T’i shërbejmë me besnikëri Krishtit Mbret
«Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët.»—DANIELI 7:14.
1, 2. Si e dimë që Krishti nuk e mori pushtetin e plotë të Mbretërisë në vitin 33 të e.s.?
CILI sundimtar do të mund të jepte jetën e tij për nënshtetasit, e megjithatë të kthehej përsëri në jetë për të sunduar si mbret? Cili mbret do të mund të jetonte në tokë, duke i nxitur nënshtetasit që t’i besonin e t’i tregonin besnikëri, e pastaj të sundonte që nga qielli? I vetmi person që mund ta bënte këtë, por edhe shumë më tepër se kaq, është Jezu Krishti. (Luka 1:32, 33) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pas vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes së Krishtit në qiell, Perëndia «e bëri atë krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit». (Efesianëve 1:20-22; Veprat 2:32-36) Kështu, Krishti nisi të sundonte, por jo në mënyrë të plotë. Nënshtetasit e tij të parë ishin të krishterët e mirosur nga fryma e shenjtë, të cilët përbënin Izraelin frymor, «Izraelin e Perëndisë».—Galatasve 6:16; Kolosianëve 1:13.
2 Pothuajse 30 vjet pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pavël ripohoi se Krishti ende nuk e kishte marrë pushtetin e plotë të Mbretërisë, por ishte «në të djathtën e Perëndisë, duke pritur që nga ajo kohë, derisa armiqtë e tij të vihen si stol për këmbët e tij». (Hebrenjve 10:12, 13) Pastaj, aty nga fundi i shekullit të parë të e.s., apostulli i moshuar Gjon pa në vegim Sovranin Universal, Jehovain, tek vendoste Krishtin Jezu si Mbret të Mbretërisë qiellore të sapoformuar. (Zbulesa 11:15; 12:1-5) Ne që po jetojmë në këtë periudhë të veçantë të historisë, mund të rishikojmë dëshmitë e padiskutueshme që vërtetojnë se Krishti filloi të sundojë si Mbret Mesianik në qiell në vitin 1914.a
3. (a) Cilin aspekt të ri ka përfshirë lajmi i mirë i Mbretërisë që nga viti 1914? (b) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
3 Po, që nga viti 1914, lajmi i mirë i Mbretërisë ka përfshirë një aspekt të ri mahnitës. Krishti po sundon në mënyrë aktive si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, edhe pse është «mes armiqve» të tij. (Psalmi 110:1, 2; Mateu 24:14; Zbulesa 12:7-12) Për më tepër, në gjithë tokën, nënshtetasit e tij besnikë po i nënshtrohen me gatishmëri autoritetit të tij, duke marrë pjesë në një program mbarëbotëror arsimimi biblik që s’ka të dytë në historinë njerëzore. (Danieli 7:13, 14; Mateu 28:18) Të krishterët e mirosur nga fryma e shenjtë, «bijtë e mbretërisë», shërbejnë si «ambasadorë në vend të Krishtit». Ata po i mbështet me besnikëri një numër gjithnjë e më i madh ‘delesh të tjera’ të Krishtit, të cilët shërbejnë si të dërguar të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 13:38; 2 Korintasve 5:20; Gjoni 10:16) Gjithsesi, duhet të analizojmë veten nëse ne si individë e pranojmë vërtet autoritetin e Krishtit. A jemi plotësisht besnikë ndaj tij? Si t’ia tregojmë besnikërinë tonë një Mbreti që sundon në qiell? Por, së pari, le të shqyrtojmë arsyet pse duhet t’i jemi besnikë Krishtit.
Një Mbret që të nxit t’i jesh besnik
4. Çfarë bëri Jezui, si Mbret i emëruar, gjatë shërbimit të tij në tokë?
