Të imitojmë Misionarin më të madh
«Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.»—1 KOR. 11:1.
1. Pse duhet të imitojmë Jezu Krishtin?
APOSTULLI Pavël imitoi Misionarin më të madh, Jezu Krishtin. Gjithashtu Pavli i nxiti të bashkëkrishterët: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Kor. 11:1) Pasi u dha apostujve një shembull përulësie duke u larë përulësisht këmbët, Jezui u tha: «Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:12-15) Si të krishterë, kemi përgjegjësinë të imitojmë Jezu Krishtin me fjalë e me vepra dhe në cilësitë që shfaqim.—1 Pjet. 2:21.
2. Cilën frymë mund të shfaqni, edhe pse nuk jeni emëruar si misionarë nga Trupi Udhëheqës?
2 Në artikullin e mëparshëm mësuam se misionar është dikush që është dërguar si ungjillëzues—dikush që u çon të tjerëve lajmin e mirë. Në lidhje me këtë Pavli bëri disa pyetje interesante. (Lexo Romakëve 10:11-15.) Vini re se apostulli pyeti: «Si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?» Pastaj citoi nga profecia e Isaisë këto fjalë: ‘Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë!’ (Isa. 52:7) Edhe pse nuk jeni emëruar dhe nuk jeni dërguar për të shërbyer si misionarë në një vend të huaj, mund të keni frymën e ungjillëzimit, duke imituar Jezuin si lajmëtarë të zellshëm të lajmit të mirë. Vitin e kaluar 6.957.852 lajmëtarë të Mbretërisë ‘bënë veprën e ungjillëzuesit’ në 236 vende.—2 Tim. 4:5.
«Ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm»
3, 4. Çfarë la pas në qiell Jezui dhe çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi dishepuj të tij?
3 Për të përmbushur rolin që i ishte caktuar në tokë, Jezui «e zbrazi veten dhe mori formë skllavi», duke lënë pas jetën dhe lavdinë e tij qiellore. (Filip. 2:7) Çfarëdo që të bëjmë për të imituar Krishtin, nuk mund të krahasohet me atë që bëri ai kur erdhi në tokë. Megjithatë, ne mund të qëndrojmë të palëkundur si dishepuj të tij, duke mos ndier mall për gjërat që kishim dikur në botën e Satanait.—1 Gjon. 5:19.
4 Në një rast apostulli Pjetër i tha Jezuit: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm.» (Mat. 19:27) Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni i lanë menjëherë rrjetat kur Jezui i ftoi që ta ndiqnin. Ata e lanë punën si peshkatarë dhe u përqendruan te shërbimi. Sipas Ungjillit të Lukës, Pjetri tha: «Ja, ne lamë gjërat tona dhe të ndoqëm.» (Luka 18:28) Shumicës prej nesh nuk i është dashur të lëmë pas gjithë «gjërat tona» që të ndjekim Jezuin. Por na është dashur ‘ta mohojmë veten’ që të bëhemi dishepuj të Krishtit dhe t’i shërbejmë me gjithë zemër Jehovait. (Mat. 16:24) Ky drejtim na ka sjellë shumë bekime. (Lexo Mateun 19:29.) Kur imitojmë Krishtin duke pasur një frymë ungjillëzimi, ndiejmë gëzim në zemër, sidomos nëse kemi ndihmuar sadopak dikë që t’i afrohet Perëndisë dhe Birit të tij të dashur.
5. Thoni një përvojë që tregon se çfarë mund të vendosë të bëjë një emigrant kur mëson të vërtetën biblike.
5 Valmiri ishte një brazilian që jetonte në pjesën qendrore të Surinamit dhe punonte në një minierë ari. Ai ishte i alkoolizuar dhe bënte një jetë imorale. Një herë kur ishte në një qytet, Dëshmitarët e Jehovait nisën me të një studim biblik. Ai studioi çdo ditë, bëri shumë ndryshime dhe shumë shpejt u pagëzua. Kur pa se për shkak të punës e kishte të vështirë të jetonte sipas besimit të sapogjetur, e la punën e tij fitimprurëse dhe shkoi në Brazil për ta ndihmuar familjen të gjente thesare frymore. Shumë emigrantë, kur mësojnë të vërtetën biblike lënë vullnetarisht punët që bënin në vende të pasura dhe kthehen në vendin e tyre me synimin për të ndihmuar frymësisht të afërmit dhe të tjerët. Këta lajmëtarë të Mbretërisë shfaqin një frymë të vërtetë ungjillëzimi.
