Martesa—Origjina dhe qëllimi i saj
«Perëndia Jehova tha: ‘Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës.’»—ZAN. 2:18.
1, 2. (a) Si zuri fill martesa? (b) Ç’mund të kenë kuptuar qartë për martesën burri dhe gruaja e parë? (Shih figurën hapëse.)
MARTESA është pjesë e jetës. Le të ndalemi pak tek origjina dhe te qëllimi i saj, sepse kështu mund të kemi pikëpamjen e duhur për këtë lidhje dhe mund t’i gëzojmë më plotësisht bekimet që duhet të sjellë. Pasi Perëndia krijoi njeriun e parë, Adamin, çoi tek ai kafshët që t’u vinte emra. Veçse «për njeriun nuk u gjet asnjë ndihmës, që ta plotësonte». Kështu, Perëndia e vuri Adamin në gjumë të thellë, mori një nga brinjët e tij e nga ajo bëri një grua dhe ia çoi njeriut. (Lexo Zanafillën 2:20-24.) Pra, martesa e ka origjinën nga Perëndia.
2 Jezui vërtetoi se ishte Jehovai ai që i tha këto fjalë: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.» (Mat. 19:4, 5) Fakti që Perëndia përdori një brinjë të Adamit për të krijuar gruan e parë mund t’i ketë ngulitur në mendje çiftit të parë sa e ngushtë ishte lidhja martesore. Nuk ekzistonte asnjë masë për divorc ose për të pasur njëkohësisht më shumë se një bashkëshort.
SI I SHËRBEN MARTESA QËLLIMIT TË JEHOVAIT
3. Cili ishte një qëllim i rëndësishëm i martesës?
3 Adami ndihej i kënaqur me gruan e tij të bukur, që më vonë e quajti Evë. Si «plotësim» i tij, ajo do të ishte për të ‘një ndihmëse’ teksa i falnin lumturi njëri-tjetrit çdo ditë duke përmbushur rolin që kishte secili në martesë. (Zan. 2:18) Një qëllim i rëndësishëm i martesës ishte të popullohej toka. (Zan. 1:28) Fëmijët do t’i donin prindërit, por me kohë do të largoheshin prej tyre që të martoheshin e të krijonin familje më vete. Njerëzit do ta mbushnin tokën aq sa të ishte e rehatshme për të gjithë dhe do ta zgjeronin shtëpinë parajsore derisa krejt planeti të bëhej parajsë.
4. Çfarë ndodhi me martesën e parë?
4 Martesa e parë mori tatëpjetën, sepse edhe Adami, edhe Eva zgjodhën ta keqpërdornin vullnetin e lirë duke mos iu bindur Jehovait. «Gjarpri i hershëm», Satana Djalli, e mashtroi Evën duke i mbushur mendjen se po të hante frytin e ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’, do të fitonte një njohuri të veçantë falë së cilës mund të vendoste se ç’ishte e mirë dhe ç’ishte e keqe. Ajo nuk tregoi respekt për kryesinë e të shoqit, pasi nuk e pyeti për këtë çështje. Edhe Adami, në vend që t’i bindej Perëndisë, pranoi frytin që i ofroi Eva.—Zbul. 12:9; Zan. 2:9, 16, 17; 3:1-6.
5. Ç’mund të mësojmë nga reagimi i Adamit dhe i Evës përballë Jehovait?
5 Kur Perëndia i kërkoi llogari, Adami ia hodhi fajin së shoqes me fjalët: «Gruaja që më dhe, ajo më dha nga fryti i pemës, dhe unë hëngra.» Kurse Eva ia hodhi fajin gjarprit duke thënë se ai e mashtroi. (Zan. 3:12, 13) Asnjë arsye për të qenë, vetëm justifikime koti! Ngaqë çifti i parë nuk iu bind, Jehovai u dha dënimin si rebelë. Çfarë paralajmërimi për ne! Që martesa të ketë sukses, secili nga bashkëshortët duhet të pranojë se mban përgjegjësi për veten dhe duhet t’i bindet Jehovait.
6. Si do ta shpjegonit Zanafillën 3:15?
6 Pavarësisht nga ajo që bëri Satanai në Eden, Jehovai i dha shpresë njerëzimit me profecinë e parë të Biblës. (Lexo Zanafillën 3:15.) Krijesës së parë rebele do t’ia shtypte kokën ‘fara e gruas’. Kështu, Jehovai u dha njerëzve një ide për marrëdhënien e veçantë që ekziston mes tij dhe gjithë asaj morie krijesash të drejta që i shërbejnë në qiell. Më vonë, Shkrimet zbuluan se Perëndia do të dërgonte dikë nga organizata e vet, që në Bibël quhet ‘gruaja e tij’. Ky ‘do t’i shtypte kokën’ Djallit dhe do të siguronte mjetin që njerëzimi i bindur të gëzonte atë të ardhme që humbi çifti i parë—jetën e pafund në tokë sipas qëllimit fillestar të Jehovait.—Gjoni 3:16.
