KAPITULLI 74
Mësime për mikpritjen dhe lutjen
JEZUI SHKON PËR VIZITË TE MARTA DHE MARIA
NGULMIMI NË LUTJE ËSHTË JETËSOR
Në shpatin lindor të Malit të Ullinjve, rreth 3 kilometra nga Jerusalemi, ndodhet fshati i Betanisë. (Gjoni 11:18) Jezui shkon atje për të takuar dy motra, Martën dhe Marinë. Ato dhe vëllai i tyre, Lazari, janë miq të Jezuit dhe e presin me përzemërsi.
Është nder të kesh mysafir Mesinë! Marta ka shumë dëshirë ta kënaqë Jezuin, ndaj fillon të përgatitë një vakt me shumë gjëra. Ndërsa ajo merret me përgatitjet, motra e saj, Maria, ulet te këmbët e Jezuit dhe e dëgjon. Pas njëfarë kohe, Marta i thotë Jezuit: «Zotëri, s’do t’ia dish që motra ime më ka lënë të merrem vetëm unë me punët? Thuaji të vijë e të më ndihmojë.»—Luka 10:40.
Në vend që të kritikojë Marinë, Jezui këshillon Martën ngaqë është tepër në merak për gjërat materiale: «Ah, Martë, moj Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një. Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe ajo pjesë do të mbetet e saja.» (Luka 10:41, 42) Jezui e bën të qartë se nuk ka nevojë të kalosh tepër kohë për të përgatitur gatime të shumta. Mjafton një vakt i thjeshtë.
Motivet e Martës janë të mira. Ajo dëshiron të tregojë mikpritje, por duke qenë në ankth për të përgatitur vaktin, po humbet mësime të çmuara nga vetë Biri i Perëndisë. Jezui thekson se Maria ka bërë një zgjedhje të mençur, falë së cilës ajo do të nxjerrë dobi gjatë gjithë jetës. Ky është një mësim i vlefshëm edhe për ne.
Në një rast tjetër, Jezui jep një mësim po aq të rëndësishëm. Një dishepull e pyet: «Zotëri, na mëso si të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni dishepujt e vet.» (Luka 11:1) Jezui tashmë e ka bërë këtë para një viti e gjysmë, gjatë Predikimit në Mal. (Mateu 6:9-13) Por, ndoshta ky dishepull nuk ka qenë i pranishëm, ndaj Jezui përsërit pikat kryesore. Pastaj bën një ilustrim që thekson sa e rëndësishme është të ngulmosh në lutje.
«Ta zëmë se keni një mik dhe shkoni tek ai në mes të natës e i thoni: ‘O mik, më jep hua tri bukë, sepse sapo më erdhi një shok nga një udhëtim dhe s’kam ç’t’i nxjerr.’ Por ai ju përgjigjet nga brenda: ‘Mos më shqetëso më! Tashmë e kam mbyllur derën dhe fëmijët janë në shtrat me mua. Nuk çohem dot për të të dhënë ndonjë gjë.’ E pra, unë po ju them se edhe po të mos çohet që t’ju japë ndonjë gjë për hir të miqësisë, me siguri do të ngrihet dhe do t’ju japë çfarë t’ju nevojitet ngaqë këmbëngulët fort.»—Luka 11:5-8.
Jezui nuk po nënkupton se Jehovai s’është i gatshëm t’u përgjigjet lutjeve, si në rastin e këtij miku. Por po tregon se, nëse një mik që s’është i gatshëm të ndihmojë, u përgjigjet kërkesave të përsëritura, aq më shumë Ati ynë i dashur do t’u përgjigjet përgjërimeve të sinqerta të shërbëtorëve besnikë. Jezui vijon: «Prandaj po ju them: vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet, sepse kush kërkon, merr, kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.»—Luka 11:9, 10.
Më pas, Jezui thekson pikën duke bërë një krahasim me baballarët njerëzorë: «Cili është ai baba që, po t’i kërkojë i biri një peshk, i jep një gjarpër në vend të peshkut? Apo, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep? Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati që është në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.» (Luka 11:11-13) Çfarë sigurie e jashtëzakonshme të dimë që Ati ynë është i gatshëm të na dëgjojë dhe të na plotësojë nevojat!