4 Besnikërinë ndaj Krishtit e bazojmë në çmueshmërinë për atë që ka bërë, si edhe për cilësitë e tij të mrekullueshme. (1 Pjetrit 1:8) Kur ishte në tokë, Jezui, si Mbret i emëruar, shfaqi në një shkallë të vogël atë që do të bëjë në shkallë botërore si Mbret sundues, në kohën e duhur sipas Perëndisë. Ushqeu të uriturit, shëroi të sëmurët, të verbrit, të gjymtuarit, të shurdhrit dhe memecët. Madje solli prapë në jetë disa individë që kishin vdekur. (Mateu 15:30, 31; Luka 7:11-16; Gjoni 6:5-13) Veç kësaj, njohuria për jetën e Jezuit në tokë na jep mundësi të njohim cilësitë e tij si Sundimtari i ardhshëm i tokës, e sidomos më të spikatshmen ndër to, dashurinë e tij vetëmohuese. (Marku 1:40-45) Për këtë, thuhet se Napoleon Bonaparti është shprehur: «Aleksandri, Cezari, Karli i Madh dhe unë themeluam perandori, por ku i bazuam këto arritje gjeniale? Te forca. Vetëm Jezu Krishti e themeloi mbretërinë e tij në bazë të dashurisë, dhe sot e kësaj dite miliona njerëz janë gati të vdesin për të.»
5. Pse ishte kaq tërheqës personaliteti i Jezuit?
5 Ngaqë Jezui ishte me natyrë të butë dhe i përulur në zemër, ata që ishin të rënduar nga presionet dhe barrët e ndryshme, gjenin freskim nga mësimet e tij ndërtuese dhe nga personaliteti i dashur. (Mateu 11:28-30) Fëmijët ndiheshin rehat me të. Burrat e përulur e me aftësi dalluese bëheshin menjëherë dishepuj të tij. (Mateu 4:18-22; Marku 10:13-16) Ngaqë sillej me takt e me respekt, fitoi besnikërinë e shumë grave me frikë Perëndie, disa prej të cilave harxhuan kohë, përpjekje dhe zotërimet e tyre materiale për t’u kujdesur për të, gjatë shërbimit të tij.—Luka 8:1-3.
6. Çfarë ndjenjash të buta shfaqi Jezui, kur vdiq Lazari?
6 Disa nga ndjenjat e tij më të buta Krishti i shfaqi kur vdiq miku i tij i dashur, Lazari. Ai u prek kaq shumë nga hidhërimi i Martës e i Marisë, saqë nuk e përmbajti dot një rënkim, dhe «nuk i mbajti dot lotët». «U trazua» përbrenda me një dhembje e trishtim të madh, edhe pse e dinte se pas pak do ta sillte prapë në jetë Lazarin. Pastaj, i nxitur nga dashuria e dhembshuria, Jezui përdori autoritetin që i kishte dhënë Perëndia dhe e ngriti Lazarin nga të vdekurit.—Gjoni 11:11-15, 33-35, 38-44.
7. Pse Jezui e meriton besnikërinë tonë? (Shih edhe kutinë në faqen 31.)
7 Ndiejmë një nderim e respekt të thellë kur shohim sa shumë e donte Jezui drejtësinë dhe sa fort e urrente hipokrizinë dhe ligësinë. Dy herë bëri veprime të guximshme për ta pastruar tempullin nga tregtarët lakmitarë. (Mateu 21:12, 13; Gjoni 2:14-17) Për më tepër, kur ishte njeri këtu në tokë, u gjend përballë lloj-lloj vështirësish, e kështu fitoi përvojë për sa u përket presioneve dhe problemeve që hasim ne. (Hebrenjve 5:7-9) Jezui provoi edhe se ç’do të thoshte të ishe viktimë e urrejtjes dhe e padrejtësisë. (Gjoni 5:15-18; 11:53, 54; 18:38–19:16) Së fundi, me guxim ai iu nënshtrua një vdekjeje mizore, për të kryer vullnetin e Atit të tij dhe për t’u dhënë nënshtetasve të tij jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) A nuk të nxitin këto cilësi të Krishtit që të vazhdosh t’i shërbesh me besnikëri? (Hebrenjve 13:8; Zbulesa 5:6-10) Por, çfarë kërkohet për të qenë nënshtetas i Krishtit Mbret?
