Edhe pse të hidhëruar, ne nuk jemi pa shpresë
«Nuk duam që të jeni në mosdije për sa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.»—1. SELANIKASVE 4:13.
1. Çfarë po provon tashmë rregullisht njerëzimi?
A TË ka vdekur ndonjë njeri i dashur? Pavarësisht nga mosha, shumë prej nesh jemi trishtuar nga vdekja e një të afërmi apo miku. Mund të ketë qenë gjyshi, prindi, bashkëshorti apo fëmija. Mosha e vjetër, sëmundjet dhe aksidentet shkaktojnë vazhdimisht vdekje. Krimet, dhuna dhe lufta shtojnë mjerimet e hidhërimet. Çdo vit nëpër botë vdesin mesatarisht mbi 50 milionë njerëz. Mesatarja ditore në vitin 1993 ishte 140.250. Vdekja prek miqtë dhe familjet dhe ndjenja e humbjes është e thellë.
2. Çfarë është e panatyrshme në lidhje me vdekjen e fëmijëve?
2 A mund të mos bashkohemi me dhimbjen e atyre prindërve në Kaliforni, SHBA, të cilët papritur e në mënyrë tragjike humbën vajzën e tyre shtatzënë në një aksident me makinë. Përnjëherësh, ata humbën vajzën e vetme dhe foshnjen që do të bëhej nipçja i tyre i parë. I shoqi i viktimës humbi gruan dhe djalin apo vajzën e tij të parë. Për prindërit, vdekja e fëmijës, qoftë ende i ri apo edhe i madh, është disi e panatyrshme. Nuk është normale që fëmijët të vdesin përpara prindërve. Të gjithë ne e duam jetën. Prandaj, vdekja është me të vërtetë një armike.—1. Korintasve 15:26.
Vdekja hyn në familjen njerëzore
3. Si mund të ketë ndikuar mbi Adamin dhe Evën vdekja e Abelit?
3 Mëkati e vdekja kanë mbretëruar për më se gjashtë mijë vjet në historinë njerëzore, që nga rebelimi i prindërve tanë të parë njerëzorë, Adamit dhe Evës. (Romakëve 5:14; 6:12, 23) Bibla nuk na thotë se si reaguan ata ndaj vrasjes së djalit të tyre të parë, Abelit, nga i vëllai, Kaini. Për shumë arsye, ajo duhet të ketë qenë një përvojë shkatërrimtare për ta. Aty, për herë të parë, ata e panë me sy vdekjen, të pasqyruar në fytyrën e djalit të tyre. Panë frytin e rebelimit të tyre dhe të keqpërdorimit të vazhdueshëm të vullnetit të lirë. Kaini, pavarësisht nga paralajmërimet e Perëndisë, zgjodhi të kryente vëllavrasjen e parë. Ne e dimë që Eva duhet të jetë ndikuar thellësisht nga vdekja e Abelit, sepse kur lindi Sethin ajo tha: «Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini.»—Zanafilla 4:3-8, 25.
4. Përse miti i shpirtit të pavdekshëm mund të mos ketë qenë ngushëllues pas vdekjes së Abelit?
4 Prindërit tanë të parë panë, gjithashtu, realitetin e dënimit që Perëndia u dha, pra, se ‘do të vdisnin me siguri’ po të rebeloheshin e të tregoheshin të pabindur. Pavarësisht nga gënjeshtra e Satanait, me sa duket miti i shpirtit të pavdekshëm nuk ishte zhvilluar ende në atë kohë, prandaj ata s’mundën të nxirrnin ndonjë ngushëllim të rremë prej tij. Perëndia i kishte thënë Adamit: «Do të . . . rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë, sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» Ai nuk kishte përmendur ndonjë ekzistencë të ardhshme si shpirt i pavdekshëm në qiell, në ferr, në limbo, në purgator apo diku tjetër. (Zanafilla 2:17; 3:4, 5, 19) Si shpirtra të gjallë që kishin mëkatuar, Adami dhe Eva me siguri do të vdisnin e do të pushonin së ekzistuari. Mbreti Solomon u frymëzua për të shkruar: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhet nën diell.»—Eklisiastiu 9:5, 6.
