KAPITULLI 95
Flet për divorcin dhe u tregon dashuri fëmijëve
MATEU 19:1-15 MARKU 10:1-16 LUKA 18:15-17
JEZUI TREGON PIKËPAMJEN E PERËNDISË PËR DIVORCIN
DHURATA E BEQARISË
DUHET TË JEMI SI FËMIJË TË VEGJËL
Pasi lënë Galilenë, Jezui dhe dishepujt kalojnë lumin Jordan dhe marrin udhën drejt jugut, duke kaluar përmes Peresë. Herën e fundit që kishte qenë në Pere, Jezui u kishte treguar farisenjve standardin e Perëndisë për divorcin. (Luka 16:18) Ndaj tani, ata e hapin këtë temë që ta vënë në provë.
Moisiu shkroi se një burrë mund ta divorconte gruan nëse gjente tek ajo «ndonjë gjë të pahijshme». (Ligji i përtërirë 24:1) Por, ekzistojnë mendime të ndryshme se për çfarë arsyesh mund të divorcohesh. Disa mendojnë se këtu mund të përfshihen edhe gjëra disi të vogla. Ndaj farisenjtë pyesin: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?»—Mateu 19:3.
Në vend që të bazohet te pikëpamjet njerëzore, Jezui me mjeshtëri drejton vëmendjen te qëllimi i Perëndisë për martesën: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi në fillim, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:4-6) Kur Perëndia themeloi martesën mes Adamit dhe Evës, nuk e vuri ndarjen si një opsion.
Farisenjtë nuk janë dakord me Jezuin, ndaj e kundërshtojnë: «Pse, atëherë, Moisiu urdhëroi që burri t’i japë një certifikatë divorci e ta përzërë?» (Mateu 19:7) Jezui u përgjigjet: «Moisiu ju lejoi që të divorconi gratë tuaja ngaqë jeni zemërgur, por në fillim nuk ishte kështu.» (Mateu 19:8) Ky «fillim» nuk ishte në kohën e Moisiut, por kur Perëndia themeloi martesën në Eden.
Pastaj, Jezui u tregon një të vërtetë të rëndësishme: «Unë po ju them se kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual [greqisht porneía], dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 19:9) Pra, sipas Shkrimeve, imoraliteti seksual është e vetmja bazë për divorc.
Kur dëgjojnë këtë, dishepujt thonë: «Nëse është kështu puna mes burrit dhe gruas, atëherë është më mirë të mos martohesh.» (Mateu 19:10) Është e qartë, nëse dikush mendon të martohet, duhet ta konsiderojë martesën si një lidhje të përhershme.
Në lidhje me beqarinë, Jezui shpjegon se disa lindin eunukë, të paaftë për të pasur marrëdhënie seksuale. Të tjerë bëhen eunukë, kur e humbasin këtë aftësi. Kurse të tjerë akoma, i ndrydhin këto dëshira që të përqendrohen plotësisht tek aktivitetet që lidhen me Mbretërinë. Ja pse, Jezui i nxit dëgjuesit: «Kush mund ta pranojë këtë [beqarinë], le ta pranojë.»—Mateu 19:12.
Tani njerëzit fillojnë të çojnë te Jezui fëmijët e vegjël. Por, dishepujt i qortojnë nga meraku se mos Jezui bezdiset. Kur e sheh këtë, Jezui indinjohet dhe u thotë: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse Mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta. Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.»—Marku 10:14, 15; Luka 18:15.
Ç’mësim i bukur! Që të pranojmë Mbretërinë e Perëndisë, duhet të jemi si fëmijë: të përulur dhe të gatshëm për të mësuar. Tani, Jezui e tregon dashurinë për këta vogëlushë duke i marrë në krahë dhe duke i bekuar. Këtë përzemërsi të butë ai e tregon për këdo ‘që e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë’.—Luka 18:17.