Ç’mësojmë nga shembulli i Marisë?
A jeni ndier ndonjëherë të pafuqishëm përballë një vështirësie a përgjegjësie të papritur? A ndiheni të lodhur nga lufta e përditshme për të fituar bukën e gojës? Ndoshta jeni ndër miliona njerëzit që ndihen të hutuar e të trembur, sepse u është dashur të lënë vendlindjen e të emigrojnë. Veç kësaj, cili nga ne nuk e ka provuar dhembjen e thellë dhe zbrazëtinë që lë vdekja e një të afërmi?
A E DINIT se Maria, nëna e Jezuit, i hasi të gjitha këto situata të vështira? Jo vetëm kaq, por i përballoi me sukses. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i saj?
S’ka dyshim se Marinë e njohin në mbarë botën. Kjo s’na habit, sepse ajo pati një rol të pashoq në plotësimin e qëllimit të Perëndisë. Për më tepër, Maria përnderohet nga miliona e miliona njerëz. Kisha Katolike e ngre lart si objekt përnderimi dhe si model të besimit, shpresës e mirësisë. Shumë vetave u është mësuar se Maria ndërmjetëson për ne te Perëndia.
Si e konsideroni ju nënën e Jezuit? Dhe ç’është më e rëndësishmja, si e konsideron Perëndia?
Një privilegj i pashoq
Maria, e bija e Helit, ishte nga fisi izraelit i Judës. Për herë të parë përmendet në Bibël në një ngjarje të jashtëzakonshme. Një engjëll shkoi tek ajo dhe i tha: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!» Fillimisht, Maria u turbullua dhe «nisi të arsyetonte se ç’kuptim mund të kishte ajo përshëndetje». Prandaj, engjëlli i tha se ishte zgjedhur për një privilegj të mrekullueshëm, por edhe tejet të rëndësishëm: do të mbetej shtatzënë, do të lindte dhe do të rriste Birin e Perëndisë.—Luka 1:26-33.
Ç’përgjegjësi e madhe i ra mbi supe kësaj vajze të re të pamartuar! Si reagoi ajo? Me siguri ka pyetur veten a do ta besonte njeri. Mos vallë kjo shtatzëni do ta bënte të humbte dashurinë e Jozefit, të fejuarit të saj, ose do ta bënte objekt turpi për njerëzit? (Ligji i përtërirë 22:20-24) Gjithsesi, nuk ngurroi ta pranonte këtë caktim të rëndësishëm.
Besimi i fortë i dha mundësi Marisë t’i nënshtrohej vullnetit të Perëndisë së saj, Jehovait. Ishte e bindur se ai do të kujdesej për të. Prandaj tha: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.» Ajo ishte gati t’i përballonte situatat e vështira që do të vinin, sepse e vlerësonte privilegjin që i kishte ofruar Perëndia.—Luka 1:38.
Kur Maria i tha Jozefit se ishte shtatzënë, ai mendoi ta prishte fejesën. Duhet të ketë qenë një periudhë plot ankth për të dy. Bibla nuk thotë sa zgjati. Gjithsesi, duhet të jenë ndier vërtet të lehtësuar kur engjëlli i Jehovait iu shfaq Jozefit. Ky lajmëtar i Perëndisë i shpjegoi për shtatzëninë e pazakontë të Marisë dhe e udhëzoi ta merrte në shtëpi si gruan e tij.—Mateu 1:19-24.
Kohë të vështira
Sot, gratë shtatzëna në përgjithësi kalojnë muaj duke u përgatitur për ardhjen e foshnjës, dhe me siguri Maria duhet të ketë bërë po njësoj. Ky do të ishte fëmija i saj i parë. Gjithsesi, disa ngjarje të papritura ia ndërlikuan planet. Cezar Augusti urdhëroi të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe të gjithë duhej të shkonin të regjistroheshin në qytetin e lindjes. Kështu, Jozefi e mori Marinë, tashmë në muajin e nëntë të shtatzënisë, dhe bënë afro 150 kilometra rrugë, ndoshta me gomar. Betlehemi gëlonte nga njerëzit, ndërsa Marisë i duhej një vend i veçuar që të lindte, por i vetmi vend që gjetën, ishte një stallë. Lindja në një stallë duhet të ketë qenë shumë e vështirë për të. Me siguri do të jetë ndier në siklet dhe e trembur.