7. (a) Çfarë ka ndodhur me martesën që nga rebelimi i Adamit dhe i Evës? (b) Çfarë kërkon Bibla nga secili bashkëshort?
7 Rebelimi i Adamit dhe i Evës ndikoi goxha te martesa e tyre dhe te gjithë martesat e tjera në të ardhmen. Për shembull, Eva dhe pasardhëset e saj do të kishin dhembje të mëdha gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Gratë do të digjeshin nga dëshira për bashkëshortin, kurse burrat do të sundonin mbi to, madje duke abuzuar, siç e shohim në shumë martesa sot. (Zan. 3:16) Bibla kërkon që burrat ta ushtrojnë kryesinë me dashuri. Ndërkohë, gratë duhet t’i nënshtrohen kryesisë së burrave të tyre. (Efes. 5:33) Kur bashkëshortët që e duan Perëndinë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, situatat që shkaktojnë fërkime pakësohen në minimum ose eliminohen fare.
MARTESA QË NGA KOHA E ADAMIT DERI TE PËRMBYTJA
8. Cila është historia e martesës që nga koha e Adamit deri te Përmbytja?
8 Para se të vdisnin si pasojë e mëkatit dhe e papërsosmërisë, Adamit dhe Evës u lindën bij e bija. (Zan. 5:4) Djali i parë, Kaini, u martua me një nga të afërmet e tij. Lameku, një pasardhës i Kainit, është burri i parë për të cilin Shkrimet thonë se kishte dy bashkëshorte. (Zan. 4:17, 19) Në brezat që nga Adami deri te Përmbytja e kohës së Noesë, vetëm pak individë përmenden si adhurues të Jehovait. Ndër ta ishin Abeli, Enoku dhe Noeja me familjen e tij. Bibla thotë se në kohën e Noesë, «bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën». Nga ky bashkim i panatyrshëm i grave me engjëjt që morën trupa njerëzorë, lindën hibridë të dhunshëm të njohur si nefilimë. Veç kësaj, «e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën».—Zan. 6:1-5.
9. Çfarë u bëri Jehovai të ligjve në kohën e Noesë, dhe ç’mësim duhet të nxjerrim nga ajo që ndodhi atëherë?
9 Jehovai solli Përmbytjen në ditët e Noesë që t’i shkatërronte të ligjtë. Në atë kohë, njerëzit ishin aq të zhytur në gjërat e jetës së përditshme, përfshirë martesën, sa nuk e morën seriozisht atë që tha ‘Noeja, një predikues i drejtësisë’, për shkatërrimin që u kanosej. (2 Pjet. 2:5) Jezui i krahasoi kushtet e asaj kohe me ato që do të shihnim në ditët tona. (Lexo Mateun 24:37-39.) Sot shumica nuk duan ta dëgjojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, që po predikohet anembanë tokës si dëshmi për gjithë kombet para se t’i vijë fundi këtij sistemi të lig. Le t’ia vëmë veshin mësimit që nxjerrim nga koha e Noesë, pra të mos lejojmë që as çështjet familjare, si martesa dhe rritja e fëmijëve, të na mbytin ndjenjën e urgjencës për ditën e Jehovait.
MARTESA QË NGA PËRMBYTJA DERI TE KOHA E JEZUIT
10. (a) Cilat praktika seksuale u bënë një mënyrë jetese në shumë kultura? (b) Si lanë një shembull të mirë Abrahami dhe Sara me martesën e tyre?
10 Ndonëse Noeja dhe tre bijtë e tij kishin vetëm nga një bashkëshorte, poligamia ishte e zakonshme në kohët patriarkale. Në shumë kultura, imoraliteti seksual u bë një mënyrë jetese, madje u bë pjesë e riteve fetare. Kur Abrami (Abrahami) dhe gruaja e tij, Saraja (Sara), iu bindën Perëndisë dhe u shpërngulën në Kanaan, atje kishin marrë dhenë praktika që tregonin përbuzje për martesën. Prandaj, Jehovai dekretoi që Sodoma dhe Gomorra të shkatërroheshin, sepse banorët e atyre qyteteve praktikonin ose toleronin një imoralitet seksual të rëndë dhe të shëmtuar. Kurse Abrahami mori drejtimin siç duhej në familjen e tij, dhe Sara la një shembull të shkëlqyer duke iu nënshtruar kryesisë së burrit të saj. (Lexo 1 Pjetrit 3:3-6.) Abrahami u sigurua që i biri, Isaku, të martohej me një adhuruese të Jehovait. I njëjti merak për adhurimin e vërtetë e drejtoi në jetë edhe djalin e Isakut, Jakobin, bijtë e të cilit u bënë paraardhësit e 12 fiseve të Izraelit.
