Kapitulli 16
Dëgjoni këshillat, pranoni disiplinën
1. (a) A ka ndonjë prej nesh që nuk ka nevojë për këshilla dhe disiplinë? (b) Megjithatë, çfarë pyetjesh do të bëjmë mirë t’i konsiderojmë?
SHUMICA prej nesh do të jetë menjëherë dakort me shkrimin që thotë: «Të gjithë gabojmë shumë.» (Jak. 3:2, DSF) Nuk është e vështirë të mendojmë ato situata, ku nuk kemi qenë ata lloj personash që Fjala e Perëndisë na këshillon të jemi dhe që ne vetë dëshirojmë të jemi. E pranojmë, pra, se Bibla ka të drejtë kur thotë: «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen tënde.» (Prov. 19:20) E dimë se kemi nevojë për një ndihmë të tillë. Pa dyshim, kemi bërë ndryshime në jetën tonë për ta vënë në përputhje me atë që kemi kuptuar nga Bibla. Por, si reagojmë kur një bashkëshërbëtor i krishterë na jep personalisht një këshillë mbi një çështje specifike në të cilën kemi vepruar me pak mençuri, ose edhe vetëm një sugjerim se si mund të përmirësohemi në ndonjë veprimtari?
2. (a) Përse duhet të shprehim mirënjohje për këshillat që na jepen? (b) Në ç’mënyrë nuk duhet të veprojmë?
2 Krahas reagimit të menjëhershëm të brendshëm, i cili vjen si pasojë e natyrës njerëzore të papërsosur, duhet të shprehim mirënjohje të sinqertë për këshillën dhe t’ia nisim punës për ta zbatuar. Rezultati mund të jetë i dobishëm. (Hebr. 12:11) Megjithatë, ka mundësi që në ndonjë rast kur na është dhënë një këshillë, jemi përpjekur të justifikohemi, të zvogëlojmë seriozitetin e situatës apo t’ia hedhim fajin ndonjë tjetri. A ke reaguar ndonjëherë kështu? Duke menduar përsëri atë rast, a ndihemi vallë të zemëruar ndaj atij që na ka dhënë këshillën? A kemi prirje të gjejmë diçka për të thënë mbi të metat e atij që na ka këshilluar apo mbi mënyrën në të cilën na ka këshilluar, sikur kjo të shfajësonte në ndonjë mënyrë dobësinë tonë? A mund të na ndihmojë Bibla për t’i mundur këto prirje?
Shembuj të shkruar për paralajmërimin tonë
3. (a) Çfarë përmban Bibla që mund të na ndihmojë për të mësuar që këshillat dhe disiplinën t’i konsiderojmë në mënyrë të drejtë? (b) Duke vlerësuar pyetjet e mësipërme, analizo reagimet e Saulit dhe të Uzit ndaj këshillave.
3 Fjala e Perëndisë, jo vetëm që siguron shumë paralajmërime të drejtpërdrejta, por përmban edhe përvoja të jetës së jetuar në lidhje me persona që morën këshilla. Shpesh, këshilla shërbeu edhe si disiplinë, në atë kuptim, që kush e mori duhej të ndryshonte qëndrimin dhe sjelljen e tij. Duke përdorur pyetjet vijuese për të shqyrtuar disa nga këta shembuj, do të vëresh se mund të jenë shumë të dobishëm për të gjithë ne:
SAULI, BIR I KUSHIT: Nuk iu bind plotësisht Jehovait në lidhje me faktin që, duke luftuar kundër Amalekut, kurseu jetën e mbretit dhe kafshët më të mira. (1. Sam. 15:1-11)
Si vërehet fakti që Sauli përpiqej ta zvogëlonte gabimin e tij, nga përgjigjja që ai i dha Samuelit kur e qortoi? (Vargu 20) Mbi kë u përpoq ta hidhte fajin? (Vargu 21) Kur më në fund e pranoi gabimin, çfarë justifikimi nxori? (Vargu 24) Edhe në atë moment, çfarë dukej se e shqetësonte në mënyrë të veçantë? (Vargjet 25, 30)
UZI: Hyri në tempullin e Jehovait për të djegur temjan, megjithëse vetëm priftërinjtë qenë të autorizuar për ta bërë këtë. (2. Kron. 26:16-20)
Kur kryeprifti u përpoq ta ndalonte, përse mbreti Uz reagoi me zemërim? (Krahaso vargun 16.) Cili qe rezultati? (Vargjet 19-21)
4. (a) Si Sauli ashtu edhe Uzi, përse e kishin të vështirë të pranonin këshillat? (b) Përse ky është një problem serioz edhe sot?
