Kapitulli një
Çfarë nënkupton uniteti i adhurimit në kohën tonë?
1, 2. (a) Cila lëvizje mahnitëse po ndodh në kohën tonë? (b) Çfarë shprese të mrekullueshme kanë njerëzit me zemër të ndershme?
MBARË globin e ka përfshirë një lëvizje mahnitëse që çon drejt unitetit të adhurimit. Ajo po mbledh së bashku miliona njerëz nga të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët. Çdo vit mblidhen gjithnjë e më shumë. Në Bibël këta përcaktohen si «dëshmitarët» e Jehovait dhe quhen «një shumicë e madhe». I bëjnë Perëndisë «shërbim të shenjtë ditë e natë». (Isaia 43:10-12; Zbulesa 7:9-15) Përse e bëjnë këtë? Sepse e kanë njohur Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë. Kjo i motivon që ta vënë jetën në harmoni me rrugët e tij të drejta. Veç kësaj, kanë mësuar se po jetojmë në «ditët e fundit» të kësaj bote të ligë të tanishme, se Perëndia do ta shkatërrojë atë së shpejti dhe se do ta zëvendësojë me botën e tij të re parajsore.—2 Timoteut 3:1-5, 13; 2 Pjetrit 3:10-13.
2 Fjala e Perëndisë premton: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) «[Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:4.
3. Si po arrihet uniteti i vërtetë në adhurim?
3 Ata që po bashkohen tani në adhurimin e vërtetë përbëjnë banorët e parë të kësaj bote të re. Kanë mësuar se cili është vullneti i Perëndisë dhe po e zbatojnë atë sa më mirë që munden. Duke treguar se sa e rëndësishme është kjo, Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Apostulli Gjon shkroi: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:17.
Çfarë nënkupton në të vërtetë?
4. (a) Çfarë nënkupton në të vërtetë në kohën tonë mbledhja e kaq shumë vetave për të adhuruar në unitet? (b) Si e përshkruan Bibla këtë mbledhje?
4 Çfarë nënkupton në të vërtetë në kohën tonë mbledhja e kaq shumë vetave për të adhuruar në unitet? Është një dëshmi e qartë se jemi shumë afër fundit të kësaj bote të ligë, që do të pasohet menjëherë nga bota e re e Perëndisë. Po e shohim me sytë tanë përmbushjen e profecive biblike që parathanë këtë mbledhje historike të njerëzve. Një nga këto profeci thotë: «Në kohët e fundit [në këto ditë të fundit] do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit [adhurimi i tij i vërtetë i lartësuar] do të vendoset në majën e maleve [mbi çdo formë tjetër adhurimi] . . . dhe aty do të vijnë popujt. Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’»—Mikea 4:1, 2; Psalmi 37:34.
5, 6. (a) Në ç’kuptim kombet po kthehen te Jehovai? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
5 Edhe pse në shtëpinë frymore të Jehovait nuk po paraqiten kombe të tëra për adhurim, miliona individë nga të gjitha kombet po e bëjnë këtë. Ata preken thellë në zemër kur mësojnë për qëllimin e dashur të Perëndisë Jehova dhe për personalitetin e tij tërheqës. Me përulësi, përpiqen të zbulojnë se çfarë kërkon Perëndia prej tyre. Luten njësoj si psalmisti, i cili tha: «Më mëso ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.»—Psalmi 143:10.
6 A e sheh veten mes shumicës së madhe të njerëzve që Jehovai po mbledh tani së bashku për të adhuruar në unitet? A po tregon me reagimin ndaj mësimit që ke marrë nga Fjala e tij, se e kupton vërtet që Burimi i këtij mësimi është Jehovai? Deri në ç’pikë do të ‘ecësh në shtigjet e tij’?
Si arrihet uniteti?
7. (a) Deri në ç’masë do të arrihet në fund uniteti i adhurimit? (b) Përse është urgjente të bëhesh që tani adhurues i Jehovait dhe si mund t’i ndihmosh të tjerët që ta bëjnë këtë?
