«Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»
«Për këtë . . . erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.»—GJONI 18:37.
1, 2. (a) Si po bëhet më e përçarë bota? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje gjatë këtij studimi?
«QË NË moshë të vogël shihja vetëm padrejtësi,—thotë një motër në Evropën Jugore teksa kujton të kaluarën e saj.—Prandaj hodha poshtë sistemin politik të vendit tim dhe mbështeta ato që shumë veta i konsideronin ide radikale. Në fakt, për shumë vjet isha e dashura e një terroristi.» Edhe një vëlla në Afrikën Jugore e justifikonte më parë dhunën. Ai thotë: «Besoja se fisi im ishte superior ndaj çdo fisi tjetër, dhe hyra në një parti politike. Na mësonin t’i vritnim me heshta kundërshtarët tanë, madje edhe ata nga fisi ynë që mbështetnin parti të tjera politike.» Një motër që jeton në Evropën Qendrore pranon: «Kisha shumë paragjykime dhe urreja këdo që vinte nga një komb tjetër ose që kishte një fe ndryshe nga e imja.»
2 Qëndrimet që kishin dikur këta të tre, pasqyrojnë një prirje gjithnjë e më të theksuar të botës së sotme. Lëvizjet e dhunshme për pavarësi kanë marrë dhenë, përçarjet politike thellohen dita-ditës dhe në shumë shtete, të huajt po provojnë një armiqësi në rritje. Siç kishte parathënë Bibla, në këto ditë të fundit njerëz të çdo lloji ‘nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje’. (2 Tim. 3:1, 3) Ndërsa bota po bëhet më e përçarë, si mund ta ruajnë të krishterët unitetin mes tyre? Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar si veproi Jezui gjatë shekullit të parë në një situatë kur trazirat politike kishin shkaktuar rrëmujë në vend. Le të ndalemi te tri pika kryesore: Pse Jezui refuzoi të përfshihej në çfarëdo lëvizje separatiste? Si tregoi ai se shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të mbajnë anë në çështje politike? Dhe si na mësoi Jezui se dhuna kundër të tjerëve nuk është e justifikuar?
QËNDRIMI I JEZUIT NDAJ LËVIZJEVE PËR PAVARËSI
3, 4. (a) Çfarë pritnin nga ana politike judenjtë në kohën e Jezuit? (b) Si ndikuan këto ndjenja te dishepujt e Jezuit?
3 Shumë prej judenjve që u predikoi Jezui donin me zjarr pavarësinë nga Roma. Zelotët judenj, ose nacionalistët, ngjallnin këto ndjenja mes popullit. Shumë nga ata ekstremistë ndiqnin idetë e Judë galileasit. Ai ishte një mesí i rremë në shekullin e parë që mashtroi mjaft veta. Historiani jude Jozef thotë se ky Judë «i nxiti bashkëkombësit në revoltë, duke i quajtur burracakë ngaqë pranonin t’u paguanin haraç romakëve». Romakët e ekzekutuan Judën. (Vep. 5:37) Disa nga zelotët përdorën madje edhe dhunën për të çuar para qëllimet e tyre.
4 Përveç atyre ekstremistëve, judenjtë e thjeshtë pritnin me zjarr ardhjen e një Mesie politik. Me fjalë të tjera ata pritnin që, kur të shfaqej, Mesia t’i sillte lavdi kombit të tyre dhe liri nga zgjedha romake. (Luka 2:38; 3:15) Shumë veta besonin se Mesia do të vendoste një mbretëri në tokë, në Izrael. Kur të ndodhte kjo, miliona judenj të shpërndarë jashtë vendit do të ktheheshin në atdhe. Sill ndër mend se Gjon Pagëzori një herë e pyeti Jezuin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» (Mat. 11:2, 3) Mbase Gjoni donte të dinte nëse gjithë gjërat që shpresonin judenjtë do t’i plotësonte dikush tjetër. Edhe dy dishepujt që takuan Jezuin e ringjallur rrugës për në Emaus, kishin shpresuar nga Mesia gjëra që nuk u realizuan. (Lexo Lukën 24:21.) Pak pas kësaj, apostujt e pyetën Jezuin: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?»—Vep. 1:6.
5. (a) Pse banorët e Galilesë donin që Jezui të bëhej mbreti i tyre? (b) Si ua ndreqi Jezui mënyrën si mendonin?
