Kapitulli Pesë
Besimi i tyre mbijetoi sprovën e rëndë
1. Çfarë mendojnë shumë njerëz në lidhje me devocionin ndaj Perëndisë dhe atdheut të tyre?
KUJT duhet t’i drejtohet devocioni yt: Perëndisë apo vendit ku jeton? Shumë veta do të përgjigjeshin me fjalët: ‘Unë i nderoj të dyja. Adhuroj Perëndinë sipas asaj që më dikton feja ime dhe në të njëjtën kohë, i përkushtohem me besnikëri atdheut tim.’
2. Në ç’mënyrë mbreti i Babilonisë ishte si figurë fetare, ashtu edhe politike?
2 Sot, kufiri mes devocionit fetar dhe patriotizmit mund të duket i turbullt, por në Babiloninë e lashtë praktikisht nuk ekzistonte fare. Në fakt, aspekti civil dhe ai fetar ishin kaq të ndërthurur, saqë hera-herës nuk dalloheshin dot nga njëri-tjetri. «Në Babiloninë e lashtë,—shkruan profesori Çarls F. Pfaifër,—mbreti shërbente edhe si Kryeprift, edhe si sundimtar civil. Ai bënte flijime dhe përcaktonte jetën fetare të nënshtetasve të tij.»
3. Ç’gjë tregon se Nabukodonosori ishte një njeri tepër fetar?
3 Shqyrto rastin e mbretit Nabukodonosor. Vetë emri i tij do të thotë: «O Nebo, mbro trashëgimtarin!» Nebo ishte perëndia babilonas i mençurisë dhe i bujqësisë. Nabukodonosori ishte tepër fetar. Siç u vërejt më parë, ai kishte ndërtuar dhe zbukuruar tempujt e perëndive të shumta babilonase dhe i qe përkushtuar në mënyrë të veçantë Mardukut, të cilit i jepte meritën për fitoret e tij ushtarake.a Gjithashtu, duket se për hartimin e planeve të betejave, Nabukodonosori i besonte shumë shortarisë.—Ezekieli 21:18-23.
4. Përshkruaj frymën fetare të Babilonisë.
4 Vërtet, e gjithë Babilonia përshkohej nga një frymë fetare. Qyteti mburrej me më shumë se 50 tempujt e tij, në të cilët adhuroheshin një koleksion i pafund perëndish dhe perëndeshash, përfshirë edhe triadën Anu (perëndia i qiellit), Enlil (perëndia i tokës, ajrit dhe stuhisë) dhe Ea (perëndia mbi ujërat). Një trinitet tjetër përbëhej nga Sini (perëndia hënë), Shamashi (perëndia diell) dhe Ishtari (perëndesha e pjellorisë). Në adhurimin babilonas, rol të dukshëm luanin magjia, shtrigëria dhe astrologjia.
5. Cilën sfidë paraqiste për të mërguarit judenj mjedisi fetar i Babilonisë?
5 Fakti që jetonin mes njerëzish që nderonin shumë perëndi, përbënte një sfidë të vështirë për të mërguarit judenj. Shekuj më parë, Moisiu i kishte paralajmëruar izraelitët që nëse do të zgjidhnin rebelimin ndaj Ligjdhënësit Suprem, do të kishin pasoja të tmerrshme. Moisiu u kishte thënë: «Jehovai do të të bëjë të marshosh ty dhe mbretin tënd që do të vendosësh mbi veten, drejt një kombi që nuk e ke njohur as ti, as etërit e tu dhe atje do të të duhet t’u shërbesh perëndive të tjera prej druri dhe prej guri.»—Ligji i përtërirë 28:15, 36.