7 Qëllimi i Jehovait është që të gjitha krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar të jenë të bashkuara në adhurimin e vërtetë. Sa fort e dëshirojmë ditën kur të gjithë ata që jetojnë do të adhurojnë të vetmin Perëndi të vërtetë! (Psalmi 103:19-22) Por, përpara se të ndodhë kjo, Jehovai duhet të zhdukë të gjithë ata që nuk pranojnë të bëjnë vullnetin e tij të drejtë. Duke treguar mëshirë, ai njofton që më përpara për atë që do të bëjë, me qëllim që në çdo vend njerëzit të kenë mundësi të ndryshojnë sjelljen e tyre. (Isaia 55:6, 7) Prandaj në ditët tona «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli» po i bëhet kjo thirrje urgjente: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij dhe adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.» (Zbulesa 14:6, 7) A e ke pranuar këtë ftesë? Në qoftë se po, ke privilegjin të ftosh edhe njerëz të tjerë që ta njohin dhe ta adhurojnë Perëndinë e vërtetë.
8. Pasi kemi marrë mësimet themelore të Biblës, cilin përparim të mëtejshëm duhet të përpiqemi me zell të bëjmë?
8 Jehovai nuk ka si qëllim që të adhurohet nga njerëz të cilët thonë se besojnë tek ai, por pastaj vazhdojnë të ndjekin interesat e tyre. Perëndia dëshiron që njerëzit të arrijnë «njohurinë e saktë të vullnetit të tij» dhe ta pasqyrojnë këtë në jetën e tyre. (Kolosianëve 1:9, 10) Prandaj, pasi marrin mësimet themelore të Biblës, njerëzit që janë mirënjohës dëshirojnë të sulen drejt pjekurisë së krishterë. Dëshirojnë ta njohin edhe më nga afër Jehovain, ta zgjerojnë dhe ta thellojnë kuptueshmërinë për Fjalën e tij e ta zbatojnë atë sa më plotësisht në jetën e tyre. Përpiqen të pasqyrojnë cilësitë e Atit qiellor dhe t’i shohin gjërat siç i sheh ai. Kjo i shtyn të kërkojnë mënyra të ndryshme për të marrë pjesë në veprën jetëshpëtuese që ka organizuar ai në tokë në ditët tona. A ke edhe ti këtë dëshirë?—Marku 13:10; Hebrenjve 5:12–6:3.
9. Në cilat mënyra mund të arrihet tani uniteti i vërtetë?
9 Bibla tregon se ata që i shërbejnë Jehovait duhet të jenë një popull me unitet. (Efesianëve 4:1-3) Ky unitet duhet të ekzistojë që tani, edhe pse jetojmë në një botë të përçarë dhe ende luftojmë kundër papërsosmërive tona. Jezui u lut me zjarr që të gjithë dishepujt e tij të ishin një, duke pasur unitet të vërtetë. Çfarë do të nënkuptonte kjo? Së pari, do të kishin një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe me Birin e tij. Së dyti, do të ishin të bashkuar me njëri-tjetrin. (Gjoni 17:20, 21) Për të arritur këtë, kongregacioni i krishterë shërben si organizata me anë të së cilës Jehovai mëson popullin e tij.
Cilët faktorë ndihmojnë në arritjen e unitetit?
10. (a) Çfarë zhvillojmë kur e përdorim personalisht Biblën për të arsyetuar rreth përgjigjeve të pyetjeve që na lindin? (b) Shqyrto faktorët që ndihmojnë në arritjen e unitetit të krishterë, duke iu përgjigjur pyetjeve të renditura në këtë paragraf.
