Kapitulli katërmbëdhjetë
Ti mund të nxjerrësh dobi nga besëlidhja e re
1. Cilën detyrë të dyfishtë përmbushi Jeremia?
JEHOVAI i dha Jeremisë një detyrë të dyfishtë. Njëra ishte ‘të shkulte e të rrëzonte, të shkatërronte e të shembte’. Tjetra ishte ‘të ndërtonte e të mbillte’. Të parën profeti e përmbushi duke demaskuar ligësinë e judenjve krenarë, duke shpallur gjykimin e Perëndisë mbi ta e mbi Babiloninë. Megjithatë, profecitë e Jeremisë përmbanin edhe shpresë për të ardhmen. Ai paratha ndërtimin e asaj që Perëndia kishte si qëllim të ndërtohej dhe mbjelljen e asaj që Ai kishte si qëllim të mbillej. Për shembull, kur e drejtoi vëmendjen te rivendosja e judenjve në atdheun e tyre, Jeremia po përmbushte pjesën e dytë të caktimit të tij.—Jer. 1:10; 30:17, 18.
2. Pse ekzekutoi gjykimin Jehovai mbi popullin e tij, dhe deri në ç’masë?
2 Fakti që Jeremia paratha rivendosjen, nuk tregonte se Perëndia që më përpara do t’i merrte me të mirë njerëzit ose do të bënte kompromis me normën e tij të drejtësisë. Ai do ta ekzekutonte se s’bën gjykimin mbi judenjtë rebelë. (Lexo Jereminë 16:17, 18.) Në kohën e Jeremisë, shumë pak njerëz në Jerusalem ‘vepronin me drejtësi’ ose ‘kërkonin besueshmërinë’, prandaj Jehovait iu sos durimi. Ai tha: «U lodha duke ndier keqardhje.» (Jer. 5:1; 15:6, 7) Ata judenj ishin «kthyer në fajet e paraardhësve të tyre, që nuk pranuan t’u binden» fjalëve të Jehovait. Për më tepër, e kishin zemëruar Perëndinë me lidhjen e tyre kurorëshkelëse me perënditë e rreme. (Jer. 11:10; 34:18) Jehovai do ta ndreqte e madje do ta ndëshkonte «në masën e duhur» popullin e tij. Si pasojë, disa individë ndoshta do të vinin në vete e do të ktheheshin tek ai.—Jer. 30:11; 46:28.
3. Pse duhet ta shqyrtosh profecinë për besëlidhjen e re?
3 Perëndia përdori Jereminë për të parathënë një besëlidhje të re, me dobi më afatgjata e me shtrirje më të madhe. Ndërsa shqyrtojmë shkrimet profetike të Jeremisë, kemi shumë arsye të përqendrohemi në këtë aspekt pozitiv: besëlidhjen e re. Ajo do të zëvendësonte besëlidhjen që ishte bërë me Izraelin pas Daljes nga Egjipti, me ndërmjetës Moisiun. (Lexo Jereminë 31:31, 32.) Kur themeloi Darkën e Zotërisë, Jezu Krishti foli për këtë besëlidhje të re, kështu që na intereson patjetër. (Luka 22:20) Apostulli Pavël iu referua kësaj besëlidhjeje kur u shkroi hebrenjve. Ai citoi profecinë e Jeremisë dhe theksoi rëndësinë e besëlidhjes së re. (Hebr. 8:7-9) Por, çfarë është saktësisht besëlidhja e re? Pse lindi nevoja për të? Cilët përfshihen dhe si mund të nxjerrësh dobi ti personalisht? Le ta shohim.
PSE DUHEJ NJË BESËLIDHJE E RE?
4. Çfarë u arrit me anë të besëlidhjes së Ligjit?