6. Pse fakti që jetonin në Babiloni përbënte një sfidë të veçantë për Danielin, Hananinë, Mishaelin dhe Azarinë?
6 Tani, judenjtë gjendeshin pikërisht në këtë situatë të rrezikshme. Mbajtja e integritetit ndaj Jehovait do të ishte e vështirë sidomos për Danielin, Hananinë, Mishaelin dhe Azarinë. Këta katër të rinj hebrenj i kishin zgjedhur në mënyrë speciale që t’i stërvitnin për shërbimet qeveritare. (Danieli 1:3-5) Sill ndër mend se atyre u kishin vënë madje emra babilonas: Beltshazar, Shadrak, Meshak dhe Abednego. Ka të ngjarë që këtë ta kenë bërë me qëllim që të ndikonte tek ata për t’iu përshtatur mjedisit të ri ku jetonin.b Pozitat e larta që kishin këta burra do të bënin që çdo refuzim i tyre për të adhuruar perënditë e vendit të binte në sy, madje të konsiderohej tradhti.
NJË SHËMBËLLTYRË E ARTË PËRBËN NJË KËRCËNIM
7. (a) Përshkruaj shëmbëlltyrën e ngritur nga Nabukodonosori. (b) Cili ishte qëllimi i kësaj shëmbëlltyre?
7 Me sa duket, në përpjekje për të forcuar unitetin e perandorisë së tij, Nabukodonosori ngriti një shëmbëlltyrë të artë në rrafshinën e Duras. Ai ishte 60 kubitë (27 metra) i lartë dhe 6 kubitë (2,7 metra) i gjerë.c Disa mendojnë se shëmbëlltyra ishte thjesht një shtyllë ose obelisk. Ajo mund të ketë pasur një piedestal shumë të lartë, mbi të cilin ndodhej një statujë e stërmadhe që i ngjante një njeriu, e cila përfaqësonte ndoshta vetë Nabukodonosorin ose perëndinë Nebo. Sido që të ishte, ky monument shumë i lartë ishte simbol i Perandorisë Babilonase. Si i tillë, ai ishte bërë me qëllimin që ta shihnin dhe ta nderonin.—Danieli 3:1.
8. (a) Cilët u thirrën në përurimin e shëmbëlltyrës dhe çfarë iu kërkua të gjithë të pranishmëve? (b) Cili do të ishte dënimi, nëse dikush do të refuzonte të përkulej përpara shëmbëlltyrës?
8 Për këtë arsye, Nabukodonosori organizoi një ceremoni përurimi. Ai mblodhi satrapët e tij, prefektët, qeveritarët, këshilltarët, thesarmbajtësit, gjykatësit, zyrtarët e policisë dhe të gjithë administratorët e rajoneve të juridiksionit. Një kasnec thërriste: «O popuj, grupe kombëtare dhe gjuhë, juve ju thuhet, se në kohën që dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela, të gajdes dhe të të gjitha llojeve të instrumenteve muzikore, bini dhe adhuroni shëmbëlltyrën prej ari që ka ngritur Nabukodonosori, mbreti. Dhe kushdo që nuk bie dhe nuk adhuron, do të flaket po atë çast në furrën e zjarrtë përvëluese.»—Danieli 3:2-6.
9. Cila ishte domethënia në dukje e përkuljes para shëmbëlltyrës që kishte ngritur Nabukodonosori?
9 Disa mendojnë se kjo ceremoni e organizuar nga Nabukodonosori ishte një orvatje për t’i detyruar judenjtë të kompromentonin adhurimin e Jehovait. Ka të ngjarë që arsyeja të mos ishte kjo, sepse me sa duket në këtë ngjarje ishin thirrur vetëm zyrtarët e qeverisë. Kështu që të vetmit judenj të pranishëm do të ishin ata që shërbenin në ndonjë post qeveritar. Pra, duket se përkulja përpara shëmbëlltyrës ishte një ceremoni që kishte si qëllim forcimin e solidaritetit të klasës sunduese. Studiuesi Xhon F. Ualvurd vëren: «Një shfaqje e tillë e zyrtarëve ishte nga njëra anë një demonstrim i këndshëm i fuqisë së perandorisë së Nabukodonosorit dhe nga ana tjetër ishte domethënëse, sepse pranonte hyjnitë, të cilat sipas mendimit të tyre ishin përgjegjëse për fitoret e arritura.»