4 Në secilin prej këtyre rasteve, përse individi e kishte kaq të vështirë të pranonte se kishte nevojë për këshilla? Problemi kryesor qe krenaria, të pasurit e një opinioni shumë të lartë për veten. Sot, shumë persona bien në halle të mëdha për shkak të po kësaj karakteristike. Pasi arrijnë atë që e konsiderojnë njëfarë pozite, qoftë për arsye të moshës apo të vendit që zënë, nuk pranojnë këshilla personale. Duket se mendojnë që kjo gjë do të shënonte ndonjë mangësi në ta apo do të shkatërronte reputacionin e tyre. Por, një shenjë e vërtetë dobësie është pikërisht krenaria. Nuk duhet ta shfajësojmë krenarinë tonë vetëm sepse është diçka e përgjithshme. Është një grackë që përdor Satanai për të mjegulluar mendjen e njerëzve, me qëllim që të kundërshtojnë ndihmën e dashur që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij dhe organizatës së tij të dukshme. Jehovai paralajmëron: «Krenaria është para shkatërrimit dhe fryma mendjemadhe para pengimit.»—Prov. 16:18; shiko gjithashtu Romakëve 12:3; Proverbat 16:5.
5. Duke përdorur pyetjet që përmban ky paragraf, shiko se çfarë mësimesh mund të nxirren nga sa është thënë mbi Moisiun dhe Davidin.
5 Por në shkrime ndodhen gjithashtu shembuj të shkëlqyer personash që i pranuan këshillat. Edhe nga këta mund të marrim mësime të dobishme. Le t’i konsiderojmë:
MOISIU: Vjehrri i dha një këshillë praktike mbi atë se si ta kryente vëllimin e punës së tij të rëndë, pa shkatërruar shëndetin. Moisiu e dëgjoi këshillën dhe e zbatoi menjëherë. (Të Dal. 18:13-24)
Megjithëse kishte autoritet të madh, përse Moisiu qe aq i gatshëm për të pranuar një këshillë të mirë? (Krahaso Numrat 12:3.) Çfarë rëndësie ka për ne kjo cilësi? (Sof. 2:3)
DAVIDI: Ishte fajtor për kurorëthyerje, e pastaj komplotoi për të shkaktuar vrasjen e të shoqit të gruas, në mënyrë që të martohej me të dhe të fshihte kurorëthyerjen. Kaluan muaj, para se Jehovai të dërgonte Natanin që t’i jepte një qortim. (2. Sam. 11:2–12:12)
A u zemërua Davidi për qortimin, duke zvogëluar gabimin ose duke u përpjekur për ta hedhur fajin mbi të tjerët? (2. Sam. 12:13; Psal. 51:mbishkrimin dhe vargjet 1-3) Edhe pse Perëndia e pranoi pendimin e Davidit, a nënkuptoi kjo vallë se ai dhe familja e tij nuk i vuajtën pasojat e këqija të sjelljes së tij të gabuar? (2. Sam. 12:10, 11, 14; Të Dal. 34:6, 7)
6. (a) Çfarë ndiente Davidi për ata që i jepnin këshilla të mira? (b) Sa e dobishme mund të jetë nëse i pranojmë menjëherë këto këshilla? (c) Çfarë nuk duhet të harrojmë nëse disiplinohemi ashpër?
