. Në ç’mënyrë e «përpiu të gjithë tokën» briri i vogël simbolik?
23 Engjëlli i tha Danielit se bisha e katërt apo mbretëria e katërt do të ‘përpinte të gjithë tokën’. (Danieli 7:23) Kjo doli e vërtetë për provincën romake, që dikur njihej si Britania. Më në fund ajo u bë Perandoria Britanike dhe ‘përpiu të gjithë tokën’. Kjo mbretëri përfshiu njëherësh një të katërtën e sipërfaqes së tokës së thatë dhe një të katërtën e popullsisë së saj.
24. Çfarë tha një historian për faktin që Perandoria Britanike ishte e ndryshme?
24 Ashtu si Perandoria Romake ishte e ndryshme nga fuqitë e mëparshme botërore, mbreti i paraqitur nga briri «i vogël» do të ishte, gjithashtu, «i ndryshëm nga të parët». (Danieli 7:24) Në lidhje me Perandorinë Britanike, historiani H. G. Uells vërente: «Kurrë më parë s’kishte ekzistuar diçka e këtij lloji. Për të gjithë sistemin, gjëja e parë dhe kryesore ishte ‘republika e kurorëzuar’ e Mbretërive të Bashkuara Britanike . . . Asnjë departament dhe asnjë tru nuk e kishte konceptuar ndonjëherë Perandorinë Britanike si një të tërë. Ajo ishte një përzierje rritjesh dhe akumulimesh, krejt e ndryshme nga çdo gjë që më përpara quhej perandori.»
25. (a) Nga se përbëhet briri i vogël simbolik në fazën e fundit të zhvillimit të tij? (b) Në ç’kuptim briri «i vogël» ka «sy si sytë e një njeriu» dhe «një gojë që thotë gjëra madhështore»?
25 Por briri «i vogël» ishte diçka më shumë sesa Perandoria Britanike. Në vitin 1783, Britania njohu pavarësinë e 13 kolonive të saj amerikane. Së fundi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë aleatja e Britanisë, duke dalë nga Lufta II Botërore si kombi mbizotërues në tokë. Ajo ka ende lidhje të forta me Britaninë. Fuqia botërore dyshe anglo-amerikane që rezultoi, përbën ‘bririn që ka sy’. Në fakt, kjo fuqi botërore është syhapur dhe e shkathët. Ajo ‘thotë gjëra madhështore’, duke i diktuar politikën një pjese të madhe të botës dhe duke vepruar si goja e saj apo si «profet i rremë».—Danieli 7:8, 11, 20; Zbulesa 16:13; 19:20.
BRIRI I VOGËL KUNDËRSHTON PERËNDINË DHE TË SHENJTËT E TIJ
26. Çfarë paratha engjëlli për të folurin dhe veprimet e bririt simbolik kundrejt Jehovait dhe shërbëtorëve të tij?
26 Danieli vazhdoi të përshkruante vizionin e tij, duke thënë: «Vazhdova të shihja, kur po ai bri u bëri luftë të shenjtëve dhe po triumfonte mbi ta.» (Danieli 7:21) Në lidhje me këtë «bri» ose mbret, engjëlli i Perëndisë paratha: «Ai do të thotë madje fjalë kundër Më të Lartit dhe do t’i përndjekë vazhdimisht vetë të shenjtët e Supremit. Dhe do të ketë ndër mend të ndryshojë kohët dhe ligjin dhe ato do të jepen në duart e tij për një kohë, kohë dhe një gjysmë kohe.» (Danieli 7:25) Si dhe kur u përmbush kjo pjesë e profecisë?
27. (a) Kush janë «të shenjtët» e persekutuar nga briri «i vogël»? (b) Në ç’mënyrë kishte ndër mend t’i «ndryshonte kohët dhe ligjin» briri simbolik?
27 «Të shenjtët» e persekutuar nga briri «i vogël», fuqia botërore anglo-amerikane, janë ithtarët e Jezuit mbi tokë, të mirosur nga fryma. (Romakëve 1:7; 1. Pjetrit 2:9) Vite përpara Luftës I Botërore, mbetja e këtyre të mirosurve paralajmëroi publikisht që viti 1914 do të shihte përfundimin e «kohëve të caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Kur atë vit shpërtheu lufta, qe e dukshme se briri «i vogël» e kishte shpërfillur këtë paralajmërim, sepse këmbënguli në përndjekjen e «të shenjtëve» të mirosur. Madje fuqia botërore anglo-amerikane i kundërshtoi përpjekjet e tyre për të zbatuar kërkesën (ose «ligjin») e Jehovait që lajmi i mirë i Mbretërisë të predikohet nga dëshmitarët e tij në mbarë botën. (Mateu 24:14) Në këtë mënyrë, briri «i vogël» u orvat «të ndryshonte kohët dhe ligjin».
28. Sa të gjata janë ‘koha, kohët dhe një gjysmë kohe’?
28 Engjëlli i Jehovait iu referua një periudhe profetike prej ‘një kohe, kohëve dhe një gjysmë kohe’. Sa e gjatë është kjo periudhë? Komentuesit e Biblës në përgjithësi janë dakord se kjo shprehje tregon tri kohë e gjysmë, shumën e një kohe, dy kohëve dhe gjysmë kohe. Meqenëse «shtatë kohët» e çmendurisë së Nabukodonosorit arritën deri në shtatë vjet, tri kohë e gjysmë janë tre vjet e gjysmë.c (Danieli 4:16, 25) Në një përkthim të Biblës (An American Translation) lexohet: «Ata do t’i dorëzohen atij për një vit, dy vjet dhe gjysmë viti.» Versioni i Xhejms Mofatit thotë: «Për tre vjet dhe gjysmë viti.» E njëjta periudhë përmendet edhe në Zbulesën 11:2-7, ku pohohet se dëshmitarët e Perëndisë do të predikonin të veshur me thasë për 42 muaj apo 1.260 ditë dhe pastaj do t’i vrisnin. Kur filloi dhe mbaroi kjo periudhë kohore?