11. Si i mbronte Ligji i Moisiut izraelitët?
11 Më vonë, Jehovai bëri një besëlidhje me pasardhësit e Jakobit (Izraelit). Në Ligjin e Moisiut kishte rregulla të qarta për praktikat martesore më të përhapura në kohët patriarkale, përfshirë poligaminë. Ligji i mbronte izraelitët pasi i ndihmonte ta mbanin të pastër adhurimin e Jehovait, duke mos lejuar martesat me adhuruesit e rremë. (Lexo Ligjin e përtërirë 7:3, 4.) Kur lindnin probleme serioze në martesë, shpesh ndihmonin pleqtë. Për jobesnikërinë, xhelozinë dhe dyshimet kishte ligje. Divorci lejohej, po edhe për të kishte rregulla të qarta. Burri mund ta divorconte gruan për «ndonjë gjë të turpshme». (Ligj. 24:1) Bibla nuk e tregon çfarë nënkuptonte shprehja ‘gjë e turpshme’, por është logjike të mendojmë se nuk bëhej fjalë për probleme të vogla.—Lev. 19:18.
KURRË MOS VEPRO PABESISHT ME BASHKËSHORTIN
12, 13. (a) Si i trajtonin disa burra gratë e tyre në ditët e Malakisë? (b) Ç’pasoja do të kishte sot një i pagëzuar po të ikte me bashkëshortin e dikujt tjetër?
12 Në ditët e profetit Malakia, shumë judenj vepronin pabesisht me gratë e tyre, se i divorconin duke nxjerrë lloj-lloj sebepesh. Kështu hiqnin qafe gratë që kishin marrë në rini, ndoshta që të martoheshin me gra më të reja a madje edhe me gra pagane. Kur erdhi në tokë Jezui, judenjtë akoma i divorconin pabesisht gratë e tyre «për çdo lloj arsyeje». (Mat. 19:3) Perëndia Jehova i urrente divorce të tilla.—Lexo Malakinë 2:13-16.
13 Sot, mes popullit të Jehovait tradhtia bashkëshortore nuk tolerohet. Por, ta zëmë se një grua ose burrë i martuar e i pagëzuar ikën me bashkëshortin e dikujt tjetër dhe, pasi divorcohet, martohet me të. Nëse nuk pendohet, fajtori do të përjashtohet që të ruhet pastërtia e kongregacionit. (1 Kor. 5:11-13) Ai ose ajo duhet ‘të japë fryte të denja për pendim’ para se të pranohet sërish në kongregacion. (Luka 3:8; 2 Kor. 2:5-10) Ndonëse nuk duhet të kalojë një periudhë fikse që të rivendoset, një tradhti e tillë, që ndodh rrallë mes pjesëtarëve të popullit të Perëndisë, nuk ka si të shpërfillet. Mund të duhet goxha kohë—një vit a më shumë—që mëkatari të japë prova se është penduar vërtet. Edhe nëse rivendoset, prapëseprapë duhet të japë llogari «përpara fronit të gjykimit të Perëndisë» për pendimin e tij.—Rom. 14:10-12; shih Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1979, f. 31, 32, anglisht.
MARTESA MES TË KRISHTERËVE
14. Cilit qëllim të përgjithshëm i shërbeu Ligji?
14 Ligji i Moisiut i drejtoi izraelitët për më shumë se 1.500 vjet. Ai e ndihmoi popullin e Perëndisë të mbante në mend parimet e drejta kur trajtonte çështje familjare dhe probleme të tjera, e njëkohësisht shërbeu si një edukator ose kujdestar që çoi te Mesia. (Gal. 3:23, 24) Pasi vdiq Jezui, Ligji u shfuqizua dhe Perëndia vuri në veprim një marrëveshje të re. (Hebr. 8:6) Nën këtë marrëveshje ose besëlidhje, nuk lejoheshin më disa gjëra që Ligji i lejonte.
15. (a) Cila do të ishte norma për martesën në kongregacionin e krishterë? (b) Cilët faktorë duhet të mbajë parasysh një i krishterë kur mendon për divorcin?