5 Fakti që judenjtë pritnin gjëra të tilla nga Mesia, duhet të ketë qenë arsyeja pse banorët e Galilesë donin që Jezui të bëhej mbreti i tyre. Mund ta përfytyrojmë se ata mendonin që Jezui do të ishte një udhëheqës ideal. Ai ishte orator i shkëlqyer; mund të shëronte të sëmurët; madje mund të siguronte ushqim për të uriturit. Pasi ushqeu 5.000 burra, Jezui e kuptoi çfarë donin ata. «Duke e ditur se pas pak do të vinin që ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui iku përsëri krejt i vetëm në mal.» (Gjoni 6:10-15) Të nesërmen, në anën tjetër të detit të Galilesë, entuziazmi mund të ishte venitur disi. Atëherë Jezui i shpjegoi turmës cili ishte në të vërtetë thelbi i veprës së tij. Ai kishte ardhur t’i plotësonte kombit nevojën që të afrohej me Perëndinë, jo nevojat materiale. Jezui u tha: «Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme.»—Gjoni 6:25-27.
6. Si e bëri të qartë Jezui se nuk kërkonte pushtet politik në tokë? (Shih figurën hapëse.)
6 Pak para se të vdiste, Jezui kuptoi se disa dishepuj të tij pritnin që ai të vendoste një mbretëri tokësore me qendër në Jerusalem. Ai ua ndreqi këtë ide duke u dhënë ilustrimin për minat. Ilustrimi tregonte se Jezuit, pra ‘njeriut nga derë fisnike’, do t’i duhej të shkonte diku larg për një kohë të gjatë. (Luka 19:11-13, 15) Veç kësaj, Jezui ua bëri të qartë autoriteteve romake qëndrimin e tij asnjanës. Ponc Pilati e pyeti Jezuin: «A je ti mbreti i judenjve?» (Gjoni 18:33) Mbase guvernatori kishte frikë se mos Jezui shkaktonte trazira politike, një nga shqetësimet kryesore gjatë gjithë sundimit të Pilatit. Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Ai nuk do të përfshihej kurrsesi në politikë, sepse Mbretëria e tij do të ishte një mbretëri qiellore. Ai i tha Pilatit se vepra e tij në tokë ishte ‘të jepte dëshmi për të vërtetën’.—Lexo Gjonin 18:37.
7. Pse mund të jetë një sfidë që të mos i përkrahim në heshtje lëvizjet për pavarësi?
7 Kur e kuptojmë caktimin tonë po aq qartë sa ç’e kuptonte Jezui caktimin e tij, nuk do t’i përkrahim madje as në heshtje, ose pa fjalë, lëvizjet politike për pavarësi. Kjo mund të mos jetë e lehtë. Një mbikëqyrës udhëtues vëren: «Njerëzit në zonën tonë po bëhen gjithnjë e më ekstremistë. Mbizotëron një frymë nacionaliste, dhe shumë veta shkojnë me mendjen se pavarësia politike do t’u përmirësojë jetën. Sa mirë që vëllezërit e kanë ruajtur unitetin e krishterë duke u përqendruar te predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë! Ata i mbajnë sytë me besim te Perëndia për zgjidhjen e padrejtësive dhe të problemeve të tjera që hasim.»
SI REAGOI JEZUI NDAJ ÇËSHTJEVE PËRÇARËSE POLITIKE?
8. Jepni një shembull që tregon çfarë barre mbanin judenjtë e shekullit të parë.
8 Shpesh padrejtësitë ndezin ethet politike. Pagimi i taksave ishte një çështje që ngjallte shumë polemika në kohën e Jezuit. Në fakt, shkëndija që çoi në rebelimin e Judë galileasit, i përmendur më sipër, ishte regjistrimi i popullsisë për t’u siguruar që t’i paguanin taksat Romës. Nënshtetasve të Romës, ku përfshiheshin edhe dëgjuesit e Jezuit, u kërkohej të paguanin shumë taksa, si taksa për të mirat materiale, për tokën dhe për shtëpinë. Veç kësaj, për shkak të korrupsionit të taksambledhësve, barra që mbanin u dukej akoma më e rëndë. Taksambledhësit mund të blinin një pozitë me autoritet në një ankand publik dhe pastaj të vilnin përfitime nga paratë e mbledhura. Zakeu, kryetaksambledhësi i Jerikosë, ishte pasuruar duke u zhvatur para njerëzve. (Luka 19:2, 8) Ka mjaft mundësi që ky të ishte një rast tipik i mënyrës si vepronin shumë taksambledhës.