6. Çfarë mund të bëjmë nëse s’mund të transferohemi atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?
6 Shumë Dëshmitarë kanë arritur të transferohen në zona ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Disa madje shërbejnë jashtë vendit të tyre. Ndoshta ne vetë nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, por mund të imitojmë Jezuin duke bërë gjithnjë më të mirën në shërbim.
Jehovai na siguron stërvitjen e duhur
7. Cilat shkolla ekzistojnë për të stërvitur ata që duan të përmirësojnë aftësitë si lajmëtarë të Mbretërisë?
7 Ashtu si Jezui u stërvit nga Ati, edhe ne mund të përfitojmë nga arsimimi që na siguron sot Jehovai. Vetë Jezui tha: «Te Profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’» (Gjoni 6:45; Isa. 54:13) Sot janë organizuar posaçërisht disa shkolla për të na pajisur si lajmëtarë të Mbretërisë. Pa dyshim, të gjithë kemi nxjerrë dobi në ndonjë mënyrë nga Shkolla e Shërbimit Teokratik në kongregacionet tona. Pionierët kanë privilegjin të ndjekin Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Shumë pionierë me përvojë kanë pasur kënaqësinë ta ndjekin këtë shkollë për herë të dytë. Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kanë ndjekur Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për të përmirësuar aftësitë e mësimdhënies dhe shërbimin që u bëjnë bashkëbesimtarëve. Mjaft pleq dhe shërbëtorë ndihmës të pamartuar kanë ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, e cila i pajis për të ndihmuar të tjerët në veprën e predikimit. Dhe shumë vëllezër e motra që janë caktuar si misionarë në vende të huaja janë stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit.
8. Sa e çmojnë disa vëllezër stërvitjen që siguron Jehovai?
8 Shumë Dëshmitarë të Jehovait i kanë rregulluar gjërat në mënyrë që të ndjekin këto shkolla. Për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim në Kanada, Jugu e la punën, sepse punëdhënësi nuk pranoi t’i jepte leje. «Nuk më vjen keq për këtë,—tha Jugu.—Faktikisht, po të më kishin dhënë leje si favor, mund të kishin pritur që të tregohesha besnik duke qëndruar në firmën e tyre përgjithmonë. Por tani jam i lirë për çdo caktim që mund të marr nga Jehovai.» Për të përfituar nga stërvitja që siguron Perëndia, shumë kanë sakrifikuar me gatishmëri gjërat që dikur i çmonin jashtëzakonisht.—Luka 5:28.
9. Jepni një shembull që tregon se sa të efektshme janë mësimdhënia biblike dhe përpjekjet e zellshme.
9 Mësimdhënia biblike dhe përpjekjet e zellshme janë shumë të efektshme. (2 Tim. 3:16, 17) Të shqyrtojmë se ç’ndodhi në rastin e Saulos në Guatemalë. Ai kishte lindur me një gjymtim të vogël mendor dhe një nga mësueset e tij i tha mamasë së Saulos se nuk duhej ta detyronte djalin që të mësonte të lexonte, pasi kjo do ta shkurajonte. Saulo e la shkollën pa mësuar të lexojë. Mirëpo një Dëshmitar e mësoi Saulon të lexojë, duke përdorur broshurën Të mësojmë lexim dhe shkrim. Së fundi, Saulo përparoi deri në atë pikë sa mbante fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Më vonë, mamaja e Saulos takoi mësuesen e tij gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi. Kur mori vesh se Saulo kishte mësuar të lexonte, mësuesja kërkoi që ajo të vinte bashkë me Saulon javën vijuese. Kur Saulo shkoi te shtëpia e mësueses, ajo e pyeti: «Çfarë ke ndër mend të më mësosh?» Saulo nisi t’i lexonte një paragraf nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla? «Nuk mund ta besoj që tani po më mëson ti mua!»—tha mësuesja. Ajo s’i mbajti dot lotët dhe e përqafoi Saulon.