4 Që të kuptojmë besëlidhjen e re, së pari duhet të kuptojmë qëllimin e besëlidhjes së mëparshme, besëlidhjes së Ligjit. Ajo do të përmbushte disa objektiva të shkëlqyer për kombin që priste Farën e premtuar, me anë të së cilës do të bekoheshin shumë veta. (Zan. 22:17, 18) Kur e pranuan besëlidhjen e Ligjit, izraelitët u bënë ‘prona e veçantë’ e Perëndisë. Nën atë besëlidhje, fisi i Levit do të siguronte priftërinjtë për kombin. Kur bëri atë besëlidhje kombëtare mes tij dhe Izraelit në malin Sinai, Jehovai përmendi «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb [të] shenjtë», por pa zbuluar se kur dhe në ç’mënyrë do të ndodhte kjo. (Dal. 19:5-8) Ndërkohë, ajo besëlidhje nxirrte në pah se izraelitët nuk e mbanin dot Ligjin në çdo drejtim. Pra, bënte të qarta mëkatet e tyre. Kështu, nën Ligj, izraelitët duhej të ofronin rregullisht flijime për të mbuluar mëkatet e tyre. Megjithatë, dukej qartë se nevojitej diçka më tepër, një flijim i përsosur që nuk do të duhej të përsëritej. Po, kishte nevojë të ngutshme për faljen e mëkateve njëherë e mirë.—Gal. 3:19-22.
5. Pse paratha Jehovai besëlidhjen e re?
5 Kështu mund të fillojmë të kuptojmë përse Perëndia e frymëzoi Jereminë të profetizonte për një besëlidhje tjetër, për besëlidhjen e re, ndonëse besëlidhja e Ligjit ishte ende në fuqi. Nga dashuria dhe mirësia e tij, Jehovai donte t’i ofronte ndihmë të përhershme jo vetëm një kombi. Nëpërmjet Jeremisë, Perëndia tha për ata që do të bënin pjesë në këtë besëlidhje të ardhshme: «Do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Ndonëse ky premtim u bë në kohën e Jeremisë, përmban një shpresë të mrekullueshme për të gjithë njerëzimin. Në ç’kuptim?
6, 7. (a) Si ndihen disa për faktin që janë mëkatarë? (b) Pse mund të të japë zemër shqyrtimi i besëlidhjes së re?
6 Ende jemi të papërsosur dhe shpesh bëhemi të vetëdijshëm për këtë. Për shembull, një vëlla që po luftonte me një problem personal mjaft të madh, komenton: «Kur bija sërish, ndihesha tmerrësisht keq. Mendoja se s’do ta shlyeja dot kurrë atë që kisha bërë. E kisha të vështirë të lutesha. E filloja lutjen duke thënë: ‘Jehova, nuk e di a do të ma dëgjosh këtë lutje, por . . . ’» Disa që kanë pasur rënie të tilla ose që kanë kryer një mëkat, janë ndier sikur «një masë resh» i bllokonte lutjet e tyre që të mos shkonin te Perëndia. (Vajt. 3:44) Të tjerë i kanë munduar kujtimet e gabimeve të kaluara, edhe vite pasi ato kanë ndodhur. Edhe të krishterë që në shumë drejtime janë shembullorë, mund të thonë gjëra për të cilat më vonë bëhen pishman.—Jak. 3:5-10.
7 Asnjë nga ne s’duhet të mendojë se nuk mund të përfshihet kurrë në sjellje të papërshtatshme. (1 Kor. 10:12) Edhe apostulli Pavël e kuptonte se gabonte. (Lexo Romakëve 7:21-25.) Në lidhje me këtë, duhet të na vijë ndër mend besëlidhja e re. Perëndia premtoi se një aspekt kyç i saj do të ishte që ai nuk do t’i kujtonte më mëkatet. Ç’dobi e pakrahasueshme! Sa duhet të jetë prekur Jeremia kur ka parathënë këtë! Edhe ne mund të prekemi kur mësojmë më shumë për besëlidhjen e re dhe shohim si nxjerrim dobi prej saj.
Pse Perëndia bëri një besëlidhje të re?
ÇFARË ËSHTË BESËLIDHJA E RE?
8, 9. Sa i kushtoi Jehovait të bënte të mundur faljen e mëkateve?
