Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 1)
«Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.»—PROVERBAT 4:18.
1. Përse e vërteta është zbuluar gradualisht?
ËSHTË provë e mençurisë hyjnore që, në përputhje me Proverbat 4:18, zbulimi i të vërtetave frymore ka ndodhur gradualisht, me anë të vetëtimave të dritës. Në artikullin paraprak pamë se si u përmbush ky shkrim në kohët apostolike. Sikur e gjithë e vërteta e Shkrimeve të ishte zbuluar përnjëherësh, do të kishte qenë sa verbuese aq edhe çorientuese, pak a shumë si efekti i daljes nga një zgavër e errët në dritën e fortë të diellit. Për më tepër, e vërteta e zbuluar gradualisht forcon besimin e të krishterëve në mënyrë të vazhdueshme. Ajo e bën edhe më të shkëlqyeshme shpresën e tyre dhe më të qartë shtegun nëpër të cilin duhet të kalojnë.
«Skllavi besnik e i matur»
2. Siç tregoi Jezui, kë do të përdorte ai për të ndriçuar frymësisht ithtarët e tij dhe nga cilët përbëhet ky instrument?
2 Në kohët apostolike, Jezu Krishti zgjodhi për të përdorur mjete mbinatyrore për t’u dhënë ithtarëve të tij vetëtimat e para të dritës. Kemi dy shembuj të kësaj: Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe kthimin e Kornelit në vitin 36 të e.s. Më vonë, Krishti e pa me vend të përdorte një përfaqësues njerëzor, ashtu siç kishte parathënë: «Cili është në të vërtetë skllavi besnik e i matur, të cilin zotëria i tij e caktoi mbi shtëpiakët e vet, për t’u dhënë ushqimin e tyre në kohën e duhur? Lum ai skllav nëse i zoti kur të vijë, ta gjejë duke bërë kështu. Me të vërtetë po ju them, Ai do ta vendosë mbi të gjitha pronat e tij.» (Mateu 24:45-47, BR) Ky skllav nuk mund të ishte vetëm një individ, pasi duhej të siguronte ushqim frymor qysh nga fillimet e kongregacionit të krishterë në Rrëshajët e deri sa Zotëria, Jezu Krishti, të vinte për të bërë llogaritë. Faktet tregojnë se kjo klasë e skllavit besnik e të matur përfshin të gjithë të krishterët e mirosur si grup mbi tokë, në çfarëdo kohe.
3. Cilët ishin midis pjesëtarëve të parë të klasës së skllavit?
3 Cilët ishin përfshirë midis pjesëtarëve të parë të klasës së skllavit besnik e të matur? Njëri ishte apostulli Pjetër, i cili dëgjoi urdhrin e Jezuit: «Kulloti delet e mia.» (Gjoni 21:17) Ndër pjesëtarët e tjerë të parë të klasës së skllavit përfshiheshin edhe Mateu, i cili shkroi ungjillin që mban emrin e tij, Pavli, Jakovi dhe Juda, të cilët shkruan letra të frymëzuara. Edhe apostulli Gjon, i cili shkroi librin e Zbulesës, ungjillin dhe letrat e tij, ishte pjesëtar i klasës së skllavit besnik e të matur. Këta burra shkruan në përputhje me urdhrin e Jezuit.
4. Cilët janë «shtëpiakët»?
4 Nëse të gjithë të mirosurit si grup, pavarësisht nga vendi se ku jetojnë mbi tokë, janë pjesëtarë të klasës së skllavit, cilët janë «shtëpiakët»? Janë po ashtu të mirosurit, por të parë nga një këndvështrim tjetër, si individë. Po, si individë, ata janë pjesëtarë të «skllavit» ose «shtëpiakë», në varësi të faktit nëse përgatisin ushqim frymor apo ushqehen prej tij. Le ta ilustrojmë: sipas 2. Pjetrit 3:15, 16, apostulli Pjetër u referohet letrave të Pavlit. Duke lexuar ato, Pjetri ishte një prej shtëpiakëve, duke u ushqyer me ushqimin frymor që siguroi Pavli si përfaqësues i klasës së skllavit.