Në këto çaste kritike të jetës, Maria patjetër që ia zbrazi zemrën Jehovait, e sigurt se ai do të kujdesej për të e për foshnjën. Më vonë erdhën disa barinj që mezi pritnin të shihnin foshnjën. Ata thanë se engjëjt e kishin quajtur këtë fëmijë «një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria». Pastaj lexojmë: «Maria nisi t’i ruante të gjitha këto fjalë e të arsyetonte në zemër për kuptimin e tyre.» Ajo mendoi thellë për ato fjalë dhe mori forcë.—Luka 2:11, 16-19.
Ç’të themi për ne? Ndoshta edhe ne mund të provojmë dhembje në jetë. Për më tepër, Bibla tregon se të gjithëve mund ‘t’u rastisë të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara’, lloj-lloj vështirësish e problemesh. (Eklisiastiu 9:11) A zemërohemi kur ndodh kjo, duke ia hedhur fajin Perëndisë? A s’është më mirë të imitojmë qëndrimin e Marisë dhe t’i afrohemi më tepër Perëndisë Jehova duke mësuar nga Fjala e tij, Bibla, e pastaj duke menduar thellë për atë që mësojmë? Kjo patjetër që do të na ndihmojë t’i përballojmë problemet.
E varfër dhe emigrante
Maria kaloi edhe vështirësi të tjera, ndër të cilat varfërinë dhe ikjen e detyruar nga vendlindja. A keni përjetuar edhe ju vështirësi të tilla? Sipas një raporti, «gjysma e botës, afro tre miliardë njerëz, jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë» dhe miliona të tjerë mezi e shtyjnë deri në fund të muajit, edhe pse jetojnë në vende të ashtuquajtura të pasura. Po ju? A ju lodh ose ju merr frymën nganjëherë rropatja e përditshme për të siguruar ushqim, veshje dhe strehim për familjen?
Bibla tregon se Jozefi dhe Maria ishin pak a shumë të varfër. Si e kuptojmë? Ndër ato pak të dhëna që zbulojnë për këtë çift Ungjijtë—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni,—është se 40 ditë pas lindjes, Maria dhe Jozefi shkuan në tempull që të paraqitnin blatimin e kërkuar, «një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash».a (Luka 2:22-24) Ky flijim u lejohej vetëm atyre që ishin tepër të varfër e s’mund të flijonin një qengj mashkull. Pra, me siguri për Jozefin dhe Marinë ishte një luftë të siguronin bukën e gojës. Gjithsesi, ia dolën mbanë të krijonin një mjedis të ngrohtë familjar. Pa dyshim, përparësi kishin gjërat që lidheshin me adhurimin e Perëndisë.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Pak kohë pasi lindi Jezui, jeta e Marisë përsëri ndryshoi krejtësisht. Një engjëll i tha Jozefit të merrte familjen e të ikte në Egjipt. (Mateu 2:13-15) Ishte hera e dytë që Marisë i duhej të linte mjedisin familjar, por kësaj here për të shkuar në një vend të huaj. Në Egjipt kishte një komunitet të madh judaik, kështu që Maria dhe Jozefi mund të kenë jetuar mes bashkëkombësve të tyre. Megjithatë, jeta në një vend të huaj mund të jetë e vështirë dhe çorientuese. A jeni ju dhe familja juaj ndër miliona njerëzit që kanë lënë vendlindjen, ndoshta për të mirën e fëmijëve ose për t’i shpëtuar rrezikut? Nëse po, mund t’i kuptoni mirë disa nga vështirësitë që do të ketë hasur Maria në Egjipt.
Grua dhe nënë e devotshme
Përveç tregimeve për lindjen dhe fëmijërinë e Jezuit, Maria nuk përmendet shpesh në Ungjij. Megjithatë, dimë se ajo dhe Jozefi patën të paktën gjashtë fëmijë të tjerë. Ndoshta kjo ju duket e çuditshme. Por shqyrtoni ç’thonë Ungjijtë.