8 Dora-dorës që e njeh më mirë Jehovain, kupton gjithnjë e më shumë sa i mirë dhe i mëshirshëm është me njerëzit e papërsosur. (Psal. 103:13, 14) Kur po parathoshte besëlidhjen e re, Jeremia theksoi se Jehovai ‘do ta falte fajin’ dhe nuk do ta kujtonte më mëkatin. (Jer. 31:34) Siç mund ta kuptosh, ndoshta Jeremia pyeste veten si do ta realizonte Perëndia këtë falje. Të paktën arrinte të kuptonte se kur fliste për një besëlidhje të re, Perëndia donte të thoshte se do të kishte një marrëveshje ose kontratë mes Tij dhe njerëzve. Në ndonjë mënyrë, me anë të asaj besëlidhjeje, Jehovai do të realizonte atë që tha nëpërmjet Jeremisë, duke përfshirë edhe faljen. Për hollësi të tjera, duhej pritur që Perëndia të zbulonte më tej qëllimin e tij, duke përfshirë edhe çfarë do të bënte Mesia.
9 Ndoshta ke parë prindër që i llastojnë fëmijët e nuk i disiplinojnë. A do të prisje nga Jehovai që të ishte i tillë? Aspak! Kjo është e qartë nga mënyra si hyri në fuqi besëlidhja e re. Në vend që thjesht t’i fshinte mëkatet, Perëndia plotësoi me përpikëri normën e tij të drejtësisë, duke siguruar bazën ligjore për faljen e mëkateve, edhe pse atij vetë i kushtoi shumë. Këtë mund ta kuptosh më mirë duke vërejtur çfarë shkroi Pavli kur po trajtonte besëlidhjen e re. (Lexo Hebrenjve 9:15, 22, 28.) Ai përmendi ‘çlirimin nëpërmjet shpërblesës’ dhe tha se «pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje». Në rastin e besëlidhjes së re, kjo nuk u bë me gjakun e demave ose cjepve të flijuar, siç bëhej nën Ligj. Besëlidhja e re u vu në veprim me anë të gjakut të Jezuit. Bazuar në këtë flijim të përsosur, Jehovai mund ‘ta falte fajin dhe mëkatin’ njëherë e mirë. (Vep. 2:38; 3:19) Por, kush do të bënte pjesë në këtë besëlidhje të re dhe të merrte këtë falje? Jo kombi judaik. Jezui tha se Perëndia do t’i braktiste judenjtë, të cilët bënin flijime kafshësh nën Ligj, dhe do ta kthente vëmendjen te një komb tjetër. (Mat. 21:43; Vep. 3:13-15) Ky komb doli se ishte ‘Izraeli i Perëndisë’, i përbërë nga të krishterë të mirosur me frymën e shenjtë. Me terma të thjeshtë, besëlidhja e Ligjit ishte mes Perëndisë dhe Izraelit natyror, kurse besëlidhja e re është mes Perëndisë Jehova dhe Izraelit frymor, me Ndërmjetës Jezuin.—Gal. 6:16; Rom. 9:6.
10. (a) Kush është ‘filizi’ për Davidin? (b) Si mund të nxjerrin dobi njerëzit nga ‘filizi’?
10 Jeremia e përshkroi Atë që do të vinte, Mesinë, si «filiz» për Davidin. Kjo është me vend. Pema e familjes mbretërore të Davidit u pre që në kohën kur Jeremia shërbente si profet. Por, kërcuri nuk u tha. Me kalimin e kohës, në linjën e mbretit David lindi Jezui. Ai mund të thirrej me emrin «Jehovai është drejtësia jonë», që thekson interesimin e thellë të Perëndisë për këtë cilësi. (Lexo Jereminë 23:5, 6.) Jehovai lejoi që Biri i tij i vetëmlindur të provonte vuajtjet në tokë dhe të vdiste. Më pas, në përputhje me drejtësinë, Jehovai mund ta zbatonte vlerën e flijimit shpërblyes të ‘filizit’ për Davidin, si bazë për falje. (Jer. 33:15) Kjo hapi rrugën që disa njerëz të shpalleshin «të drejtë për jetën» e të miroseshin me frymën e shenjtë, duke u bërë pjesëmarrës në besëlidhjen e re. Si provë e mëtejshme e interesit të Perëndisë për drejtësinë, edhe të tjerë që nuk janë drejtpërdrejt në atë besëlidhje, mund të nxjerrin dobi prej saj dhe tashmë po e bëjnë këtë, siç do ta shohim.—Rom. 5:18.
