Të rinj: Bëjeni të dukshëm përparimin tuaj!
«Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 TIM. 4:15.
1. Çfarë dëshiron Perëndia për të rinjtë?
«GËZOHU, pra, o djalë i ri, në rininë tënde! Zemra të sjelltë gëzim në ditët e djalërisë!» (Ekl. 11:9) Kështu shkroi Solomoni, mbreti i mençur i Izraelit të lashtë. Burimi i këtij mesazhi, Perëndia Jehova, pa dyshim dëshiron që ju të rinj të jeni të lumtur. Madje, jo vetëm kaq, por Jehovai do që gëzimi juaj të vazhdojë edhe pas rinisë. Megjithatë, gjatë viteve të rinisë, të rinjtë shpesh bëjnë gabime që mund të ndikojnë në lumturinë e së ardhmes. Edhe Jobi besnik e vuante faktin që i duhej të përballonte «pasojat e fajeve të rinisë». (Jobi 13:26) Gjatë adoleshencës dhe viteve të para të rinisë, një i ri i krishterë shpesh duhet të marrë vendime të rëndësishme. Vendimet e gabuara si pasojë e një gjykimi jo të shëndoshë, mund të lënë vraga të thella emocionale dhe të krijojnë probleme që mund të ndikojnë gjatë gjithë jetës së tij.—Ekl. 11:10.
2. Zbatimi i cilës këshillë biblike mund t’i ndihmojë të rinjtë të mos bëjnë gabime të rënda?
2 Por, të rinjtë duhet të kenë gjykim të shëndoshë që të marrin vendimet e duhura. Ja çfarë këshille u dha apostulli Pavël korintasve: «Mos u bëni si fëmijë të vegjël në aftësitë për të kuptuar. . . . Bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar.» (1 Kor. 14:20) Zbatimi i kësaj këshille për të fituar aftësinë për të menduar dhe arsyetuar si tërësisht të rritur, do t’i ndihmojë të rinjtë të mos bëjnë gabime të rënda.
3. Çfarë mund të bëni për të qenë të pjekur?
3 Nëse je i ri, mos harro se kërkohen përpjekje për të qenë i pjekur. Pavli i tha Timoteut: «Askush të mos e përçmojë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi. . . . Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. . . . Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» (1 Tim. 4:12-15) Të rinjtë e krishterë duhet të përparojnë dhe ta bëjnë të dukshëm përparimin e tyre.
Çfarë do të thotë të përparosh?
4. Çfarë do të thotë të përparosh nga ana frymore?
4 Të përparosh do të thotë «të bësh përpara, të ndryshosh për mirë». Pavli po e nxiste Timoteun të përpiqej fort të bënte përparim në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim, në dëlirësi, si dhe në mënyrën si përmbushte shërbimin. Ai duhej të përpiqej fort që të bënte një jetë shembullore. Pra, Timoteu duhej të vazhdonte të përparonte nga ana frymore.
5, 6. (a) Kur filloi të ishte i dukshëm përparimi i Timoteut? (b) Si mund ta imitojnë të rinjtë e sotëm Timoteun për sa i përket përparimit?
5 Kur Pavli e shkroi këtë këshillë, aty midis vitit 61 dhe 64 të e.s., Timoteu ishte tashmë një plak kongregacioni me përvojë. Nuk ishte në fillimet e përparimit të tij frymor. Në vitin 49 ose 50 të e.s., kur Timoteu ishte ndoshta rreth të 20-ave, «vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë për të». Ata e kishin parë përparimin e tij frymor. (Vep. 16:1-5) Në atë kohë, Pavli e mori Timoteun me vete në udhëtimin e tij misionar. Pasi pa për disa muaj përparimin e mëtejshëm të Timoteut, Pavli e dërgoi në Selanik për të ngushëlluar dhe forcuar të krishterët në atë qytet. (Lexo 1 Selanikasve 3:1-3, 6.) Qartë, Timoteu filloi ta bënte të dukshëm përparimin e tij kur ishte i ri.
