Aktivitete të zgjeruara gjatë pranisë së Krishtit
«Pastaj, mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë të tij: ‘Ejani, ju që jeni bekuar prej Atit tim, trashëgojeni mbretërinë që u përgatit për ju që prej krijimit të botës.’»—MATEU 25:34, NW.
1. Në ç’mënyrë parousi̇́a e Krishtit ka qenë tamam si në «ditët e Noesë»?
PRANIA e Krishtit: një ngjarje e shumëpritur! Kjo kohë, për të cilën Jezui foli në lidhje me «përfundimin e sistemit të gjërave», duke e krahasur me «ditët e Noesë», erdhi në 1914-n. (Mateu 24:3, 37) Por çfarë do të thoshte prania apo parousi̇́a e Krishtit për pjesëtarët e mbetjes së mirosur të «skllavit besnik dhe të matur»? (Mateu 24:45, NW) Kjo do të thoshte se duhej të rrisnin gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre si mbajtës të dritës! Do të ndodhnin gjëra të mrekullueshme! Do të fillonte një vepër mbledhjeje e paparë deri atëherë.
2. Çfarë pastrimi ka ndodhur në përmbushje të Malakisë 3:1-5?
2 Por më parë, këta të krishterë të mirosur duhej të pastroheshin. Në pranverë të 1918-s, Perëndia Jehova dhe «lajmëtari [i tij] i besëlidhjes», Jezu Krishti, erdhën për të inspektuar tempullin frymor, ashtu siç ishte parathënë nga Malakia 3:1-5. Gjykimi duhej filluar nga «shtëpia e Perëndisë.» (1. Pjetrit 4:17) Malakia 3:3 parathoshte: «[Jehovai] duhet të ulet si një rafinues dhe pastrues argjendi dhe duhet të pastrojë bijtë e Levit; dhe duhet t’i kullojë si ari dhe argjendi.» Ishte një periudhë rafinimi dhe pastrimi.
3. Përse ishte i domosdoshëm një pastrim frymor?
3 Duke kalur nëpër këtë periudhë gjykimi, që arriti kulmin në 1918-n, mbetja e klasës së skllavit u pastrua prej ndotjes botërore dhe fetare. Përse i pastroi Jehovai? Sepse ishte përfshirë tempulli i tij frymor, rregulli—i krahasuar me një tempull—për të adhuruar Jehovain në bazë të flijimit shpërblerës të Jezu Krishtit. Jehovai donte që tempulli i tij të ishte në një gjendje të pastër, që kur të vinte aty numri i madh i adhuruesve me shpresë tokësore, të gjente një vend ku sovraniteti universal i tij respektohej, ku emri i tij shenjtërohej dhe ku rregullat e tij të drejta zbatoheshin. Në këtë mënyrë, ata do ta vlerësonin Jehovain dhe do të bashkonin zërat e tyre për të shpallur qëllimet e tij të mrekullueshme.
Privilegje të mëtejshme
4, 5. (a) Në ç’kuptim një pyetje e Jezu Krishtit përbën sot një sfidë për secilin pjesëtar të klasës së skllavit? (b) Si duhen kuptuar shprehjet «skllavi besnik dhe i matur» dhe «shtëpiakët»? (c) Çfarë detyre i ngarkoi Jezui skllavit?
4 Në 1919-n, klasa e pastruar e skllavit pati mundësinë që të mendonte për një shtrirje më të madhe të aktivitetit të saj. Në 1914-n, Jezu Krishti, Zotëria i saj, kishte marrë Mbretërinë qiellore. Kur u kthye përsëri në personelin e shtëpisë së tij, për të inspektuar të gjithë «shtëpiakët» e tij, ishte i veshur me dinjitet mbretëror, gjë që nuk e kishte kur gjendej këtu mbi tokë. Dhe çfarë gjeti? A po kujdesej klasa e skllavit për interesat e Zotërisë? Në Mateun 24:45-47 gjendet një pyetje e Jezuit, e cila nxit cilindo dishepull të Jezuit për të shqyrtuar devotshmërinë e vet personale ndaj Mesisë së Jehovait: «Cili është në të vërtetë skllavi besnik dhe i matur që zotëria i tij e ka vendosur mbi shtëpiakët e vet për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav nëse zotëria i tij, kur të vijë, do ta gjejë duke bërë kështu! Me të vërtetë po ju them: Do ta vendosë mbi gjithë gjënë e vet.» (NW)
5 Është e dukshme se përshkrimi që i bën Jezui këtij skllavi, nuk mund të jetë për asnjë individ të veçantë. Përkundrazi, përshkruan kongregacionin e mirosur besnik të Krishtit në përgjithësi, si një grup. Shtëpiakët janë ithtarët e mirosur të Krishtit të marrë individualisht. Jezui e dinte se do t’i fitonte këta të mirosur me gjakun e tij, prandaj me të drejtë iu referua atyre, në përgjithësi, si skllavi i tij. Letra e parë drejtuar 1. Korintasve 7:23, thotë për ta: «Ju [duke folur kolektivisht] u bletë me një çmim; mos u bëni më skllevër të njerëzve.» (NW) Jezui i ngarkoi pjesëtarët e klasës së skllavit të tij që ta përhapnin shkëlqimin e dritës së tyre për të tërhequr edhe të tjerë, t’i bënin dishepuj dhe t’i ushqenin në mënyrë progresive shtëpiakët e tij, duke u dhënë atyre ushqim frymor në kohën e duhur.
