KAPITULLI 66
Në Jerusalem për Festën judeje të Tabernakujve
JEZUI MËSON NË TEMPULL
Që pas pagëzimit, fama e Jezuit është rritur gjithnjë e më shumë. Mijëra judenj kanë parë mrekullitë e tij, dhe fjala për to ka marrë dhenë. Tani, në Festën judeje të Tabernakujve (ose të Kasolleve) në Jerusalem, po e kërkojnë shumë veta.
Opinionet e njerëzve për Jezuin janë shumë kontradiktore. Disa thonë: «Është njeri i mirë.» Të tjerë: «Jo, ai mashtron njerëzit.» (Gjoni 7:12) Shumë nga këto biseda nën zë bëhen gjatë ditëve të para të festës. Mirëpo, askush nuk guxon të dalë hapur në favor të tij nga frika si do të reagojnë krerët judenj.
Kur kalon gjysma e festës, Jezui shfaqet në tempull. Shumë mahniten nga aftësia e tij e jashtëzakonshme për të mësuar të tjerët. Ai s’ka ndjekur kurrë shkollat rabinike, prandaj judenjtë vrasin mendjen: «Si ka mundësi që ky njeri ka kaq shumë njohuri për Shkrimet kur nuk ka studiuar në shkolla?!»—Gjoni 7:15.
«Ajo që mësoj, nuk është imja,—shpjegon Jezui,—por i përket atij që më dërgoi. Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, do ta kuptojë nëse mësimi vjen nga Perëndia apo nëse flas nga vetja.» (Gjoni 7:16, 17) Mësimet e Jezuit janë në harmoni me Ligjin e Perëndisë, e kjo mjafton për të treguar qartë se ai po kërkon lavdinë e Perëndisë, jo të vetën.
Pastaj Jezui thotë: «A nuk jua dha Moisiu Ligjin? Por as edhe një nga ju nuk i bindet Ligjit. Pse kërkoni të më vritni, atëherë?» Disa nga turma, me sa duket vizitorë nga jashtë Jerusalemit, nuk janë në dijeni të këtyre orvatjeve. Për ta është e pakonceptueshme që dikush të dëshirojë të vrasë një mësues si ai. Prandaj nxjerrin përfundimin se duhet të ketë diçka që s’shkon me Jezuin. Ata thonë: «Ti ke një demon. E kush po kërkon të të vrasë?!»—Gjoni 7:19, 20.
Në të vërtetë, një vit e gjysmë më parë, krerët judenj donin ta vritnin Jezuin pasi kishte shëruar një burrë në Sabat. Tani Jezui përdor një linjë logjike që të fut në mendime dhe demaskon paarsyetueshmërinë e tyre. Ai ua drejton vëmendjen te fakti se, sipas Ligjit, një djalë i sapolindur duhet të rrethpritet ditën e tetë, edhe nëse qëllon Sabat. Pastaj pyet: «Përderisa dikush rrethpritet edhe në Sabat që të mos shkelet Ligji i Moisiut, si mund të tërboheni me mua ngaqë shërova një njeri në Sabat? Mos gjykoni më nga ajo që duket, por gjykoni me drejtësi.»—Gjoni 7:23, 24.
Banorët e Jerusalemit që e dinë se krerët judenj janë përpjekur ta vrasin Jezuin, thonë: «A nuk është ky ai që [krerët] po kërkojnë të vrasin? E prapëseprapë, ai flet në sytë e të gjithëve dhe ata nuk i thonë gjë. Mos janë të sigurt krerët se ky është Krishti?» Pse atëherë nuk e besojnë që Jezui është Krishti? Ata thonë: «Ne e dimë fare mirë nga është ky njeri. Por, kur të vijë Krishti, askush s’ka për ta ditur nga është.»—Gjoni 7:25-27.
Atje në tempull, Jezui përgjigjet: «Ju më njihni dhe e dini nga jam. Unë nuk erdha me nismën time, por ai që më dërgoi, është real dhe ju nuk e njihni. Unë e njoh atë, sepse jam përfaqësues i tij dhe pikërisht Ai më dërgoi.» (Gjoni 7:28, 29) Kur dëgjojnë këtë deklaratë kaq të qartë, tentojnë ta kapin, që ta burgosin ose ta vrasin. Mirëpo dështojnë, sepse nuk ka ardhur ende koha që Jezui të vdesë.
Por shumë njerëz tregojnë besim te Jezui ngaqë ka bërë shumë vepra të mrekullueshme: eci mbi ujë, qetësoi erën, ushqeu mijëra veta me pak bukë e peshq, shëroi të sëmurë, të çalë, të verbër, të lebrosur dhe madje ringjalli të vdekur. Natyrshëm u vjen në mendje pyetja: «Kur të vijë Krishti, mos do të kryejë më shumë mrekulli nga sa ka bërë ky njeri?!»—Gjoni 7:31.
Kur farisenjtë dëgjojnë këto fjalë nga turma, bashkë me krerët e priftërinjve dërgojnë roja për ta arrestuar Jezuin.