29. Kur dhe si filluan tre vjetët e gjysmë profetikë?
29 Për të krishterët e mirosur, Lufta I Botërore pati domethënien e një kohe sprove. Nga fundi i vitit 1914, ata ishin në pritje të persekutimit. Në fakt, vetë shkrimi i vitit i zgjedhur për vitin 1915 ishte pyetja që u drejtoi Jezui dishepujve të tij: «A jeni në gjendje të pini nga kupa ime?» Ai bazohej në Mateun 20:22 të përkthimit King James Version. Kështu, duke filluar nga dhjetori i vitit 1914, ai grup i vogël dëshmitarësh predikoi «i veshur me thasë».
30. Si u përndoqën të krishterët e mirosur nga fuqia botërore anglo-amerikane gjatë Luftës I Botërore?
30 Ndërsa botën e mbërthenin ethet e luftës, të krishterët e mirosur hasnin një kundërshtim në rritje. Disa prej tyre u burgosën. Individë të veçantë, të tillë si Frank Plat në Angli dhe Robert Kleg në Kanada, u torturuan nga autoritetet sadiste. Më 12 shkurt 1918, Kanadaja, një dominion britanik, ndaloi vëllimin e shtatë të Studime mbi Shkrimet, të titulluar Misteri i përfunduar, i cili qe botuar kohët e fundit, si dhe fletushkat e titulluara Mujori i Studentëve të Biblës. Muajin që pasoi, Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së e deklaroi të paligjshme shpërndarjen e vëllimit të shtatë. Rezultati? Bastisje shtëpish, konfiskim i literaturës dhe arrestim i adhuruesve të Jehovait!
31. Kur dhe si përfunduan ‘koha, kohët dhe një gjysmë kohe’?
31 Përndjekja e të mirosurve të Perëndisë arriti kulmin më 21 qershor 1918, kur presidenti J. F. Rutherford dhe anëtarë të shquar të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract u dënuan me burgim për një kohë të gjatë mbi bazën e akuzave të rreme. Me qëllimin për të «ndryshuar kohët dhe ligjin», briri «i vogël» kishte vrarë me efektshmëri veprën e organizuar të predikimit. (Zbulesa 11:7) Kështu, periudha e parathënë prej ‘një kohe, kohëve dhe gjysmë kohe’, mori fund në qershor të vitit 1918.
32. Pse do të thoshe se «të shenjtët» nuk u asgjësuan nga briri «i vogël»?
32 Por përndjekja nga briri «i vogël» nuk i asgjësoi «të shenjtët». Siç ishte profetizuar në librin e Zbulesës, pas një periudhe të shkurtër mosaktiviteti, të krishterët e mirosur u gjallëruan dhe u aktivizuan përsëri. (Zbulesa 11:11-13) Më 26 mars 1919, presidenti i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract dhe shokët e tij u liruan nga burgu dhe më vonë u shkarkuan nga akuzat e rreme të bëra kundër tyre. Menjëherë pas kësaj, mbetja e mirosur filloi të riorganizohej për një aktivitet të mëtejshëm. Por, ç’e priste bririn «e vogël»?
I LASHTI I DITËVE ZHVILLON NJË PROCES GJYQËSOR
33. (a) Kush është i Lashti i Ditëve? (b) Çfarë ishin «librat që u hapën» në Gjykatën qiellore?
33 Pas prezantimit të katër bishave, Danieli i drejton sytë nga bisha e katërt, te një skenë në qiell. Ai shikon të Lashtin e Ditëve të ulur si Gjykatës në fronin e tij të shndritshëm. I Lashti i Ditëve s’është askush tjetër veçse Perëndia Jehova. (Psalmi 90:2) Ndërsa Trupi Gjykues qiellor zë vend, Danieli shikon ‘të hapen libra’. (Danieli 7:9, 10) Përderisa ekzistenca e Jehovait shtrihet që prej së shkuarës së pafundme, ai e di të gjithë historinë njerëzore si të ishte e shkruar në një libër. Ai i ka vëzhguar të katër bishat simbolike dhe mund ta japë gjykimin për to sipas një njohurie të drejtpërdrejtë.
34, 35. Çfarë do t’i ndodhë bririt «të vogël» dhe fuqive të tjera shtazarake?
34 Më tej, Danieli thotë: «Vazhdova të shihja në atë kohë për shkak të tingullit të fjalëve madhështore që thoshte briri; vazhdova të shihja derisa bisha u vra, trupi i saj u shkatërrua dhe iu dha zjarrit përvëlues. Por sa për pjesën tjetër të bishave, sundimet e tyre u hoqën dhe atyre iu dha një zgjatje e jetës për një kohë dhe një stinë.» (Danieli 7:11, 12) Engjëlli i thotë Danielit: «Vetë Trupi Gjykues nisi të ulej dhe më në fund ata e hoqën sundimin e tij, që ta zhduknin dhe ta shkatërronin atë krejtësisht.»—Danieli 7:26.