6. Si u shpërblye skllavi pas një inspektimi të kryer nga Jezui?
6 Që prej fillimit të pranisë së Krishtit, deri më 1918-n, klasa e skllavit, edhe pse pa popullaritet, e persekutuar dhe me një farë hutimi, ishte përpjekur që t’u jepte shtëpiakëve ushqim në kohën e duhur. Dhe kjo ishte ajo që gjeti Zotëria gjatë kohës së inspektimit të tij. Zotëria Jezu u gëzua dhe më 1919-n e deklaroi të lumtur klasën e miratuar të skllavit besnik. Cili qe shpërblimi i pëlqyeshëm për skllavin që kishte bërë atë që i kishte ngarkuar Zotëria? U gradua! Po, iu besuan përgjegjësi më të mëdha në çuarjen përpara të interesave të Zotërisë së tij. Pasi Zotëria tani ishte një Mbret qiellor, pronat e tij tokësore ishin bërë edhe më të vlefshme.
7, 8. (a) Çfarë është «gjithë gjëja» e Zotërisë? (b) Çfarë kërkohej prej skllavit që të kujdesej për këtë gjë?
7 Çfarë është, pra, «gjithë gjëja e vet»? Janë të gjitha të mirat frymore mbi tokë që janë bërë pronë e Krishtit, në lidhje me autoritetin e tij si Mbret qiellor. Përfshinin pa dyshim detyrën për të bërë dishepuj të Krishtit, me privilegjin e shkëlqyer që të vepronin si përfaqësues të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë në të gjitha kombet e botës.
8 Një gradim i tillë për të mbikëqyrur të gjithë gjënë e Zotërisë, kërkonte prej klasës së skllavit që t’i dedikonte më shumë kohë dhe vëmendje kryerjes së veprës së Mbretërisë dhe të zgjeronte strukturat e nevojshme për këtë vepër. Tani kishte një fushë më të gjerë për të zhvilluar veprën: të gjithë tokën e banuar.
Mbledhja e deleve
9. Cili ka qenë rezultati i shtrirjes së aktiviteteve të skllavit?
9 Me bindje, klasa e skllavit besnik dhe të matur të Krishtit, i zgjeroi aktivitetet e saj. Rezultati? U mblodhën edhe të fundit që kishin mbetur prej të 144.000-ve. Pastaj, vizioni i Gjonit, i përshkruar në Zbulesën 7:9-17, u bë një realitet i gëzuar dhe entuziazmues. Veçanërisht prej 1935-s, plotësimi i këtij vizioni është bërë gjithnjë e më i qartë për klasën e skllavit. Tani, nga e gjithë toka, «një shumicë e madhe» prej miliona njerëzish grumbullohet në rrethinat e tempullit frymor të Jehovait, si adhurues të tij. Engjëlli i Jehovait i tha Gjonit se asnjë njeri nuk mund ta numëronte këtë shumicë të madhe. Kjo do të thotë se nuk është vënë një kufi për numrin e njerëzve që klasa e skllavit duhet të çojë në tempullin frymor të Jehovait. Derisa dyert të jenë të hapura, vepra e mbledhjes do të vazhdojë.