11. (a) Ku është shkruar ligji i besëlidhjes së re? (b) Pse u intereson ‘deleve të tjera’ ligji i besëlidhjes së re?
11 A dëshiron të dish disa aspekte të tjera të veçanta të besëlidhjes së re? Një dallim i madh mes saj dhe besëlidhjes së Ligjit të Moisiut, është ku u shkruan. (Lexo Jereminë 31:33.) Dhjetë Urdhërimet e besëlidhjes së Ligjit u shkruan mbi pllaka guri, që më vonë u zhdukën. Ndryshe nga ajo, Jeremia profetizoi se ligji i besëlidhjes së re do të shkruhej në zemrat e njerëzve dhe do të vazhdonte të ekzistonte. Të krishterët e mirosur, që janë pjesëmarrës të besëlidhjes së re, e vlerësojnë vërtet këtë ligj. Po ‘delet e tjera’ që nuk janë drejtpërdrejt në besëlidhjen e re dhe që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë? (Gjoni 10:16) Edhe këta kënaqen me ligjin e Perëndisë. Në njëfarë kuptimi, ata janë si të ardhurit në Izrael, që pranonin Ligjin e Moisiut dhe nxirrnin dobi nga ai.—Lev. 24:22; Num. 15:15.
12, 13. (a) Çfarë është ligji i besëlidhjes së re? (b) Pse nën «ligjin e Krishtit» nuk ndihesh i detyruar t’i shërbesh Perëndisë?
12 Si do të përgjigjeshe po të të pyetnin: «Çfarë është ky ligj i shkruar në zemrën e të krishterëve të mirosur?» Ky ligj quhet edhe ‘ligji i Krishtit’. Iu dha së pari izraelitëve frymorë, që janë në besëlidhjen e re. (Gal. 6:2; Rom. 2:28, 29) ‘Ligjin e Krishtit’ mund ta përmbledhësh me një fjalë të vetme: dashuri. (Mat. 22:36-39) Si shkruhet në zemrën e të mirosurve ky ligj? Dy mënyra kryesore janë: duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke iu lutur Jehovait. Prandaj, këto aspekte të adhurimit të vërtetë duhet të jenë pjesë e rregullt e jetës së të gjithë të krishterëve, edhe të atyre që nuk janë në besëlidhjen e re, por që duan të nxjerrin dobi prej saj.
13 ‘Ligji i Krishtit’ është quajtur edhe ‘ligji i përsosur që sjell liri’ dhe «ligji i një populli të lirë». (Jak. 1:25; 2:12) Shumë lindnin nën Ligjin e Moisiut, por asnjë nuk lind nën besëlidhjen e re ose nën ligjin e Krishtit. Asnjë nga ata që i binden ligjit të Krishtit, nuk detyrohet t’i shërbejë Perëndisë. Përkundrazi, ata janë të kënaqur të dinë se ligji i Perëndisë mund të shkruhet në zemrat e tyre dhe se njerëzit sot mund të përfitojnë nga dobitë e përhershme të besëlidhjes që paratha Jeremia.
Si e bëri të mundur Perëndia faljen nëpërmjet besëlidhjes së re? Si mund të mësosh për ligjin e shkruar në zemrat e njerëzve?
ATA QË NXJERRIN DOBI NGA BESËLIDHJA E RE
14. Cilët nxjerrin dobi qartësisht nga besëlidhja e re?
14 Kur mësojnë se në besëlidhjen e re bëjnë pjesë 144.000 veta, disa mund të mendojnë se vetëm këta nxjerrin dobi prej saj. Ndoshta e mendojnë këtë sepse vetëm të mirosurit marrin simbolet në Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit, ku vera përfaqëson ‘gjakun e besëlidhjes’. (Mar. 14:24) Por, mos harro se ata që janë në besëlidhjen e re do të jenë shokë të Jezuit si «fara» e Abrahamit, me anë të së cilës do të bekohen të gjitha kombet. (Gal. 3:8, 9, 29; Zan. 12:3) Në ndonjë mënyrë, me anë të besëlidhjes së re, Jehovai do të përmbushë premtimin e tij për të bekuar gjithë njerëzimin nëpërmjet ‘farës’ së Abrahamit.
