Të jetojmë «ditë për ditë» në lartësinë e dedikimit tonë
«Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, të marrë ditë për ditë shtyllën e tij të mundimit dhe të më ndjekë vazhdimisht.»—LUKA 9:23, BR.
1. Cila është një nga mënyrat për të matur suksesin tonë si të krishterë?
«KEMI qenë vërtet njerëz të dedikuar?» Përgjigjja e kësaj pyetjeje, sipas Xhon F. Kenedit, presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, është një faktor nga i cili varet suksesi i qeveritarëve. Kjo pyetje me një nënkuptim më të thellë, mund të shërbejë si një provë për suksesin tonë si shërbëtorë të krishterë.
2. Si e përcakton një fjalor fjalën «dedikim»?
2 Çfarë është dedikimi? Një fjalor e përcakton si «një veprim ose një rit, sipas të cilit diçka i dedikohet një qenieje hyjnore ose një përdorimi të shenjtë», «një veçim ose mënjanim për një qëllim të veçantë», «devotshmëri vetëmohuese». (Webster’s Ninth New Col-legiate Dictionary) Me sa duket, Xhon F. Kenedi e përdori fjalën në kuptimin e «devotshmërisë vetëmohuese». Për një të krishterë, devotshmëria do të thotë shumë më tepër.
3. Çfarë është dedikimi i krishterë?
3 Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, të marrë ditë për ditë shtyllën e tij të mundimit dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24, BR) Veçimi për një përdorim hyjnor nuk nënkupton thjesht kryerjen e një akti adhurimi të dielën ose kur vizitojmë ndonjë vend adhurimi. Përfshin gjithë mënyrën e jetesës së një personi. Të jesh i krishterë do të thotë ta mohosh veten duke i shërbyer Jehovait, Perëndisë që i shërbeu edhe Jezu Krishti. Përveç kësaj, një i krishterë e merr «shtyllën e tij të mundimit», duke duruar çdo vuajtje që mund t’i shkaktohet si ithtar i Krishtit.
Shembulli i përsosur
4. Çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit?
4 Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se çfarë përfshinte dedikimi ndaj Jehovait. Ndjenjat e tij ishin: «Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup.» Më pas, shtoi: «Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd.» (Hebrenjve 10:5-7) Si anëtar i një kombi të dedikuar, ai i ishte dedikuar Jehovait që kur kishte lindur. Megjithatë, në fillim të shërbimit të tij tokësor, ai e ofroi veten për pagëzim si simbol i paraqitjes së vetes për të bërë vullnetin e Jehovait, gjë që për të përfshinte ofrimin e jetës së tij si sakrificë shpërblerëse. Kështu, u la një shembull të krishterëve që të bëjnë gjithçka që Jehovai dëshiron.
5. Si shfaqi Jezui një pikëpamje shembullore mbi gjërat materiale?
5 Pas pagëzimit, Jezui ndoqi një mënyrë jetese që përfundoi në një vdekje si sakrificë. Nuk i kishte shkuar ndër mend as të mbushte xhepat me para, as të bënte një jetë luksoze. Përkundrazi, jeta e tij përqendrohej mbi shërbimin. Ai i këshilloi dishepujt e tij të vazhdonin ‘të kërkonin mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij’ e edhe vetë ai jetoi në lartësinë e këtyre fjalëve. (Mateu 6:33) Një herë madje tha: «Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.» (Mateu 8:20) Kishte mundësi t’i kthente e t’i rrotullonte mësimet e tij, në mënyrë që të nxirrte ndonjë para nga ithtarët e tij. Duke qenë marangoz, mund të kishte marrë kohë nga shërbimi për të bërë ndonjë mobilje të bukur e për ta shitur, që të mund të kishte ndonjë dyshkë argjendi më tepër. Por ai nuk i përdori aftësitë e tij për t’u pasuruar materialisht. Si shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë, a po e imitojmë Jezuin në konceptin e drejtë mbi gjërat materiale?—Mateu 6:24-34.