6 Ju të rinj në kongregacion, punoni tani që të zhvilloni cilësitë e duhura frymore, që përparimi juaj në jetën si të krishterë dhe në aftësinë për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike, të duken qartë. Kur ishte 12 vjeç, Jezui tashmë po «rritej në mençuri». (Luka 2:52) Prandaj, le të shohim se si mund ta bësh të dukshëm përparimin tënd në tri drejtime: (1) kur has probleme, (2) ndërsa përgatitesh për t’u martuar dhe (3) ndërsa përpiqesh për t’u bërë «një shërbëtor i shkëlqyer».—1 Tim. 4:6.
Përballoji problemet me ‘mendje të shëndoshë’
7. Si mund të ndikojnë problemet te të rinjtë?
7 Një e krishterë 17-vjeçare me emrin Karola, tha: «Ndonjëherë, ndihesha e lodhur emocionalisht, fizikisht dhe mendërisht, deri në atë pikë sa nuk doja të zgjohesha në mëngjes.»a Pse ndihej kaq keq? Kur Karola ishte 10 vjeçe, familja e saj u nda pas divorcit të prindërve dhe ajo duhej të jetonte me mamanë, e cila ishte kundër normave morale të Biblës. Ashtu si Karola, edhe ti mund të jesh në rrethana mjaft stresuese, që nuk kanë shumë gjasa për t’u përmirësuar.
8. Me çfarë problemesh luftonte Timoteu?
8 Ndërsa përparonte nga ana frymore, edhe Timoteut i duhej të luftonte me rrethana të vështira. Për shembull, ai kishte ‘sëmundje të shpeshta’ për shkak të problemeve me stomakun. (1 Tim. 5:23) Kur Pavli e dërgoi në Korint për të zgjidhur disa probleme të shkaktuara nga individë që kishin sfiduar autoritetin e apostullit, Pavli e nxiti kongregacionin të bashkëpunonte që Timoteu të rrinte «pa frikë» midis tyre. (1 Kor. 4:17; 16:10, 11) Me sa duket, Timoteu ishte i ndrojtur.
9. (a) Ç’do të thotë të kesh mendje të shëndoshë? (b) Si ndryshon ajo nga fryma e burracakërisë?
9 Për ta ndihmuar Timoteun, Pavli më vonë i kujtoi: «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.» (2 Tim. 1:7) Të kesh ‘mendje të shëndoshë’ do të thotë të jesh i aftë të mendosh dhe të arsyetosh me mençuri. Do të thotë edhe të kesh aftësinë të përballesh me problemet ashtu siç janë, jo ashtu siç do të donim ne të ishin. Disa të rinj të papjekur shfaqin një frymë burracakërie dhe përpiqen mendërisht t’u bëjnë bisht rrethanave stresuese duke kërkuar ngushëllim te gjumi me orë të zgjatura, televizori, droga, alkooli, festat e shpeshta ose te imoraliteti. Si të krishterë, këshillohemi «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote».—Titit 2:12.
10, 11. Si na ndihmon mendja e shëndoshë për t’u bërë të krishterë më të fortë?
10 Bibla i nxit «të rinjtë që të jenë me mendje të shëndoshë». (Titit 2:6) Zbatimi i kësaj këshille do të thotë që t’i përballosh problemet me anë të lutjes dhe duke u mbështetur te forca që jep Perëndia. (Lexo 1 Pjetrit 4:7.) Kështu, do të zhvillosh besim me gjithë zemër te «forca që jep Perëndia».—1 Pjet. 4:11.
11 Pikërisht mendja e shëndoshë dhe lutja e ndihmuan Karolën. «Të bëja një jetë të moralshme, pavarësisht nga jeta imorale e mamasë sime, ishte një nga gjërat më të vështira që më është dashur të bëj ndonjëherë,—tha ajo.—Por lutja më ndihmonte vërtet. E di që Jehovai është me mua, kështu që nuk kam më frikë.» Mos harro, problemet mund të të bëjnë më të mirë dhe më të fortë. (Psal. 105:17-19; Vajt. 3:27) Sido qofshin problemet e tua, Perëndia nuk do të të braktisë kurrë. Ai ‘do të të ndihmojë’.—Isa. 41:10.
