Kapitulli 56
Çfarë e përdhos njeriun?
KUNDËRSHTIMI ndaj Jezuit bëhet edhe më i ashpër. Tani, jo vetëm që shumë nga dishepujt e tij janë larguar, por në Jude, judenjtë kërkojnë ta vrasin, ashtu siç kërkuan të bënin edhe kur ishte në Jerusalem, gjatë Pashkës së vitit 31 të e.s.
Tani, është Pashka e vitit 32 të e.s. Ka të ngjarë që, në përputhje me kërkesën e Perëndisë, Jezui ngjitet në Jerusalem, për të kremtuar Pashkën. Megjithatë, këtë e bën me kujdes, sepse jeta e tij është në rrezik. Më pas, ai kthehet në Galile.
Jezui gjendet ndoshta në Kapernaum, kur disa farisenj dhe skribë nga Jerusalemi, vijnë tek ai. Ata kërkojnë ndonjë provë që ta akuzojnë Jezuin për shkelje të ligjit fetar. «Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve?—pyesin ata.—Sepse nuk i lajnë duart përpara se të hanë.» Kjo nuk është një kërkesë e Perëndisë, e megjithatë, farisenjtë e konsiderojnë si fyerje të rëndë mosrespektimin e këtij riti tradicional, i cili përfshin larjen e duarve deri në bërryl.
Në vend se t’i përgjigjet akuzës së tyre, Jezui i drejtohet shkeljes që me ligësi e në mënyrë të vullnetshme, ata i bëjnë Ligjit të Perëndisë. «Dhe ju përse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?—kërkon të dijë ai.—Perëndia në fakt ka urdhëruar kështu: “Ndero atin dhe nënën”; dhe “Ai që mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje.” Kurse ju thoni: “Kushdo që i thotë atit ose nënës, ‘Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është kushtuar Perëndisë’, ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet.”»
Në fakt, farisenjtë u mësojnë njerëzve se paratë, prona ose çdo gjë tjetër që i kushtohet Perëndisë si dhuratë, i përket tempullit dhe nuk mund të përdoret për ndonjë qëllim tjetër. Gjithsesi, dhuratën që është kushtuar, faktikisht e mban personi që e ka kushtuar. Në këtë mënyrë, një bir, thjesht duke thënë se paratë ose pronat e tij i ka bërë «korban», që do të thotë dhuratë kushtuar Perëndisë ose tempullit, i shmanget përgjegjësisë për të ndihmuar prindërit e moshuar, të cilët mund të jenë ngushtë nga gjendja ekonomike.
I indinjuar me të drejtë nga shtrembërimi që farisenjtë i bëjnë Ligjit të Perëndisë, Jezui thotë: «Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj. Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është shumë larg meje. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësojnë urdhërime njerëzish si doktrina.’»—BR.
Turma, ndoshta është tërhequr mbrapa, për t’u dhënë mundësi farisenjve që ta pyesin Jezuin. Tani që farisenjtë s’dinë se si t’u përgjigjen kritikave të tij të ashpra, Jezui e thërret turmën pranë vetes. «Më dëgjoni të gjithë,—thotë ai,—dhe kuptoni: nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin jashtë prej tij që e ndotin.»
Më vonë, kur hyjnë në një shtëpi, dishepujt e pyesin: «A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë, u skandalizuan?»
«Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë,—përgjigjet Jezui.—Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër . . . dhe nëqoftëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, të dy do të bien në gropë.»
Jezui duket i habitur, kur Pjetri, në emër të dishepujve, i kërkon sqarime lidhur me atë se çfarë e përdhos njeriun. «As juve s’keni kuptuar akoma?—përgjigjet Jezui.—A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë, kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz? Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra dhe ato e ndotin njeriun. Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun.»
Me këto fjalë, Jezui nuk po del kundër higjienës normale. Ai nuk po thotë se s’ka nevojë të lahen duart, para përgatitjes ose para ngrënies së ushqimit. Në vend të kësaj, Jezui po dënon hipokrizinë e krerëve fetarë, të cilët, në mënyrë dredharake, përpiqen të shmangin ligjet e drejta të Perëndisë, duke këmbëngulur në tradita që s’kanë bazë në Shkrimet. Po, ato që e përdhosin njeriun janë veprat e liga dhe Jezui tregon se këto e kanë origjinën në zemër. Gjoni 7:1; Ligji i përtërirë 16:16; Mateu 15:1-20; Marku 7:1-23; Dalja 20:12; 21:17; Isaia 29:13.
▪ Çfarë kundërshtimi has tani Jezui?
▪ Çfarë akuze bëjnë farisenjtë, por sipas Jezuit, në ç’mënyrë e shkelin ata vullnetarisht ligjin e Perëndisë?
▪ Cilat janë gjërat të cilat Jezui zbulon se e përdhosin njeriun?