10. Në çfarë aktiviteti të dashur është përfshirë sot skllavi?
10 Klasa e skllavit besnik ka një përgjegjësi të rëndë për kujdesjen e numrit gjithnjë e në rritje të «deleve të tjera», duke e ditur se këta njerëz të ngjashëm deleve, të ardhur prej të gjitha kombeve, janë shumë të dashur për Zotërinë Jezu. Në fakt, ata janë tufa e tij. (Gjoni 10:16; Veprat 20:28; 1. Pjetrit 5:2-4) Prandaj, me dashuri për Zotërinë dhe delet, klasa e skllavit është e lumtur që kujdeset për nevojat frymore të shumicës së madhe.
11-13. Çfarë komenti të përshtatshëm bëri kryetari i atëhershëm i Shoqatës në lidhje me aktivitetet e skllavit?
11 Po, aspekti kryesor i veprimtarisë së skllavit si mbajtës i dritës, ka lidhje me mbledhjen e këtyre nënshtetasve tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë. Pak kohë para vdekjes së tij në dhjetor 1992, kryetari i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower, F. W. Franz tha:
12 «Jezu Krishti e ka përdorur organizatën në një mënyrë gjithnjë e më të mrekullueshme, sipas përvojës sime të një jete 99-vjeçare. Nuk është një njeri i thjeshtë që e drejton organizatën, por duhet të jetë Zotëria Jezu Krisht. Prandaj edhe punët kanë shkuar në një mënyrë gjithnjë e më të madhe dhe më të mrekullueshme, sesa mund ta kemi menduar ndonjëherë. Sot kemi një organizatë që është shtrirë në mbarë botën. Ajo vepron në hemisferën veriore dhe në atë jugore, në lindje dhe në perëndim. Vetëm një person mund të jetë përgjegjës për një shtrirje kaq fenomenale: Biri i Perëndisë, që drejton klasën e skllavit besnik dhe të matur. Ai ka qenë në lartësinë e përgjegjësive të tij dhe kësaj i detyrojmë shtrirjen madhështore, për të cilën jemi dëshmitarë.»
13 «Kjo vepër nuk varet prej një njeriu. Kemi një organizatë teokratike, që vepron në mënyrë teokratike, e drejtuar nga Perëndia. Asnjë njeriu, as edhe themeluesit të Watch Tower Bible and Tract Society, nuk mund t’i njihet apo jepet merita e asaj që është kryer në shkallë botërore. Ajo është thjesht e mrekullueshme.» A s’është e vërtetë që të gjithë pjesëtarët e shumicës së madhe përputhen plotësisht me ndjenjat e të ndjerit vëlla Franz? Po, dhe në fakt ata janë shumë mirënjohës për aktivitetet e zgjeruara të skllavit besnik.
Nënshtetas të Mbretërisë
14, 15. (a) Çfarë ilustroi Jezui me shëmbëlltyrën e talentave (Mateu 25:14-30)? (b) Ç’gjë tjetër shpjegohet në mënyrë të përshtatshme në kapitullin 25 të Mateut?
14 Ilustrimi i Jezuit mbi delet dhe cjeptë, që gjendet në kapitullin 25 të Mateut, përshkruan këtë vepër të madhe të grumbullimit të nënshtetasve tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë. Në shëmbëlltyrën e mëparshme, atë mbi talentat, Jezui ilustron se dishepujt besnikë që shpresojnë për të mbretëruar me të në Mbretërinë e tij qiellore, duhet të punojnë për të shtuar pronën e tij tokësore. Është me shumë vend, pra, që në shëmbëlltyrën vijuese Jezui shpjegon se çfarë kërkohet prej atyre që duan të bëhen nënshtetas të Mbretërisë së tij qiellore.
15 Vërej se çfarë thotë Jezui në Mateun 25:31-33: «E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë [lavdinë, NW] e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’ i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.»
16. Si mblidhen kombet dhe si ndahen njerëzit?
16 Jezui arriti në lavdinë e vet në 1914-n. Duke u hedhur në ofensivë, ai dhe të gjithë engjëjt e tij sulmuan dhe hodhën nga qielli armiqtë e tij demonikë. Vazhdimi i shëmbëlltyrës na ndihmon të kuptojmë se fakti që Jezui është ulur mbi një fron të lavdishëm, do të thotë se gjatë pranisë së tij ai merr një pozitë gjykimi. Mbledhja e të gjitha kombeve përpara tij, do të thotë se Jezui vepron ndaj kombeve si me tufën e tij të mundshme, në kuptim figurativ. Është një tufë e përbërë nga dele dhe cjep. Edhe pse për të ndarë delet nga cjeptë në një tufë të vërtetë mund të duhet vetëm një pjesë e ditës, ndarja botërore e njerëzve me gjykim të lirë kërkon një kohë shumë më të gjatë. Dhe kjo, sepse ndarja bëhet në bazë të sjelljes së secilit individ.