Kualifikimet për t’u bërë nënshtetas
8. Çfarë kërkohet nga nënshtetasit e Krishtit?
8 Mendoni këtë krahasim: për t’u bërë nënshtetas i një shteti tjetër, zakonisht duhet të plotësosh disa kërkesa bazë. Nga ata që duan të marrin nënshtetësinë, mund të kërkohet të kenë reputacion të mirë dhe të plotësojnë disa norma për sa i përket shëndetit. Po ashtu, nënshtetasit e Krishtit duhet të mbajnë norma të larta për sa i përket moralit dhe një shëndet të mirë frymor.—1 Korintasve 6:9-11; Galatasve 5:19-23.
9. Si e tregojmë se jemi besnikë ndaj Krishtit?
9 Gjithashtu, me të drejtë Jezu Krishti kërkon që nënshtetasit t’i jenë besnikë atij dhe Mbretërisë së tij. E tregojnë këtë besnikëri duke jetuar në përputhje me mësimet që dha ai kur ishte në tokë si Mbret i emëruar. Për shembull, i vënë interesat e Mbretërisë dhe vullnetin e Perëndisë para interesave materiale. (Mateu 6:31-34) Gjithashtu, përpiqen me zell të pasqyrojnë personalitetin e Krishtit, edhe kur janë në rrethanat më sprovuese. (1 Pjetrit 2:21-23) Më tej, nënshtetasit e Krishtit ndjekin shembullin e tij duke qenë të parët për t’u bërë mirë të tjerëve.—Mateu 7:12; Gjoni 13:3-17.
10. Si mund të tregohet besnikëria ndaj Krishtit (a) në familje dhe (b) në kongregacion?
10 Gjithashtu, ithtarët e Jezuit e tregojnë besnikërinë ndaj tij duke i pasqyruar në familje cilësitë e tij. Për shembull, burrat e tregojnë besnikërinë ndaj Mbretit qiellor me mënyrën se si trajtojnë gruan dhe fëmijët, duke imituar Krishtin. (Efesianëve 5:25, 28-30; 6:4; 1 Pjetrit 3:7) Gratë tregojnë besnikëri ndaj Krishtit duke mbajtur një sjellje të dëlirë dhe duke shfaqur një ‘frymë të qetë e të butë’. (1 Pjetrit 3:1-4; Efesianëve 5:22-24) Fëmijët janë besnikë ndaj Krishtit kur ndjekin shembullin e tij për sa i përket bindjes. Kur ishte i vogël, Jezui u nënshtrohej prindërve të tij, ndonëse ata ishin të papërsosur. (Luka 2:51, 52; Efesianëve 6:1) Nënshtetasit e Krishtit përpiqen me besnikëri ta imitojnë, duke ‘treguar ndjenja të përbashkëta, duke pasur përzemërsi vëllazërore’ dhe duke qenë «zemërdhembshur». Përpiqen të jenë si Krishti, ‘me mendje të përulur, duke mos e kthyer të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë’.—1 Pjetrit 3:8, 9; 1 Korintasve 11:1.
Nënshtetas që u binden ligjeve
11. Cilave ligje u nënshtrohen nënshtetasit e Krishtit?
11 Ata që duan të bëhen nënshtetas të një vendi u binden ligjeve të tij, e po kështu nënshtetasit e Krishtit i nënshtrohen ‘ligjit të Krishtit’, duke jetuar në harmoni me të gjitha mësimet dhe urdhërimet e tij. (Galatasve 6:2) Në veçanti, ata zbatojnë «ligjin mbretëror» të dashurisë. (Jakovi 2:8) Çfarë përfshijnë këto ligje?
12, 13. Si i nënshtrohemi me besnikëri ‘ligjit të Krishtit’?