6. Si mund ta imitojmë Jezuin lidhur me vetëmohimin si shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë?
6 Duke vënë në vend të parë shërbimin e Perëndisë, Jezui nuk kërkonte interesat e veta personale. Në tre vjet e gjysmë të shërbimit të tij publik, ai bëri një jetë vetëmohuese. Në një rast, pas një dite intensive, kur nuk kishte pasur kohë as të hante, Jezui u tregua i gatshëm të mësonte njerëzit e «lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari». (Mateu 9:36; Marku 6:31-34) Megjithëse «i lodhur nga udhëtimi», ai mori iniciativën të fliste me një grua samaritane që kishte ardhur tek pusi i Jakobit në Sikar. (Gjoni 4:6, 7, 13-15) Vuri gjithmonë mirëqenien e të tjerëve para të vetës. (Gjoni 11:5-15) Mund ta imitojmë Jezuin, duke sakrifikuar me bujari interesat tona në shërbim të Perëndisë dhe të të tjerëve. (Gjoni 6:38) Duke menduar thellë se si me të vërtetë mund t’i pëlqejmë Perëndisë, nuk do të bëjmë vetëm minimumin e kërkuar, por do të jetojmë në lartësinë e dedikimit tonë.
7. Si mund ta imitojmë Jezuin për t’ia dhënë gjithmonë nderin Jehovait?
7 Kur i ndihmonte njerëzit, Jezui në asnjë mënyrë nuk përpiqej ta përqendronte vëmendjen drejt vetes. Ai i ishte dedikuar Perëndisë për të bërë vullnetin e Tij. Prandaj, gjithmonë sigurohej se Jehovai, Ati i tij, merrte gjithë lavdinë për çdo gjë që kryhej. Kur njëfarë sundimtari e quajti «Mësues i mirë», duke përdorur fjalën «i mirë» si titull, Jezui e qortoi duke i thënë: «Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.» (Luka 18:18, 19; Gjoni 5:19, 30) A jemi ashtu si Jezui të shpejtë për ta drejtuar nderin jo nga vetja, por nga Jehovai?
8. (a) Në ç’mënyrë u veçua Jezui nga bota si i dedikuar? (b) Si duhet ta imitojmë?
8 Gjatë gjithë jetës së tij të dedikuar në tokë, Jezui tregoi se u veçua nga bota për shërbim hyjnor. Ai u mbajt i pastër, që të mund ta ofronte veten «si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë», për të qenë sakrificë shpërblerëse. (1. Pjetrit 1:19; Hebrenjve 7:26) Ai ruajti të gjithë urdhrat e Ligjit të Moisiut, duke e plotësuar në këtë mënyrë atë Ligj. (Mateu 5:17; 2. Korintasve 1:20) Jetoi në harmoni me mësimet që dha në fushën morale. (Mateu 5:27, 28) Askush nuk mund ta akuzonte me të drejtë atë për qëllime të këqija. Në fakt, ai ‘e urrente paligjshmërinë’. (Hebrenjve 1:9, BR) Si skllevër të Perëndisë, le të imitojmë Jezuin, duke e mbajtur jetën dhe qëllimet tona të pastra në sytë e Jehovait.
Shembuj paralajmërues
9. Cilit shembull paralajmërues iu referua Pavli dhe përse duhet të mendojmë mbi shembullin e tij?
9 Ndryshe nga shembulli i Jezuit, kemi shembujt paralajmërues të izraelitëve. Edhe pasi deklaruan se do të bënin të gjitha ato që Jehovai u kishte thënë të bënin, ata nuk e bënë vullnetin e tij. (Danieli 9:11) Apostulli Pavël i inkurajoi të krishterët të mësonin nga ajo që u ndodhi izraelitëve. Le të shqyrtojmë disa episode, të cilave Pavli iu referua në letrën e tij të parë drejtuar korintasve dhe të shohim se cilat gracka duhen shmangur nga shërbëtorët e dedikuar të Perëndisë në ditët tona.—1. Korintasve 10:1-6, 11.
10. (a) Në ç’mënyrë izraelitët ‘dëshironin gjëra të liga’? (b) Përse izraelitët kishin më shumë përgjegjësi herën e dytë që pëshpëritën për ushqimin dhe çfarë mund të mësojmë nga ky shembull paralajmërues?