5. (a) Çfarë ndodhi me skllavin gjatë shekujve pas apostujve? (b) Çfarë zhvillimesh ndodhën në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të?
5 Në lidhje me këtë, një libër thoshte: «Për të përcaktuar se si ekzistoi dhe shërbeu klasa e ‘skllavit besnik e të matur’ gjatë shekujve pas vdekjes së apostujve të Zotërisë Jezu Krisht, ne nuk kemi ndonjë kuadër historik të qartë. Me sa duket, çdo brez i klasës së ‘skllavit’ ushqeu brezin që vinte më pas. (2. Timoteut 2:2) Por në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kishte persona me frikë Perëndie, të cilëve u pëlqente ushqimi frymor i Biblës së Shenjtë e që dëshironin të ushqeheshin me të . . . Klasa për studimin e Biblës . . . u formuan dhe përparuan në kuptueshmërinë e të vërtetave themelore të Shkrimeve të Shenjta. Individët e sinqertë altruistë midis këtyre studentëve të Biblës, ishin të etur për të ndarë me të tjerët këto pjesë jetësore të ushqimit frymor. Ata kishin frymën besnike të ‘skllavit’ të caktuar për t’u dhënë ‘shtëpiakëve’ ushqimin e nevojshëm frymor ‘në kohën e duhur’. Ata ishin ‘të matur’ për të kuptuar se ishte tamam koha e duhur dhe cilat ishin mënyrat më të mira për të shërbyer ushqimin. Ata u përpoqën për ta shërbyer atë.»—God’s Kingdom of a Thousand Years Has Approached, faqe 344-345.a
Vetëtimat e para të dritës në kohët moderne
6. Cili fakt spikat në mënyrë të dukshme në lidhje me zbulimin gradual të së vërtetës?
6 Një fakt që spikat në mënyrë të dukshme në lidhje me ata që Jehovai përdori për të sjellë këtë rritje graduale të dritës frymore, është se ata nuk ia dhanë meritën vetvetes. Qëndrimi i C. T. Russell, kryetar i parë i Shoqatës Watch Tower, ishte se Zotërisë i pëlqente të përdorte talentet e tyre të përuluara. Për sa u përket epiteteve që përdornin armiqtë e tij, vëlla Russell bëri të ditur me forcë se ai nuk kishte takuar kurrë ndonjë «ruselit» dhe se nuk ekzistonte aspak diçka e tillë si «ruselizmi». E gjithë merita i shkonte Perëndisë.
7. Çfarë dëshmie dhanë vëllai Russell dhe bashkëpunëtorët e tij se po shoqëroheshin vërtet me klasën e skllavit besnik e të matur?
7 Duke gjykuar nga rezultatet, nuk mund të ketë dyshime se fryma e shenjtë e Jehovait po i drejtonte përpjekjet e vëllait Russell dhe të atyre që shoqëroheshin me të. Ata dhanë dëshmi se shoqëroheshin me skllavin besnik e të matur. Edhe pse shumë klerikë të kohës pohonin se besonin që Bibla ishte Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe se Jezui ishte Biri i Perëndisë, ata pranonin doktrina të rreme babilonase, të tilla si Triniteti, pavdekësia e shpirtit të njeriut dhe mundimi i përjetshëm. Në harmoni me premtimin e Jezuit, ishte vërtet meritë e frymës së shenjtë që përpjekjet e përulura të vëllait Russell e të shokëve të tij, bënë që e vërteta të shkëlqente si kurrë më parë. (Gjoni 16:13) Ata Studentë të mirosur të Biblës dhanë prova se ishin me të vërtetë pjesë e klasës së skllavit besnik e të matur, detyra e të cilit është të sigurojë ushqim frymor për shtëpiakët e Zotërisë. Përpjekjet e tyre ishin një ndihmë e madhe në mbledhjen e të mirosurve.