12 Nënshtetasit e Krishtit janë të papërsosur e kanë mangësi. (Romakëve 3:23) Prandaj, duhet të vazhdojnë të zhvillojnë «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi», me qëllim që ‘të kenë për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra’. (1 Pjetrit 1:22) «Nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri», të krishterët zbatojnë me besnikëri ligjin e Krishtit ‘duke duruar dhe falur bujarisht njëri-tjetrin’. Bindja ndaj këtij ligji i ndihmon të vazhdojnë të anashkalojnë papërsosmëritë dhe të gjejnë arsye për të dashur njëri-tjetrin. A nuk ndiheni mirënjohës që jeni me ata të cilët, duke iu nënshtruar me besnikëri Mbretit tonë të dashur, vishen me dashurinë, ‘lidhjen e përsosur të bashkimit’?—Kolosianëve 3:13, 14.
13 Për më tepër, Jezui shpjegoi se dashuria që shfaqi ai, shkonte përtej dashurisë që shfaqin normalisht njerëzit për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Nëse duam vetëm ata që na duan, nuk po bëjmë ndonjë «gjë të jashtëzakonshme». Në rast të tillë, dashuria jonë do të ishte e paplotë dhe e mangët. Jezui na nxiti të imitojmë dashurinë e Atit të tij, duke pasur një dashuri të bazuar në parime edhe për armiqtë që na urrejnë e na përndjekin. (Mateu 5:46-48) Kjo dashuri i nxit gjithashtu nënshtetasit e Mbretërisë të ngulmojnë me besnikëri në veprën e tyre kryesore. Cila është kjo?
Besnikëria vihet në provë
14. Pse është kaq e rëndësishme vepra e predikimit?
14 Tani nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë kanë veprën kryesore për ‘të dhënë dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë’. (Veprat 28:23) Kjo vepër është jetësore, sepse Mbretëria Mesianike do të shfajësojë sovranitetin universal të Jehovait. (1 Korintasve 15:24-28) Kur predikojmë lajmin e mirë, ata që dëgjojnë kanë mundësinë të bëhen nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. Për më tepër, mënyra se si reagojnë njerëzit ndaj mesazhit siguron një standard ose normë sipas së cilës Krishti Mbret mund të gjykojë njerëzimin. (Mateu 24:14; 2 Selanikasve 1:6-10) Pra, një mënyrë kryesore se si e tregojmë besnikërinë ndaj Krishtit është duke iu bindur urdhrit të tij për t’u folur të tjerëve rreth Mbretërisë.—Mateu 28:18-20.
15. Pse vihet në provë besnikëria e të krishterëve?
15 Natyrisht, Satanai bën gjithë ç’ka në dorë për t’iu kundërvënë veprës së predikimit, dhe sundimtarët njerëzorë nuk e pranojnë autoritetin që Perëndia i ka dhënë Krishtit. (Psalmi 2:1-3, 6-8) Prandaj, Jezui i paralajmëroi dishepujt e vet: «Skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Kështu, ithtarët e Krishtit janë përfshirë në një luftë frymore që u vë në provë besnikërinë.—2 Korintasve 10:3-5; Efesianëve 6:10-12.
16. Si i paguajnë «Perëndisë gjërat e Perëndisë» nënshtetasit e Mbretërisë?
16 Gjithsesi, nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë i qëndrojnë besnikë Mbretit të tyre të padukshëm, ndërkohë që vazhdojnë të tregojnë respekt për autoritetet njerëzore. (Titit 3:1, 2) Jezui tha: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:13-17) Për këtë arsye, nënshtetasit e Krishtit u binden ligjeve qeveritare që nuk bien ndesh me ligjet e Perëndisë. (Romakëve 13:1-7) Megjithatë, kur gjykata e lartë judaike shkoi kundër ligjeve të Perëndisë duke i urdhëruar dishepujt e Jezuit që të mos predikonin më, ata me vendosmëri, por me respekt, thanë se duhej ‘t’i bindeshin Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.—Veprat 1:8; 5:27-32.
