Pyetje nga lexuesit
A donte të thoshte apostulli Pavël te 1 Korintasve 15:29 se disa të krishterë në kohën e tij pagëzoheshin në vend të të vdekurve?
Jo, as Bibla, as historia nuk tregojnë se të krishterët bënin një pagëzim të tillë.
Mënyra si është përkthyer ky varg në shumë versione të Biblës, i ka shtyrë disa të mendojnë se në kohën e Pavlit kishte të krishterë që pagëzoheshin në ujë në vend të të vdekurve. Për shembull, një përkthim thotë: «Çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?»—Diodati i Ri.
Por, të shohim çfarë thonë dy studiues të Biblës. Sipas dr. Gregor Lokudit, mjaft studiues mendojnë se Pavli po fliste për pagëzimin «në vend të atyre që kishin vdekur». Ai shton se po të ishte kështu, atëherë «Pavli po fliste për një lloj pagëzimi që, me aq prova sa ekzistojnë, nuk ka asnjë bazë në histori ose në Bibël». Po njësoj, profesor Gordon Fi shkroi: «Nuk ka asnjë precedent nga historia a nga Bibla për një pagëzim të tillë. Në Dhiatën e Re nuk thuhet as gjysmë fjale për këtë; dhe nuk ka prova që në shekujt menjëherë pas [vdekjes së apostujve], të ketë ekzistuar një rit i tillë në ndonjë kishë a komunitet të krishterë ortodoks.»
Bibla thotë se dishepujt e Jezuit duhej ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe duke i mësuar të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar’. (Mat. 28:19, 20) Para se dikush të bëhej dishepull i pagëzuar, duhej të njihte Jehovain dhe Birin e Tij, të kishte besim tek ata dhe t’u bindej. Një njeri që kishte vdekur, nuk mund ta bënte këtë; e as një i krishterë që ishte gjallë, nuk mund të pagëzohej në vend të tij.—Ekl. 9:5, 10; Gjoni 4:1; 1 Kor. 1:14-16.
Atëherë, ku e kishte fjalën Pavli?
Disa korintas thoshin se të vdekurit nuk ringjallen. (1 Kor. 15:12) Pavli tregoi se ajo pikëpamje ishte e gabuar. Si? Ai tha se ‘përballej me vdekjen çdo ditë’. Por, pavarësisht nga rreziqet, ishte i sigurt se pasi të vdiste, do të ringjallej si krijesë e fuqishme qiellore, siç ishte Jezui.—1 Kor. 15:30-32, 42-44.
Korintasit kishin nevojë të kuptonin se, si të krishterë të mirosur, do të përballeshin me sprova çdo ditë e duhej të vdisnin besnikë që të ringjalleshin në qiell. Kur ‘pagëzoheshin në Krishtin Jezu’, ata pagëzoheshin edhe ‘në vdekjen e tij’. (Rom. 6:3) Ai pagëzim i figurshëm do të thoshte se zhyteshin në një jetë që do të përfundonte me vdekjen dhe ringjalljen e tyre në qiell.
Disa vjet pasi u pagëzua në ujë, Jezui u tha dy apostujve: «Me pagëzimin që po pagëzohem unë, do të pagëzoheni.» (Mar. 10:38, 39) Jezui nuk po fliste për pagëzimin e tij në ujë, por për jetën me integritet që do të përfundonte me vdekjen e tij. Pavli shkroi se të mirosurit ‘do të vuanin bashkë me Krishtin, që edhe t’u jepej lavdi bashkë me të’. (Rom. 8:16, 17; 2 Kor. 4:17) Kështu edhe atyre do t’u duhej të vdisnin që të ringjalleshin në qiell.
Pra, një përkthim i saktë i fjalëve të Pavlit është: «Ç’fitojnë ata që po pagëzohen në vdekje? Nëse vërtet të vdekurit s’do të ringjallen, pse po i nënshtrohen këtij lloj pagëzimi?»