Besoni te Jehovai, Perëndia që është real!
A e keni vështruar ndonjëherë qiellin në një natë pa re dhe keni parë me qindra yje? Si e shpjegoni ekzistencën e tyre?
NË QETËSINË e natës, yjet i folën mbretit David të Izraelit të lashtë, duke e shtyrë që të shkruante: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.» (Psalmi 19:1) Po, Krijuesi e jo krijimi është i denjë ‘të marrë lavdinë, nderimin dhe fuqinë’.—Zbulesa 4:11; Romakëve 1:25.
«Ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia»,—thotë Bibla. (Hebrenjve 3:4) Pikërisht, Perëndia i vërtetë, ‘që e ka emrin Jehova, është Më i Larti në tërë dheun’. (Psalmi 83:18, BR) Ai nuk është një iluzion ose mirazh. Jezu Krishti tha për Atin e tij qiellor, Jehovain: «Ai që më dërgoi është real.»—Gjoni 7:28.
Jehovai—Përmbushësi i qëllimeve të veta
Emri i pashoq i Perëndisë, Jehova, shfaqet pothuajse 7.000 herë vetëm në Shkrimet Hebraike. Vetë ky emër thekson faktin se ai është real. Fjalë për fjalë, emri i Perëndisë ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Pra, Perëndia Jehova e identifikon veten si Përmbushësi i qëllimeve të veta. Kur Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin, Jehovai e shtjelloi kuptimin e emrit të tij në këtë mënyrë: «Unë do të tregoj se jam ai që do të tregoj se jam.» (Dalja [Eksodi] 3:14, BR) Përkthimi i Rotherhamit thotë në mënyrë të qartë: «Unë do të bëhem gjithçka që dua.» Jehovai tregon se është ose zgjedh të bëhet çfarëdo që është e nevojshme për t’i bërë realitet qëllimet dhe premtimet e tij të drejta. Kështu, ai mban një numër marramendës titujsh, si për shembull: Krijues, Atë, Zotëri Sovran, Bari, Jehovai i ushtrive, Dëgjuesi i lutjes, Gjykatës, Mësuesi i Madh, Shpengues.—Gjykatësit 11:27; Psalmi 23:1; 65:2; 73:28; 89:26; Isaia 8:13; 30:20; 40:28; 41:14.
Vetëm Perëndia i vërtetë mund ta mbajë me të drejtë emrin Jehova, sepse njerëzit nuk mund të jenë kurrë të sigurt që planet e tyre do të kenë sukses. (Jakovit 4:13, 14) Vetëm Jehovai mund të thotë: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:10, 11.
Jehovai e përmbush qëllimin e tij me një siguri të tillë, saqë edhe ajo që mund t’u duket joreale njerëzve është reale nga këndvështrimi i tij. Shumë kohë pasi Abrahami, Isaku dhe Jakobi kishin vdekur, Jezui i përmendi këta dhe tha: «Ai [Jehovai] nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:37, 38) Të tre patriarkët besnikë kishin vdekur, por qëllimi i Perëndisë për t’i ringjallur ishte aq i sigurt se do të përmbushej, saqë për të ata ishin më se të gjallë. T’i sjellë përsëri në jetë këta shërbëtorë besnikë të lashtësisë, për Jehovain nuk është më e vështirë se të krijonte njeriun e parë nga pluhuri i tokës.—Zanafilla 2:7.
Apostulli Pavël na jep një shembull tjetër se si Perëndia shkakton përmbushjen e asaj që vë si qëllim. Në Shkrime, Abrahami quhet ‘atë i shumë kombeve’. (Romakëve 4:16, 17) Kur Abrami ishte ende pa fëmijë, Jehovai ia ndryshoi emrin në Abraham, që do të thotë «Atë i një shumice (turme)». Jehovai bëri që domethënia e atij emri të bëhej realitet, duke ia rikthyer me një mrekulli aftësitë riprodhuese Abrahamit të moshuar dhe gruas së tij gjithashtu të moshuar, Sarës.—Hebrenjve 11:11, 12.
I pajisur me shumë fuqi dhe autoritet, Jezu Krishti foli për realitetet nga një pikëpamje më e lartë se ajo e njerëzve. Ndonëse miku i tij i ngushtë Lazari kishte vdekur, Jezui u tha dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, por unë po marr udhën për atje që ta zgjoj nga gjumi.» (Gjoni 11:11) Përse Jezui foli për një të vdekur sikur ta kishte zënë thjesht gjumi?