Përgatitja për një martesë të lumtur
12. Pse duhet t’i vërë veshin parimit te Proverbat 20:25 një i krishterë që dëshiron të martohet?
12 Disa të rinj, nxitohen dhe martohen me mendimin se ajo është zgjidhja kundër vetmisë, mërzisë, problemeve në shtëpi dhe rruga drejt lumturisë. Por, betimi martesor është mjaft serioz. Në kohët biblike, disa bënë një betim të shenjtë pa u menduar gjatë dhe pa e analizuar me kujdes se çdo të thoshte ta përmbushnin. (Lexo Proverbat 20:25.) Ndonjëherë, të rinjtë nuk i mendojnë seriozisht kërkesat e martesës. Më vonë, zbulojnë se kërkohet më shumë nga ç’kishin menduar.
13. (a) Cilat pyetje duhet të shqyrtojnë ata që po mendojnë të fillojnë një periudhë njohjeje? (b) Çfarë këshillash të dobishme mund të gjejnë ata?
13 Prandaj, para se të fillosh një periudhë njohjeje, pyete veten: «Pse dua të martohem? Çfarë pres nga martesa? A është personi i duhur për mua? A jam gati të përmbush përgjegjësitë e mia në martesë?» Për të të ndihmuar të bësh një shqyrtim të thellë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka botuar artikuj mjaft specifikë për këtë çështje.b (Mat. 24:45-47) Konsideroji këto materiale si këshilla nga Jehovai. Shqyrto me kujdes se çfarë thuhet në to dhe zbatoje. Mos u bëj kurrë «si kali ose si mushka që nuk kuptojnë». (Psal. 32:8, 9) Bëhu tërësisht i rritur në kuptueshmërinë tënde për kërkesat e martesës. Nëse mendon se je gati për të nisur një periudhë njohjeje, mos harro asnjëherë të jesh «shembull . . . në dëlirësi».—1 Tim. 4:12.
14. Si të ndihmon përparimi frymor nëse martohesh?
14 Pjekuria frymore ndihmon shumë edhe pas martese. Një i krishterë tërësisht i pjekur bën çmos që të arrijë «masën e shtatit të plotë të Krishtit». (Efes. 4:11-14) Ai punon fort që të zhvillojë një personalitet si ai i Krishtit. «Krishti nuk kënaqi veten», duke lënë kështu një shembull për ne. (Rom. 15:3) Kur secili nga bashkëshortët vazhdon të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit, jeta familjare do të jetë një liman paqeje dhe sigurie. (1 Kor. 10:24) Burri do të tregojë dashuri vetëmohuese, kurse gruaja do të jetë e vendosur t’i nënshtrohet burrit, ashtu si Jezui i nënshtrohet Kreut të tij.—1 Kor. 11:3; Efes. 5:25.
«Kryeje plotësisht shërbimin tënd»
15, 16. Si mund ta bësh të dukshëm përparimin tënd në shërbim?
15 Duke i tërhequr vëmendjen Timoteut te caktimi i tij i rëndësishëm, Pavli shkroi: ‘Të urdhëroj solemnisht përpara Perëndisë dhe Krishtit Jezu: prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë.’ Ai shtoi: «Bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Tim. 4:1, 2, 5) Për të përmbushur këtë detyrë, Timoteu duhej të ishte «i mbrujtur me fjalët e besimit».—Lexo 1 Timoteut 4:6.
16 Si mund të jesh «i mbrujtur me fjalët e besimit»? Pavli shkroi: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to.» (1 Tim. 4:13, 15) Për të përmirësuar, kërkohet studim personal i zellshëm. A ke një program të rregullt studimi? A zhytesh në «gjërat e thella të Perëndisë»? (1 Kor. 2:10) Apo përpiqesh sa për të thënë? Nëse bluan në mendje atë që studion, do të nxitesh të bësh përparim frymor.—Lexo Proverbat 2:1-5.
17, 18. (a) Çfarë aftësish duhet të përpiqesh të zhvillosh? (b) Si do të të ndihmojë në shërbim zhvillimi i të njëjtës natyrë që kishte Timoteu?