9, 10. (a) Si u përpoqën armiqtë e Jezuit ta përfshinin në një çështje politike? (b) Çfarë mësojmë nga përgjigjja e Jezuit? (Shih figurën hapëse.)
9 Armiqtë e Jezuit provuan t’i ngrinin kurth duke e nxitur të mbante anë në çështjen e taksave. Taksa për të cilën e pyetën ishte ‘haraçi për kokë’, një taksë prej një denari që kërkohej nga nënshtetasit romakë. (Lexo Mateun 22:16-18.) Kjo taksë i mbushte me mllef judenjtë, sepse përfaqësonte nënshtrimin e tyre ndaj Romës. «Ithtarët e partisë së Herodit» që e ngritën këtë çështje, shpresonin që nëse Jezui do ta dënonte pagimin e asaj takse, mund të akuzohej për nxitje kryengritjeje. Nëse Jezui thoshte se taksat ishin barrë e nevojshme, mund të humbte mbështetjen e dishepujve të tij.
10 Jezui bëri kujdes të qëndronte asnjanës në çështjen e pagimit të taksave. Ai tha: «Paguajini . . . Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mat. 22:21) Patjetër që Jezui e dinte se korrupsioni ishte i përhapur mes taksambledhësve. Por Jezui nuk donte të shpërqendrohej, të devijonte nga çështja shumë më e rëndësishme—nga Mbretëria e Perëndisë që do të ishte zgjidhja e vërtetë. Në këtë mënyrë ai u ka lënë një shembull gjithë dishepujve të tij. Ata duhet të bëjnë kujdes të mos përzihen në çështjet politike, pavarësisht sa e drejtë mund të duket një çështje e caktuar. Të krishterët kërkojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. Prandaj nuk krijojnë opinione të forta për disa praktika të padrejta ose nuk flasin kundër tyre.—Mat. 6:33.
11. Si mund ta përdorim për mirë dëshirën tonë për drejtësi?
11 Shumë Dëshmitarë të Jehovait ia kanë dalë të flakin tej pikëpamjet e forta politike që kishin dikur. Një motër në Britaninë e Madhe, thotë: «Pasi studiova për shkenca sociale në universitet, formova pikëpamje radikale. Doja të mbroja të drejtat tona si zezakë, meqë kishim vuajtur goxha padrejtësi. Edhe pse isha e zonja të fitoja debatet, në fund prapë ndihesha e zhgënjyer. Nuk e kuptoja se shkaqet e padrejtësive raciale duheshin çrrënjosur nga zemrat e njerëzve. Mirëpo kur fillova të studioja Biblën, kuptova se duhej t’ia nisja nga zemra ime. Dhe gjatë këtij rrugëtimi më ndihmoi me durim një motër e bardhë. Tani shërbej si pioniere e rregullt në një kongregacion të gjuhës së shenjave dhe po mësoj të ndihmoj njerëz të çdo lloji.»
«KTHEJE SHPATËN NË VENDIN E VET»
12. Ç’lloj ‘majaje’ u tha Jezui dishepujve të tij të shmangnin?
12 Në ditët e Jezuit, feja përzihej shpesh me politikën. Në librin Jeta e përditshme në Palestinë në kohën e Krishtit (anglisht), thuhet se «sektet fetare në të cilat ishin përçarë judenjtë korrespondonin pak a shumë me ato që ne i quajmë parti politike». Prandaj Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.» (Mar. 8:15) Ka shumë mundësi që kur përmendi Herodin, Jezui ta kishte fjalën për ithtarët e partisë së Herodit. Në aspektin politik, farisenjtë ishin pro pavarësisë së judenjve. Tregimi i Mateut zbulon se në këtë bisedë Jezui përmendi edhe saducenjtë. Ata donin të ruanin statukuonë ose sistemin ekzistues politik. Mjaft prej tyre kishin pushtet politik në administratën romake. Jezui i paralajmëroi me forcë dishepujt e tij të qëndronin larg majasë, ose mësimeve, që përkrahnin këto tri grupe. (Mat. 16:6, 12) Është interesante se kjo bisedë u zhvillua pak kohë pasi njerëzit donin ta bënin Jezuin mbret.