8. Cilat fakte themelore në lidhje me Jehovain, Biblën, Jezu Krishtin dhe frymën e shenjtë, kuptuan qartësisht Studentët e Biblës?
8 Është e jashtëzakonshme të vërejmë se sa shumë i favorizoi Jehovai, me anë të frymës së shenjtë, ata Studentë të parë të Biblës me vetëtima drite. Sa për të filluar, ata provuan me forcë se Krijuesi ekziston dhe se ai ka emrin e veçantë, Jehova. (Psalmi 83:18; Romakëve 1:20) Ata kuptuan se Jehovai ka katër cilësi kryesore: fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. (Zanafilla 17:1; Ligji i përtërirë 32:4; Romakëve 11:33; 1. Gjonit 4:8) Ata të krishterë të mirosur treguan qartësisht se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe e vërteta. (Gjoni 17:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Më tej, ata mbështetën se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, ishte krijuar dhe se ai dha jetën si shpërblim për të gjithë njerëzimin. (Mateu 20:28; Kolosianëve 1:15) Fryma e shenjtë, në vend se të jetë një person i tretë i Trinitetit, u kuptua se është forca aktive e Perëndisë.—Veprat 2:17.
9. (a) Çfarë të vërtetash kishin të qarta Studentët e Biblës, në lidhje me natyrën e njeriut dhe me shpresat që përmban Bibla? (b) Cilat të vërteta të tjera kuptuan qartësisht shërbëtorët e Jehovait?
9 Studentët e Biblës e kuptuan qartësisht se njeriu nuk ka një shpirt të pavdekshëm, por është një shpirt i vdekshëm. E kuptuan se «paga e mëkatit është vdekja», jo mundimi i përjetshëm dhe se nuk ekziston një vend i tillë si ferri i zjarrtë. (Romakëve 5:12; 6:23; Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Për më tepër, ata e kuptuan qartësisht se teoria e evolucionit jo vetëm që është kundër Shkrimeve, por tërësisht pa asnjë bazë faktike. (Zanafilla, kreu 1 dhe 2) Me mendjehollësi, ata kuptuan se Bibla jep dy shpresa: atë qiellore për të 144.000 ithtarët e mirosur që ndjekin hapat e Krishtit dhe një tokë parajsore për «një turmë të madhe» të panumërt të «deleve të tjera». (Zbulesa 7:9; 14:1; Gjoni 10:16) Studentët e parë të Biblës pranuan se toka do të mbetet përgjithmonë dhe nuk do të shpërthejë, siç mësojnë shumë fe. (Eklisiastiu 1:4; Luka 23:43) Ata mësuan, gjithashtu, se kthimi i Krishtit do të ishte i padukshëm dhe se atëherë ai do të ekzekutonte gjykimin mbi kombet e do t’i hapte rrugën parajsës tokësore.—Veprat 10:42; Romakëve 8:19-21; 1. Pjetrit 3:18.
10. Çfarë të vërtetash mësuan Studentët e Biblës në lidhje me pagëzimin, me dallimin klerikë-laikë dhe me Përkujtimin e vdekjes së Krishtit?
10 Studentët e Biblës mësuan se pagëzimi biblik nuk konsiston në spërkatjen e fëmijëve, por, në harmoni me urdhrin e Jezuit në Mateun 28:19, 20, është zhytja e besimtarëve të mësuar. Filluan të kuptonin se nuk ka asnjë bazë biblike për një ndarje në klerikë e laikë. (Mateu 23:8-10) Përkundrazi, të gjithë të krishterët duhet të jenë predikues të lajmit të mirë. (Veprat 1:8) Studentët e Biblës e kuptuan se Përkujtimi i vdekjes së Krishtit duhej mbajtur vetëm një herë në vit, më 14 nisan. Për më tepër, ata e panë se Pashkët janë një festë pagane. Përveç këtyre, ata të mirosur kishin aq shumë besim që Perëndia po mbështeste veprën e tyre, saqë kurrë nuk mblodhën ndihma në para. (Mateu 10:8) Qysh në fillim, ata e kuptuan se të krishterët duhet të jetojnë sipas parimeve të Biblës, gjë që përfshin kultivimin e fryteve të frymës së shenjtë.—Galatasve 5:22, 23.