5. Cila është shpresa e vërtetë për të vdekurit?
5 Sa të vërteta janë këto fjalë! Vërtet, kush mund të kujtojë stërgjyshërit që kanë jetuar dy ose treqind vjet më parë? Shpesh, edhe varret e tyre nuk dihen apo ka kohë që s’kujdeset njeri. A do të thotë kjo se për të dashurit tanë të vdekur nuk ka asnjë shpresë? Jo, aspak. Marta i tha Jezuit për vëllanë e saj të vdekur, Lazrin: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) Hebrenjtë besonin se Perëndia do t’i ringjallte të vdekurit në të ardhmen. Megjithatë, kjo nuk i pengoi që të hidhëroheshin nga vdekja e të dashurve të tyre.—Jobi 14:13.
Besnikë që u hidhëruan
6, 7. Si reaguan ndaj vdekjes Abrahami dhe Jakobi?
6 Pothuajse katër mijë vjet më parë, kur vdiq gruaja e Abrahamit, Sara, «Abrahami hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar». Ai shërbëtor besnik i Perëndisë tregoi ndjenjat e tij të thella me vdekjen e gruas së tij të dashur e besnike. Edhe pse ishte një burrë i fortë, ai nuk pati turp për ta shprehur me lot hidhërimin e tij.—Zanafilla 14:11-16; 23:1, 2.
7 Rasti i Jakobit ishte i ngjashëm. Si reagoi ai, kur e mashtruan që të besonte se djali i tij, Jozefi, ishte vrarë nga një kafshë e egër? Në Zanafillën 37:34, 35 lexojmë: «Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë. Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: ‘Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi.’ Kështu e qau i ati.» Po, është sa njerëzore, aq edhe e natyrshme të shprehësh hidhërim kur të vdes një njeri i dashur.
8. Si e shprehnin shpesh hebrenjtë hidhërimin e tyre?
8 Disa mund të mendojnë se sipas normave moderne apo lokale, reagimi i Jakobit ishte i ekzagjeruar dhe dramatik. Por Jakobi ishte rritur në një kohë dhe në një kulturë të ndryshme. Shprehja e tij e hidhërimit, duke u veshur me grathore, është përmendja e parë e kësaj praktike në Bibël. Megjithatë, si përshkruhet në Shkrimet Hebreje, zija shprehej edhe duke vajtuar, duke kompozuar këngë vajtimi dhe duke u ulur mbi hi. Duket që për hebrenjtë nuk ishte e ndaluar të shprehnin sinqerisht hidhërimin.a—Ezekieli 27:30-32; Amosi 8:10.
Hidhërimi në kohët e Jezuit
9, 10. (a) Si reagoi Jezui ndaj vdekjes së Lazrit? (b) Çfarë na tregon mbi Jezuin reagimi i tij?
9 Ç’mund të themi për dishepujt e parë të Jezuit? Për shembull, kur vdiq Lazri, motrat e tij, Marta dhe Marija, qanë për vdekjen e tij me lot e vajtime. Si reagoi njeriu i përsosur, Jezui, kur mbërriti atje? Tregimi i Gjonit thotë: «Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ‘Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.’ Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, psherëtiu në frymë dhe u trondit dhe tha: ‘Ku e keni vënë?’ Ata i thanë: ‘Zot, eja e shih!’ Jezusi qau.»—Gjoni 11:32-35.
10 «Jezui qau.» Këto pak fjalë flasin shumë për humanizmin e Jezuit, për dhembshurinë dhe ndjenjat e tij. Edhe pse plotësisht i vetëdijshëm për shpresën e ringjalljes, «Jezusi derdhi lot». (Gjoni 11:35, ECM) Tregimi vazhdon duke thënë se ata që e panë komentuan: «Shih, sa e donte [Lazrin]!» Sigurisht, përderisa njeriu i përsosur, Jezui, qau për humbjen e një miku, një burrë apo një grua sot s’ka përse të turpërohet nëse mban zi e qan.—Gjoni 11:36.
Çfarë shprese kanë të vdekurit?
11. (a) Ç’mund të mësojmë nga shembujt biblikë në lidhje me hidhërimin? (b) Përse ne nuk hidhërohemi ashtu siç bëjnë ata pa shpresë?