35 Me dekret të Gjykatësit të Madh, Perëndisë Jehova, briri që blasfemoi Perëndinë dhe përndoqi «të shenjtët» e tij, do të përjetojë atë që përjetoi Perandoria Romake, e cila persekutoi të krishterët e hershëm. Sundimi i saj nuk do të vazhdojë. Nuk do të vazhdojë as sundimi i «mbretërve» më të ulët që i ngjajnë bririt, të cilët dolën nga Perandoria Romake. Por, ç’të themi për sundimet që dolën nga fuqitë e mëparshme shtazarake? Siç ishte parathënë, jeta e tyre u zgjat «për një kohë dhe një stinë». Territoret e tyre kanë vazhduar të kenë banorë deri në ditët tona. Iraku, për shembull, zë territorin e Babilonisë së lashtë. Persia (Irani) dhe Greqia ekzistojnë ende. Mbetjet e këtyre fuqive botërore janë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Me zhdukjen e fuqisë së fundit botërore do të marrin fund edhe këto mbretëri. Të gjitha qeveritë njerëzore do të shfarosen në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14, 16) Po atëherë, kush do të sundojë mbi botën?
ËSHTË AFËR NJË SUNDIM I QËNDRUESHËM!
36, 37. (a) Kujt i referohet «dikush si bir njeriu» dhe kur e me ç’qëllim u shfaq ai në Gjykatën qiellore? (b) Çfarë u vendos në vitin 1914 të e.s.?
36 «Vazhdova të shihja në vizionet e natës dhe ja,—thirri Danieli,—me retë e qiejve po vinte dikush si bir njeriu; dhe fitoi mundësinë për të hyrë deri tek i Lashti i Ditëve dhe e paraqitën afër, madje përpara Tij.» (Danieli 7:13) Kur ishte në tokë, Jezu Krishti e quajti veten «Biri i njeriut», duke treguar kështu lidhjen e tij me njerëzimin. (Mateu 16:13; 25:31) Sinedrit apo gjykatës së lartë judaike, ai i tha: «Ju do ta shikoni Birin e njeriut të ulur në anën e djathtë të pushtetit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.» (Mateu 26:64) Kështu që, në vizionin e Danielit, ai që po vinte i padukshëm për sytë njerëzorë dhe që fitoi mundësinë për të hyrë tek Perëndia Jehova, ishte Jezu Krishti i ringjallur dhe i lëvduar. Kur ndodhi kjo?
37 Perëndia ka bërë me Jezu Krishtin një besëlidhje për një Mbretëri, ashtu siç kishte bërë një besëlidhje të tillë edhe me mbretin David. (2. Samuelit 7:11-16; Luka 22:28-30) Në vitin 1914 të e.s., kur morën fund «kohët e caktuara të kombeve», Jezu Krishti, si trashëgimtari mbretëror i Davidit, mundi të merrte me të drejtë sundimin e Mbretërisë. Në tregimin profetik të Danielit lexojmë: «Atij iu dha sundim, dinjitet dhe mbretëri, që popujt, grupet kombëtare dhe gjuhët t’i shërbenin të gjithë atij. Sundimi i tij është një sundim me kohëzgjatje të pacaktuar që nuk do të kalojë dhe mbretëria e tij, një mbretëri që nuk do të çohet në rrënim.» (Danieli 7:14) Kështu, në vitin 1914, në qiell u vendos Mbretëria Mesianike. Megjithatë, sundimi u është dhënë edhe të tjerëve.
38, 39. Kush do ta marrë sundimin e përhershëm mbi botën?
38 «Të shenjtët e Supremit do të marrin mbretërinë»,—tha engjëlli. (Danieli 7:18, 22, 27) Jezu Krishti është i shenjti kryesor. (Veprat 3:14; 4:27, 30) «Të shenjtët» e tjerë që sundojnë bashkë me të janë 144.000 të krishterët besimplotë të mirosur me frymë, që bashkë me Krishtin janë trashëgimtarë të Mbretërisë. (Romakëve 1:7; 8:17; 2. Selanikasve 1:5; 1. Pjetrit 2:9) Ata janë ringjallur nga vdekja si frymëra të pavdekshme, për të mbretëruar me Krishtin në Malin qiellor të Sionit. (Zbulesa 2:10; 14:1; 20:6) Pra, Krishti Jezu dhe të krishterët e mirosur të ringjallur do të sundojnë mbi botën e njerëzimit.
39 Në lidhje me sundimin e Birit të njeriut dhe të «të shenjtëve» të tjerë të ringjallur, engjëlli i Perëndisë tha: «Mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt iu dhanë popullit, që janë të shenjtët e Supremit. Mbretëria e tyre është një mbretëri me kohëzgjatje të pacaktuar dhe të gjitha sundimet do t’u shërbejnë dhe do t’u binden atyre.» (Danieli 7:27) Ç’bekime do të përjetojë njerëzimi i bindur nën atë Mbretëri!
40. Si mund të nxjerrim dobi duke i kushtuar vëmendje ëndrrës dhe vizioneve të Danielit?
40 Danieli nuk dinte asgjë për gjithë përmbushjet e mrekullueshme të vizioneve që i dha Perëndia. Ai tha: «Deri në këtë pikë është fundi i çështjes. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia vazhduan të më frikësonin shumë, aq sa ngjyra e fytyrës sime ndryshoi në mua; por vetë çështjen e mbajta në zemrën time.» (Danieli 7:28) Por ne jetojmë në kohën kur mund ta kuptojmë përmbushjen e asaj që pa Danieli. Duke i kushtuar vëmendje kësaj profecie, besimi ynë do të forcohet dhe bindja jonë se mbi botën do të sundojë Mbretëria Mesianike e Jehovait do të bëhet më e patundur.