Shtohen vetëtimat e dritës
11. Cila dritë shkëlqeu mbi urdhrin që kishin të krishterët dhe mbi shëmbëlltyrën e Jezuit për delet dhe cjeptë?
11 Veçanërisht prej 1919-ës, shërbëtorët e Jehovait janë bekuar me një shtim të vetëtimave të dritës. Çfarë vetëtime e shkëlqyeshme drite ndriçoi në kongresin e Sedar Pointit, në 1922-shin, kur J. F. Rutherford, kryetari i dytë i Shoqatës Watch Tower, theksoi me forcë se detyrimi kryesor i shërbëtorëve të Jehovait është të ‘lajmërojnë, lajmërojnë, lajmërojnë, Mbretin dhe mbretërinë e tij’! Një vit më pas, drita shkëlqeu mbi shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve. U kuptua se kjo profeci do të përmbushej në ditën e pranisë së Zotërisë, në të ardhmen gjatë Mijëvjeçarit, jo siç ishte mësuar më parë. Gjatë Mijëvjeçarit vëllezërit e Krishtit nuk do të ishin as të sëmurë, as të burgosur. Për më tepër, në fund të Mijëvjeçarit gjykimin do ta kryente Perëndia Jehova e jo Jezu Krishti.—Mateu 25:31-46.
12. Cila vetëtimë drite ndodhi për sa i përket Harmagedonit?
12 Në vitin 1926, një tjetër vetëtimë e shkëlqyeshme drite zbuloi se lufta e Harmagedonit nuk do të ishte një revolucion shoqëror, siç mendonin dikur Studentët e Biblës. Përkundrazi, do të ishte një luftë në të cilën Jehovai do të tregonte aq qartë fuqinë e tij, sa të gjithë njerëzit do të bindeshin se ai është Perëndia.—Zbulesa 16:14-16; 19:17-21.
Krishtlindjet: një festë pagane
13. (a) Çfarë drite u hodh mbi festimin e Krishtlindjeve? (b) Përse nuk u festuan më ditëlindjet? (Përfshi shënimin.)
13 Pak më pas, një vetëtimë drite bëri që Studentët e Biblës të mos festonin më Krishtlindjet. Përpara kësaj kohe, Krishtlindjet ishin festuar gjithmonë nga Studentët Biblikë në të gjithë botën dhe festimi i tyre në selinë qendrore në Bruklin ishte një rast me të vërtetë festiv. Por në atë kohë, u kuptua me mendjehollësi se festimi i 25 dhjetorit ishte në fakt diçka pagane dhe ishte zgjedhur nga i ashtuquajturi krishterim apostat për të lehtësuar kthimin e paganëve në të krishterë. Për më tepër, u pa se Jezui nuk mund të kishte lindur në dimër, pasi në kohën e lindjes së tij barinjtë ishin duke kullotur kopetë e tyre në fushë, gjë që nuk mund ta kenë bërë natën në fund të dhjetorit. (Luka 2:8) Përkundrazi, Shkrimet tregojnë se Jezui kishte lindur aty nga 1 tetori. Studentët e Biblës kuptuan, gjithashtu, se të ashtuquajturit njerëz të ditur që vizituan Jezuin gati dy vjet pas lindjes së tij, ishin magjistarë paganë.b