10 Së pari, Pavli na paralajmëron «të mos dëshirojmë gjëra të liga». (1. Korintasve 10:6) Kjo mund të të sjellë ndër mend kohën kur izraelitët u ankuan se hanin vetëm manë. Jehovai u dërgoi shkurtat. Pak a shumë, e njëjta gjë kishte ndodhur rreth një vit më parë në shkretëtirën Sin, pak para se izraelitët të shpallnin dedikimin e tyre ndaj Jehovait. (Të Dalët 16:1-3, 12, 13) Por situata nuk ishte krejt e njëjta. Kur Jehovai siguroi shkurtat herën e parë, nuk u kërkoi llogari izraelitëve për fjalët lart e poshtë. Kurse këtë radhë, gjërat ishin ndryshe. «Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë.» (Numrat 11:4-6, 31-34) Çfarë kishte ndryshuar? Si komb i dedikuar, këtë herë ishin përgjegjës. Mungesa e çmueshmërisë për sigurimet e Jehovait, i çoi ata të ankoheshin kundër Jehovait, edhe pse kishin premtuar të bënin të gjitha ato që Jehovai u kishte thënë! Edhe sot mund të bëhen ankesa të ngjashme lidhur me tavolinën e Jehovait. Disa nuk i çmojnë sigurimet frymore të Jehovait që vijnë përmes «skllavit besnik e të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Megjithatë, mos harro se dedikimi ynë kërkon që të kujtojmë me mirënjohje atë që Jehovai ka bërë për ne dhe të pranojmë ushqimin frymor që Jehovai siguron.
11. (a) Në ç’mënyrë izraelitët e ndotën adhurimin e Jehovait me idhujtari? (b) Si mund të biem në ndonjë lloj idhujtarie?
11 Më pas, Pavli paralajmëroi: «Të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata.» (1. Korintasve 10:7) Me sa duket, këtu apostulli i referohej adhurimit të viçit që ndodhi menjëherë pasi izraelitët përfunduan besëlidhjen me Jehovain në malin Sinai. Ndoshta do të thuash: «Si shërbëtor i dedikuar i Jehovait, nuk do të përzihem kurrë në idhujtari.» Megjithatë, vëre se nga pikëpamja e izraelitëve, ata nuk kishin pushuar së adhuruari Jehovain, por kishin futur në të praktikën e adhurimit të viçit, diçka e neveritshme për Perëndinë. Çfarë përfshinte ai lloj adhurimi? Populli bëri sakrifica përpara viçit e më pas «u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer». (Të Dalët 32:4-6) Sot, disa mund të pohojnë se e adhurojnë Jehovain, kur në fakt jeta e tyre nuk përqendrohet në adhurimin e Jehovait, por në shijimin e gjërave të kësaj bote. Ata përpiqen ta përshtasin shërbimin që i kryejnë Jehovait rreth këtyre gjërave. Vërtet, kjo nuk është aq ekstreme sa përkulja para një viçi të artë, por në parim nuk është dhe aq e ndryshme. Kush i bën dëshirat e veta perëndi, është shumë larg nga jeta që është në lartësinë e dedikimit ndaj Jehovait.—Filipianëve 3:19.
12. Çfarë mësojmë rreth mohimit të vetvetes nga përvoja e izraelitëve me Baalin e Peorit?
12 Në shembullin që vinte më pas, Pavli përmendi një lloj zbavitjeje. «Të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë.» (1. Korintasve 10:8) Izraelitët të joshur nga kënaqësitë imorale që ofronin bijat e Moabit, u nxitën të adhuronin Baalin e Peorit në Shitim. (Numrat 25:1-3, 9) Mohimi i vetvetes për të bërë vullnetin e Jehovait përfshin pranimin e normave të tij për atë që është e pastër moralisht. (Mateu 5:27-30) Në këtë epokë me moral të degraduar, na kujtohet nevoja për ta mbajtur veten të pastër nga të gjitha llojet e sjelljes imorale, duke iu nënshtruar autoritetit të Jehovait për të vendosur se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.—1. Korintasve 6:9-11.
