Kapitulli 82
Jezui niset përsëri për në Jerusalem
SHPEJT, Jezui gjendet përsëri në rrugë, duke mësuar nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat. Me sa duket, ai ndodhet në krahinën e Peresë, në anën tjetër të lumit Jordan, kundrejt Judesë. Por destinacioni i tij është Jerusalemi.
Filozofia judease, sipas të cilës vetëm një numër i kufizuar do të meritojë shpëtimin, është ndoshta ajo që e nxit një burrë të pyesë: «Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?» Me përgjigjen e tij, Jezui i detyron njerëzit të mendojnë mbi atë që nevojitet për shpëtimin: «Përpiquni fuqimisht [domethënë, luftoni, mundohuni] të hyni nëpër derën e ngushtë.»—BR.
Një përpjekje e tillë e fuqishme është urgjente sepse, siç vazhdon Jezui, «shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden». Po përse nuk do të munden? Ai shpjegon se «kur i zoti i shtëpisë të jetë çuar e të ketë mbyllur derën dhe ata që kanë mbetur jashtë të fillojnë të trokasin, duke thënë: ‘Zot, na e hap’, ai do të përgjigjet: ‘Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë ju të gjithë që bëni paudhësi.’».
Ata që mbeten jashtë, me sa duket, kanë ardhur vetëm kur u ka leverdisur atyre. Por në atë kohë dera e mundësisë është mbyllur dhe i është vënë llozi. Për të hyrë brenda, ata duhet të kishin ardhur më parë, edhe pse kjo mund të mos ketë qenë e volitshme për ta. Në të vërtetë, ata që e shtyjnë për më vonë bërjen e adhurimit të Jehovait qëllimin kryesor në jetë, i pret një fund i trishtueshëm!
Judenjtë, te të cilët Jezui është dërguar që të shërbejë, në pjesën më të madhe nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë e mrekullueshme që u është dhënë, për të pranuar mjetin e siguruar nga Perëndia për shpëtim. Prandaj, Jezui thotë se ata do të qajnë dhe do të kërcëllojnë dhëmbët, kur të flaken jashtë. Nga ana tjetër, njerëz «nga lindja dhe nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu», po, nga të gjitha kombet, «do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë».
Jezui vazhdon: «Dhe ja, disa ndër të fundit [jojudenjtë e përçmuar si dhe judenjtë që janë të shtypur] do të jenë të parët dhe disa nga të parët [judenjtë e privilegjuar në kuptimin material dhe fetar] do të jenë të fundit.» Fakti që do të jenë të fundit, do të thotë se këta njerëz të plogët dhe mosmirënjohës, nuk do të jenë fare në Mbretërinë e Perëndisë.
Tani, disa farisenj vijnë te Jezui dhe i thonë: «Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi [Antipa] do të të vrasë.» Ka mundësi që të jetë vetë Herodi ai që ka përhapur këto thashetheme, me qëllim që ta detyrojë Jezuin të largohet nga territori. Herodi mund të ketë pasur frikë se mos përfshihej në vrasjen e një profeti tjetër të Perëndisë, siç u përfshi në vrasjen e Gjon Pagëzuesit. Por Jezui u thotë farisenjve: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: ‘Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe po kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime.’»
Pasi përfundon veprën e tij atje, Jezui vazhdon udhëtimin drejt Jerusalemit, sepse siç shpjegon ai, «nuk është e pranueshme që një profet të shkatërrohet jashtë Jerusalemit». (BR) Përse duhet pritur që Jezui të vritet në Jerusalem? Sepse Jerusalemi është kryeqyteti, vendi ku gjendet Sinedri, gjykata e lartë e përbërë nga 71 anëtarë dhe ku ofrohen flijimet e kafshëve. Prandaj, do të ishte e papranueshme që «Qengji i Perëndisë» të vritej në një vend tjetër, të ndryshëm nga Jerusalemi.
«Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar!—rënkon Jezui.—Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu, sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë.» Për arsye se ka hedhur poshtë Birin e Perëndisë, kombi është dënuar!
Ndërsa Jezui vazhdon rrugën drejt Jerusalemit, një prej krerëve të farisenjve e fton në shtëpinë e tij. Është ditë e shtunë dhe njerëzit po e shikojnë me kujdes, pasi i pranishëm është një njeri që vuan nga hidropizia, një grumbullim i lëngjeve të trupit, ndoshta në këmbë dhe në krahë. Jezui u drejtohet farisenjve dhe ekspertëve të Ligjit që janë të pranishëm, duke i pyetur: «A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?»
Askush nuk thotë as edhe një fjalë. Kështu, Jezui e shëron njeriun dhe e lë të shkojë. Pastaj pyet: «Cili prej jush, nëse i bie i biri ose kau në një pus nuk do ta nxjerrë menjëherë jashtë ditën e shtunë?» (BR) Por përsëri, askush nuk thotë as edhe një fjalë për t’u përgjigjur. Luka 13:22–14:6; Gjoni 1:29.
▪ Çfarë tregon Jezui se nevojitet për shpëtim dhe përse shumë mbeten jashtë?
▪ Kush janë «të fundit» që bëhen të parët dhe «të parët» që bëhen të fundit?
▪ Përse, ndoshta, thuhej se Herodi donte ta vriste Jezuin?
▪ Përse nuk është e pranueshme që një profet të shkatërrohet jashtë Jerusalemit?