[Shënimet]
a Për qartësi dhe që të shmangim përsëritjet, vargjet shpjeguese që gjenden në Danielin 7:15-28 do t’i bashkojmë me një shqyrtim varg për varg të vizioneve që gjenden në Danielin 7:1-14.
b Shiko kapitullin 4 të këtij libri.
c Shiko kapitullin 6 të këtij libri.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Çfarë simbolizon secila prej ‘katër bishave të stërmëdha që dalin nga deti’?
• Nga se përbëhet briri «i vogël»?
• Si u përndoqën «të shenjtët» nga briri i vogël simbolik gjatë Luftës I Botërore?
• Çfarë do t’u ndodhë bririt të vogël simbolik dhe fuqive të tjera shtazarake?
• Si ke nxjerrë dobi, duke i kushtuar vëmendje ëndrrës dhe vizioneve të Danielit për «katër bishat e stërmëdha»?
[Kutia dhe figurat në faqet 149-152]
NJË MONARK TOLERUES
NJË shkrimtar grek i shekullit të pestë p.e.s. e kujtoi atë si një monark tolerues dhe ideal. Në Bibël ai është quajtur «i mirosuri» i Perëndisë dhe «një zog preje» që vjen «nga lindja e diellit». (Isaia 45:1; 46:11) Monarku për të cilin u fol në këtë mënyrë është Kiri i Madh i Persisë.
Marshimi i Kirit drejt famës filloi rreth vitit 560 apo 559 p.e.s., kur ai pasoi atin e tij, Kambisin I, në fronin e Anshanit, një qytet ose rajon në Persinë e lashtë. Në atë kohë Anshani ishte nën hegjemoninë e mbretit med Astiagjit. Duke u ngritur në revoltë kundër sundimit med, Kiri korri një fitore të shpejtë, sepse ushtria e Astiagjit dezertoi duke kaluar në anën e tij. Atëherë Kiri fitoi besnikërinë e medëve. Pas kësaj, medët dhe persët luftuan të bashkuar nën udhëheqjen e tij. Kështu erdhi në ekzistencë sundimi medo-pers, i cili me kalimin e kohës e shtriu zotërimin e tij nga deti Egje deri në lumin Ind.—Shiko hartën.
Me forcat e bashkuara të medëve dhe të persëve, në fillim Kiri veproi për të vendosur kontrollin mbi një vend të trazuar: pjesën perëndimore të Medisë, ku mbreti lidhian, Kresi, po shtrinte zotërimin deri në brendësi të territorit med. Duke përparuar drejt kufirit lindor të Perandorisë Lidhiane në Azinë e Vogël, Kiri mundi Kresin dhe pushtoi kryeqytetin e tij, Sardën. Pastaj, Kiri nënshtroi qytetet joniane dhe e vuri të gjithë Azinë e Vogël brenda sferës së Perandorisë Medo-Perse. Pas kësaj, ai u bë rivali më i madh i Babilonisë dhe i mbretit të saj, Nabonidit.
Më pas, Kiri u përgatit për t’u ndeshur me Babiloninë e fuqishme. Që nga ky çast e tutje, ai figuronte në përmbushjen e profecisë biblike. Nëpërmjet profetit Isaia, pothuajse dy shekuj më parë, Jehovai e kishte përmendur me emër Kirin si sundimtarin që do të rrëzonte Babiloninë dhe do t’i çlironte judenjtë nga skllavëria. Ishte ky emërim paraprak shkaku që Shkrimet i referohen Kirit si «të mirosurit» të Jehovait.—Isaia 44:26-28.
Në vitin 539 p.e.s., kur doli kundër Babilonisë, Kiri u ndodh përballë një pune tepër të vështirë. I rrethuar nga mure të stërmëdha dhe nga një hendek i thellë e i gjerë i formuar nga lumi Eufrat, qyteti dukej i pamposhtshëm. Aty ku Eufrati rridhte përmes Babilonisë, përgjatë brigjeve të lumit ngrihej një mur si mal me dyer të stërmëdha bakri. E si mund ta shtinte në dorë Kiri Babiloninë?
Mbi një shekull më parë, Jehovai kishte parathënë «një shkretim mbi ujërat e saj» dhe kishte thënë se «ato duhej të thaheshin». (Jeremia 50:38) Në vërtetim të kësaj profecie, Kiri devijoi ujërat e lumit Eufrat pak kilometra në veri të Babilonisë. Pastaj ushtria e tij u zvarrit nëpër shtratin e lumit, ngjiti shpatin që çonte te muri dhe hyri me lehtësi në qytet, sepse dyert prej bakri ishin lënë hapur. Ashtu si «një zog preje» që vërvitet mbi viktimën e vet, ky sundimtar «nga lindja e diellit», nga lindja, e pushtoi Babiloninë brenda një nate!
Për judenjtë që ndodheshin në Babiloni, fitorja e Kirit donte të thoshte se kishte mbërritur çlirimi i shumëpritur nga robëria dhe fundi i shkretimit 70-vjeçar të mëmëdheut të tyre. Sa duhet të jenë drithëruar ata, kur Kiri nxori një deklaratë që i autorizonte të ktheheshin në Jerusalem dhe të rindërtonin tempullin! Gjithashtu, Kiri u ktheu atyre enët e çmuara të tempullit që Nabukodonosori i kishte çuar në Babiloni, dha lejen mbretërore për importimin e lëndës së drurit nga Libani dhe autorizoi që të përdoreshin fonde nga shtëpia e mbretit për të mbuluar shpenzimet e ndërtimit.—Ezdra 1:1-11; 6:3-5.