Jozefi e vlerësonte shumë privilegjin e Marisë që të lindte Birin e Perëndisë. Prandaj, nuk pati marrëdhënie seksuale me të para se të lindte Jezui. Te Mateu 1:25 thuhet se Jozefi «nuk pati marrëdhënie seksuale me të, derisa ajo lindi një djalë». Fjala «derisa» tregon se pasi lindi Jezui, Jozefi dhe Maria patën marrëdhënie normale si burrë e grua. Tregimet e Ungjijve thonë se, si rrjedhojë, Maria pati fëmijë me Jozefin, djem e vajza. Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda ishin vëllezër të Jezuit nga nëna. Patën edhe të paktën dy vajza. (Mateu 13:55, 56) Por, këta fëmijë u ngjizën në mënyrë të natyrshme.b
Maria e vlerësonte jashtë mase marrëdhënien e saj me Perëndinë. Ndonëse Ligji nuk u kërkonte grave të merrnin pjesë në festën e Pashkës, ajo e kishte zakon ta shoqëronte Jozefin në udhëtimin e përvitshëm në Jerusalem për këtë rast. (Luka 2:41) Kjo përfshinte një udhëtim afro 300 kilometra vajtje-ardhje çdo vit, me një familje që po shtohej. Por këto udhëtime me siguri ishin raste të lumtura familjare.
Sot shumë gra imitojnë shembullin e shkëlqyer të Marisë. Punojnë pa u lodhur e me altruizëm për të përmbushur detyrimet e tyre biblike. Sa durim, qëndrueshmëri e përulësi tregojnë këto gra të përkushtuara! Meditimi për qëndrimin e Marisë i ndihmon që çështjet që lidhen me adhurimin e Perëndisë, t’i vënë para dëshirës për rehati e kënaqësi. Ato e dinë, siç e dinte pa dyshim edhe Maria, se adhurimi i Perëndisë bashkë me burrin dhe fëmijët e forcon dhe e bashkon familjen.
Një herë, kur Maria dhe Jozefi po ktheheshin nga një festë në Jerusalem, me siguri me disa fëmijë tashmë, kuptuan se Jezui 12-vjeçar s’ishte me ta. E imagjinoni dot shqetësimin e Marisë gjatë kërkimit të ethshëm treditor për të birin? Kur e gjetën më në fund në tempull, Jezui u tha: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» Edhe një herë, sipas tregimit, Maria ‘i ruajti me kujdes në zemër tërë këto fjalë’. Ja edhe një provë tjetër që tregon sa e vlerësonte marrëdhënien me Perëndinë. Ajo meditonte me kujdes për gjithçka që ndodhte me Jezuin. Vite më vonë, me siguri u tregoi shkrimtarëve të Ungjijve kujtime të gjalla për këtë rast e për ngjarje të tjera të fëmijërisë së Jezuit.—Luka 2:41-52.
Përballimi i vuajtjeve dhe i humbjes së njerëzve të dashur
Ç’u bë me Jozefin, babanë adoptues të Jezuit? Pasi shfaqet shkurtimisht në atë ngjarje të fëmijërisë së Jezuit, Jozefi nuk përmendet më në Ungjij. Disa e marrin këtë si tregues se Jozefi vdiq ca kohë para se Jezui të fillonte shërbimin.c Sidoqoftë, duket se Maria ishte e ve kur Jezui e mbaroi shërbimin. Kur vdiq, Jezui ia besoi nënën e tij apostullit Gjon. (Gjoni 19:26, 27) Nuk do ta kishte bërë këtë po të ishte ende gjallë Jozefi.
Sa e sa përvoja kishin kaluar së bashku Maria dhe Jozefi! I kishin vizituar engjëj, kishin shpëtuar nga një tiran, ishin shpërngulur disa herë dhe kishin rritur një tufë fëmijë. Kushedi sa herë mbrëmjeve duhet të jenë ulur bashkë e të kenë folur për Jezuin, se ç’do të haste në të ardhmen, të merakosur nëse po e stërvitnin dhe përgatitnin ashtu siç duhej. Pastaj, papritur, Maria u gjend e vetme.
A jua ka rrëmbyer vdekja bashkëshortin? A e ndieni ende dhembjen dhe zbrazëtinë që shkakton një humbje e tillë, edhe pasi kanë kaluar shumë vjet? Pa dyshim, Marinë e ngushëlluan besimi dhe njohuria se do të ketë një ringjallje.d (Gjoni 5:28, 29) Por këto mendime ngushëlluese nuk u dhanë fund problemeve të saj. Ashtu si plot nëna të vetme sot, ajo u përball me detyrën e vështirë që të kujdesej për fëmijët pa ndihmën e të shoqit.