11 Ç’mund të mësojmë nga këta shembuj biblikë? Që është njerëzore dhe e natyrshme të hidhërohemi dhe se nuk duhet të na vijë turp të shfaqim hidhërimin tonë. Edhe pse e zbutur nga shpresa e ringjalljes, vdekja e një njeriu të dashur mbetet akoma një humbje traumatike, të cilën e ndiejmë thellësisht. Vite, ndoshta edhe dekada të një shoqërie e miqësie të ngushtë, mbarojnë papritur e në mënyrë tragjike. Vërtet, ne nuk hidhërohemi ashtu siç bëjnë të pashpresët apo ata me shpresa të rreme. (1. Selanikasve 4:13) Gjithashtu, ne nuk mashtrohemi nga asnjë mit që thotë se njeriu zotëron një shpirt të pavdekshëm apo se vazhdon së ekzistuari me anë të ritrupëzimit. Ne dimë se Jehovai ka premtuar ‘qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët do të banojë drejtësia’. (2. Pjetrit 3:13) Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:4.
12. Si e shprehu Pavli besimin e tij në ringjalljen?
12 Çfarë shprese ka për ata që kanë vdekkur?b Shkrimtari i krishterë, Pavli, u frymëzua për të na dhënë ngushëllim dhe shpresë, kur shkroi: «Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.» (1. Korintasve 15:26) Përkthimi i Dom Simon Filipajt thotë: «Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja.» Përse Pavli mundi të ishte i sigurt për këtë? Sepse ai ishte bërë i krishterë dhe ishte mësuar nga një person që ishte ngritur nga vdekja, Jezu Krishti. (Veprat 9:3-19) Për këtë arsye Pavli mundi të thoshte gjithashtu: «Ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu [Adamit], kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu [Jezuit]. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.»—1. Korintasve 15:21, 22.
13. Si reaguan dëshmitarët okularë ndaj ringjalljes së Lazrit?
13 Mësimet e Jezuit na japin ngushëllim të madh dhe shpresë për të ardhmen. Për shembull, çfarë bëri ai në rastin e Lazrit? Shkoi në varrin ku trupi i Lazrit dergjej prej katër ditësh. Bëri një lutje dhe «mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ‘Llazar, eja jashtë!’ Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ‘Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!’» A mund të imagjinosh habinë dhe gëzimin mbi fytyrën e Martës e të Marijes? Sa të habitur duhet të kenë qenë fqinjët, kur kanë parë mrekullinë! Nuk habitemi, pra, që shumë nga ata që e panë besuan në Jezuin. Megjithatë, armiqtë e tij fetarë «vendosën ta vrasin».—Gjoni 11:41-53.
14. Ringjallja e Lazrit ishte një pjesë e vogël e çfarë gjëje?
14 Jezui e kreu atë ringjallje të paharrueshme përpara shumë dëshmitarëve okularë. Ajo ishte një pjesë e vogël e ringjalljes së ardhshme, për të cilën ai kishte folur në një rast të mëparshëm, kur tha: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij [të Birit të Perëndisë] dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.»—Gjoni 5:28, 29.
15. Çfarë dëshmie kishin Pavli dhe Anania për ringjalljen e Jezuit?
15 Siç u përmend edhe më parë, apostulli Pavël besonte në ringjalljen. Mbi ç’baza? Më parë ai kishte qenë Sauli famëkeq, persekutues i të krishterëve. Emri dhe fama e tij përhapnin frikë midis besimtarëve. Mbi të gjitha, a nuk ishte ai që miratoi vrasjen me gurë të martirit të krishterë, Stefanit? (Veprat 8:1; 9:1, 2, 26) Megjithatë, rrugës për në Damask, Krishti i ringjalluar e solli Saulin në vete, duke e goditur përkohësisht me verbërinë. Sauli dëgjoi një zë t’i thoshte: «‘Saul, Saul, përse më përndjek?’ Dhe ai tha: ‘Kush je, Zot?’ Dhe Zoti tha: ‘Unë jam Jezusi, që ti e përndjek.’» Po ai Jezu i ringjallur, e udhëzoi Ananian që banonte në Damask, të shkonte në shtëpinë ku Sauli po lutej dhe t’i rikthente pamjen. Prandaj, nga përvojat personale, Sauli dhe Anania kishin të gjitha arsyet për të besuar në ringjalljen.—Veprat 9:4, 5, 10-12.