Në përgjithësi, Kiri ndoqi një politikë të njerëzishme dhe toleruese në trajtimin që i bëri popullit që pushtoi. Një arsye për këtë sjellje mund të ketë qenë feja e tij. Ka të ngjarë që Kiri t’u përmbahej mësimeve të profetit pers Zoroaster dhe të adhuronte Ahura Mazdën, një perëndi që mendohej se kishte krijuar gjithçka që është e mirë. Në librin e tij Tradita zoroastriane, Farhang Mer shkruan: «Zoroasteri e paraqiste Perëndinë si përsosmërinë morale. Ai u thoshte njerëzve se Ahura Mazda nuk është hakmarrës, por i drejtë dhe prandaj, nuk duhet ta kemi frikë, por ta duam.» Besimi te një perëndi që ishte i moralshëm dhe i drejtë mund të ketë ndikuar tek etika e Kirit dhe ta ketë inkurajuar për të qenë shpirtmadh dhe i paanshëm.
Megjithatë, mbreti ishte më pak tolerues ndaj klimës të Babilonisë. Atje, verat përvëluese ishin më të nxehta nga ç’i duronte ai. Kështu që, ndonëse Babilonia mbeti një qytet mbretëror i perandorisë, si dhe një qendër fetare e kulturore, rrallë shërbeu si diçka më shumë sesa kryeqyteti i tij dimëror. Në fakt, pas pushtimit të Babilonisë, Kiri u kthye menjëherë në kryeqytetin e tij veror Ekbatana, që ndodhej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, në këmbët e malit Aluand. Atje, dimrat e ftohtë të drejtpeshuar nga verat e këndshme i pëlqenin më shumë. Kiri ndërtoi edhe një pallat elegant në kryeqytetin e tij të mëparshëm Pasargada (pranë Persepolit), 650 kilometra në juglindje të Ekbatanës. Rezidenca e atjeshme shërbente si një vend qetësie për të.
Kështu, Kiri kujtohet si një pushtues trim dhe një monark tolerues. Sundimi i tij 30-vjeçar mori fund me vdekjen e tij në vitin 530 p.e.s., ndërkohë që ndodhej në një fushatë ushtarake. Ai u pasua në fronin pers nga i biri, Kambisi II.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Si e tregoi persi Kir se ishte «i mirosuri» i Jehovait?
• Çfarë shërbimi të vlefshëm kreu Kiri ndaj popullit të Jehovait?
• Si e trajtoi Kiri popullin që pushtoi?
[Harta]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PERANDORIA MEDO-PERSE
Jerusalemi
Babilonia
Memfisi
Ekbatana
Suza
Persepoli
MAQEDONIA
EGJIPTI
ETIOPIA
INDIA
[Figura]
Varri i Kirit në Pasargada
[Figura]
Basoreliev në Pasargada, që paraqet Kirin
[Kutia dhe figurat në faqen 153]
NJË MBRET I RI PUSHTON BOTËN
RRETH 2.300 vjet më parë, një gjeneral ushtarak bjond, te të 20-at, qëndronte në breg të Detit Mesdhe. Sytë e tij ishin ngulitur në një ishull-qytet rreth një kilometër larg. Meqenëse ia kishin refuzuar hyrjen në të, i tërbuar, gjenerali ishte i vendosur ta pushtonte atë qytet. Plani i tij i sulmit? Të ndërtonte një rrugë të ngritur që çonte në ishull dhe të mobilizonte forcat e tij kundër qytetit. Tashmë, ndërtimi i kësaj rruge kishte filluar.
Por një mesazh nga mbreti i madh i Perandorisë Perse e bëri gjeneralin e ri të ndalej. I paduruar për të bërë paqe, sundimtari pers bëri një ofertë të jashtëzakonshme: 10.000 talenta ari (rreth treqind miliardë lekë të reja sipas vlerës së sotme monetare), dorën e njërës prej bijave të mbretit për martesë dhe zotërimin mbi të gjithë pjesën perëndimore të Perandorisë Perse. E gjithë kjo u ofrua si shpërblim për familjen e mbretit, të cilën e kishte zënë rob gjenerali.
Komandanti që u ndodh përballë vendimit për ta pranuar apo hedhur poshtë ofertën, ishte Aleksandri III i Maqedonisë. A duhej ta pranonte atë ofertë? «Ky ishte një moment vendimtar për botën e lashtë,—thotë historiani Ulrik Uilkën.—Pasojat e vendimit të tij, në fakt, përshkuan Epokën e Mesjetës dhe arritën deri në ditët tona, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.» Përpara se të shqyrtojmë përgjigjen e Aleksandrit, le të shohim se cilat ngjarje çuan në këtë moment kritik.
FORMIMI I NJË PUSHTUESI
Aleksandri lindi në Pela të Maqedonisë në vitin 356 p.e.s. Babai i tij ishte mbreti Filip II, ndërsa nëna e tij, Olimpia. Ajo i mësoi Aleksandrit se mbretërit maqedonas vinin nga Herkuli, një bir i perëndisë grek Zeus. Sipas Olimpias, paraardhësi i Aleksandrit ishte Akili, heroi i Iliadës, poemës së Homerit. Meqenëse prindërit e kishin mësuar me lavdinë e pushtimeve dhe atë mbretërore, Aleksandrit të vogël s’para i interesonin gjërat e tjera. Kur e pyetën nëse do të merrte pjesë në një garë vrapimi në Lojërat Olimpike, Aleksandri tha se do të merrte pjesë, nëse do të vraponte me mbretër. Ambicia e tij ishte të kryente vepra më të mëdha sesa ato të babait të tij dhe të fitonte lavdi me anë të arritjeve të veta.