17. Përse sot gjendja është serioze për të gjithë?
17 Në shëmbëlltyrë, Mbreti-Bari i vendos ata që u ngjajnë deleve në të djathtën e tij dhe ata që u ngjajnë cjepve në të majtë. Ata në të djathtë marrin një gjykim me përfundim të favorshëm: jetën e përhershme. Ata në të majtë marrin një gjykim jo të favorshëm: dënimin me shkatërrim të përhershëm. Gjykimi i Mbretit, pra, ka pasoja mjaft serioze.
18. Përse fakti që Mbreti është i padukshëm nuk është një justifikim për askënd?
18 Fakti se gjatë pranisë së tij, apo parousi̇́a-s, Biri mbretërues i njeriut do të jetë i padukshëm, nuk përbën ndonjë justifikim për askënd. Gjithnjë e më shumë njerëz të ngjashëm deleve po i bashkohen sot klasës së skllavit për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në të gjithë botën, duke përhapur dritën e tyre. Dëshmia e tyre ka mbërritur me të vërtetë deri në skajet më të largëta të tokës.—Mateu 24:14.
19. Cilat cilësi të klasës së deleve janë nxjerrë në pah në shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve?
19 Për ç’arsye, Mbreti-Bari e shpërblen klasën e deleve me një të ardhme të lumtur? Për shkak të mbështetjes besnike që ato i japin veprës së predikimit të Mbretërisë, si dhe për mirësinë që tregojnë për vëllezërit e tij të mirosur, gjë që Jezui e konsideron sikur t’i jetë bërë atij personalisht. Prandaj, Biri mbretëror i njeriut u thotë atyre: «Ejani, ju që jeni bekuar prej Atit tim, trashëgojeni mbretërinë që u përgatit për ju që prej krijimit të botës.»—Mateu 25:34, NW; 28:19, 20.
Në ndihmë të Mbretit
20, 21. Si e tregojnë delet se janë rreshtuar në anën e Mbretërisë?
20 Vërej, tani, se kur Mbreti i fton për të trashëguar pjesën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë, këto dele tregohen të shtangura. E pyesin: «Zotëri, kur i kemi bërë gjithë këto gjëra për ty?» Dhe ai përgjigjet: «Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi të vegjël, e bëtë për mua.» (Mateu 25:40) Kur iu shfaq Marija Magdalenës, ditën e ringjalljes së tij, Jezui iu referua vëllezërve të tij frymorë, duke thënë: «Shko te vëllezërit e mi.» (Gjoni 20:17) Gjatë kohës së pranisë së tij të padukshme, Jezui ka mbi tokë vetëm një mbetje të vogël të të 144.000 vëllezërve të tij frymorë.
21 Pasi Jezui është i padukshëm në qiej, njerëzit ngjashëm deleve mund t’i bëjnë për të këto gjëra të dashura vetëm në mënyrë indirekte. Ata e shohin mbi fron vetëm me sytë e besimit. Jezui i vlerëson të gjitha përpjekjet që kryejnë ata në ndihmë të vëllezërve të tij frymorë, që do të bëhen bashkëtrashëgimtarë të tij qiellorë. Atë që bëhet për vëllezërit e tij, ai e konsideron sikur t’i bëhet vetë atij. Ata që janë ngjashëm deleve me qëllim u bëjnë mirë vëllezërve të Krishtit, sepse i njohin për të tillë. E kuptojnë se vëllezërit frymorë të Jezuit janë ambasadorë të Mbretërisë së Jehovait dhe duan të tregojnë konkretisht se janë rreshtuar me ta në anën e kësaj Mbretërie.
22. Si shpërblehet klasa e deleve? (Krahaso Zbulesën 7:14-17.)
22 Jehovai e kishte parashikuar se kjo klasë njerëzish e ngjashme me delet do të shfaqej në këtë kohë të pranisë së Birit të tij dhe ruan për ta një shpërblim të mrekullueshëm! Shumica e madhe do të trashëgojë bekimet e paqes këtu mbi tokë gjatë Mbretërisë së lumtur mijëvjeçare të Jezu Krishtit, Mbretit të vendosur të Jehovait.
