KAPITULLI 103
Pastron sërish tempullin
MATEU 21:12, 13, 18, 19 MARKU 11:12-18 LUKA 19:45-48 GJONI 12:20-27
JEZUI MALLKON NJË PEMË FIKU DHE PASTRON TEMPULLIN
JEZUI DUHET TË VDESË QË TË JETOJNË SHUMË VETA
Pasi janë larguar nga Jerikoja, Jezui dhe dishepujt kanë qëndruar tri netë në Betani. Është e hënë, 10 nisan, dhe ata janë nisur që herët në mëngjes për në Jerusalem. Jezuin e ka marrë uria. Ja pse, kur sheh një pemë fiku, shkon të këpusë ndonjë kokërr. A do të gjejë vallë?
Tani është fundi i marsit dhe stina e fiqve fillon në qershor. Megjithatë, meqë kanë dalë gjethet, Jezui mendon se ndoshta do të gjejë ndonjë fik, por më kot. Ndryshe nga ç’japin përshtypjen gjethet, në pemë nuk ka asnjë fik. Ndaj Jezui thotë: «Mos ngrëntë njeri kurrë më fryt prej teje!» (Marku 11:14) Në çast pema fillon të thahet. Kuptimin e kësaj ngjarjeje Jezui do ta shpjegojë të nesërmen në mëngjes.
Pa kaluar shumë, Jezui me dishepujt mbërrijnë në Jerusalem, dhe ai shkon në tempull. Një pasdite më parë, Jezui ishte në tempull për të vëzhguar me kujdes se ç’ndodhte. Ndërsa sot bën diçka më shumë: ai vepron, siç kishte bërë tre vjet më parë, në Festën e Kalimit të vitit 30 të e.s. (Gjoni 2:14-16) Këtë herë Jezui flak jashtë ‘njerëzit që shesin e blejnë atje’ dhe ‘përmbys tryezat e këmbyesve të parave e stolat e atyre që shesin pëllumba’. (Marku 11:15) Madje nuk lejon askënd të transportojë mallra përmes oborrit të tempullit në pjesë të tjera të qytetit.
Pse Jezui vepron me kaq vendosmëri kundër këmbyesve të parave dhe atyre që shesin kafshë në tempull? Ai u thotë: «A nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh për të gjitha kombet.’ Kurse ju e keni bërë shpellë kusarësh.» (Marku 11:17) Jezui i quan kusarë, ose hajdutë, sepse shesin me çmime marramendëse kafshët që nevojiten për flijime. Ndaj për të, kjo lloj tregtie është zhvatje, ose grabitje.
Kur krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit marrin vesh ç’ka bërë, kërkojnë sërish ta vrasin. Mirëpo ka një problem: nuk dinë si, pasi Jezuin e shoqëron një numër i madh njerëzish që duan ta dëgjojnë.
Për Festën e Kalimit, përveç judenjve janë të pranishëm edhe shumë prozelitë, të cilët kanë përqafuar fenë judaike. Mes tyre ka edhe grekë që kanë ardhur në festë për të adhuruar Perëndinë. Ata i afrohen Filipit, ndoshta ngaqë ka emër grek, dhe i kërkojnë të takojnë Jezuin. Filipi, mbase në mëdyshje nëse ky takim është i përshtatshëm, konsultohet me Andrean. Pastaj të dy flasin me Jezuin, që me sa duket është ende në tempull.
Jezui e di se do të vdesë pas pak ditësh, kështu që nuk është momenti as të kënaqë kureshtjen e njerëzve, as të bjerë në sy. Ja pse u përgjigjet dy apostujve me këtë ilustrim: «Ka ardhur ora që Biri i njeriut të marrë lavdi. Me të vërtetë po ju them: një kokërr gruri, po të mos bjerë përtokë e të mos ‘vdesë’, mbetet vetëm një kokërr. Por nëse ‘vdes’, atëherë jep shumë fryt.»—Gjoni 12:23, 24.
Një kokërr e vetme gruri mund të duket sikur s’ka shumë vlerë. Ama, nëse e mbjell dhe ajo «vdes» si farë, mund të mbijë dhe, me kohë, të japë një kalli plot kokrra. Në mënyrë të ngjashme, Jezui është «vetëm një» njeri i përsosur. Ama, duke qëndruar besnik deri në vdekje, do të bëhet mjeti nëpërmjet të cilit do të fitojnë jetë të përhershme shumë veta që shfaqin të njëjtin qëndrim vetësakrifikues si ai. Prandaj, Jezui thotë: «Kush e do jetën e vet, do ta humbasë, por kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta shpëtojë për jetën e përhershme.»—Gjoni 12:25.
Tani, Jezui e kthen vëmendjen nga të tjerët, kur thotë: «Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, le të më ndjekë, dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, Ati do ta nderojë.» (Gjoni 12:26) Ç’shpërblim i jashtëzakonshëm! Ata që Ati i nderon, do të bëhen trashëgimtarë të Mbretërisë me Krishtin.
I vetëdijshëm për vuajtjet e tmerrshme dhe vdekjen agonike që e pret, Jezui thotë: «Por tani jam thellësisht i shqetësuar e çfarë të them? O Atë, shpëtomë nga kjo orë!» Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai do që t’i bëjë bisht kryerjes së vullnetit të Perëndisë. Jezui shton: «Gjithsesi për këtë erdha, për këtë orë.» (Gjoni 12:27) Jezui është plotësisht dakord me gjithçka që sjell përmbushja e qëllimit të Perëndisë, ku përfshihet edhe vdekja e tij flijuese.