Në moshën 13-vjeçare, Aleksandri pati si tutor filozofin grek Aristotelin, i cili e ndihmoi të zhvillonte interesin për filozofinë, mjekësinë dhe shkencën. Masa në të cilën mësimet filozofike të Aristoteliti i dhanë formë mënyrës së të menduarit të Aleksandrit, është një objekt debati. «Duket se mund të themi të sigurt që nuk kishte shumë gjëra për të cilat ata ishin të një mendjeje,—vërejti Bertrand Rasëll, filozof i shekullit të 20-të.—Pikëpamjet politike të Aristotelit bazoheshin në qytet-shtetin grek, sistem i cili ishte në rënie.» Koncepti i një qeverie të vogël për një qytet-shtet nuk do të ishte tërheqës për një princ ambicioz, që donte të ndërtonte një perandori të madhe të centralizuar. Aleksandri duhet të ketë qenë skeptik edhe në lidhje me normën aristoteliane për trajtimin si skllevër të atyre që nuk ishin grekë, sepse ai përfytyronte një perandori ku mes fitimtarëve dhe të mundurve lulëzonte partneriteti.
Megjithatë, s’ka dyshim që Aristoteli kultivoi interesin e Aleksandrit për të lexuar dhe mësuar. Gjatë gjithë jetës, Aleksandri mbeti një lexues i etur, që kishte një pasion të veçantë për veprat e Homerit. Thuhet se ai mësoi përmendësh Iliadën: të 15.693 vargjet e poemës.
Arsimimi nga Aristoteli mori fund papritur në vitin 340 p.e.s., kur princi 16-vjeçar u kthye në Pela për të sunduar në Maqedoni, në mungesë të të atit. Ky princ trashëgimtar nuk humbi kohë për të rënë në sy me bëmat e tij ushtarake. Për kënaqësinë e Filipit, ai shtypi menjëherë maedianët, fis rebel nga Traka, mori me sulm qytetin e tyre kryesor dhe i vuri atij vendi emrin e tij, Aleksandropoli.
VAZHDOJNË PUSHTIMET
Vrasja e Filipit në vitin 336 p.e.s. bëri që 20-vjeçari Aleksandër të trashëgonte fronin e Maqedonisë. Në pranverën e vitit 334 p.e.s., duke hyrë në Azi nga Hellesponti (tani Dardanelet), Aleksandri ndërmori një fushatë pushtimesh me një ushtri të vogël, por të efektshme, prej 30.000 këmbësorësh dhe 5.000 kalorësish. Ushtrinë e tij e shoqëronin inxhinierë, gjeometra, arkitektë, shkencëtarë dhe historianë.
Në lumin Granik, në cepin veriperëndimor të Azisë së Vogël (tani Turqia), Aleksandri fitoi betejën e tij të parë kundër persëve. Atë dimër, ai pushtoi Azinë e Vogël Perëndimore. Vjeshtën që pasoi, beteja e dytë vendimtare me persët ndodhi në Isus, në cepin juglindor të Azisë së Vogël. Mbreti i madh pers, Dari III, shkoi atje me një ushtri prej rreth gjysmë milioni njerëzish për t’u ndeshur me Aleksandrin. Tepër i sigurt në vetvete, Dari mori me vete edhe nënën e tij, gruan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, që të ishin dëshmitarë të asaj që do të ishte një fitore e mahnitshme. Por persët ishin të papërgatitur për befasinë dhe furinë e sulmit maqedonas. Forcat e Aleksandrit i dhanë dërrmën ushtrisë perse dhe Dari ia mbathi, duke e braktisur familjen e tij në duart e Aleksandrit.
Në vend që të ndiqte persët që po ia mbathnin, Aleksandri marshoi drej jugut, përgjatë bregdetit mesdhetar, duke pushtuar bazat e përdorura nga flota e fuqishme perse. Por ishulli-qytet i Tirit i rezistoi zaptimit. I vendosur për ta pushtuar atë, Aleksandri filloi një rrethim që zgjati shtatë muaj. Gjatë këtij rrethimi erdhi oferta për paqe e bërë nga Dari, e cila u përmend më lart. Kaq tërheqëse ishin koncesionet, saqë thuhet se këshilltari i besuar i Aleksandrit, Parmeni, pohoi: ‘Po të isha Aleksandri, do të pranoja.’ Por gjenerali i ri ia ktheu: ‘Edhe unë, po të isha Parmeni.’ Duke refuzuar të hynte në bisedime, Aleksandri vazhdoi rrethimin dhe e rrënoi atë padrone krenare të detit në korrik të vitit 332 p.e.s.
Pasi kurseu Jerusalemin, i cili iu dorëzua, Aleksandri i shtriu pushtimet në jug, duke pushtuar Gazën. I kapitur nga sundimi pers, Egjipti e mirëpriti atë si një çlirimtar. Në Memfis ai i bëri flijime kaut Apis, duke ua bërë kështu qejfin priftërinjve egjiptianë. Ai themeloi edhe qytetin e Aleksandrisë, i cili më vonë konkurroi Athinën si qendër mësimi dhe mban ende emrin e tij.
Më pas, Aleksandri u kthye në verilindje, duke kaluar përmes Palestinës dhe drejt lumit Tigër. Në vitin 331 p.e.s., ai mori pjesë në betejën e tretë kryesore me persët, në Gaugamela, jo shumë larg nga rrënojat e Ninevisë që po bëheshin shkrumb e hi. Këtu, 47.000 burrat e ushtrisë së Aleksandrit mposhtën një ushtri perse të riorganizuar prej të paktën 250.000 vetash! Dari ua mbathi këmbëve dhe më vonë u vra nga njerëzit e vet.