SHËRBËTORËT E JEHOVAIT REFUZOJNË TË BËJNË KOMPROMIS
10. Pse për jojudenjtë nuk do të kishte fare problem të zbatonin urdhrin e Nabukodonosorit?
10 Pavarësisht nga devocioni i tyre ndaj perëndive të ndryshëm mbrojtës, shumicën e atyre që ishin mbledhur përpara shëmbëlltyrës së Nabukodonosorit s’do t’i brente fare ndërgjegjja për adhurimin e kësaj shëmbëlltyre. «Të gjithë ata ishin mësuar të adhuronin idhuj, kështu që adhurimi i një perëndie nuk i pengonte të nderonin edhe një tjetër»,— shpjegoi një studiues i Biblës. Ai vazhdoi: «Kjo përputhej me pikëpamjet e përhapura të idhujtarëve se ekzistonin shumë perëndi . . . dhe se të nderoje perëndinë e një populli ose vendi nuk ishte diçka e gabuar.»
11. Pse Shadraku, Meshaku dhe Abednego refuzuan të përkuleshin përpara shëmbëlltyrës?
11 Megjithatë, për judenjtë ishte ndryshe. Perëndia i tyre, Jehovai, i kishte urdhëruar: «Nuk duhet t’i bësh vetes asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur a formë të ngjashme me ndonjë gjë që është lart në qiej ose që është poshtë mbi tokë, ose që ndodhet në ujërat nën tokë. Nuk duhet t’u përkulesh atyre e as të shtyhesh për t’u shërbyer atyre, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkon rreptësisht devocion ekskluziv.» (Dalja 20:4, 5) Prandaj, kur filloi muzika dhe ata që ishin mbledhur ranë përmbys përpara shëmbëlltyrës, tre të rinjtë hebrenj, Shadraku, Meshaku dhe Abednego, qëndruan në këmbë.—Danieli 3:7.
12. Për çfarë i akuzuan disa kaldeas tre hebrenjtë dhe pse?
12 Refuzimi i tre zyrtarëve hebrenj për të adhuruar shëmbëlltyrën, i tërboi disa kaldeas. Menjëherë, iu afruan mbretit dhe «akuzuan judenjtë».d Ata as që donin t’ia dinin për shpjegimin. Me dëshirën që hebrenjtë të ndëshkoheshin për mosbesnikëri dhe tradhti, akuzuesit thanë: «Ekzistojnë disa judenj që ti i emërove mbi administrimin e rajonit të juridiksionit të Babilonisë: Shadraku, Meshaku dhe Abednego; këta burra truplidhur nuk të kanë përfillur fare, o mbret, nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur ti.»—Danieli 3:8-12.
13, 14. Si reagoi Nabukodonosori ndaj rrugës që ndoqën Shadraku, Meshaku dhe Abednego?
13 Sa duhet ta ketë zhgënjyer Nabukodonosorin mosbindja e tre hebrenjve ndaj urdhrit të tij! Ishte e qartë se ai nuk ia kishte dalë t’i kthente Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon në përkrahës besnikë të Perandorisë Babilonase. A nuk i kishte arsimuar ata në mençurinë e kaldeasve? Madje u kishte ndryshuar edhe emrat! Por, nëse Nabukodonosori mendonte që arsimimi madhështor do t’u mësonte atyre një mënyrë të re adhurimi apo që ndryshimi i emrave do t’u ndryshonte identitetin, gabohej rëndë. Shadraku, Meshaku dhe Abednego mbetën shërbëtorë besnikë të Jehovait.
14 Mbreti Nabukodonosor u xhindos. Menjëherë, thirri Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon. Ai i pyeti: «A është vërtet kështu, o Shadrak, Meshak dhe Abednego, që ju nuk u shërbeni perëndive të mia dhe që nuk adhuroni shëmbëlltyrën prej ari që kam ngritur unë?» Pa dyshim që Nabukodonosori i tha këto fjalë i skandalizuar. Në fund të fundit, ai duhet të ketë bërë këtë arsyetim: ‘Si kanë mundur ta shpërfillin tre burra me mendje të shëndoshë një urdhër kaq të qartë, një urdhër që po të mos i bindesh, dënohesh rëndë?’—Danieli 3:13, 14.
15, 16. Cilën mundësi u ofroi Nabukodonosori tre hebrenjve?
15 Nabukodonosori ishte i gatshëm t’u jepte një mundësi tjetër tre hebrenjve. «Tani, nëse jeni gati,—tha ai,—që kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela, të gajdes dhe të të gjitha llojeve të instrumenteve muzikore, të bini dhe të adhuroni shëmbëlltyrën që kam bërë, në rregull. Por nëse nuk adhuroni, po atë çast do të flakeni në furrën e zjarrtë përvëluese. Dhe kush është ai perëndi që mund t’ju çlirojë nga duart e mia?»—Danieli 3:15.
16 Me sa duket, mësimi që kishte marrë me anë të shëmbëlltyrës së ëndrrës (që gjendet në kapitullin 2 të Danielit) nuk kishte pasur efekt të qëndrueshëm në mendjen dhe në zemrën e Nabukodonosorit. Ndoshta e kishte harruar tashmë pohimin që i bëri Danielit: «Perëndia juaj është Perëndi i perëndive dhe Zotëri i mbretërve.» (Danieli 2:47) Dukej se tani Nabukodonosori po e sfidonte Jehovain, duke thënë se as Ai nuk mund t’i shpëtonte hebrenjtë nga ndëshkimi që i priste.
17. Si iu përgjigjën Shadraku, Meshaku dhe Abednego ofertës së mbretit?
17 Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos as që u duhej të mendonin dy herë. Menjëherë ia kthyen: «O Nabukodonosor, për sa i përket kësaj, nuk kemi fare nevojë të të japim një përgjigje. Nëse kjo duhet të jetë, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë. Nga furra e zjarrtë përvëluese dhe nga dora jote, o mbret, ai do të na çlirojë. Por nëse jo, le të të bëhet e njohur, o mbret, se perënditë e tua nuk janë ato të cilave u shërbejmë dhe shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur, nuk do ta adhurojmë.»—Danieli 3:16-18.
NË FURRËN E ZJARRTË!
18, 19. Çfarë ndodhi kur tre hebrenjtë u flakën në furrën e zjarrtë?
18 I tërbuar, Nabukodonosori urdhëroi që shërbëtorët e tij ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht. Pastaj u dha urdhër «disa burrave truplidhur me energji jetësore» që t’i lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon dhe t’i flaknin në «furrën e zjarrtë përvëluese». Ata zbatuan urdhrat e mbretit, duke i flakur në zjarr tre hebrenjtë, të cilët ishin të lidhur dhe plotësisht të veshur, ndoshta që kështu të digjeshin edhe më shpejt. Por ata që u dogjën nga flakët ishin vetë sejmenët e Nabukodonosorit.—Danieli 3:19-22.
19 Por po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Megjithëse Shadraku, Meshaku dhe Abednego ndodheshin në mes të furrës së zjarrtë, flakët nuk po i konsumonin. Imagjino habinë e Nabukodonosorit! I kishin flakur në një zjarr flakërues të lidhur si jo më mirë, por ata ishin ende gjallë. Madje po ecnin lirshëm nëpër zjarr! Por Nabukodonosori vërejti diçka tjetër. «A nuk ishin tre burra truplidhur që flakëm të lidhur në mes të zjarrit?»—i pyeti ai zyrtarët e tij të lartë mbretërorë. «Po, o mbret»,—u përgjigjën ata. «Ja!—thirri Nabukodonosori.—Unë po shoh katër burra truplidhur që ecin lirshëm në mes të zjarrit dhe në ta nuk ka asnjë dëmtim dhe pamja e të katërtit i ngjan një biri të perëndive.»—Danieli 3:23-25.