6 Mbreti David e dinte mirë se sa i dobishëm ishte dëgjimi i këshillave të mira dhe ndonjëherë falënderoi Perëndinë për personin nga i cili i kishte marrë. (1. Sam. 25:32-35; shiko gjithashtu Proverbat 9:8.) A jemi edhe ne kështu? Në rast të tillë do të jemi të mbrojtur nga të thënët apo të bërët e shumë gjërave që mund të shkaktojnë keqardhje. Por nëse do të gjendeshim në rrethana të tilla, në vazhdim të të cilave do të disiplinoheshim rreptësisht, ashtu siç qe Davidi për mëkatin e bërë me Betshebën, të përpiqemi që të mos humbim nga pamja faktin që disiplina është një shenjë e dashurisë së Jehovait, e cila vepron për mirëqenien tonë të përhershme.—Prov. 3:11, 12; 4:13.
CILËSI TË PAÇMUESHME QË DUHEN KULTIVUAR
7. Sipas asaj që tha Jezui, çfarë cilësie duhet të kemi për të hyrë në Mbretëri?
7 Për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe me vëllezërit tanë të krishterë, duhet të zhvillojmë disa cilësi në veten tonë. Jezui vuri në dukje njërën, kur pasi mori një fëmijë dhe e vuri në mes të dishepujve, tha: «Nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni aspak në mbretërinë e qiejve. Prandaj, kush do të përulet si ky fëmijë do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Mat. 18:3, 4) Ata dishepuj kishin nevojë të bënin disa ndryshime. Duhej të liroheshin nga krenaria e tyre dhe të kultivonin përulësinë.
8. (a) Ndaj kujt duhet të jemi të përulur dhe përse? (b) Nëse jemi të përulur, si do të reagojmë ndaj këshillave?
8 Në vazhdim, apostulli Pjetër u shkroi bashkëshërbëtorëve të tij të krishterë: «Ju të gjithë ngjeshuni me modesti mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia i kundërshton mendjemëdhenjtë, por të përulurve u jep dashamirësi të pamerituar.» (1. Pjetr. 5:5) E dimë se duhet të jemi të përulur ndaj Perëndisë, por ky varg na thotë se duhet të jemi të përulur, apo modestë nga mendja edhe në marrëdhëniet tona me bashkëbesimtarët. Nëse jemi, nuk do t’i refuzojmë me budallallëk sugjerimet që mund të na japin. Do të kemi dëshirë të mësojmë nga njëri-tjetri. (Prov. 12:15) Dhe nëse vëllezërit tanë do ta shihnin të nevojshme të na jepnin këshilla për të na korrigjuar, nuk do t’i refuzonim, duke ditur se Jehovai e përdor këtë mjet në mënyrë të dashur për të na dhënë formë.—Psal. 141:5.
9. (a) Cila cilësi e rëndësishme është e lidhur ngushtë me përulësinë? (b) Përse duhet të interesohemi për ndikimin që mund të ketë mbi të tjerët sjellja jonë?
9 Një tjetër cilësi e lidhur ngushtë me përulësinë, është interesi i sinqertë për mirëqenien e të tjerëve. Është e pashmangshme që veprat tona të mos ndikojnë mbi të tjerët. Të krishterët e parë të Korintit dhe të Romës, apostulli Pavël i këshilloi që të kishin respekt për ndërgjegjen e të tjerëve. Nuk donte të thoshte se duhej të mohonin të gjitha preferimet personale, por në fakt i këshilloi të mos bënin asgjë që do të mund të shtynte një person tjetër të bënte atë, që sipas ndërgjegjes së tij ishte e gabuar, duke i shkaktuar kështu një shkatërrim frymor. Duke shprehur qartë parimin e përgjithshëm, Pavli shkroi: «Secili të vazhdojë të kërkojë jo favorin e tij, por atë të të tjerëve. . . . Prandaj edhe nëse hani a pini apo nëse bëni çdo gjë tjetër, bëni çdo gjë në lavdi të Perëndisë. Përmbahuni që të mos bëheni shkak pengese qoftë për hebrenjtë apo për grekët edhe për kongregacionin e Perëndisë.»—1. Kor. 10:24-33; 8:4-13; Rom. 14:13-23.