Një emër i ri
14. Përse emri Studentë të Biblës nuk ishte i drejtë për popullin e Jehovait?
14 Në vitin 1931, një vetëtimë drite e së vërtetës, u zbuloi Studentëve të Biblës një emër të përshtatshëm sipas Shkrimeve. Populli i Jehovait e kishte kuptuar se nuk mund të pranonte asnjë nga nofkat që u kishin ngjitur të tjerët, të tilla si ruselitë, njerëzit e agimit të mijëvjeçarit dhe «të paferrët».c Por, filluan të mendonin edhe se emri që ata vetë kishin vënë, Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, nuk ishte i drejtë. Ata ishin shumë më tepër se studentë të Biblës. Për më tepër, kishte edhe shumë të tjerë që studionin Biblën, por që s’kishin asgjë të përbashkët me Studentët e Biblës.
15. Cilin emër adoptuan Studentët e Biblës në vitin 1931 dhe përse është i përshtatshëm?
15 Si ndodhi që Studentët e Biblës morën një emër të ri? Për vite Kulla e Rojës i kishte dhënë rëndësi të madhe emrit të Jehovait. Prandaj, ishte më se e përshtatshme që Studentët e Biblës duhej të adoptonin emrin e gjendur në Isainë 43:10: «Ju jeni dëshmitarët e mi,—është shprehja e Jehovait,—dhe shërbëtori im të cilin e kam zgjedhur, në mënyrë që të dini e të keni besim tek unë e që të mund të kuptoni që unë jam i njëjti. Përpara meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje vazhdoi të mos kishte asnjë.»—BR.
Shfajësim dhe «shumica e madhe»
16. Përse profecitë e përtëritjes nuk mund të zbatohen për kthimin e hebrenjve natyrorë në Palestinë, por për cilët zbatohet?
16 Në volumin e dytë të librit Vindication, botuar në anglisht nga Shoqata Watch Tower në 1932, një vetëtimë drite zbuloi se profecitë e përtëritjes që gjenden tek Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe në profetë të tjerë, nuk zbatohej (siç mendohej më parë) për hebrenjtë natyrorë, të cilët po ktheheshin në Palestinë pa besim e me motive politike. Përkundrazi, këto profeci të përtëritjes, që patën një përmbushje më të vogël kur hebrenjtë u kthyen nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s., e patën përmbushjen e tyre më të madhe në çlirimin dhe përtëritjen e Izraelit frymor, duke filluar në 1919-ën dhe në lulëzimin që pasoi në parajsën frymore që gëzojnë sot shërbëtorët e vërtetë të Jehovait.
17, 18. (a) Me kohë, nëpërmjet një vetëtime drite, cili u tregua se ishte qëllimi kryesor i Jehovait? (b) Çfarë drite erdhi në 1935-ën, në lidhje me Zbulesën 7:9-17?
17 Me kohë, vetëtimat e dritës zbuluan se qëllimi kryesor i Jehovait nuk ishte shpëtimi i krijesave, por shfajësimi i sovranitetit të tij. Tema më e rëndësishme e Biblës dukej se nuk ishte shpërblimi, por Mbretëria, pasi ajo do të shfajësonte sovranitetin e Jehovait. Çfarë drite që ishte kjo! Tanimë, shqetësimi kryesor i të krishterëve të dedikuar nuk ishte vajtja e tyre në qiell.
18 Në 1935-ën, një vetëtimë drite zbuloi se shumica e madhe e përmendur në Zbulesën 7:9-17, nuk ishte një klasë qiellore dytësore. Ishte menduar se ata që përmenden në këto vargje ishin disa nga të mirosurit që s’kishin qenë plotësisht besnikë e kështu qëndronin përpara fronit e jo të ulur nëpër frone, duke mbretëruar si mbretër e priftërinj me Jezu Krishtin. Por, e thënë thjesht, nuk ekziston ndonjë gjë e tillë si të qenët besnikë pjesërisht. Dikush mund të jetë besnik ose jobesnik. Prandaj, u kuptua se kjo profeci kishte të bënte me shumicën e madhe të panumërt që tani po mblidhen nga të gjitha kombet dhe për shpresën e tyre tokësore. Ata janë «delet» e Mateut 25:31-46 dhe «delet e tjera» të Gjonit 10:16.