Mësimdhënie që prek zemrën
10. Cilin mjet të shkëlqyer kemi për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën biblike?
10 Jezui e bazonte mësimdhënien e tij te mësimet që mori drejtpërdrejt nga Jehovai dhe tek udhëzimet e Fjalës së shkruar të Perëndisë. (Luka 4:16-21; Gjoni 8:28) E imitojmë Jezuin duke zbatuar këshillat e tij dhe duke u bazuar te Shkrimet. Në këtë mënyrë të gjithë ne flasim dhe mendojmë në harmoni me njëri-tjetrin, dhe kjo nxit unitetin. (1 Kor. 1:10) Sa mirënjohës jemi që «skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron botime të bazuara në Bibël për të na ndihmuar që të ruajmë unitetin në mësimdhënie dhe të kryejmë veprën si ungjillëzues! (Mat. 24:45; 28:19, 20) Një nga këto botime është libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, që tani është botuar në 179 gjuhë.
11. Si e kapërceu kundërshtimin një motër në Etiopi duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
11 Studimi i Shkrimeve me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? mund t’u ndryshojë zemrën edhe kundërshtarëve. Në një rast Lula, një pioniere në Etiopi, po drejtonte një studim biblik, kur një e afërme e studentes ia behu brenda dhe tha se ato s’kishin nevojë për studim. Me qetësi Lula arsyetoi me këtë grua duke përdorur ilustrimin për paratë e falsifikuara, që ndodhet në kapitullin 15 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Gruaja u qetësua dhe i la të vazhdonin studimin. Në fakt ajo erdhi herën tjetër që u bë studimi e kërkoi të bënte edhe vetë një studim biblik, madje ishte gati të paguante për studimin. Pas pak kohësh, po studionte tri herë në javë dhe bëri përparim të shkëlqyer frymor.
12. Jepni një shembull që tregon se si të rinjtë mund të mësojnë me efektshmëri të vërtetat biblike.
12 Edhe të rinjtë mund t’i ndihmojnë të tjerët duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Kur Kianu 11-vjeçar në Havai po lexonte këtë libër në shkollë, një nga shokët e klasës e pyeti: «Pse ti nuk i feston festat?» Kianu ia lexoi përgjigjen drejtpërdrejt nga shtojca me temë: «Si t’i konsiderojmë festat?» Më pas e hapi librin te tabela e përmbajtjes dhe e pyeti shokun se cila temë i interesonte më shumë. Kështu nisën një studim biblik. Vitin e kaluar të shërbimit Dëshmitarët e Jehovait drejtuan 6.561.426 studime biblike dhe shumë prej tyre përdorën librin Çfarë mëson vërtet Bibla? A po e përdorni këtë mjet te studimet biblike?
13. Në ç’mënyrë studimi i Biblës mund të ketë një ndikim të fuqishëm te njerëzit?
13 Studimi i Shkrimeve duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? mund të ushtrojë një ndikim të fuqishëm tek ata që dëshirojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Një çift pionierësh specialë në Norvegji nisi një studim biblik me një familje nga Zambia. Prindërit e kësaj familjeje kishin tri vajza dhe nuk donin një fëmijë tjetër. Kështu, kur gruaja mbeti shtatzënë, vendosën të abortonte. Pak ditë para se të shkonin te një mjek, studiuan kapitullin me titull «Të kemi pikëpamjen e Perëndisë për jetën». Figura e një foshnjeje të palindur që ndodhet në atë kapitull e preku kaq shumë çiftin, saqë vendosën të mos bënin abort. Vazhduan të bënin përparim të shkëlqyer frymor dhe, kur lindi fëmija, i vunë emrin e vëllait që drejtonte studimin.
14. Jepni një shembull se ç’rezultate të mira vijnë kur jetojmë në përputhje me atë që u mësojmë të tjerëve.
14 Një aspekt i rëndësishëm i mënyrës si mësonte Jezui ishte se jetonte në përputhje me atë që mësonte. Shumë njerëzve u bën përshtypje sjellja e shkëlqyer e Dëshmitarëve të Jehovait që imitojnë Jezuin në këtë drejtim. Një biznesmeni në Zelandën e Re i kishin hyrë në makinë dhe i kishin vjedhur valixhen. Ai raportoi në polici dhe atje i thanë: «E vetmja mundësi për ta gjetur valixhen, bashkë me gjërat që kishte brenda, është nëse e gjen një Dëshmitar i Jehovait.» Në fakt një Dëshmitare që shpërndante gazetat e gjeti valixhen. Kur e njoftuan, pronari i valixhes shkoi te shtëpia e motrës. Ai u lehtësua kur vuri re se një dokument i tij shumë i vlefshëm gjendej atje. Motra i tha: «Duhej të ta ktheja valixhen, sepse unë jam Dëshmitare e Jehovait.» Biznesmeni mbeti i habitur, ngaqë iu kujtua çfarë i kishin thënë në polici po atë mëngjes. Pa dyshim, pra, të krishterët e vërtetë jetojnë sipas mësimeve të Biblës dhe duke imituar Jezuin.—Hebr. 13:18.
Të imitojmë qëndrimin e Jezuit ndaj njerëzve
15, 16. Si mund t’i tërheqim njerëzit drejt mesazhit që predikojmë?
15 Qëndrimi i Jezuit ndaj njerëzve i tërhiqte ata drejt mesazhit të tij. Për shembull, dashuria dhe përulësia e tij tërhiqte të përulurit. Jezui tregonte dhembshuri për njerëzit që shkonin tek ai dhe i ngushëllonte me fjalë dashamirëse, duke shëruar shumë prej tyre. (Lexo Markun 2:1-5.) Ne s’mund të bëjmë mrekulli, por mund të tregojmë dashuri, përulësi dhe dhembshuri—cilësi që i ndihmojnë njerëzit të tërhiqen drejt së vërtetës.
16 Dhembshuria luajti një rol të rëndësishëm kur një pioniere speciale, Tariua, shkoi në shtëpinë e një të moshuari, që quhej Beere. Ky jeton në një nga ishujt më të izoluar të Kiribatit në Paqësorin Jugor. Ndonëse ky burrë me sa dukej nuk donte të dëgjonte, Tariua vuri re se ai ishte pjesërisht i paralizuar dhe ndjeu dhembshuri për të. «A keni dëgjuar se ç’premton Perëndia për të sëmurët dhe të moshuarit?»—e pyeti. Pastaj Tariua i lexoi një fragment nga profecia e Isaisë. (Lexo Isainë 35:5, 6.) I mahnitur, burri tha: «Kam vite që e lexoj Biblën dhe prej vitesh në shtëpi vjen një misionar i fesë sime, por kurrë nuk e kisha parë këtë në Bibël.» Me Beeren u fillua një studim biblik dhe ai bëri përparim të shkëlqyer. Edhe pse invalid i gradës së rëndë, është pagëzuar, kujdeset për një grup të izoluar dhe është në gjendje t’i bjerë kryq e tërthor ishullit duke predikuar lajmin e mirë.
Të vazhdojmë të imitojmë Krishtin
17, 18. (a) Si mund të bëheni ungjillëzues të suksesshëm? (b) Çfarë bekimesh do të kenë ata që e marrin seriozisht shërbimin?
17 Siç e tregojnë vazhdimisht përvojat e gëzueshme në shërbim, mund të jemi ungjillëzues të suksesshëm nëse kultivojmë dhe shfaqim cilësitë që shfaqi Jezui. Sa e përshtatshme është pra që të imitojmë Krishtin si ungjillëzues të zellshëm!
18 Kur në shekullin e parë disa u bënë dishepuj të Krishtit, Pjetri e pyeti Jezuin: «Vallë, ç’do të ketë për ne?» Jezui iu përgjigj: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.» (Mat. 19:27-29) Edhe për ne do të jetë kështu, nëse vazhdojmë të imitojmë Misionarin më të madh, Jezu Krishtin.
Si do të përgjigjeshit?
• Si po na stërvit Jehovai që të jemi ungjillëzues?
• Pse libri Çfarë mëson vërtet Bibla? është i efektshëm në shërbim?
• Si mund ta imitojmë Jezuin në qëndrimin që duhet të kemi ndaj njerëzve?
[Figura në faqen 17]
Kur Jezui e ftoi Pjetrin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin që ta ndiqnin, ata u përgjigjën pa vonesë
[Figura në faqen 19]
Botime të tilla si libri «Çfarë mëson vërtet Bibla?» na ndihmojnë të ruajmë unitetin në mësimdhënie