17 Një pioniere e re me emrin Mishel, tha: «Që të jem vërtet e efektshme në shërbim, kam një program të mirë për studimin personal dhe shkoj rregullisht në mbledhje. Si rezultat, rritem vazhdimisht nga ana frymore.» Shërbimi si pionier do të të ndihmojë vërtet të jesh më i aftë në përdorimin e Biblës në shërbim dhe të bësh përparim frymor. Përpiqu që të jesh i aftë në lexim dhe të bësh komente domethënëse në mbledhjet e krishtere. Që ta bësh të dukshëm përparimin tënd në të vërtetën, duhet të përgatitësh fjalime ndërtuese si student në Shkollën e Shërbimit Teokratik, duke iu përmbajtur materialit të caktuar.
18 ‘Të bësh veprën e ungjillëzuesit’ do të thotë të bësh një shërbim më të efektshëm dhe të ndihmosh të tjerët që të shpëtojnë. Kjo kërkon që të zhvillosh ‘artin e mësimdhënies’. (2 Tim. 4:2) Nëse programon të dalësh në shërbim me ata që kanë përvojë në këtë vepër, do të mësosh shumë nga metodat e tyre të mësimdhënies, ashtu si Timoteu mësonte kur bashkëpunonte me Pavlin. (1 Kor. 4:17) Duke folur për ata që kishte ndihmuar, Pavli tha se ai u kishte dhënë jo vetëm lajmin e mirë, por edhe ‘vetë shpirtin e tij’, pra u kushtoi vetë jetën e tij që t’i ndihmonte, sepse ata u bënë të dashur për të. (1 Sel. 2:8) Që të ndjekësh shembullin e Pavlit në shërbim, duhet të kesh të njëjtën natyrë si Timoteu, i cili kujdesej sinqerisht për të tjerët dhe ‘u skllavërua për të çuar përpara lajmin e mirë’. (Lexo Filipianëve 2:19-23.) A tregon edhe ti këtë frymë vetëmohuese në shërbim?
Përparimi sjell kënaqësi të vërtetë
19, 20. Pse sjell gëzim përparimi frymor?
19 Përparimi frymor kërkon përpjekje. Por, duke zhvilluar me durim aftësitë në mësimdhënie, dalëngadalë do të kesh privilegjin që ‘shumë të tjerë t’i bësh të pasur’ nga ana frymore dhe ata do të bëhen për ty «gëzimi ose kurora e ngazëllimit». (2 Kor. 6:10; 1 Sel. 2:19) Fredi, një shërbëtor në kohë të plotë, shpjegon: «Kaloj më shumë kohë se kurrë më parë duke ndihmuar të tjerët. Është më se e vërtetë që ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»
20 Për gëzimin dhe kënaqësinë që provoi nga rritja frymore, një pioniere e re me emrin Dafni tha: «Ndërsa mësoja më shumë për Jehovain, marrëdhënia ime me të u bë më e ngushtë. Kur i pëlqen Jehovait, duke përdorur plotësisht aftësitë që ke, ndihesh shumë mirë, vërtet e kënaqur!» Edhe pse njerëzit mund të mos e dallojnë gjithmonë përparimin frymor, Jehovai e sheh dhe e vlerëson gjithmonë. (Hebr. 4:13) Pa diskutim, ju të rinj të krishterë mund t’i sillni lavdi Atit tonë qiellor. Vazhdoni t’ia gëzoni zemrën, ndërsa me sinqeritet e bëni të dukshëm përparimin tuaj.—Prov. 27:11.
[Shënimet]
a Disa emra janë ndryshuar.
b «A është njeriu i duhur për mua?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2; «Udhëheqje hyjnore për të zgjedhur një bashkëshort» në Kullën e Rojës të 15 majit 2001 dhe «Martesa mund të jetë e suksesshme në botën e sotme» në Kullën e Rojës të 1 marsit 2005, faqet 12-13, paragrafët 10-13.
Çfarë ke mësuar?
• Çfarë do të thotë të përparosh nga ana frymore?
• Si mund ta bësh të dukshëm përparimin tënd:
kur ke probleme?
ndërsa përgatitesh për t’u martuar?
në shërbim?
[Figura në faqen 15]
Lutja mund të të ndihmojë të përballosh problemet
[Figura në faqen 16]
Si mund të mësojnë metoda të efektshme mësimdhënieje lajmëtarët e rinj në moshë?