16, 17. (a) Nga e dimë se Pavli nuk besonte në konceptin grek të pavdekësisë së trashëguar të shpirtit njerëzor? (b) Çfarë shprese të fortë na jep Bibla? (Hebrenjve 6:17-20)
16 Shiko se si u përgjigj Sauli, apostulli Pavël, kur si një i krishterë i persekutuar gjendej përpara guvernatorit Feliks. Në Veprat 24:15 lexojmë: «Kam shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» Është e dukshme se Pavli nuk besonte në konceptin pagan të pavdekësisë së trashëguar të shpirtit njerëzor, i cili mendohet se kalon në ndonjë jetë të përtejme mitologjike apo në botën e poshtme. Ai besonte dhe ua mësoi edhe të tjerëve besimin në ringjalljen. Për disa, kjo do të thoshte të merrnin dhuratën e jetës së pavdekshme si krijesa frymore në qiell me Krishtin, ndërsa për shumicën një rikthim në jetë mbi një tokë të përsosur.—Luka 23:43; 1. Korintasve 15:20-22, 53, 54; Zbulesa 7:4, 9, 17; 14:1, 3.
17 Bibla, pra, na jep një premtim të qartë dhe një shpresë të fortë se me anë të ringjalljes shumë veta do të rishikojnë njerëzit e tyre të dashur përsëri këtu, mbi tokë, por në rrethana krejt të ndryshme.—2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.
Ndihmë praktike për të hidhëruarit
18. (a) Cili mjet i dobishëm doli në kongreset «Frikë Perëndie»? (Shiko kutinë.) (b) Cilat pyetje kërkojnë tashmë përgjigje?
18 Tani, ne kemi kujtimet tona dhe hidhërimet tona. Ç’mund të bëjmë për të mbijetuar gjatë periudhës së vështirë të hidhërimit? Ç’mund të bëjnë të tjerët për të ndihmuar të hidhëruarit? Për më tepër, çfarë mund të bëjmë ne për të ndihmuar njerëzit e sinqertë që hasim në shërbim, të cilët janë pa asnjë shpresë të vërtetë e të hidhëruar? Çfarë ngushëllimi mund të nxjerrim akoma nga Bibla, në lidhje me të dashurit tanë që kanë rënë në gjumin e vdekjes? Artikulli vijues do të ofrojë disa sugjerime.
[Shënimet]
a Për më shumë informata në lidhje me mbajtjen e zisë në kohët biblike, shiko Insight on the Scriptures, volumi 2, faqe 446-447, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Për më tepër informata mbi shpresën e ringjalljes, shiko Insight on the Scriptures, volumi 2, faqe 783-793, angl.
A mund të përgjigjesh?
◻ Përse mund të themi se vdekja është një armike?
◻ Si e shfaqën hidhërimin e tyre shërbëtorët e Perëndisë në kohët biblike?
◻ Çfarë shprese ka për të dashurit tanë të vdekur?
◻ Çfarë baze kishte Pavli për të besuar në ringjalljen?
[Kutia në faqet 8, 9]
Ndihmë praktike për të hidhëruarit
Në kongreset «Frikë Perëndie», që u mbajtën gjatë 1994-95, Shoqata Watch Tower lajmëroi daljen e një broshure të re, të titulluar Kur të vdes një njeri i dashur. Ky botim inkurajues është bërë për t’u sjellë ngushëllim njerëzve të të gjitha kombeve e gjuhëve. Siç mund të kesh parë tashmë, ajo paraqet shpjegimin e thjeshtë që i bën Bibla vdekjes dhe gjendjes së të vdekurve. Por më e rëndësishmja, ajo nënvizon premtimin e Perëndisë, me anë të Krishtit Jezu, për një ringjallje në jetë mbi një tokë të pastër e parajsore. Ajo u sjell me të vërtetë ngushëllim atyre që mbajnë zi. Prandaj, duhet të jetë një mjet i dobishëm në shërbimin e krishterë dhe duhet të shërbejë për të nxitur interesin, duke sjellë si rezultat edhe më shumë studime biblike. Pyetjet për studim janë vendosur në mënyrë të arsyeshme në kutitë në fund të çdo pjese, në mënyrë që të mund të bëhet një rishikim i thjeshtë i pikave të trajtuara, me njerëzit e sinqertë e të pikëlluar.
[Figura në faqen 8]
Kur vdiq Lazri, Jezui qau
[Figura në faqen 9]
Jezui e ngriti Lazrin nga të vdekurit
[Burimi i figurës në faqen 7]
Zija e parë, nga W. Bouguereau, nga pllaka origjinale fotografike e Fotodramës së krijimit, 1914