13. Si na ndihmon shembulli i Fineasit të kuptojmë se çfarë përfshin dedikimi Jehovait?
13 Edhe pse në Shitim shumë ranë në grackën e kurvërisë, disa jetuan në lartësinë e dedikimit që kombi i kishte bërë Jehovait. Ndër ta, Fineasi dha një shembull të shquar në zell. Kur i zuri syri një komandant kryesor izraelit që po çonte një midianite në tendën e tij, Fineasi menjëherë mori në dorë heshtën dhe i shpoi tej për tej. Jehovai i tha Moisiut: «Fineasi . . . e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, duke mos lejuar në asnjë mënyrë rivalitet kundrejt meje në mes tyre, kështu që nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit nga këmbëngulja ime mbi devotshmërinë e veçantë.» (Numrat 25:11, BR) Mostolerimi në asnjë mënyrë i rivalitetit kundrejt Jehovait: kjo është domethënia e dedikimit. Ne s’mund të lejojmë që në zemrën tonë diçka tjetër të zërë vendin e devotshmërisë ndaj Jehovait. Zelli ynë për Jehovain na nxit, gjithashtu, ta mbajmë kongregacionin të pastër, duke raportuar tek pleqtë rastet e rënda të imoralitetit dhe duke mos i toleruar ato.
14. (a) Si e vunë izraelitët Jehovain në provë? (b) Si na ndihmon dedikimi i plotë ndaj Jehovait që ‘të mos lodhemi’?
14 Pavli iu referua edhe një shembulli tjetër paralajmërues: «As të mos e vëmë Jehovain në provë, si disa prej tyre e vunë në provë, vetëm për të vdekur nga gjarpërinjtë.» (1. Korintasve 10:9, BR) Këtu Pavli po fliste për kohën kur izraelitët u ankuan kundër Perëndisë dhe Moisiut se «filluan të lodheshin nga rruga». (Numrat 21:4, BR) E bën ndonjëherë këtë gabim? Kur iu dedikove Jehovait, a mendove se Harmagedoni ishte në prag të derës? Mos ka qenë durimi i Jehovait më i gjatë nga sa mendoje? Mos harro, nuk i jemi dedikuar Jehovait vetëm për njëfarë kohe apo thjesht deri në Harmagedon. Dedikimi ynë është i përjetshëm. Prandaj, «le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet».—Galatasve 6:9.
15. (a) Kundër kujt pëshpëritën izraelitët? (b) Si na nxit dedikimi ynë ndaj Jehovait për të respektuar autoritetin teokratik?
15 Në fund, Pavli paralajmëroi që të mos ‘pëshpërisim’ kundër shërbëtorëve të caktuar nga Jehovai. (1. Korintasve 10:10, BR) Izrelitët pëshpëritën shumë kundër Moisiut dhe Aaronit kur 10 nga 12 spiunët që u dërguan për të vëzhguar tokën e Kanaanit sollën raporte të këqija. Thanë madje që do ta zëvendësonin Moisiun me një udhëheqës tjetër e do të ktheheshin në Egjipt. (Numrat 14:1-4) Sot, a e pranojmë udhëheqjen që na jepet përmes veprimit të frymës së shenjtë të Jehovait? Duke parë tavolinën me ushqim të bollshëm frymor që na është siguruar përmes klasës së skllavit besnik e të matur, është e qartë se kë po përdor Jezui për të shpërndarë «ushqimin në kohën e duhur». (Mateu 24:45) Dedikimi me gjithë shpirt ndaj Jehovait kërkon prej nesh që të tregojmë respekt për shërbëtorët e caktuar prej tij. Të mos bëhemi kurrë si pëshpëritësit e ditëve moderne, të cilët si të thuash e kanë drejtuar vëmendjen drejt një kreu të ri për t’i kthyer përsëri në botë.
A është gjithçka që mund të bëj?