I dehur nga fitorja, Aleksandri u kthye në jug dhe mori kryeqytetin dimëror persian, Babiloninë. Ai pushtoi edhe kryeqytetet Suza dhe Persepoli, duke marrë thesarin jashtëzakonisht të madh pers dhe duke djegur pallatin e madh të Kserksit. Më në fund, kryeqyteti Ekbatana ra në duart e tij. Pastaj, ky pushtues i shpejtë nënshtroi pjesën tjetër të zotërimit pers, duke shkuar deri në lindje, në lumin Ind, që ndodhet në Pakistanin e ditëve të sotme.
Sapo kapërceu Indin, në rajonin që kufizon provincën perse të Taksilës, Aleksandri u ndesh me një rival të tmerrshëm, monarkun indian Poros. Në qershor të vitit 326 p.e.s., Aleksandri bëri kundër tij betejën e katërt kryesore dhe të fundit. Ushtria e Porosit përfshinte 35.000 ushtarë dhe 200 elefantë, të cilët i tmerruan kuajt maqedonas. Beteja ishte e ashpër dhe e përgjakshme, por forcat e Aleksandrit triumfuan. Porosi u dorëzua dhe u bë një aleat.
Që kur ushtria maqedonase përshkoi Azinë kishin kaluar më shumë se tetë vjet dhe ushtarët ishin të kapitur dhe të përmalluar për vendlindjen e tyre. Të demoralizuar nga beteja e egër me Porosin, ata donin të ktheheshin në vendin e tyre. Megjithëse ngurroi në fillim, Aleksandri ua plotësoi dëshirat. Greqia ishte bërë me të vërtetë fuqia botërore. Me kolonitë greke të vendosura në vendet e pushtuara, gjuha dhe kultura greke u përhapën në tërë sferën e zotërimit.
BURRI PAS MBUROJËS
Ngjitësi që e mbajti të bashkuar ushtrinë maqedonase gjatë viteve të pushtimit, ishte personaliteti i Aleksandrit. Pas betejave, Aleksandri e kishte zakon të shkonte te të plagosurit, t’u shikonte plagët, t’i lavdëronte ushtarët për veprimet e tyre të guximshme dhe t’i nderonte duke u dhënë një sasi parash sipas asaj që kishin bërë. Sa për ata që binin në betejë, Aleksandri organizonte një varrim madhështor. Prindërit dhe fëmijët e të rënëve përjashtoheshin nga pagimi i çdo lloj takse dhe forme shërbimi. Pas betejave, për t’u argëtuar, Aleksandri organizonte lojëra dhe gara. Njëherë u dha madje liridalje të sapomartuarve që të shkonin ta kalonin dimrin me gratë e tyre në Maqedoni. Me veprime të tilla ai fitoi dashurinë dhe admirimin e ushtarëve të tij.
Në lidhje me martesën e Aleksandrit me princeshën baktriane Roksana, biografi grek Plutarku shkruan: «Kjo martesë ishte, në fakt, punë dashurie, por megjithatë dukej se njëkohësisht ndihmonte në arritjen e objektivit të tij, sepse popullit të pushtuar iu bë qejfi kur pa se ai e zgjodhi gruan nga mesi i tyre. Ajo që e bëri popullin të ndjente dashuri të madhe për të qe fakti që, megjithëse ishte i vetmi pasion nga i cili ai, burri më i përmbajtur, u mposht, u frenua derisa e mori nusen në mënyrë të ligjshme dhe të nderuar.»
Aleksandri respektonte edhe martesat e të tjerëve. Megjithëse gruaja e mbretit Dar ishte robinjë e tij, ai tregoi kujdes që ajo të trajtohej me ndershmëri. Ngjashëm, sapo mori vesh se dy ushtarë maqedonas kishin abuzuar me gratë e disa të huajve, urdhëroi që nëse dilte se ishin fajtorë, të ekzekutoheshin.
Ashtu si nëna e tij Olimpia, Aleksandri ishte shumë fetar. Para dhe pas betejave ai bënte flijime dhe konsultohej me parashikuesit e tij për domethënien e disa ogureve. Ai konsultohej edhe me orakullin e Amonit në Libi. Edhe në Babiloni ai zbatoi udhëzimet e kaldeasve në lidhje me flijimet, sidomos në lidhje me ato që i bëheshin perëndisë babilonase Bel (Mardukut).
Megjithëse ishte i përkorë në zakonet e tij të të ngrënit, në fund Aleksandri u dha pas teprimit në të pirë. Pas çdo kupe vere ai fliste gjerë e gjatë dhe mburrej për arritjet e tij. Një prej veprimeve më të ulëta të Aleksandrit ishte vrasja e mikut të tij, Klitit, kur i dehur i hipi një dallgë tërbimi. Por Aleksandri e dënoi aq shumë veten, saqë për tri ditë u shtri në shtrat dhe as hëngri, as piu. Më në fund, miqtë e vet e bindën të hante.
Me kalimin e kohës, lakmia e Aleksandrit për lavdi nxori në shesh tipare të tjera të padëshirueshme. Ai filloi t’i besonte menjëherë akuzat e rreme dhe filloi të jepte ndëshkime me egërsinë më të madhe. Për shembull, kur ia mbushën mendjen se Filota kishte marrë pjesë në një komplot për ta vrarë, Aleksandri urdhëroi ekzekutimin e tij dhe të babait të tij, Parmenit, këshilltarit që dikur e besonte.
DISFATA E ALEKSANDRIT
Pak pas kthimit në Babiloni, Aleksandri ra viktimë e etheve të malaries dhe s’e mori më veten. Më 13 qershor 323 p.e.s., pasi kishte jetuar vetëm 32 vjet e 8 muaj, Aleksandri iu dorëzua armikut më të tmerrshëm, vdekjes.
