Kapitulli 73
Një samaritan miqësor
JEZUI gjendet ndoshta afër Betanisë, një fshat rreth 3 kilometra larg Jerusalemit. Një burrë, i cili është ekspert në Ligjin e Moisiut, i afrohet për t’i bërë një pyetje, duke i thënë: «Mësues çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»
Jezui e nuhat se ky burrë, i cili është avokat, nuk po e pyet thjesht për informacion, por më tepër, sepse dëshiron ta vërë në provë. Ndoshta, qëllimi i tij është që ta bëjë Jezuin të përgjigjet në një mënyrë që do të fyejë ndjenjat e judenjve. Prandaj, Jezui e detyron avokatin të përgjigjet vetë, duke e pyetur: «Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?»
Në përgjigje, avokati, duke treguar një mendjehollësi të jashtëzakonshme, citon pjesë të ligjeve të Perëndisë, nga Ligji i përtërirë 6:5 dhe Levitiku 19:18, duke thënë: «Duaje Zotin Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde edhe të afërmin tënd si vetveten.»
«U përgjigje drejt,—ia kthen Jezui.—Vepro kështu dhe do të rrosh.»
Megjithatë, avokati nuk është i kënaqur. Përgjigjja e Jezuit, nuk është mjaft specifike për të. Ai do që Jezui ta sigurojë se pikëpamjet e tij janë korrekte dhe se si rezultat, është i drejtë në mënyrën se si i trajton të tjerët. Prandaj e pyet: «Po kush është i afërmi im?»
Judenjtë besojnë se termi ‘i afërm’ i referohet vetëm bashkëkombësve judenj, siç duket se tregon konteksti i Levitikut 19:18. Në fakt, më vonë madje edhe apostulli Pjetër tha: «Ju e dini se nuk është e ligjshme që një jude të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij.» Prandaj, avokati e ndoshta edhe dishepujt e Jezuit, mendojnë se janë të drejtë nëse trajtojnë me mirësi vetëm bashkëkombësit judenj, përderisa, sipas pikëpamjes së tyre, jojudenjtë nuk janë me të vërtetë të afërmit e tyre.
Si mund ta korrigjojë Jezui pikëpamjen e tyre, pa i ofenduar dëgjuesit? Ai u tregon atyre një histori, ndoshta të bazuar mbi një ndodhi reale. «Një burrë [jude],—shpjegon Jezui,—zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.»
«Rastësisht,—vazhdon Jezui,—një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. Por një samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.»
Shumë priftërinj dhe shërbyes levitë të tempullit banojnë në Jeriko, e cila ndodhet në një distancë prej 23 kilometrash, pas një rruge të rrezikshme që zbret 900 metra nga Jerusalemi, ku ata shërbejnë në tempull. Nga prifti dhe leviti do të pritej që ta ndihmonin një bashkëkombës jude në vështirësi. Por ata nuk e bëjnë. Përkundrazi, një samaritan e ndihmon. Judenjtë i urrejnë kaq shumë samaritanët, saqë pak kohë më parë e kanë sharë rëndë Jezuin duke e quajtur «samaritan».
Çfarë bën samaritani për të ndihmuar judeun? «Mbasi iu afrua,—thotë Jezui,—ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë. Pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdes për të. Dhe të nesërmen, para se të nisej, nxorri dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të t’i jap kur të kthehem.’»
Pasi mbaron tregimin, Jezui e pyet avokatin: «Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?»
Meqë nuk i vjen mirë t’i atribuojë ndonjë meritë një samaritani, avokati përgjigjet thjesht: «Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.»
«Shko dhe bëj kështu edhe ti»,—thotë Jezui duke përfunduar.
Nëse Jezui do t’i kishte thënë drejtpërdrejtë avokatit se edhe jojudenjtë ishin të afërmit e tij, jo vetëm që ai nuk do ta kishte pranuar një gjë të tillë, por ka të ngjarë, gjithashtu, që shumica e dëgjuesve të kishte marrë anën e tij në diskutimin me Jezuin. Përkundrazi, kjo histori realiste, e bëri të dukshme në mënyrë të pakundërshtueshme, se të afërmit tanë përfshijnë edhe njerëz me racë apo kombësi të ndryshme nga e jona. Çfarë metode të mrekullueshme përdor Jezui për të mësuar! Luka 10:25-37; Veprat 10:28; Gjoni 4:9; 8:48.
▪ Çfarë pyetjesh i drejton avokati Jezuit dhe me sa duket, cili është qëllimi i pyetjeve të tij?
▪ Cilët mendojnë judenjtë se janë të afërmit e tyre dhe ç’arsye ka të mendohet se madje edhe dishepujt kanë këtë pikëpamje?
▪ Si e bën të qartë Jezui pikëpamjen e duhur, në një mënyrë që avokati nuk mund ta kundërshtojë?