Është e arsyeshme të mendojmë se Jezui mori rolin e atij që siguronte bukën e gojës për familjen, pas vdekjes së Jozefit. Teksa rriteshin, vëllezërit e tij do të mund të merrnin përsipër disa përgjegjësi familjare. Kur «ishte rreth tridhjetë vjeç», Jezui u largua nga shtëpia dhe nisi shërbimin. (Luka 3:23) Shumica e prindërve krenohen dhe njëkohësisht trishtohen kur fëmijët rriten e ikin. Për ta kanë investuar kaq kohë e përpjekje dhe janë përfshirë kaq shumë emocionalisht, saqë kur ikin, u mbetet një ndjenjë boshllëku e madhe. A keni djem ose vajza që janë larguar nga shtëpia që të ndjekin synimet e tyre? A jeni krenarë për ta, por njëkohësisht do të donit t’i kishit më afër? Atëherë mund ta përfytyroni si duhet të jetë ndier Maria kur Jezui u largua nga shtëpia.
Sprova të papritura
Një nga sprovat që hasi, me siguri Maria nuk e priste kurrë. Ndërsa Jezui predikonte, shumë veta e ndoqën, por vëllezërit e tij jo. Shkrimet thonë: «Vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai.» (Gjoni 7:5) Pa dyshim, Maria ua tregoi fjalët që i kishte thënë engjëlli, se Jezui ishte «Bir i Perëndisë». (Luka 1:35) Prapëseprapë, për Jakovin, Jozefin, Simonin dhe Judën, Jezui ishte thjesht vëllai i tyre i madh. Kështu Maria u gjend në një familje me pikëpamje fetare të ndryshme.
A u shkurajua ajo dhe a u dorëzua në këtë situatë? Absolutisht jo! Në një rast, kur Jezui po predikonte në Galile, shkoi te një shtëpi për të ngrënë dhe aty u mblodh një turmë për ta dëgjuar. Kush tjetër erdhi aty jashtë ta kërkonte? Maria dhe vëllezërit e tij. Pra, kur Jezui ishte afër shtëpisë, ajo i shkonte pas dhe me sa duket merrte me vete fëmijët, ndoshta me shpresën se do të ndryshonin qëndrim ndaj tij.—Mateu 12:46, 47.
Edhe ju ndoshta po mundoheni të ndiqni Jezuin, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të familjes nuk duan të bëjnë po njësoj. Të mos ju lëshojë zemra dhe mos u dorëzoni! Shumë veta, ashtu si Maria, i kanë nxitur me durim familjarët për vite të tëra para se të shihnin ndonjë ndryshim. Kjo qëndrueshmëri është e çmuar për Perëndinë, pavarësisht nëse të tjerët reagojnë ose jo.—1 Pjetrit 3:1, 2.
Sprova më e rëndë
Sprova e fundit e Marisë, e dokumentuar në Shkrime, pa dyshim ishte më tronditësja e më e dhembshmja. Ajo pa djalin e saj të dashur të vdiste në agoni, pasi populli i tij e hodhi poshtë. Vdekja e një fëmije është përshkruar si «humbja më e madhe» dhe «vdekja më shkatërruese», pavarësisht nëse fëmija është i vogël ose i madh. Ashtu siç ishte parathënë dekada më parë, Maria ndjeu sikur një shpatë e shpoi tejpërtej.—Luka 2:34, 35.
A lejoi ajo që kjo sprovë e fundit ta shkatërronte emocionalisht ose t’i dobësonte besimin te Jehovai? Jo. Herën tjetër që përmendet në Bibël, Maria ishte me dishepujt e Jezuit dhe po «ngulmonin në lutje» së bashku. Por s’ishte vetëm, pasi me të ishin djemtë e tjerë të saj, që në këtë kohë kishin filluar të tregonin besim te vëllai i tyre i madh. Sa duhet ta ketë ngushëlluar kjo Marinë!e—Veprat 1:14.
Maria pati një jetë të kënaqshme e plot ngjarje si një grua dhe një nënë që i qëndroi besnike Perëndisë. Kaloi shumë përvoja shpërblyese në shërbimin e Perëndisë. Kapërceu tërë ato sprova e vështirësi. Kur hasim vështirësi të papritura ose kur jemi në ankth për problemet familjare, me siguri mund të mësojmë nga shembulli i saj i qëndrueshmërisë me besnikëri.—Hebrenjve 10:36.
Mirëpo, ç’mund të themi për Marinë si objekt përkushtimi të veçantë fetar? A e justifikon përnderimin e Marisë tregimi biblik për rolin e saj të veçantë?