10. Nga çfarë mund të vërehet se e kemi shprehi të zbatojmë këtë këshillë biblike?
10 A je një person që ke shprehinë e mirë për të vënë mirëqenien e të tjerëve më lart se preferimet e tua personale? Mund të bëhet në mënyra të ndryshme, por merr për shembull këtë: Duke folur në përgjithësi, mënyra e të veshurit dhe e të krehurit është thjesht çështje e shijes personale, derisa je modest, i pastër dhe i rregullt. Por, nëse kupton se për shkak të mentalitetit që sundon në ambientin ku jeton, mënyra jote e të veshurit apo e të krehurit është pengesë për të tjerët, për sa i përket dëgjimit të mesazhit të Mbretërisë, a do të bëje ndryshime? Jeta e një njeriu tjetër, a është për ty më e rëndësishme se sa kënaqësia e vetes?
11. Çfarë tregon se është e rëndësishme të kultivojmë këto cilësi nëse duam të jemi me të vërtetë të krishterë?
11 Kur cilësitë e lartpërmendura bëhen pjesë e personalitetit tonë, kjo tregon se po fillojmë të kemi mendjen e Krishtit. Jezui dha një shembull të përsosur përulësie. (Gjon. 13:12-15; Filip. 2:5-8) Duke u interesuar për të tjerët në vend se të kënaqte veten, ai vendosi modelin që duhet të ndjekim.—Rom. 15:2, 3.
MOS E MOHONI DISIPLINËN E JEHOVAIT
12. (a) Çfarë ndryshimesh kemi nevojë të bëjmë të gjithë, në mënyrë që personaliteti ynë t’i pëlqejë Perëndisë? (b) Ç’gjë do të na ndihmojë?
12 Meqë të gjithë jemi mëkatarë, kemi nevojë të bëjmë disa ndryshime në mënyrën se si mendojmë, flasim dhe veprojmë, me qëllim që të pasqyrojmë personalitetin e Perëndisë tonë. Duhet të veshim «personalitetin e ri». (Kolos. 3:5-14; Titit 2:11-14) Këshillat dhe disiplina, na ndihmojnë për të identifikuar aspektet në të cilat duhet të korrigjohemi, si edhe për të kuptuar se si t’i bëjmë këto ndryshime.
13. (a) Me cilat mjete Jehovai siguron për të gjithë ne këshilla dhe disiplinë? (b) Çfarë duhet të bëjmë në lidhje me këtë?
13 Burimi kryesor i udhëzimeve në lidhje me këtë është vetë Bibla. (2. Tim. 3:16, 17) Pastaj, Jehovai me anë të literaturës biblike dhe mbledhjeve të siguruara nga organizata e tij e dukshme, na ndihmon të kuptojmë se si t’i vëmë në praktikë. A do ta pranojmë përulësisht se kemi nevojë për udhëzime të tilla—edhe pse tashmë i kemi dëgjuar—dhe a do të përpiqemi vazhdimisht të përmirësohemi?
14. Çfarë ndihme të mëtejshme na siguron Jehovai individualisht?
14 Jehovai nuk na lë që të luftojmë të vetëm me problemet që për ne mund të jenë veçanërisht të vështira. Me një kujdes dashamirës, ai merr masa në mënyrë që të kemi ndihmë personalisht. Miliona njerëz kanë nxjerrë dobi nga kjo ndihmë me anë të studimeve biblike në shtëpi. Prindërit kanë përgjegjësinë kryesore për të disiplinuar bijtë e tyre, që t’i mbrojnë nga një sjellje që më vonë mund t’u shkaktojë shumë pakënaqësi në jetë. (Prov. 6:20-35; 15:5) Dhe në gjirin e kongregacionit, ata që janë frymësisht të kualifikuar kanë përgjegjësinë të përdorin Shkrimet për të ndrequr të tjerët kur e shohin të nevojshme, por duke e bërë këtë me një frymë butësie. (Gal. 6:1, 2) Në këto mënyra Jehovai na jep këshilla dhe na disiplinon, me qëllim që të mund ta adhurojmë si popull i bashkuar.
Pyetje për përsëritje
● Në ç’mënyrë Jehovai na ndihmon me dashuri për të kuptuar personalisht se ku duhet të bëjmë disa ndryshime?
● Përse shumë persona e kanë të vështirë të pranojnë këshillat? Përse kjo gjë është një problem serioz?
● Cilat cilësi të paçmueshme do të na ndihmojnë për të pranuar këshillat? Çfarë shembulli na dha Jezui në lidhje me këto cilësi?