10 Më poshtë janë renditur shtatë faktorë kryesorë që ndihmojnë në arritjen e unitetit të adhurimit. Duke iu përgjigjur pyetjeve shoqëruese, mendo se si ndikon secili nga këta faktorë në marrëdhënien tënde me Jehovain e me të bashkëkrishterët. Arsyetimi rreth këtyre pikave dhe kërkimi i shkrimeve që janë përmendur, por nuk janë cituar, do të të ndihmojë që të zhvillosh mençurinë hyjnore, aftësinë e të menduarit dhe aftësinë dalluese—cilësi që na nevojiten të gjithëve. (Fjalët e urta [Proverbat] 5:1, 2; Filipianëve 1:9-11) Shqyrtoji një nga një këta faktorë.
(1) E pranojmë të drejtën e Jehovait për të vendosur normën për atë që është e mirë dhe e keqe. «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta 3:5, 6.
Përse duhet të kërkojmë këshillat dhe udhëheqjen e Jehovait kur marrim vendime? (Psalmi 146:3-5; Isaia 48:17)
(2) Kemi Fjalën e Perëndisë që na udhëheq. «Kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë, e cila është edhe në veprim tek ju besimtarët.»—1 Selanikasve 2:13.
Çfarë rreziku ekziston kur bëjmë vetëm atë që «na duket» e drejtë? (Fjalët e urta 14:12; Jeremia 10:23, 24; 17:9)
Çfarë duhet të bëjmë, në qoftë se nuk e dimë se çfarë këshille jep Bibla për ndonjë çështje? (Fjalët e urta 2:3-5; 2 Timoteut 3:16, 17)
(3) Të gjithë përf itojmë nga i njëjti program i ushqimit f rymor. «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti.» (Isaia 54:13) «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita [e shkatërrimit] po afrohet.»—Hebrenjve 10:24, 25.
Çfarë dobish u vijnë atyre që përfitojnë plotësisht nga masat e Jehovait për të dhënë ushqim frymor? (Isaia 65:13, 14)
(4) Udhëheqësi ynë është Jezu Krishti, jo ndonjë njeri. «Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos u quani ‘udhëheqës’, sepse Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti.»—Mateu 23:8-10.
A duhet të mendojë ndonjëri nga ne sikur është më i lartë se të tjerët? (Romakëve 3:23, 24; 12:3)
(5) E shohim qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë si të vetmen shpresë të njerëzimit. «Ju, pra, duhet të luteni në këtë mënyrë; ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.’ Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.»—Mateu 6:9, 10, 33.
Si na ndihmon të ruajmë unitetin fakti që ‘kërkojmë më parë mbretërinë’? (Mikea 4:3; 1 Gjonit 3:10-12)
(6) Fryma e shenjtë prodhon tek adhuruesit e Jehovait cilësi të d omosd oshme për unitetin e krishterë. «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.»—Galatasve 5:22, 23.
Çfarë duhet të bëjmë, në mënyrë që fryma e Perëndisë të prodhojë te ne frytet e saj? (Veprat 5:32)
Si ndikon në marrëdhënien tonë me të bashkëkrishterët fakti që kemi frymën e Perëndisë? (Gjoni 13:35; 1 Gjonit 4:8, 20, 21)
(7) Të gjithë adhuruesit e vërtetë të Perëndisë marrin pjesë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij. «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.
Çfarë duhet të na motivojë që të dëshirojmë të marrim pjesë në mënyrë të plotë në këtë vepër predikimi? (Mateu 22:37-39; Romakëve 10:10)
11. Çfarë vjen si rrjedhojë kur i zbatojmë të vërtetat biblike në jetën tonë?
11 Duke e adhuruar Jehovain në unitet, afrohemi më shumë me të dhe kemi mundësi të gëzojmë shoqërinë freskuese të bashkëbesimtarëve. Te Psalmi 133:1 thuhet: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!» Sa freskuese është të largohesh nga bota e karakterizuar nga egoizmi, imoraliteti dhe dhuna e të mblidhesh bashkë me ata që e duan vërtet Jehovain dhe u binden ligjeve të tij!