[Shënimet]
a Një nga zogjtë paraqitej si blatim për mëkatin. (Levitiku 12:6, 8) Duke paraqitur këtë blatim, Maria pranoi se, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë të papërsosur, edhe ajo kishte trashëguar pasojat e mëkatit të Adamit, njeriut të parë.—Romakëve 5:12.
b Shih kutinë: «A kishte vëllezër e motra Jezui?»
c Është vërejtur se mospërmendja e Jozefit në dokumentimin e shërbimit të Jezuit është tregues i rëndësishëm se ai kishte vdekur, pasi familjarët e tjerë të tij, nëna, vëllezërit dhe motrat, përmenden. Për shembull, në dasmën në Kanë shohim se Maria ishte mjaft e përfshirë dhe madje mori njëfarë iniciative, kurse Jozefi as që përmendet. (Gjoni 2:1-11) Në një rast tjetër, shohim se banorët e qytetit të Krishtit iu referuan atij si «i biri i Marisë», jo i Jozefit.—Marku 6:3.
d Për më shumë informacion rreth premtimit të Biblës për ringjalljen, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
e Shih kutinë «Ajo pati guximin të ndryshonte», në faqen 7.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
A kishte vëllezër e motra Jezui?
Po, kishte. Disa teologë janë përpjekur ta hedhin poshtë këtë të vërtetë, ndonëse Ungjijtë e zbulojnë qartë disa herë këtë fakt. (Mateu 12:46, 47; 13:54-56; Marku 6:3) Megjithatë, dijetarët biblikë kanë vënë re dy gjëra lidhur me teoritë se Maria nuk pati fëmijë të tjerë. Së pari, pas këtyre teorive ka një motiv, domethënë mbështetja e një doktrine që doli shumë më vonë, e mësimit të kishës se Maria mbeti e virgjër gjithë jetën. Së dyti, teoritë nuk janë bindëse e të vlefshme kur shqyrtohen më nga afër.
Për shembull, një nga këto teori thotë se «vëllezërit» në fjalë ishin djemtë e Jozefit nga një martesë e parë. Ky koncept është pa baza, sepse do t’i mohonte Jezuit të drejtën ligjore të të parëlindurit që do të trashëgonte mbretërinë e Davidit.—2 Samuelit 7:12, 13.
Një teori tjetër thotë se këta vëllezër faktikisht ishin kushërinj të Jezuit, ndonëse në Shkrimet Greke përdoren fjalë specifike për «vëlla», «kushëri» dhe «i afërm». Kështu, studiuesi Frenk E. Gejbelajn i quan jorealiste këto teori teologjike. Ai përfundon: «Mënyra më e natyrshme për të kuptuar fjalën ‘vëllezërit’ . . . është se termi i referohet djemve të Marisë e të Jozefit, pra vëllezërve të Jezuit nga nëna.»
[Kutia në faqen 7]
Ajo pati guximin të ndryshonte
Maria lindi në një familje judaike dhe ndiqte fenë judaike. Shkonte në sinagogën e qytetit të saj, siç quhej vendi i adhurimit i judenjve, dhe vizitonte tempullin në Jerusalem. Por, ndërsa zgjeronte njohurinë për qëllimet e Perëndisë, ajo kuptoi se traditat e etërve të saj nuk kishin më miratimin e Tij. Udhëheqësit fetarë judenj i vranë të birin, Mesinë. Para se të ndodhte kjo, Jezui u kishte shpallur atyre: «Ja, shtëpia juaj ju është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mateu 23:38) Perëndia e hoqi bekimin e tij nga sistemi fetar ku ishte rritur Maria.—Galatasve 2:15, 16.
Kur u formua kongregacioni i krishterë, Maria mund të ketë qenë rreth 50 vjeçe. Ç’do të bënte? A arsyetoi se kishte lindur në sistemin fetar judaik dhe donte t’i qëndronte besnike traditave të të parëve? A tha se në këtë moshë nuk ndryshonte dot? Natyrisht që jo! Maria e kuptoi se tani Perëndia po bekonte kongregacionin e krishterë, prandaj pati besimin dhe guximin të ndryshonte.
[Figura në faqen 5]
Ikin në Egjipt si emigrantë
[Figura në faqen 8]
Përvoja më e hidhur që mund të kalojë një nënë