20, 21. (a) Çfarë vërejti Nabukodonosori në lidhje me Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon, kur ata dolën nga furra? (b) Çfarë qe i detyruar të pranonte Nabukodonosori?
20 Nabukodonosori iu afrua derës së furrës së zjarrtë. «Shadrak, Meshak dhe Abednego, ju shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë,—thirri ai,—dilni dhe ejani këtu!» Të tre hebrenjtë dolën nga mesi i zjarrit. Pa dyshim, të gjithë ata që qenë dëshmitarë okularë të kësaj mrekullie, përfshirë edhe satrapët, prefektët, qeveritarët dhe zyrtarët e lartë, mbetën të shtangur. E pra, dukej sikur këta tre të rinj s’kishin hyrë kurrë në atë furrë! Mbi ta s’kishte kaluar fare era e zjarrit dhe nuk u ishte përzhitur as edhe një fije floku.—Danieli 3:26, 27.
21 Tani Nabukodonosori ishte i detyruar ta pranonte se Jehovai është Perëndia Më i Lartë. «Bekuar qoftë Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos,—deklaroi ai,—i cili dërgoi engjëllin e tij dhe i çliroi shërbëtorët e tij që besuan në të, që ndryshuan vetë fjalën e mbretit dhe që dorëzuan trupat e tyre, sepse nuk do t’i shërbenin dhe nuk do të adhuronin asnjë perëndi përveç Perëndisë së tyre!» Pastaj, mbreti shtoi këtë paralajmërim të prerë: «Prej meje del një urdhër, që çdo populli, grupi kombëtar ose gjuhe që thotë diçka të gabuar kundër Perëndisë së Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, të zhgjymtohet dhe shtëpia e tij të kthehet në nevojtore publike, përderisa nuk ekziston asnjë perëndi tjetër që të jetë në gjendje të lirojë si ky.» Me të thënë këtë, të tre hebrenjtë rifituan favorin mbretëror dhe ‘patën mbarësi në rajonin e juridiksionit të Babilonisë’.—Danieli 3:28-30.
BESIMI DHE SPROVA E RËNDË SOT
22. Si hasin shërbëtorët e sotëm të Jehovait rrethana të ngjashme me atë të Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos?
22 Sot, adhuruesit e Jehovait hasin rrethana të ngjashme me atë të Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos. Vërtet, populli i Perëndisë mund të mos jetë i mërguar në kuptimin e mirëfilltë. Por megjithatë, Jezui u tha ithtarëve të tij të ‘mos ishin pjesë e botës’. (Gjoni 17:14) Ata janë «të huaj», në kuptimin që nuk adoptojnë zakonet, qëndrimet dhe praktikat jobiblike të atyre që i rrethojnë. Siç shkroi apostulli Pavël, të krishterët duhet të mos ‘modelohen më sipas këtij sistemi gjërash’.—Romakëve 12:2.
23. Si shfaqën palëkundshmëri tre hebrenjtë dhe si mund ta ndjekin sot të krishterët shembullin e tyre?
23 Tre hebrenjtë refuzuan të modeloheshin sipas sistemit babilonas. Edhe arsimimi i gjithanshëm në mençurinë kaldease nuk i devijoi dot. Qëndrimi i tyre në lidhje me adhurimin ishte i padiskutueshëm dhe besnikëria e tyre i tregohej Jehovait. Po kaq të palëkundur duhet të jenë edhe të krishterët e sotëm. Atyre nuk duhet t’u vijë turp që janë ndryshe nga njerëzit e botës. Në fakt, «bota po kalon dhe po kështu edhe dëshira e saj». (1. Gjonit 2:17) Pra, konformimi me këtë sistem gjërash që po merr fund, do të ishte diçka e marrë dhe e kotë.