16. Cilat pyetje mund t’i bëjnë vetes shërbëtorët e dedikuar të Perëndisë?
16 Izraelitët nuk do të kishin rënë në këto gabime të rënda, po të mos kishin harruar se devotshmëria e tyre ndaj Jehovait ishte pa kushte. Ndryshe atyre izraelitëve jobesnikë, Jezu Krishti jetoi në lartësinë e dedikimit të tij deri në vdekje. Si ithtarë të Krishtit, ne imitojmë shembullin e tij të devotshmërisë me gjithë shpirt, duke jetuar «jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë». (1. Pjetrit 4:2; krahaso 2. Korintasve 5:15.) Sot, vullneti i Perëndisë është që të «gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Me këtë synim në mendje, ne duhet të predikojmë «këtë lajm të mirë të mbretërisë» para se të vijë fundi. (Mateu 24:14) Sa përpiqemi për të bërë këtë shërbim? Mund të pyesim veten: «A është gjithçka që mund të bëj?» (2. Timoteut 2:15) Rrethanat ndryshojnë. Jehovai është i kënaqur kur një person i shërben «sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka». (2. Korintasve 8:12; Luka 21:1-4) Askush nuk duhet të gjykojë thellësinë dhe sinqeritetin e devotshmërisë së të tjerëve. Gjithsecili duhet ta vlerësojë personalisht masën e devotshmërisë së vet ndaj Jehovait. (Galatasve 6:4) Dashuria që kemi për Jehovain, duhet të na nxisë të pyesim veten: «Si mund ta bëj Jehovain të lumtur?»
17. Ku qëndron lidhja ndërmjet devotshmërisë dhe çmueshmërisë? Ilustro.
17 Devotshmëria jonë ndaj Jehovait thellohet, ndërkohë që çmueshmëria jonë për të rritet. Një djalë 14-vjeçar në Japoni, ia dedikoi veten Jehovait dhe e simbolizoi këtë dedikim me pagëzimin në ujë. Më vonë, kishte dëshirë të ndiqte studimet e larta për t’u bërë shkencëtar. As që e çonte nëpër mend shërbimin e plotë kohor, por si shërbëtor i dedikuar, nuk dëshironte që ta braktiste Jehovain dhe organizatën e tij të dukshme. Për të realizuar synimin e karrierës së tij, kreu universitetin. Atje njohu mjaft të diplomuar në universitet që ndiheshin të detyruar t’ia dedikonin gjithë jetën firmave ku punonin ose studimeve. Pyeti veten: «Ç’bëj unë këtu? Si mund të ndjek mënyrën e tyre të jetesës dhe t’i dedikohem punës në botë? A nuk i jam dedikuar vallë Jehovait?» Me një çmueshmëri të përtërirë, ai u bë pionier i rregullt. Kuptueshmëria e tij mbi dedikimin u thellua dhe vendosi në zemër të shkonte atje ku kishte më shumë nevojë. Kreu Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe u ftua të shërbente si misionar në vendet e huaja.
18. (a) Deri në ç’pikë arrin dedikimi ynë ndaj Jehovait? (b) Çfarë shpërblimi mund të marrim nga dedikimi ndaj Jehovait?
18 Dedikimi përfshin tërë jetën tonë. Duhet të mohojmë vetveten dhe «ditë për ditë» të ndjekim shembullin e shkëlqyer të Jezuit. (Luka 9:23) Duke mohuar vetveten, nuk mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë një leje. Jeta jonë duhet t’u përshtatet parimeve që Jehovai ka vendosur për shërbëtorët e tij. Edhe në fushat ku mund të bëjmë një zgjedhje personale, bëjmë mirë të shohim nëse po bëjmë aq sa mundemi për të jetuar si të dedikuar ndaj Jehovait. Ndërsa i shërbejmë atij ditë për ditë, duke bërë gjithçka që mundemi për t’i pëlqyer, do të kemi sukses si të krishterë dhe do të bekohemi me një buzëqeshje miratimi nga Jehovai, Ai, i cili është i denjë për dedikimin tonë me gjithë shpirt.
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë përfshinte dedikimi për Jezu Krishtin?
◻ Përse nuk duhet të pëshpërisim kundër Jehovait?
◻ Si mund të shmangim që idhujtaria të depërtojë me dinakëri në jetën tonë?
◻ Çfarë duhet të kujtojmë, që «të mos lodhemi» në kryerjen e vullnetit të Perëndisë?
[Figura në faqen 17]
Të krishterët e dedikuar ‘nuk lodhen duke bërë të mirën’