Të shmangim ndikimet ndarëse
12. Përse duhet ta shmangim frymën e pavarësisë?
12 Për të mos e prishur unitetin tonë të çmuar mbarëbotëror, duhet të shmangim ndikimet ndarëse. Një prej tyre është fryma e pavarësisë nga Perëndia dhe nga ligjet e tij. Jehovai na ndihmon që ta shmangim këtë frymë, duke demaskuar burimin e saj, Satana Djallin. (2 Korintasve 4:4; Zbulesa 12:9) Ishte Satanai ai që ndikoi tek Adami dhe Eva për të shpërfillur atë që kishte thënë Perëndia dhe për të marrë vendime që ishin në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Pasoja ishte katastrofike për ata dhe për ne. (Zanafilla 3:1-6, 17-19) Kjo botë është plot e përplot me frymën e pavarësisë nga Perëndia dhe nga ligjet e tij. Prandaj duhet ta frenojmë këtë frymë te vetja.
13. Nga do të duket nëse jemi duke u përgatitur me të vërtetë për jetën në botën e re të drejtë të Perëndisë?
13 Për shembull, shqyrto premtimin drithërues të Jehovait se do ta zëvendësojë botën e ligë të tanishme me qiej të rinj dhe një tokë të re, në të cilët «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) A nuk duhet të na nxitë kjo që të fillojmë të përgatitemi për të jetuar në atë kohë kur do të ngadhënjejë drejtësia? Kjo do të thotë t’i vëmë veshin këshillës së qartë të Biblës: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.» (1 Gjonit 2:15) Prandaj e shmangim frymën e kësaj bote, domethënë qëndrimin e saj të pavarur, shqetësimin e tepërt për veten, imoralitetin dhe dhunën e saj. E bëjmë shprehi ta dëgjojmë Jehovain dhe t’i bindemi nga zemra, pavarësisht nga ndonjë prirje e kundërt e mishit të papërsosur. E gjithë jeta jonë duhet të japë dëshmi se mënyra e të menduarit dhe motivet tona janë të drejtuara për nga kryerja e vullnetit të Perëndisë.—Psalmi 40:8.
14. (a) Përse është e rëndësishme të përfitojmë tani nga mundësia për të mësuar rrugët e Jehovait e për t’i ndjekur në jetën tonë? (b) Çfarë nënkuptojnë për ty shkrimet e cituara në paragraf?
14 Kur të mbërrijë koha e caktuar për shkatërrimin e këtij sistemi të lig dhe të të gjithë atyre që parapëlqejnë rrugët e tij, Jehovai nuk do të vonojë. Nuk do ta shtyjë për më vonë atë kohë dhe as nuk do t’i ndryshojë normat e tij për t’ia përshtatur atyre që ende përpiqen të ndjekin botën, ndërkohë që mësojnë dhe zbatojnë me gjysmë zemre vullnetin e Perëndisë. Tani është koha për të vepruar! (Luka 13:23, 24; 17:32; 21:34-36) Për këtë arsye, sa prekëse është të shohim që shumica e madhe po kapet fort pas kësaj mundësie të çmuar që ofrohet! Këtë e bëjnë duke kërkuar me zell mësimin që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij të dashur, si edhe duke ecur të bashkuar në shtigjet e tij drejt botës së re. E sa më shumë që të mësojmë për Jehovain, aq më shumë do ta duam dhe do të kemi dëshirë t’i shërbejmë.
Pyetje për rishikim
• Cili është qëllimi i Jehovait lidhur me adhurimin?
• Pasi kemi marrë mësimet themelore të Biblës, cilin përparim të mëtejshëm duhet të përpiqemi me zell të bëjmë?
• Çfarë mund të bëjmë ne vetë që të jemi në unitet me adhuruesit e tjerë të Jehovait?
[Figura në faqen 4]
«Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe»