Kapitulli 22
Thirren katër dishepuj
PAS përpjekjes për ta vrarë në qytetin e tij, në Nazaret, Jezui vendoset në qytetin e Kapernaumit afër Detit të Galilesë. Kjo përmbush një tjetër profeci të Isaisë, atë në të cilën ishte parathënë se banorët e Galilesë që banojnë pranë detit do të shikonin një dritë të madhe.
Ndërsa vazhdon këtu veprën e tij ndriçuese të predikimit të Mbretërisë, Jezui gjen katër nga dishepujt e tij. Më parë këta kishin udhëtuar bashkë me Jezuin, por pas kthimit me të nga Judea i ishin rikthyer punës së peshkatarit. Ka të ngjarë, që tani Jezui është duke i kërkuar, pasi ka ardhur koha për të pasur ndihmës të qëndrueshëm që do të jenë vazhdimisht me të, të cilët mund t’i stërvitë për të vazhduar veprën pas ikjes së tij.
Kështu, ndërsa ecën përgjatë bregut të detit dhe shikon Simon Pjetrin dhe shokët e tij duke larë rrjetat, Jezui shkon drejt tyre. Ai hipën në barkën e Pjetrit dhe i kërkon të largohet nga bregu. Pasi largohen në njëfarë distance, Jezui ulet në barkë dhe fillon të mësojë turmat që janë në breg.
Pas kësaj, Jezui i thotë Pjetrit: «Shko në të thella dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.»
«Mësues,—përgjigjet Pjetri,—u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë, por për fjalën tënde do ta hedh rrjetën.»
Kur i hedhin rrjetat, zënë një sasi kaq të madhe peshku, saqë rrjetat fillojnë të çahen. Urgjentisht, këta burra u bëjnë shenjë shokëve të tyre në një barkë aty afër, për t’u ardhur në ndihmë. Shumë shpejt të dyja barkat mbushen me kaq shumë peshk, saqë fillojnë të fundosen. Duke parë këtë gjë, Pjetri bie në gjunjë para Jezuit dhe i thotë: «Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar.»
«Mos ki frikë,—përgjigjet Jezui,—tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.»
Jezui fton, gjithashtu, edhe Andrean, vëllanë e Pjetrit. «Ndiqmëni,—i nxit Jezui,—dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» E njëjta ftesë u bëhet edhe ortakëve të tyre të peshkimit, Jakovit dhe Gjonit, bij të Zebedeut, të cilët po njëlloj, pranojnë pa ngurrim. Kështu, këta të katërt e braktisin punën e tyre të peshkatarit dhe bëhen katër ithtarët e parë të Jezuit, që e ndoqën dhe qëndruan vazhdimisht me të. Luka 5:1-11; Mateu 4:13-22; Marku 1:16-20; Isaia 9:1, 2.
▪ Pse i fton Jezui dishepujt e tij që ta ndjekin dhe cilët janë këta dishepuj?
▪ Çfarë mrekullie e frikëson Pjetrin?
▪ Në ç’lloj peshkimi i fton Jezui dishepujt e tij që të marrin pjesë?