15. Ç’rol ishte parathënë për të mirosurit?
15 Jezu Krishti, pjesa kryesore e farës së Abrahamit, shërben si Kryeprift. Ai siguroi flijimin e përsosur që bën të mundur faljen e fajit dhe të mëkatit. (Lexo Hebrenjve 2:17, 18.) Megjithatë, kohë më parë Perëndia foli për «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb [të] shenjtë». (Dal. 19:6) Në Izraelin natyror, priftërinjtë vinin nga një fis, kurse mbretërit nga një fis tjetër. Atëherë, si do të krijohej ky komb i premtuar me mbretër-priftërinj? Apostulli Pjetër ua drejtoi letrën e tij të parë atyre që ishin shenjtëruar nga fryma. (1 Pjet. 1:1, 2) Ai iu referua atyre si «priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë». (1 Pjet. 2:9) Pra, të krishterët e mirosur që janë në besëlidhjen e re do të shërbejnë si nënpriftërinj. Mendo se ç’do të thotë kjo. Ditë për ditë ne luftojmë nën ndikimin e mëkatit, që ende ‘mbretëron’. Ata që do të shërbejnë si nënpriftërinj, do të kenë kaluar një përvojë të ngjashme. (Rom. 5:21) Do ta dinë si ndihet një njeri kur bën gabime dhe lufton me ndjenjat e fajit. Pra, së bashku me Krishtin, ata do t’i kuptojnë ndjenjat tona ndërsa kapërcejmë prirjet mëkatare.
16. Çfarë inkurajimi mund të marrë ‘shumica e madhe’ nga Zbulesa 7:9, 14?
16 Te Zbulesa 7:9, 14, ‘shumica e madhe’ shihet ‘e veshur me petka të bardha’, që nënkupton një qëndrim të pastër para Perëndisë. Kjo shumicë e madhe po formohet tani, me shpresën që të mbijetojë nga ‘shtrëngimi i madh’. Pra, që tani ata kanë njëfarë qëndrimi të drejtë para Perëndisë. Shpallen të drejtë si miq të Jehovait. (Rom. 4:2, 3; Jak. 2:23) Ç’dobi e madhe është kjo! Nëse je pjesë e shumicës së madhe, të jesh i sigurt se Perëndia është gati të të ndihmojë ndërsa përpiqesh të qëndrosh i pastër në sytë e tij.
17. Në ç’kuptim Jehovai nuk ‘i kujton’ më mëkatet?
17 Çfarë ndodh me mëkatet e atyre që Perëndia miraton? Siç e pamë më parë, Jehovai tha nëpërmjet Jeremisë: «Do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Perëndia e bën këtë për të mirosurit në bazë të flijimit të Jezuit. Po kështu, ai mund t’ua falë mëkatet shumicës së madhe në bazë të të njëjtit ‘gjak të besëlidhjes’. Deklarata e Jeremisë se Perëndia nuk ‘do t’i kujtojë’ më mëkatet, nuk nënkupton se Ai do të humbë kujtesën e s’do t’i mbajë mend ato. Ajo tregon se, pasi Jehovai ka dhënë disiplinën e duhur dhe e ka falur një mëkatar të penduar, e hedh pas shpine atë mëkat. Mendo për mëkatet që kreu mbreti David në lidhje me Betshebën dhe me Uriahun. Davidi mori disiplinë dhe vuajti pasojat e mëkateve të tij. (2 Sam. 11:4, 15, 27; 12:9-14; Isa. 38:17) Megjithatë, Perëndia nuk vazhdoi t’i kërkonte llogari për ato mëkate. (Lexo 2 Kronikave 7:17, 18.) Siç e tregon besëlidhja e re, kur Jehovai i fal mëkatet në bazë të flijimit të Jezuit, nuk i kujton më ato.—Ezek. 18:21, 22.
18, 19. Ç’mësim për faljen përmban besëlidhja e re?