17. Pse i përballojmë me guxim sprovat e besnikërisë?
17 Natyrisht, nga nënshtetasit e Krishtit duhet shumë guxim që t’i qëndrojnë besnikë Mbretit të tyre përballë përndjekjes. Megjithatë, Jezui tha: «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej.» (Mateu 5:11, 12) Ithtarët e hershëm të Krishtit e provuan vetë sa të vërteta ishin këto fjalë. Edhe kur i rrahën sepse vazhdonin të predikonin për Mbretërinë, ata u gëzuan «sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e tij. Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin». (Veprat 5:41, 42) Jeni për t’u lavdëruar që tregoni të njëjtën frymë besnikërie, kur duroni vështirësi, sëmundje, vdekjen e një njeriu të dashur ose kundërshtime.—Romakëve 5:3-5; Hebrenjve 13:6.
18. Çfarë tregojnë fjalët që i tha Jezui Ponc Pilatit?
18 Kur ishte ende vetëm Mbret i emëruar, Jezui i shpjegoi guvernatorit romak, Ponc Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» (Gjoni 18:36) Prandaj, nënshtetasit e Mbretërisë qiellore as marrin armët kundër të tjerëve, as marrin anën e dikujt në ndonjë konflikt njerëzor. Besnikë ndaj ‘Princit të Paqes’, ata qëndrojnë krejtësisht asnjanës në çështjet përçarëse të botës.—Isaia 2:2-4; 9:6, 7.
Shpërblime të përhershme për nënshtetasit besnikë
19. Pse nënshtetasit e Krishtit mund ta shohin me besim të ardhmen?
19 Nënshtetasit besnikë të Krishtit, ‘Mbretit të mbretërve’, e presin me besim të ardhmen. Ata presin me padurim të shohin shfaqjen e fuqisë së tij të mbinatyrshme mbretërore, në të ardhmen e afërt. (Zbulesa 19:11–20:3; Mateu 24:30) Mbetja e ‘bijve të mbretërisë’, të mirosur nga fryma dhe besnikë ndaj Krishtit, presin trashëgiminë e çmuar si mbretër me Krishtin në qiell. (Mateu 13:38; Luka 12:32) ‘Delet e tjera’ besnike të Krishtit presin me padurim shpalljen miratuese të Mbretit të tyre: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni [pjesën tokësore parajsore në] mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.» (Gjoni 10:16; Mateu 25:34) Prandaj, qofshin të vendosur të gjithë nënshtetasit e Mbretërisë që të vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Krishtit Mbret!
[Shënimi]
a Shih Të arsyetojmë nga Shkrimet, pjesën «Përse Dëshmitarët e Jehovait thonë që Mbretëria e Perëndisë u vendos në vitin 1914?», faqet 67-69, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund të shpjegoni?
• Pse Krishti e meriton besnikërinë tonë?
• Si e tregojnë nënshtetasit e Krishtit besnikërinë ndaj tij?
• Pse dëshirojmë t’i qëndrojmë besnikë Krishtit Mbret?
[Kutia në faqen 31]
CILËSI TË TJERA TË SPIKATSHME TË KRISHTIT
Paanësia—Gjoni 4:7-30.
Dhembshuria—Mateu 9:35-38; 12:18-21; Marku 6:30-34.
Dashuria vetëmohuese—Gjoni 13:1; 15:12-15.
Besnikëria—Mateu 4:1-11; 28:20; Marku 11:15-18.
Empatia—Marku 7:32-35; Luka 7:11-15; Hebrenjve 4:15, 16.
Arsyetueshmëria—Mateu 15:21-28.
[Figura në faqen 29]
Duke treguar dashuri për njëri-tjetrin, ne i nënshtrohemi me besnikëri ‘ligjit të Krishtit’
[Figurat në faqen 31]
A të nxitin cilësitë e Krishtit që t’i shërbesh me besnikëri?