24. Si krahasohet qëndrimi i të krishterëve të vërtetë me atë të tre hebrenjve?
24 Sot, të krishterët duhet të ruhen nga çdo formë idhujtarie, përfshirë edhe format e holla.e (1. Gjonit 5:21) Duke treguar bindje dhe respekt, Shadraku, Meshaku dhe Abednego qëndruan në këmbë përpara shëmbëlltyrës prej ari, por e kuptuan se përkulja para tij ishte më shumë sesa një gjest i thjeshtë respekti. Ajo ishte një akt adhurimi dhe pjesëmarrja në të do të shkaktonte zemërimin e Jehovait. (Ligji i përtërirë 5:8-10) Xhon F. Ualvurd shkruan: «Ai akt ishte në thelb një përshëndetje e flamurit, megjithëse, për shkak të ndërlidhjes mes besnikërisë fetare dhe asaj kombëtare, mund të ketë pasur edhe ngjyrime fetare.» Sot, të krishterët e vërtetë marrin një qëndrim po kaq të patundur kundër idhujtarisë.
25. Çfarë mësimi ke nxjerrë nga ngjarja reale e jetës së Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos?
25 Tregimi biblik për Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon u siguron një mësim të shkëlqyer praktik të gjithë atyre që janë të vendosur t’i japin Jehovait devocion ekskluziv. Duket se apostulli Pavël pati ndër mend këta tre të rinj hebrenj, kur foli për shumë veta që kishin ushtruar besim, përfshirë edhe ata që «i rezistuan forcës së zjarrit». (Hebrenjve 11:33, 34) Jehovai do t’i shpërblejë të gjithë ata që imitojnë një besim të tillë. Tre hebrenjtë u çliruan nga furra e zjarrtë, por mund të jemi të sigurt se ai do t’i ringjallë të gjithë besnikët që e humbasin jetën e tyre si mbajtës të integritetit dhe do t’i bekojë me jetën e përhershme. Sido që të jetë, Jehovai «po ruan shpirtrat e besnikëve të tij; ai i çliron ata nga dora e të ligjve».—Psalmi 97:10.
[Shënimet]
a Disa mendojnë se Marduku, i cili konsiderohej si themelues i Perandorisë Babilonase, përfaqëson Nimrodin e hyjnizuar. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet me siguri.
b «Beltshazar» do të thotë «mbro jetën e mbretit». «Shadrak» mund të ketë kuptimin «urdhër i Akut», perëndisë hënë sumeriane. Ka mundësi që «Meshak» t’i referohet një perëndie sumeriane, ndërsa «Abednego» do të thotë «shërbëtor i Negos» ose Nebos.
c Duke pasur parasysh madhësinë e jashtëzakonshme të shëmbëlltyrës, disa studiues të Biblës mendojnë se ajo ishte bërë prej druri dhe pastaj ishte veshur me ar.
d Shprehja aramaike e përkthyer «akuzuan» do të thotë të ‘hash pjesët’ e një personi, si të thuash ta përtypësh me anë të shpifjes.
e Për shembull, Bibla e lidh grykësinë dhe lakminë me idhujtarinë.—Filipianëve 3:18, 19; Kolosianëve 3:5.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Pse Shadraku, Meshaku dhe Abednego refuzuan të përkuleshin përpara shëmbëlltyrës të ngritur nga Nabukodonosori?
• Si reagoi Nabukodonosori ndaj qëndrimit që morën tre hebrenjtë?
• Si i shpërbleu Jehovai tre hebrenjtë për besimin e tyre?
• Çfarë ke mësuar duke i kushtuar vëmendje ngjarjes reale nga jeta e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos?
[Figura që zë gjithë faqen 68]
[Figurat në faqen 70]
1. Tempull kullë (zigurat) në Babiloni
2. Tempulli i Mardukut
3. Pllakë bronzi që paraqet perënditë Marduk (majtas) dhe Nebo (djathtas) duke qëndruar mbi dragonj
4. Gur i gdhendur i Nabukodonosorit, i famshëm për projektet e tij të ndërtimit
[Figura që zë gjithë faqen 76]
[Figura që zë gjithë faqen 78]