18 Pra, besëlidhja e re thekson një aspekt të mrekullueshëm të mënyrës si vepron Jehovai me njerëzit mëkatarë, qofshin të mirosur, që janë pjesëmarrës në besëlidhje, qofshin me shpresë tokësore. Mund të kesh besim se kur Jehovai t’i ketë falur mëkatet e tua, nuk do të t’i kujtojë sërish. Kështu, premtimi i Perëndisë për besëlidhjen e re përmban një mësim për secilin prej nesh. Pyet veten: «A përpiqem ta imitoj Jehovain duke mos nxjerrë e numëruar gabimet e të tjerëve, të cilat tashmë kam thënë se i kam falur?» (Mat. 6:14, 15) Kjo zbatohet si për gabimet e vogla, ashtu edhe për ato që janë shumë të rënda, si për shembull kur një bashkëshort i krishterë kryen mëkatin e kurorëshkeljes. Nëse bashkëshorti i pafajshëm pranon ta falë kurorëshkelësin e penduar, a nuk është e drejtë ‘të mos e kujtojë më mëkatin’? Natyrisht, mund të mos jetë e lehtë t’i hedhim pas shpine fajet e të tjerëve, por është një mënyrë si e imitojmë Jehovain.a
19 Këtë mësim që lidhet me besëlidhjen e re, mund ta zbatojmë edhe për dikë që ishte përjashtuar, por u pendua dhe u rivendos. Po sikur ai njeri të të ketë shkaktuar ndonjë dëm ose të të ketë prishur reputacionin në ndonjë mënyrë? Tani u pranua sërish në kongregacion. Si do të ndikojë në mendimet dhe në reagimin tënd ajo që lexon te Jeremia 31:34? A do ta falësh shkelësin e të mos e përmendësh më keqbërjen? (2 Kor. 2:6-8) Kjo është diçka që të gjithë ata që e vlerësojnë besëlidhjen e re, duhet të përpiqen ta zbatojnë në jetën e përditshme.
Si mund ta zbatosh mësimin për faljen që ilustron besëlidhja e re?
BEKIMET E BESËLIDHJES SË RE TANI DHE NË TË ARDHMEN
20. Si ndryshon qëndrimi yt nga ai i shumicës në kohën e Jeremisë?
20 Në kohën e Jeremisë, shumë judenj me fjalë të tjera po thoshin: «Jehovai nuk bën as mirë, as keq.» (Sof. 1:12) Ndonëse kishin njëfarë njohurie kush është Jehovai dhe çfarë cilësish ka, mendonin se nuk do të vepronte dhe as priste që ata të jetonin sipas ndonjë norme. Por ti e di se asgjë nuk i shpëton vëmendjes së tij. Ke frikë me respekt ndaj Perëndisë dhe dëshiron me çdo kusht të mos veprosh keq. (Jer. 16:17) Në të njëjtën kohë, e di se Jehovai është një Atë dashamirës. Ai i vë re veprat tona të mira, pavarësisht nëse të tjerët i shohin ose jo.—2 Kron. 16:9.
21, 22. Pse nuk ke më nevojë të të thuhet ‘njihe Jehovain’?
21 Një aspekt domethënës i besëlidhjes së re është ky: «Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër. Unë do të jem Perëndia i tyre. . . . Ata nuk do të mësojnë më secili shokun e vet dhe vëllanë e vet: ‘Njihni Jehovain!’ Sepse të gjithë ata do të më njohin.» (Jer. 31:33, 34) Të mirosurit që janë sot në tokë e kanë treguar se kanë brenda tyre ligjin e Perëndisë. Ata i duan të vërtetat që gjenden në to, dhe nuk mbështeten në mësimet e ndonjë njeriu. Me kënaqësi u kanë dhënë njohuri biblike atyre që formojnë shumicën e madhe. Kështu, edhe këta që kanë shpresë tokësore, kanë arritur të njohin dhe të duan Jehovain. I nënshtrohen me gatishmëri drejtimit të tij dhe kanë besim te premtimet e tij. Me siguri, ky përshkrim vlen edhe për ty. Ke arritur ta njohësh mirë Perëndinë dhe ke një marrëdhënie personale me të. Vërtet një dobi e madhe!
