KAPITULLI 137
Qindra veta e shohin Jezuin para Festës së Ditës së Pesëdhjetë
MATEU 28:16-20 LUKA 24:50-52 VEPRAT 1:1-12; 2:1-4
JEZUI U SHFAQET SHUMË VETAVE
NGJITET NË QIELL
JEZUI DERDH FRYMËN E SHENJTË MBI 120 DISHEPUJ
Pas ringjalljes, Jezui u thotë 11 apostujve që të shkojnë te një mal në Galile për ta takuar. Atje kanë vajtur edhe rreth 500 dishepuj të tjerë, disa prej të cilëve janë dyshues në fillim. (Mateu 28:17; 1 Korintasve 15:6) Por ajo që u thotë Jezui tani, u heq çdo fije dyshimi që ai është vërtet gjallë.
Jezui shpjegon se Perëndia i ka dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë. Prandaj i nxit: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:18-20) Po, Jezui jo vetëm që është gjallë, por edhe dëshiron akoma që lajmi i mirë të predikohet.
Caktimin për të bërë dishepuj, Jezui ua jep gjithë dishepujve të tij, qofshin burra, gra a fëmijë. Kundërshtarët mund të përpiqen ta ndalin veprën e predikimit dhe të mësimdhënies, ama Jezui i siguron: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» Çfarë nënkupton kjo për dishepujt e tij? Ai u shpjegon: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» Jezui nuk thotë se të gjithë ata që marrin pjesë në veprën e predikimit të lajmit të mirë, do të kenë fuqi për të bërë mrekulli. Megjithatë, do të kenë ndihmën e frymës së shenjtë.
Pas ringjalljes, Jezui u shfaqet dishepujve të tij herë pas here «për 40 ditë», me trupa të ndryshëm fizikë. Gjatë kësaj kohe, u vërteton se është gjallë «me shumë prova bindëse» dhe u flet «rreth Mbretërisë së Perëndisë».—Veprat 1:3; 1 Korintasve 15:7.
Me sa duket, kur apostujt janë ende në Galile, Jezui i udhëzon të kthehen në Jerusalem. Kur i takon në qytet, u thotë: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por rrini në pritje të asaj që premtoi Ati, të cilën e dëgjuat nga unë, sepse vërtet Gjoni pagëzoi me ujë, por, pas pak ditësh, ju do të pagëzoheni me frymë të shenjtë.»—Veprat 1:4, 5.
Më vonë Jezui i takon sërish apostujt. ‘I nxjerr jashtë qytetit dhe i çon deri në Betani’, që ndodhet në shpatin lindor të Malit të Ullinjve. (Luka 24:50) Pavarësisht nga të gjitha gjërat që u ka thënë Jezui për largimin e tij, dishepujt akoma besojnë se në një farë mënyre Mbretëria e tij do të jetë në tokë.—Luka 22:16, 18, 30; Gjoni 14:2, 3.
Apostujt e pyesin Jezuin: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» Ai u përgjigjet shkurt: «Nuk ju takon juve të njihni kohët ose stinët që ka vendosur Ati me autoritetin e vet.» Pastaj, duke e vënë sërish theksin te vepra që duhet të kryejnë, u thotë: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»—Veprat 1:6-8.
Apostujt janë në Malin e Ullinjve kur Jezui i ringjallur fillon të ngjitet drejt qiellit. Pa kaluar shumë, një re ua fsheh nga sytë. Pas ringjalljes, Jezui u ishte shfaqur me trupa fizikë. Kurse tani, lë trupin me të cilin u shfaqet në këtë rast dhe ngjitet në qiell si krijesë me trup qiellor. (1 Korintasve 15:44, 50; 1 Pjetrit 3:18) Ndërsa apostujt besnikë po e shohin ngultas, «dy burra me rroba të bardha» shfaqen pranë tyre. Janë engjëj që kanë marrë trupa fizikë. Ata i pyesin: «Burra të Galilesë, pse rrini e vështroni qiellin? Ky Jezu që u mor nga mesi juaj dhe u ngjit në qiell, do të vijë në të njëjtën mënyrë që e keni parë të shkonte në qiell.»—Veprat 1:10, 11.
Jezui u largua nga toka pa bërë bujë të madhe. Apostujt e tij besnikë ishin të vetmit që e panë të ikte. Ai do të vijë «në të njëjtën mënyrë», pra pa bërë bujë. Vetëm dishepujt e tij besnikë do ta dallojnë praninë e tij si Mbret i Mbretërisë.
Apostujt kthehen në Jerusalem. Gjatë ditëve në vazhdim, mblidhen bashkë me dishepujt e tjerë, ku përfshihen ‘Maria, nëna e Jezuit, dhe vëllezërit e tij’. (Veprat 1:14) Të gjithë bashkë po ngulmojnë në lutje. Një çështje për të cilën luten është zgjedhja e dishepullit që do të zëvendësojë Judë Iskariotin, që numri i apostujve të jetë sërish 12. (Mateu 19:28) Duan një dishepull që ka qenë dëshmitar okular i shërbimit të Jezuit dhe i ringjalljes së tij. Për të përcaktuar cilin ka zgjedhur Perëndia, hedhin short. Kjo është hera e fundit që përmendet në Bibël hedhja e shortit. (Psalmi 109:8; Proverbat 16:33) Shorti i bie Matias, i cili mund të ketë qenë një nga 70 dishepujt që dërgoi Jezui për të predikuar, dhe ‘ai llogaritet me 11 apostujt’.—Veprat 1:26.
Dhjetë ditë pasi Jezui ngjitet në qiell, vjen Festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s. Në një dhomë të sipërme në Jerusalem, janë të mbledhur rreth 120 dishepuj. Befas, një zhurmë si ajo e një ere të furishme mbush gjithë shtëpinë. Mbi secilin nga të pranishmit shfaqen ca si gjuhë zjarri dhe të gjithë dishepujt nisin të flasin në gjuhë të ndryshme. Tamam siç kishte premtuar Jezui, fryma e shenjtë derdhet mbi ta!—Gjoni 14:26.