KAPITULLI 93
Biri i njeriut do të shfaqet
MBRETËRIA ËSHTË MES TYRE
ÇFARË DO TË NDODHË KUR TË SHFAQET JEZUI?
Jezui është ose në Samari, ose në Galile kur farisenjtë e pyesin për ardhjen e Mbretërisë. Sipas tyre ajo do të jetë një ngjarje madhështore dhe pompoze. Por Jezui u thotë: «Mbretëria e Perëndisë nuk do të bjerë në sy kur të vijë dhe as do të thuhet: ‘Shikoni, është këtu!’ ose ‘Shikoni, është atje!’, sepse ja, Mbretëria e Perëndisë është mes jush.»—Luka 17:20, 21.
Sipas disave Jezui po thotë se Mbretëria është në zemrën e shërbëtorëve të Perëndisë. Por kjo ide nuk është e saktë, pasi në këtë rast Jezui po flet me farisenjtë, dhe është e pamundur që Mbretëria të jetë në zemrën e tyre. E megjithatë, është mes tyre, sepse aty është vetë Mbreti i zgjedhur i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui.—Mateu 21:5.
Ka mundësi që, kur ikin farisenjtë, Jezui u jep dishepujve më tepër detaje për ardhjen e Mbretërisë. Duke folur për ardhjen e tij si Mbret, fillimisht jep këtë paralajmërim: «Do të vijë koha kur do të doni të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni dot.» (Luka 17:22) Jezui po tregon se Biri i njeriut do të ushtrojë autoritetin e tij si Mbret i Mbretërisë në të ardhmen. Mbase disa dishepuj të merakosur duan të dinë kur do të vijë Biri i njeriut, megjithatë u duhet të presin kohën e caktuar nga Perëndia.
Jezui vazhdon: «Do t’ju thonë: ‘Shikoni, është atje!’ ose ‘Shikoni, është këtu!’, por ju mos dilni dhe mos shkoni pas tyre, sepse ashtu si vetëtima ndriçon nga njëra anë e qiellit në tjetrën, ashtu do të jetë Biri i njeriut atë ditë.» (Luka 17:23, 24) Çfarë do t’i ndihmojë dishepujt të mos ndjekin mesí të rremë? Jezui e krahasoi ardhjen e Mesisë së vërtetë me një vetëtimë që shihet në një zonë shumë të gjerë. Dëshmitë e pranisë së tij si Mbret i Mbretërisë do të jenë të qarta për të gjithë.
Pastaj, Jezui përmend shembuj nga e kaluara që të tregojë ç’lloj qëndrimi do të kenë njerëzit në atë kohë: «Ashtu si ndodhi në ditët e Noesë, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të njeriut: . . . Do të jetë njësoj si ndodhi në ditët e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin. Por ditën që Loti doli nga Sodoma, nga qielli ra zjarr e squfur dhe i shkatërroi të gjithë. Po kështu do të jetë edhe ditën kur të shfaqet Biri i njeriut.»—Luka 17:26-30.
Jezui nuk po thotë se bashkëkohësit e Noesë dhe të Lotit u shkatërruan ngaqë kryenin aktivitete normale të jetës, si ngrënia, pirja, shitblerja, mbjellja dhe ndërtimi. Edhe Noeja dhe Loti bënë disa prej këtyre gjërave. Problemi ishte se ata njerëz nuk i kushtuan vëmendje vullnetit të Perëndisë dhe shpërfillën rëndësinë e kohës në të cilën jetonin. Për këtë arsye, Jezui po i paralajmëron dishepujt t’i kushtojnë vëmendje dhe ta kryejnë plotësisht vullnetin e Perëndisë. Kështu do të shpëtojnë jetën kur Perëndia të sjellë shkatërrimin e parathënë.
Dishepujt duhet të bëjnë çmos të mos shpërqendrohen nga gjërat që ofron bota, pra nga ‘gjërat që kanë lënë pas’. Jezui thotë: «Atë ditë, ai që është në tarracë, por që të mirat i ka në shtëpi, të mos zbresë për t’i marrë. Edhe ai që është në fushë, të mos kthehet te gjërat që ka lënë pas. Kujtoni gruan e Lotit!» (Luka 17:31, 32) Ajo u kthye në shtyllë kripe.
Duke përshkruar situatën kur Biri i njeriut të qeverisë si Mbret, Jezui u thotë dishepujve: «Unë po ju them se atë natë dy veta do të jenë në një shtrat: njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.» (Luka 17:34) Pra, disa do të shpëtojnë, kurse të tjerë do të lihen, domethënë do të humbasin jetën.
Tani dishepujt e pyesin: «Ku, Zotëri?» Jezui u përgjigjet: «Ku të jetë kërma, atje do të mblidhen edhe shqiponjat.» (Luka 17:37) Po, disa dishepuj do të jenë largpamës si shqiponjat e do të mblidhen rreth Krishtit, Birit të njeriut. Në atë kohë, Jezui do t’u japë të vërteta jetëshpëtuese të gjithë atyre që tregojnë besim tek ai.