22 Si ke arritur ta forcosh marrëdhënien tënde me Jehovain? Pa dyshim të kujtohen raste kur e ke ndier se u është përgjigjur lutjeve të tua. Nëpërmjet këtyre përvojave, e ke kuptuar më mirë ç’lloj Perëndie është ai. Mund të kesh ndier se ishte përkrah teje kur kujtove një shkrim që të ndihmoi të përballoje një vështirësi. Ruaji si thesar këto përvoja. Ndërsa vazhdon të studiosh Fjalën e tij, do të të shtohet gjithnjë e më tepër njohuria për të, dhe kjo është një dobi e pafund.
23. Si mund të të çlirojë njohuria për Jehovain nga ndjenjat trazuese të panevojshme?
23 Por, me besëlidhjen e re lidhet edhe një bekim tjetër që mund të kemi tani. Kur e njohim Jehovain si ai që siguron faljen në bazë të kësaj besëlidhjeje, kjo mund të na çlirojë nga ndjenjat e vazhdueshme të fajit. Për shembull, disa mund të kenë abortuar para se të njihnin normat e Perëndisë dhe tani ndihen në faj e të trishtuara sepse me qëllim i dhanë fund jetës së një njeriu që po zhvillohej. Të tjerë ndihen kështu ngaqë kanë marrë jetë njerëzish kur ishin në luftë. Flijimi shpërblyes i Jezuit, që është thelbësor për besëlidhjen e re, siguron faljen për ata që janë penduar vërtet. Duke qenë kështu, a nuk duhet të jemi të bindur se, nëse Jehovai na i ka falur mëkatet, e konsideron të mbyllur çështjen? S’kemi pse të bluajmë në mendje mëkatet që Jehovai i ka falur plotësisht.
24. Si të inkurajon tregimi te Jeremia 31:20?
24 Një dëshmi e gjallë e faljes së Perëndisë gjendet te Jeremia 31:20. (Lexoje.) Dekada para kohës së Jeremisë, Jehovai e ndëshkoi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit (të përfaqësuar nga Efraimi, fisi kryesor) për shkak të idhujtarisë, dhe i çuan në mërgim. Megjithatë, Perëndia ishte shumë i lidhur me njerëzit e atij kombi dhe u tregoi përzemërsi të butë. Ende i donte si ‘një bir të çmuar’. Kur mendonte për ta, ‘i trazoheshin’ zorrët, domethënë prekej në ndjenjat më të thella. Ky fragment, që gjendet në kontekstin e besëlidhjes së re, tregon sa zemërgjerë është Jehovai me ata që pendohen për sjelljen e gabuar.
25. Pse i je mirënjohës Jehovait për besëlidhjen e re?
25 Premtimi i Jehovait për t’i falur mëkatet me anë të besëlidhjes së re, do të përmbushet në masë të plotë në fund të Mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit. Jezu Krishti, bashkë me 144.000 nënpriftërinjtë, do t’i kenë kthyer në përsosmëri njerëzit besnikë. Pas provës përfundimtare, të gjithë njerëzit do të jenë në kuptim të plotë pjesëtarë të familjes universale të Jehovait. (Lexo Romakëve 8:19-22.) Për shekuj të tërë, të gjithë kanë rënkuar nën barrën e mëkatit. Por, në atë kohë, krijimi njerëzor i Jehovait do të ketë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë», lirinë nga mëkati e nga vdekja. Prandaj, të jesh i sigurt se mund të nxjerrësh shumë dobi nga masa e dashur e besëlidhjes së re. Nëpërmjet ‘filizit’ për Davidin mund të kesh dobi tani e përgjithmonë dhe të jetosh kur Jehovai të bëjë «atë që është e drejtë në vend».—Jer. 33:15.
Si mund të nxjerrësh dobi tani e në të ardhmen nga besëlidhja e re?
a Gatishmëria e Perëndisë për të falur u ilustrua në mënyrën si veproi Hozea me Gomerën. Shih komentet për Hozenë 2:14-16 në librin Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait, faqet 128-130.