Kur arriti në qytetin e lindjes së Lazarit, në Bethani, Jezui shkoi te varri dhe urdhëroi që të hiqej guri që mbyllte hyrjen e varrit. Pasi u lut me zë të lartë, ai urdhëroi: «Lazar, eja jashtë!» E ndërsa sytë e të pranishmëve ishin fiksuar te varri, «ai që kishte qenë i vdekur doli me këmbët dhe duart të lidhura me rripa pëlhure dhe fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure». Atëherë Jezui tha: «Zgjidheni dhe lëreni të ikë.» (Gjoni 11:43, 44) Jezui e ringjalli Lazarin, duke rikthyer në jetë një njeri që kishte katër ditë i vdekur! Krishti nuk tha një gjë të pavërtetë kur komentoi se miku i tij po flinte. Nga këndvështrimi i Jehovait dhe i Jezuit, Lazari i vdekur ishte sikur vetëm ta kishte zënë gjumi. Po, Jezui dhe Ati i tij qiellor interesohen për gjëra reale.
Jehovai mund t’i bëjë realitet shpresat tona
Çfarë dallimi që ekziston ndërmjet idhujve mashtrues dhe Perëndisë real! Adhuruesit e idhujve në mënyrë të gabuar i quajnë objektet që adhurojnë sikur kanë fuqi të mbinatyrshme. Gjithsesi, sado nderim të thellë që t’u bëjnë, ai nuk mund t’u japë aftësi mrekullibërëse këtyre idhujve. Nga ana tjetër, Perëndia Jehova, me të drejtë, mund të flasë për shërbëtorët e tij sikur të jenë gjallë, edhe pse kanë shumë kohë që kanë vdekur, pasi është në gjendje t’u japë përsëri jetën. «Jehovai është në të vërtetë Perëndi» dhe nuk e mashtron kurrë popullin e tij.—Jeremia 10:10, BR.
Sa ngushëlluese është të dimë se, në kohën e duhur sipas tij, Jehovai do t’i ringjallë e do t’i kthejë në jetë të vdekurit që janë në kujtesën e tij! (Veprat 24:15) Po, ringjallja përfshin rikthimin e modelit të jetës së individit. Të mbajë mend modelet e jetës së të vdekurve dhe t’i ringjallë ata nuk është problem për Krijuesin, i cili është i pafund në mençuri dhe në fuqi. (Jobi 12:13; Isaia 40:26) Meqë Jehovai ka me bollëk dashuri, do ta përdorë kujtesën e tij të përsosur për t’i sjellë të vdekurit përsëri në jetë, në një tokë parajsore, me atë personalitet që kishin para se të vdisnin.—1 Gjonit 4:8.
Ndërkohë që fundi i botës së Satanait afrohet, e ardhmja është me siguri e shkëlqyer për ata që kanë besim te Perëndia i vërtetë. (Fjalët e urta 2:21, 22; Danieli 2:44; 1 Gjonit 5:19) Psalmisti na siguron: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; . . . por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) Krimet dhe dhuna do të jenë gjëra të së kaluarës. Drejtësia do të triumfojë dhe vështirësitë ekonomike do të zhduken. (Psalmi 37:6; 72:12, 13; Isaia 65:21-23) Çdo gjurmë e diskriminimit shoqëror, racor, fisnor dhe etnik do të fshihet. (Veprat 10:34, 35) Luftërat dhe armët e luftës nuk do të ekzistojnë më. (Psalmi 46:9) Në atë kohë, «asnjë banor . . . nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Të gjithë do të gëzojnë shëndet të përsosur e rrëzëllues. (Zbulesa 21:3, 4) Parajsa në tokë do të bëhet së shpejti realitet. Jehovai e ka vënë si qëllim këtë!
Po, të gjitha shpresat e bazuara në Bibël do të përmbushen së shpejti. Përse duhet ta lejojmë veten të mashtrohemi nga ajo që hyjnizohet në këtë botë, kur mund të kemi plotësisht besim te Jehovai? Vullneti i tij është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:3, 4) Në vend që t’ua kushtojmë kohën dhe burimet financiare iluzioneve ose mirazheve të këtij sistemi dhe perëndive të tij, le të rritemi në njohurinë e Perëndisë që është real dhe të besojmë tek ai me gjithë zemër.—Fjalët e urta 3:1-6; Gjoni 17:3.
[Figura në faqen 6]
Nga këndvështrimi i Jehovait dhe i Jezuit, Lazarin vetëm sa e kishte zënë gjumi
[Figurat në faqen 7]
Parajsa në tokë do të bëhet realitet së shpejti