15 Në përgjigje të një pyetjeje që ngritën disa farisenj, Jezui tha se Moisiu bëri një lëshim kur lejoi divorcin, por «në fillim nuk ishte kështu». (Mat. 19:6-8) Pra, Jezui tregoi se norma për martesën në kongregacionin e krishterë do të ishte ajo që vendosi Perëndia në Eden. (1 Tim. 3:2, 12) Përderisa janë «një mish i vetëm», bashkëshortët duhet të qëndrojnë të lidhur ngushtë, duke lejuar që dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin të forcojë lidhjen mes tyre. Kush bën një divorc ligjor që nuk ka për bazë imoralitetin seksual, nuk është i lirë të martohet me dikë tjetër. (Mat. 19:9) Sigurisht, dikush mund të zgjedhë ta falë bashkëshortin që ka kryer kurorëshkelje por që është penduar, ashtu si profeti Hozea ka të ngjarë ta ketë falur gruan e tij imorale, Gomerën. Po njësoj, kur kombi i Izraelit u pendua për kurorëshkeljen ose jobesnikërinë ndaj Jehovait, ai i tregoi mëshirë. (Hoz. 3:1-5) Veç kësaj, nëse dikush e di se bashkëshorti ka kryer kurorëshkelje dhe zgjedh të rifillojë marrëdhëniet seksuale me të, atëherë ky veprim tregon se e ka falur bashkëshortin fajtor dhe fshin bazën biblike për divorc.
16. Çfarë tha Jezui për beqarinë?
16 Pasi tregoi se e vetmja bazë për divorc mes të krishterëve të vërtetë është imoraliteti seksual, Jezui foli për «ata që kanë dhuratën» të jetojnë si të pamartuar. Ai shtoi: «Kush mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.» (Mat. 19:10-12) Shumë kanë zgjedhur të rrinë beqarë, me qëllim që ta kenë mendjen plotësisht të përqendruar te shërbimi i Jehovait. Ata meritojnë t’i lavdërojmë për këtë.
17. Ç’mund ta ndihmojë një të krishterë të vendosë nëse do të martohet apo jo?
17 Për të vendosur nëse do të qëndrojë beqar apo do të martohet, çdokush duhet të vendosë në zemër nëse është në gjendje të kultivojë dhuratën e beqarisë. Apostulli Pavël rekomandoi beqarinë. Gjithsesi tha: «Për shkak të përhapjes së kurvërisë, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet.» Pastaj shtoi: «Nëse nuk kanë vetëkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh, se të digjesh nga pasioni.» Martesa mund ta ndihmojë dikë që të mos e lejojë pasionin ta çojë në një praktikë të tillë si masturbimi ose në imoralitet seksual. Edhe mosha mund të jetë një faktor që duhet mbajtur parasysh, sepse apostulli tha: «Nëse dikush mendon se nuk po sillet siç duhet me virgjërinë e vet, atëherë po ta ketë kaluar kështu lulen e rinisë dhe nëse gjëja më e mirë për të është të martohet, le të bëjë ç’të dojë, nuk mëkaton. Le të martohen.» (1 Kor. 7:2, 9, 36; 1 Tim. 4:1-3) Sidoqoftë, njeriu nuk duhet të martohet i nxitur nga dallgët e pasionit që mund të sjellë rinia. Ai mund të mos jetë aq i pjekur sa të mbajë mbi supe përgjegjësitë e martesës.
18, 19. (a) Si duhet të fillojë martesa e krishterë? (b) Çfarë do të shohim në artikullin tjetër?
18 Martesa e krishterë duhet të fillojë me një burrë dhe një grua që i janë kushtuar Jehovait dhe e duan me gjithë shpirt. Gjithashtu, duhet të kenë zhvilluar një dashuri aq të fortë për njëri-tjetrin sa të duan ta lidhin jetën bashkë në martesë. Pa dyshim, ata do të bekohen që kanë ndjekur këshillën për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Gjatë martesës, patjetër do të vërejnë se Bibla jep këshillat më të shkëlqyera që të kenë sukses në martesë.
19 Në artikullin tjetër do të ndalemi te disa pika nga Shkrimet që mund t’i ndihmojnë të krishterët e martuar t’u bëjnë ballë sfidave që hasin ngaqë jemi thellë «në ditët e fundit», kur kaq shumë burra e gra kanë tipare që veprojnë në dëm të lumturisë në martesë. (2 Tim. 3:1-5) Në Fjalën e tij të çmuar, Jehovai na ka dhënë atë që na duhet për të pasur një martesë të suksesshme e të lumtur, teksa vazhdojmë të ecim me popullin e tij në udhën drejt jetës së përhershme.—Mat. 7:13, 14.