13, 14. (a) Si çuan në dhunë e padrejtësi çështjet politike dhe fetare? (b) Pse padrejtësitë nuk e justifikojnë dhunën? (Shih figurën hapëse.)
13 Kur feja përzihet me politikën, fare kollaj mund të shpërthejë dhuna. Jezui i mësoi dishepujt se duhet të mbeten asnjanës në rrethana të tilla. Kjo lidhet me arsyen pse krerët e priftërinjve dhe farisenjtë planifikuan ta vritnin Jezuin. E konsideronin si një rival politik dhe fetar që u vinte në rrezik pozitën. Ata thanë: «Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.» (Gjoni 11:48) Prandaj kryeprifti Kajafa i dha shtysë komplotit për vrasjen e Jezuit.—Gjoni 11:49-53; 18:14.
14 Kajafa dërgoi ushtarë për të arrestuar Jezuin në terrin e natës. Jezui ishte në dijeni të asaj strategjie të turpshme, ndaj gjatë darkës së fundit me apostujt u kërkoi të merrnin disa shpata. Do të mjaftonin dy shpata që t’u jepte një mësim jetësor. (Luka 22:36-38) Më vonë gjatë asaj nate, Pjetri përdori një shpatë për të sulmuar një pjesëtar të turmës. Pa dyshim, Pjetrit iu ndez zemërimi nga ajo padrejtësi—arrestimi i Jezuit natën. (Gjoni 18:10) Mirëpo Jezui i tha Pjetrit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mat. 26:52, 53) Ky mësim i fuqishëm ishte në përputhje me lutjen që kish bërë Jezui më herët atë natë: që dishepujt e tij nuk duhet të jenë pjesë e botës. (Lexo Gjonin 17:16.) Lufta kundër padrejtësive është diçka që duhet lënë në dorë të Perëndisë.
15, 16. (a) Si i ka ndihmuar Fjala e Perëndisë të krishterët që të shmangin konfliktet? (b) Çfarë kontrasti sheh Jehovai kur vëzhgon botën sot?
15 Motra në Evropën Jugore që përmendëm më sipër nxori të njëjtin mësim. Ajo komenton: «Kam vënë re se dhuna nuk sjell drejtësi. Kam parë se ata që përdorin dhunë shpesh përfundojnë të vdekur. E shumë të tjerë mbushen me vrer. U gëzova pa masë kur mësova nga Bibla se vetëm Perëndia mund të sjellë drejtësi të vërtetë në tokë. Kam 25 vjet që predikoj këtë mesazh.» Vëllai në Afrikën Jugore e ka zëvendësuar heshtën me «shpatën e frymës», Fjalën e Perëndisë, teksa u predikon një mesazh paqeje të tjerëve, pavarësisht se cilit fis i përkasin. (Efes. 6:17) Gjithashtu, pasi u bë Dëshmitare e Jehovait, motra në Evropën Qendrore u martua me një vëlla nga një grup etnik të cilin më parë ajo e urrente. Që të tre i bënë këto ndryshime ngaqë dëshironin të imitonin Krishtin.
16 Sa të rëndësishme janë këto ndryshime! Bibla e krahason njerëzimin me një det të trazuar plot dallgë, një det që s’njeh paqe. (Isa. 17:12; 57:20, 21; Zbul. 13:1) Ndërkohë që çështjet politike i acarojnë njerëzit, i përçajnë dhe provokojnë dhunë të pakuptimtë, ne ruajmë paqen dhe unitetin. Teksa vëzhgon botën tonë të përçarë, sa duhet t’i ngrohet zemra Jehovait kur sheh unitetin që ekziston mes popullit të tij!—Lexo Sofoninë 3:17.
17. (a) Cilat janë tri mënyra se si mund ta nxitim unitetin? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
17 Kemi parë tri mënyra si ta nxitim unitetin e krishterë: (1) Kemi besim të plotë se Mbretëria qiellore e Perëndisë do t’i ndreqë padrejtësitë, (2) nuk pranojmë të mbajmë anë në çështjet politike dhe (3) shmangim me çdo kusht dhunën. Mirëpo ndonjëherë unitetin tonë mund ta vënë në rrezik paragjykimet. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta përballojmë me sukses këtë sfidë, siç bënë të krishterët në shekullin e parë.