Kryqi nuk është një simbol i krishterë
19, 20. Përse kryqi nuk mund të jetë një simbol i krishterimit të vërtetë?
19 Për shumë vite Studentët e Biblës i dhanë rëndësi kryqit si një simbol i krishterë. Kishin madje edhe një kapëse me kryqin dhe me një kurorë. Sipas King James Version, Jezui u tha ithtarëve të tij që të mbanin «kryqin» e tyre dhe shumë veta filluan të besonin se ai ishte ekzekutuar mbi një kryq. (Mateu 16:24; 27:32) Për dekada ky simbol u shfaq edhe në kapakun e revistës Kulla e Rojës.
20 Libri Pasuri (Riches), i botuar nga Shoqata në 1936-ën, e bëri të qartë se Jezu Krishti nuk ishte ekzekutuar mbi një kryq, por mbi një dru apo shtyllë të drejtë. Sipas një autoriteti, fjala greke (stau·rosʹ) e përkthyer kryq në King James Version, «përcakton, kryesisht, një hu apo një shtyllë të drejtë. [Duhet] dalluar nga forma kishtare e një kryqi me dy krahë. . . . Ky i fundit e pati origjinën në Kaldean e lashtë dhe përdorej si simbol i perëndisë Tamuz». Në vend se të kthehet në një idhull, instrumenti në të cilin u var Jezui duhet parë me neveri.
21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 Ka edhe shembuj të tjerë për vetëtimat e mëdha të dritës dhe për ato që mund të konsiderohen të vogla. Për këtë, të lutemi të shikosh artikullin vijues.
[Shënimet]
a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Me kohë u kuptua se meqë lindjet më të rëndësishme që kanë ndodhur nuk janë festuar, ne nuk duhet të festojmë asnjë ditëlindje. Përveç kësaj, as izraelitët, as të krishterët e parë nuk i festonin ditëlindjet. Bibla përmend vetëm dy ditëlindje, atë të faraonit dhe atë të Herod Antipës. Secila prej tyre shoqërua nga një ekzekutim. Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet, sepse këto festa kanë origjinë pagane dhe priren për të lavdëruar atë që ka ditëlindjen.—Zanafilla 40:20-22; Marku 6:21-28.
c Ky ishte një gabim që bënë disa fe të të ashtuquajturit krishterim. Luteranë ishte një nofkë që armiqtë e Martin Luterit u vunë ithtarëve të tij, të cilët e adoptuan. Ngjashëm, baptistët adoptuan nofkën që të tjerët u vunë, për shkak se ata predikonin pagëzimin me zhytje. Në mënyrë pak a shumë të ngjashme, metodistët adoptuan një emër që ua dha një i huaj. Duke shqyrtuar se si Shoqata e Miqve filloi të quhej Kuakerët një enciklopedi thotë: «Fjala kuaker [nga anglishtja quaker (që dridhet)] u përmend fillimisht si një sharje kundër Foksit [themeluesit], i cili i tha një gjyqtari anglez që ‘të dridhej nga Fjala e Zotërisë’. Gjyqtari e quajti Foksin ‘quaker’ [që dridhet].»—The World Book Encyclopedia.
A të kujtohet?
◻ Kush është «skllavi besnik e i matur» dhe cilët janë «shtëpiakët»?
◻ Cilat ishin disa nga vetëtimat e para të dritës në kohët moderne?
◻ Përse emri i ri, Dëshmitarë të Jehovait, ishte i përshtatshëm?
◻ Cilat të vërteta të jashtëzakonshme u zbuluan në 1935-ën?
[Figura në faqen 17]
C. T. Russell dhe shokët e tij përhapën dritë frymore, por e gjithë merita i shkoi Jehovait