Ndodhi tamam siç kishin vërejtur disa të mençur indianë: «O mbreti Aleksandër, çdo njeri zotëron aq tokë sa kjo mbi të cilën qëndrojmë; dhe ti, meqenëse je si të tjerët, përveç faktit që je plot aktivitet dhe i papërkulshëm, po endesh nëpër gjithë këtë tokë larg shtëpisë sate, duke futur në telashe veten dhe të tjerët. Por edhe pak e do të vdesësh dhe do të zotërosh jo më shumë tokë sesa ajo që mjafton për varrin tënd.»
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Cili qe formimi i Aleksandrit të Madh?
• Cilën fushatë ndërmori Aleksandri pak pas trashëgimit të fronit të Maqedonisë?
• Përshkruaj disa prej pushtimeve të Aleksandrit.
• Ç’mund të thuhet për personalitetin e Aleksandrit?
[Harta]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PUSHTIME TË ALEKSANDRIT
MAQEDONIA
EGJIPTI
Babilonia
Lumi Ind
[Figura]
Aleksandri
[Figura]
Aristoteli dhe nxënësi i tij Aleksandri
[Figura që zë gjithë faqen]
[Figura]
Monedhë që thuhet se paraqet Aleksandrin e Madh
[Kutia dhe figurat në faqet 162, 163]
NJË MBRETËRI E PAANË NDAHET
NË LIDHJE me mbretërinë e Aleksandrit të Madh, Bibla paratha një copëtim dhe ndarje të saj, «por jo pasardhësve të tij». (Danieli 11:3, 4) Në përputhje me këtë, brenda 14 vjetësh pas vdekjes së papritur të Aleksandrit në vitin 323 p.e.s., biri i tij i ligjshëm, Aleksandri IV, dhe biri i tij i paligjshëm, Herakli, u vranë.
Aty nga viti 301 p.e.s., katër gjeneralë të Aleksandrit morën vetë pushtetin mbi të gjithë mbretërinë e madhe që kishte ndërtuar komandanti i tyre. Gjeneral Kasandri vuri nën kontroll Maqedoninë dhe Greqinë. Gjeneral Lisimaku mori Azinë e Vogël dhe Trakën. Seleukut I Nikator i kaloi Mesopotamia dhe Siria. Ndërsa Ptoleme Lagu apo Ptolemeu I, sundoi në Egjipt dhe Palestinë. Kështu, nga një mbretëri e madhe e Aleksandrit lindën katër mbretëri helenistike apo greke.
Nga të katër mbretëritë helenistike, jetën më të shkurtër e pati sundimi i Kasandrit. Pak vite pas ardhjes në pushtet të Kasandrit, pasardhësi i tij vdiq dhe në vitin 285 p.e.s. Lisimaku vuri nën zotërim pjesën evropiane të Perandorisë Greke. Katër vjet më vonë, Lisimaku u vra në një betejë me ushtrinë e Seleukut I Nikator, duke i lënë këtij të fundit kontrollin mbi pjesën më të madhe të territoreve aziatike. Seleuku u bë i pari në linjën e mbretërve Seleukaj në Siri. Ai themeloi në Siri Antiokinë dhe e bëri atë kryeqytetin e tij të ri. Seleuku u vra në vitin 281 p.e.s., por dinastia që kishte themeluar ai vazhdoi të qëndronte në fuqi deri në vitin 64 p.e.s., kur gjenerali romak Pompei e bëri Sirinë provincë të Romës.
Nga të katër ndarjet e perandorisë së Aleksandrit, më gjatë qëndroi mbretëria e Ptolemejve. Ptolemeu I e mori titullin mbret në vitin 305 p.e.s. dhe u bë i pari nga mbretërit apo faraonët maqedonas të Egjiptit. Duke e bërë Aleksandrinë kryeqytet, ai filloi menjëherë një program për zhvillimin urban. Një prej projekteve të tij më të mëdha të ndërtimit ishte Biblioteka e famshme e Aleksandrisë. Për mbikëqyrjen e këtij projekti të madh, Ptolemeu solli nga Greqia një dijetar të njohur athinas, Demetri Falereus. Thuhet se në shekullin e parë të e.s., në bibliotekë ndodheshin një milion rrotulla. Dinastia e Ptolemejve vazhdoi të sundonte në Egjipt, derisa ra në duart e Romës në vitin 30 p.e.s. Pastaj, Greqinë e zëvendësoi Roma si fuqia mbizotëruese botërore.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Si u nda perandoria e paanë e Aleksandrit?
• Deri kur vazhdoi të sundonte në Siri linja e mbretërve Seleukaj?
• Kur mori fund mbretëria e Ptolemejve në Egjipt?
[Harta]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
COPËTIMI I PERANDORISË SË ALEKSANDRIT
Ptolemeu I
Kasandri
Lisimaku
Seleuku I
[Figurat]
Ptolemeu I
Seleuku I
[Diagrami dhe figura në faqen 139]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FUQITË BOTËRORE TË PROFECISË SË DANIELIT
Shëmbëlltyra tejet e madhe (Danieli 2:31-45)
Katër bisha dalin nga deti (Danieli 7:3-8, 17, 25)
BABILONIA që prej vitit 607 p.e.s.
MEDO-PERSIA që prej vitit 539 p.e.s.
GREQIA që prej vitit 331 p.e.s.
ROMA që prej vitit 30 p.e.s.
FUQIA BOTËRORE ANGLO-AMERIKANE nga viti 1763 i e.s.
BOTA POLITIKISHT E PËRÇARË në kohën e fundit
[Figura që zë gjithë faqen 128]
[Figura që zë gjithë faqen 147]