MËSIMI 26
Zhvillimi logjik i materialit
PARA se të organizosh materialin në mënyrë logjike, duhet të kesh në mendje një pikësynim. A është synimi yt që thjesht të informosh të tjerët për një argument të veçantë: një bindje, një qëndrim, një cilësi, një lloj sjelljeje ose një mënyrë të jetuari? A shpreson të provosh apo të hedhësh poshtë një ide? A ke si qëllim që të kultivosh çmueshmërinë për diçka ose të motivosh për të vepruar? Për ta paraqitur me efektshmëri materialin, para një individi ose një auditori të madh, duhet të marrësh parasysh atë që tashmë dinë rreth argumentit në fjalë dhe ç’qëndrim kanë ndaj tij. Pasi ta kesh bërë këtë, bëj një skemë të materialit që të të ndihmojë të arrish synimin tënd.
Lidhur me shërbimin e Saulit (Pavlit) në Damask, te Veprat 9:22 thuhet se «i linte pa fjalë judenjtë që banonin në Damask, ndërsa u provonte në mënyrë të logjikshme se ky ishte Krishti». Çfarë përfshinin ato prova logjike? Siç tregohet nga dokumentimi i shërbimit të mëvonshëm të Pavlit në Antioki dhe në Selanik, në fillim ai bazohej në faktin që judenjtë i pranonin Shkrimet Hebraike dhe pohonin se e besonin atë që thuhet në to për Mesinë. Pastaj, nga këto Shkrime, Pavli zgjidhte pjesë që flitnin për jetën dhe shërbimin e Mesisë. Ai i citonte ato dhe i krahasonte me atë që ndodhi në të vërtetë në lidhje me Jezuin. Së fundi, ai nxirrte përfundimin e logjikshëm që Jezui është Krishti ose Mesia. (Vep. 13:16-41; 17:2, 3) Nëse edhe ti do ta paraqesësh të vërtetën biblike në mënyrë logjike, mund të arrish t’i bindësh të tjerët.
Organizo mendimet. Materiali mund të organizohet në disa mënyra që janë logjike. Po të duash, mund të përdorësh një kombinim metodash. Shqyrto disa nga mundësitë.
Sipas argumenteve. Kjo përfshin organizimin e materialit në pjesë, ku secila të ndihmon në arritjen e synimit që ke. Pjesët mund të jenë pika kryesore që janë të rëndësishme për të kuptuar temën tënde. Mund të jenë argumente specifike që provojnë ose hedhin poshtë diçka. Disa pika, ndonëse kanë lidhje me temën, mund të shtohen ose të hiqen në varësi të auditorit ose të pikësynimit.
Shqyrto një shembull të organizimit të materialit sipas argumenteve. Një prezantim i shkurtër për emrin e Perëndisë mund të përfshijë: (1) pse është e rëndësishme ta njohim Perëndinë me emrin e tij, (2) cili është emri i Perëndisë dhe (3) si mund ta nderojmë këtë emër.
Mund të mësohet shumë rreth organizimit të materialit sipas argumenteve duke shqyrtuar botimet që «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka përgatitur për t’i përdorur në studimet biblike. (Mat. 24:45) Këto botime zakonisht përfshijnë disa argumente ose tema që i ndihmojnë studentët të krijojnë një ide të përgjithshme për të vërtetat themelore të Biblës. Botimet e mëdha përdorin nëntituj për të ndarë secilin kapitull. Secili argument e përgatit studentin për materialin që vjen më pas dhe ndihmon për të kuptuar tablonë e përgjithshme.
Shkaku dhe pasoja. Të arsyetosh nisur nga shkaku për të arritur te pasoja është një tjetër metodë për ta paraqitur materialin në mënyrë logjike.
Në qoftë se i flet një grupi ose individëve që duhet të shqyrtojnë më me kujdes pasojat e diçkaje që janë duke bërë ose kanë ndër mend të bëjnë, kjo metodë mund të jetë e efektshme. Kapitulli 7 i Proverbave përmban një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Atje përshkruhet me një gjuhë të gjallë se si një i ri pa përvojë që «i mungonte zemra» (shkaku) ngatërrohet me një prostitutë dhe vuan pasoja të hidhura (pasoja).—Prov. 7:7.
Për të dhënë më shumë emfazë, mund të krahasosh pasojat e këqija që bien mbi ata që nuk ecin në rrugët e Jehovait me frytet e mira që kanë ata që e dëgjojnë Jehovain. I shtyrë nga fryma e Jehovait, Moisiu bëri një kontrast të tillë kur i foli kombit të Izraelit para se të hynin në Tokën e Premtuar.—Ligj., kap. 28.
Në disa raste është më mirë ta fillosh diskutimin duke identifikuar një situatë (pasojën) dhe më pas të paraqesësh provat që çojnë drejt faktorëve që kanë ndikuar (shkakut). Shpesh kjo kërkon një mënyrë paraqitjeje të formës problem-zgjidhje.
Problemi dhe zgjidhja. Në shërbimin në fushë, kur flet për një problem që i shqetëson njerëzit dhe më pas tregon se ka një zgjidhje të kënaqshme, kjo mund ta inkurajojë një person që të dëgjojë. Problemin mund ta përmendësh ti ose mund ta nxjerrë gjatë bisedës personi tjetër.