23. Në cilat mënyra të vetëdijshme, delet u vijnë në ndihmë vëllezërve të Mbretit?
23 Çfarë kuptojmë, kur shqyrtojmë profecitë biblike që i përkasin kohës së pranisë së Krishtit, si dhe shëmbëlltyrën e Jezuit mbi delet dhe cjeptë? Këtë: Nuk është e mira që i bëhet në mënyrë të pavetëdijshme apo rastësisht njërit prej vëllezërve frymorë të Mbretit, ajo që e kthen një njeri në dele, me një gjendje të drejtë para Perëndisë dhe Mbretit të tij. Ata që i përkasin klasës së deleve dinë se ç’bëjnë, edhe pse nuk e shohin Mbretin me sytë e vërtetë. Përpiqen t’i ndihmojnë vëllezërit e Mbretit jo vetëm në kuptimin material, por edhe në atë frymor. Në ç’mënyrë? Duke i ndihmuar në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe duke udhëhequr studime biblike për të bërë dishepuj të Krishtit. Prandaj, sot ka më tepër se katër milion lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, mbajtës të dritës.
Aktivitete të zgjeruara
24. Cilat punë të dashura i kanë bërë pjesëtarët e klasës së skllavit njerëzit më të lumtur që gjenden sot mbi tokë?
24 Le të përmendim disa prej veprave të shumta të shkëlqyera, të kryera nga klasa e skllavit besnik. Së pari, klasa e skllavit është vendosur mbi të gjithë pronën e Zotërisë—interesat e Mbretërisë mbi tokë—pronë që vazhdon të rritet. Së dyti, kjo klasë i jep ushqim frymor jo vetëm shtëpiakëve të mirosur, por edhe shumicës së madhe gjithnjë në rritje të deleve të tjera. Së treti, klasa e skllavit merr udhëheqjen në përhapjen e dritës së Mbretërisë. Së katërti, përhapja më e madhe e aktiviteteve të saj ka lidhje me grumbullimin e shumicës së madhe të deleve të tjera, që po sillen në tempullin frymor të Jehovait. Së pesti, klasa e skllavit, me mbështetjen besnike të njerëzve ngjashëm deleve, është duke zgjeruar ndërtesat e degëve në të gjithë tokën, si edhe ato të selisë qendrore në Shtetet e Bashkuara. Këto punë të dashura i kanë bërë pjesëtarët e klasës së skllavit njerëzit më të lumtur që gjenden sot mbi tokë dhe kanë lumturuar, gjithashtu, edhe miliona të tjerë. Për të gjitha këto, falënderojmë Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin, të cilët kanë drejtuar aktivitetet e zgjeruara të skllavit të matur!
25. Si mund të vazhdojnë delet të mbështesin klasën e skllavit dhe me çfarë perspektive?
25 Klasa e skllavit ndodhet, tani, e angazhuar më shumë se kurrë në kryerjen e detyrave që i ka besuar Perëndia. Koha e mbetur deri në shpërthimin e «mjerimit të madh», po mbaron! (Mateu 24:21) Është e domosdoshme që delet e Perëndisë të qëndrojnë në të djathtën e favorshme të Mbretit të tij Bari! Prandaj, të gjithë le të vazhdojmë të mbështesim me zell skllavin besnik dhe të matur. Vetëm duke vepruar kështu, të gjithë njerëzit ngjashëm deleve mund të dëgjojnë shumë shpejt këto fjalë të gëzueshme: «Ejani, ju që jeni bekuar prej Atit tim, trashëgojeni mbretërinë që u përgatit për ju që prej krijimit të botës.»
Pyetjet për përsëritje
◻ Cili gjykim fillestar pasoi ardhjen në fron të Mbretit?
◻ Si është përmbushur në ditët moderne Mateu 24:45-47?
◻ Në lidhje me aktivitetet e zgjeruara, për ç’gjë janë mirënjohëse klasa e skllavit dhe shumica e madhe?
◻ Si përmbushet Mateu 24:34-40 gjatë parousi̇́a-s?
[Figura në faqen 12]
Zotëria ia beson të gjithë gjënë e tij skllavit besnik
[Figura në faqen 14]
Jezui ulet mbi fronin e tij të lavdishëm për të gjykuar njerëzimin