Ky problem mund të jetë fakti që njerëzit plaken dhe vdesin, krimi që mbizotëron ose padrejtësia që është shumë e përhapur. Nuk ka nevojë të flasësh gjerë e gjatë për të treguar se një problem i tillë ekziston, pasi kjo është e dukshme. Fillo thjesht duke e përmendur problemin dhe pastaj paraqit zgjidhjen që tregohet në Bibël.
Nga ana tjetër, problemi mund të jetë krejt personal, duke përfshirë sfidat që has një prind i vetëm, shkurajimin për shkak të një sëmundjeje të rëndë ose vështirësitë që po has dikush për shkak të trajtimit pa dashuri nga ana e një tjetri. Për të arritur rezultatet më të mira, së pari duhet të jesh një dëgjues i mirë. Bibla jep informacione të vlefshme për të gjitha këto probleme. Por këto informacione duhen përdorur me aftësi dalluese. Në qoftë se dëshiron që biseda jote të jetë vërtet dobiprurëse për personin tjetër, duhet të tregohesh realist. Bëje të qartë se çfarë je duke treguar: një zgjidhje të përhershme, një lehtësim të përkohshëm apo thjesht një mënyrë për të përballuar një situatë që s’ka për të ndryshuar në këtë sistem. Me fjalë të tjera, sigurohu që arsyet biblike që jep të jenë të mjaftueshme për të mbështetur përfundimin që nxjerr prej tyre. Përndryshe, zgjidhja që ti tregon mund të mos i duket fare logjike personit tjetër.
Sipas radhës kronologjike. Disa materiale janë më të përshtatshme për t’u paraqitur sipas radhës kronologjike. Për shembull, në librin e Daljes, Dhjetë Plagët janë paraqitur sipas radhës në të cilën ndodhën. Në kapitullin 11 të Hebrenjve, apostulli Pavël i renditi sipas radhës kronologjike burrat dhe gratë me besim shembullor.
Nëse i tregon ngjarjet e së kaluarës sipas radhës kronologjike, kjo mund ta ndihmojë auditorin që të kuptojë se si u krijuan disa rrethana. Kjo është e vërtetë si për historinë moderne, ashtu edhe për ngjarjet e kohëve biblike. Në këtë mënyrë, mund të kombinosh radhën kronologjike me arsyetimin shkak-pasojë. Në rast se ke ndër mend të theksosh ngjarje që Bibla tregon se do të ndodhin në të ardhmen, ka të ngjarë që auditori të të ndjekë dhe t’i mbajë mend me shumë lehtësi po t’i paraqesësh në radhë kronologjike.
Të përdorësh metodën kronologjike nuk do të thotë që gjithmonë të fillosh nga fillimi. Në disa raste, mund të jetë më e efektshme ta fillosh një tregim nga një pikë dramatike e tij. Për shembull, kur tregon një përvojë, mund të zgjedhësh të tregosh për një rast kur u vu në provë besnikëria e dikujt ndaj Perëndisë. Pasi të kesh ngjallur interesin me këtë pjesë të tregimit, mund të tregosh në radhë kronologjike hollësitë që çuan deri atje.
Përdor vetëm material që ka lidhje me temën. Pavarësisht nga mënyra se si e organizon materialin, ki kujdes të përdorësh vetëm material që ka lidhje me temën. Tema e fjalimit tënd duhet të ndikojë në materialin që zgjedh. Gjithashtu, duhet të marrësh parasysh edhe përbërjen e auditorit. Për një auditor ndoshta është jetësore një pikë e caktuar, kurse për një grup tjetër mund të jetë e tepërt. Veç kësaj, duhet të sigurohesh që i gjithë materiali do të ndihmojë të arrish synimin që ke. Përndryshe, fjalimi yt, ndonëse mund të jetë interesant, do ta humbasë efektshmërinë e tij.
Kur të bësh kërkime do të gjesh ndoshta shumë material interesant që ka lidhje me temën tënde. Sa prej këtij materiali duhet të përdorësh? Në qoftë se e mbyt auditorin me tepër material, mund të mos e arrish qëllimin tënd. Pak ide kryesore të zhvilluara mirë kujtohen më mirë sesa shumë ide të thëna shpejt e shpejt. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të përfshihen hollësi interesante. Por mos lejo që ato të bëhen pikësynimi yt. Vër re përdorimin e matur që u bën Bibla hollësive të tilla te Marku 7:3, 4 dhe te Gjoni 4:1-3, 7-9.
Ndërsa kalon nga një pikë në një tjetër, ki kujdes që të mos e bësh këtë në mënyrë kaq të papritur, sa auditori të humbasë fillin e mendimit. Me qëllim që idetë të ndërthuren me efektshmëri, mund të jetë e nevojshme të ndërtosh një urë që lidh një ide me tjetrën. Kjo urë mund të jetë një shprehje ose një fjali e tërë që tregon lidhjen midis ideve. Në shumë gjuhë mund të përdoren fjalë ose shprehje të thjeshta lidhëse për të treguar lidhjen e një ideje të re me pararendësen e saj.
Po të përdorësh vetëm materialin që lidhet me temën dhe ta sistemosh në mënyrë kronologjike, kjo do të të ndihmojë të arrish synimin tënd.